Lajmet

Serbët protestojnë: Ata marrin paga të dyfishta e ne asnjë

Published

on

Rreth 20 qytetarë të pakënaqur të komunitetit serb nga Vërboci, që gjendet rreth 60 kilometra nga Prishtina, për të gjashtën ditë radhë kanë protestuar para Organit të përkohshëm komunal të Vitisë, që funksionon në kuadër të sistemit serb. Ata protestuan lidhur me çështjen e papunësisë.

Sipas sistemit të Kosovës, Vërboci i përket Komunës së Kllokotit, një prej komunave të banuara me shumicë serbe në jug të Kosovës.

Në Kosovë janë dhjetë komuna me shumicë serbe dhe që të gjitha kanë kryetarë nga Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, që mbështetet nga Beogradi.

Sipas banorëve të Vërbocit, në institucionet kosovare dhe serbe punësohen njerëz që jetojnë në Serbi dhe jo në Kosovë, të punësuarit nuk paraqiten në punë, por marrin paga të larta dhe ka edhe prej atyre që kanë rroga të dyfishta, ndërkaq “për njerëzit e zakonshëm nuk ka punë”.

“Ata marrin rroga të dyfishta dhe unë nuk kam asnjë rrogë. Për 20 vjet, askush nuk dëshiron që të ndihmojë këta njerëz”, tha për Radion Evropa e Lirë, Dejan Rakiq, një prej organizatorëve të protestës në Vërboc.

Rakiq dhe banorët e tjerë nga Vërboci po kërkojnë largimin e kryetarit të Organit të përkohshëm komunal të Vitisë, Sërxhan Nikolliq. Po ashtu ata po kërkojnë që të bisedojnë edhe me drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, të cilit duan t’ia shpjegojnë “se çfarë po ndodh në Kosovë”.

Rakiq tha se ai dhe familja e tij varen nga ndihma sociale dhe shtesat për fëmijët, që i marrin nga buxheti i Serbisë.

Ndërkaq, Lidija Cvetkoviq nga Vërboci pohon se nuk ka të ardhura financiare dhe se “nuk dëshiroj ndihmë sociale, por punë”. Ajo po ashtu mori pjesë në protestë për ta informuar publikun për “keqpërdorimet brenda Organit të përkohshëm komunal të Vitisë”.

Lidija Cvetkoviq, 26-vjeçare, ka përfunduar shkollën e mesme të mjekësisë dhe për vite është në kërkim të punës në institucionet shëndetësore që punojnë sipas sistemeve të Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, ajo tha se për të nuk ka punë.

Kryetari i Organit të përkohshëm komunal, Sërxhan Nikolliq tha se përmes një përgjigjeje me shkrim dërguar REL-it do t’iu përgjigjet akuzave të banorëve të Vërbocit, por ai nuk ka dërguar asnjë reagim deri në publikimin e këtij teksti.

Protestat si një mënyrë për të gjetur punë

Në mesin e muajit mars, Lidija Cvetkoviq gjithashtu mori pjesë në protestën që u mbajt pranë ndërtesës së Qendrës Shëndetësore në Pasjan të Parteshit, një komunë tjetër e banuar me shumicë serbe. Protestat në Pasjan u mbajtën për të kundërshtuar “punësimet familjare dhe partiake”.

Megjithatë, disa ditë pas asaj proteste, organizatori i protestës, Bojan Stojkoviq tha se ishte mbajtur një takim “me përfaqësuesit e shtetit të Serbisë”, të cilët ofruan një zgjidhje për problemin e tyre dhe prandaj ata ndërprenë protestat.

Po ashtu në muajin mars u organizuan protesta për të njëjtën arsye edhe pranë Qendrës Klinike Spitalore në Graçanicë, por protestat u ndërprenë pas disa ditësh.

Qendra Shëndetësore në Pasjan dhe Qendra Klinike Spitalore në Graçanicë funksionojnë sipas sistemit serb.

Cvetkoviq tregon se atëbotë atyre iu dhanë “premtime të rreme” dhe thekson se ende nuk kanë hequr dorë nga protestat.

“Ata na thirrën, na thanë se do ta zgjidhnin këtë çështje. Thjesht mashtruan njerëzit që të mos dilnin në protesta”, shprehet Cvetkoviq.

“Unë nuk mora asgjë, ata që fituan, fituan. Ata vazhdimisht na thërrisnin që të mos mbanin protesta”, shton ajo.

Pse serbët në Kosovë nuk e ngrenë zërin?

Lidija Cvetkoviq dhe Dejan Rakiq i thanë Radios Evropa e Lirë se serbët e Kosovës janë të frikësuar dhe se ata vazhdimisht kërcënohen se do të mbesin “pa asgjë nëse ngrenë zërin kundër diçkaje”.

“Nëse nuk do të kisha mbledhur njerëz për të dalë në protestë, askush nuk do të kishte dalë. Njerëzit kanë frikë sepse mund t’ua marrin ndihmën sociale, kanë frikë se mund ta humbasin atë”, tha Lidija Cvetkoviq.

Edhe Dejan Rakiq ka të njëjtin mendim.

“Ka mbi 200 njerëz në fshatin tim. Unë e di që ata duhet të dalin (për të protestuar), por nuk guxojnë të shprehin qëndrimet e tyre, mendimet e tyre. Ata heshtin për rreth 120 euro të ndihmave sociale”, tregoi Rakiq.

Situatë e ngjashme dhe në komunat e tjera me shumicë serbe

Problemi i papunësisë është një nga problemet më të mëdha me të cilat përballen serbët në Kosovë, prandaj shumë të rinj gjithnjë e më shumë po largohen nga vendi në kërkim të një jete më të mirë.

Këtë e konfirmon për Radion Evropa e Lirë, Sllaxhan nga Shtërpca, i cili u shpërngul në Jagodinë të Serbisë, për shkak se në Shtërpcë nuk gjeti punë. Ai viziton Shtërpcën disa herë brenda vitit, për të parë prindërit e tij.

“Pa punë, çfarë të bëja këtu? Unë shkon në Jagodinë, punoj atje gjatë verës. Këtu nuk gjeta puna. Nëse jeni me partinë e tyre, mund të gjeni punë, nëse jo, nuk ka punë. Unë nuk jam me parti, prandaj nuk gjeta punë”, tregoi ai.

Planinka Staletoviq nga Brezovica, në Komunën e Shtërpcës thotë se ka mbetur vetëm, pasi fëmijët e saj u larguan nga Kosova, në kërkim të punës.

“Ne kemi një kopsht fëmijësh, por nuk kemi fëmijë. Si të martojmë fëmijët kur nuk kanë para?”, thotë Planinka Staletoviq.

Kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikolliq nga partia Lista Serbe, nuk ka komentuar për këtë çështje.

Nikolliq, që nga viti 2009 është kryetar i kësaj komune, që u formua në bazë të Planit të Ahtisarit. Ky plan është dokumenti, në bazë të të cilit u shpall pavarësia e Kosovës më 2008.

Bratisllav Nikoliq më herët ishte kryetar i Partisë Liberaledhe pas zgjedhjeve lokale të vitit 2013, iu bashkua Listës Serbe dhe më 2017 fitoi sërish zgjedhjet lokale.

Përveç që është kryetar i Shtërpcës, Nikolliq po ashtu është i punësuar si koordinator i Organit të përkohshëm, që funksionon në kuadër të sistemit serb.

Kryetarët e komunave të tjera të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, gjithashtu marrin paga të dyfishta, ku njëri prej tyre është Zoran Todiq, kryetari i Leposaviqit, sipas sistemit të Kosovës dhe Serbisë./REL

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 31 tetor 1993-1998

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

31 tetor 1993

Mikel Koliqi – kardinal i parë shqiptaë

Dje në Kishën katedrale të Shkodrës u mbajt një meshë e veçantë me rastin e shugurimit të kardinalit të parë shqiptar, shkëlqesisë së tij, monsinjor Mikel Koliqit, si dhe me rastin e kthimit të arqipeshkvit të Shkodrës, monsinjor Frano Ilia nga SHBA. Në këtë meshë morën pjesë Ivan Dias, ipeshkv i Pultit, monjisor Robert Ashta, si dhe ndihmësi i ipeshkvit të Shkodrës, monsinjor Zef Simoni, etj.

Në momentin kulmor të kësaj ceremonie foli Nunsi Apostolik, monsinjor Ivan Dias, i cili i njoftoi besimtarët me lajmin e shpalljes nga kryetari i Selisë së Shenjtë, Papa Gjon Pali II të kardinalit të parë shqiptar, monsinjor Mikel Koliqit.

Mikel Koliqi është kardinali i parë në historinë shumëshekullore të katolicizmit shqiptar.

Lindi në Shkodër më 29 shtator 1902. Studimet e para i mori në Shkodër, ato të mesmet dhe të lartat për inxhinier në Itali. Në moshën 25-vjeçare bëhet prift. Kreu studimet e larta në teologji. Shugurohet meshtar në vitin 1931. Menjëherë emrohet zëvendës i famullitarit i Shkodrës. Pastaj bëhet famullitar i Shkodrës.

Mikel Koliqi ka qenë drejtor i parë i revistës “Kumbana e së dielës”, e cila ndalohet më 1945 me arrestimin e tij. Ai i kaloi 38 vjet në burg e internim. Më 1986 lirohet me amnisti të përgjithshme.

Kuvendi i Shqipërisë në vitin 1992 Mikel Koliqit i jep titullin “Pishtar i demokracisë”.

 

31 tetor 1995

Gjatë vitit 1990 u vranë në kufi 32 shtetas të Shqipërisë

Gjatë vitit 1990 në kufijt e Shqipërisë u vranë 32 shtetas të Shqipërisë nga forcat kufitare shqiptare, njoftuan dje duke cituar një padi në Tiranë disa radiostacione të huaja.

Në njoftim thuhej se numri i të vrarëve në atë vit është më i madh se numri i të vrarëve për periudhën 1959 – 89. Për 30 vjet ishin vrarë 23 persona.

Njoftohet se organet zyrtare shqiptare kanë përgatitur listën e ta vrarëve dhe të dhënat për vendin e kohën e vrasjes së tyre, kështu që familjet e viktimave të mund të paraqesin padi.

 

31 tetor 1997

Gjendje e rëndë në fshatrat e komunës së Gjakovës

Bandat e armatosura plaçkitëse nga Shqipëria po vazhdojnë edhe më tutje kalimin në fshatrat kufitare të komunës së Gjakovës dhe po vrasin e plaçkisin banorët e kësaj ane.

Sipas njoftimeve nga Dega e LDK-së në Gjakovë, ditëve të fundit, gjendja është shumë e rëndë sidomos në fshatrat Molliq, Koshare, Brovinë, Nivokaz e Botushë.

Kalimet e bandave të ditëve të fundit kanë patur për pasojë edhe një të vrarë në Koshare, Afrim H. Zenunin, që u vra nga banda treanëtarëshe më 28 tetor. Ai kishte shkuar për të marrë sanë për bagëtinë në mesditë, ndërsa kjo bandë e detyroi t’i shpinte në shtëpinë e Xhanajve. Nën kërcënimin e armëve, Afrimi i drejtoi në këtë shtëpi, që është e varfër dhe që mbahet nga ndihmat e fshatit e në të cilin pjesëtarët e bandës plaçkitën çfarë gjetën dhe keqtrajtuan Mehmet Xhanin (52). Pas kësaj ata e detyruan Afrimin t’i dërgonte në shtëpinë e tij. Kur iu afruan shtëpisë, Afrimi thirri babain e tij për t’i bërë me dije se “në shtëpinë e tyre po vinin hajnat”. Në këtë moment, Afrimi u kacafyt me njërin nga pjesëtarët e bandës, i cili shkrepi automatikun dhe plagosi rëndë Afrimin. Meqë Kosharja është fshat malor, dërgimi i tij në Gjakovë u vonua dukshëm dhe kështu Afrimi vdiq nga pasojat e plagosjes.

Sipas njoftimeve, në fshatin Molliq se gjendja është e rëndë sidomos pas 17 tetorit. Këtë ditë, rreth orës 22, tre persona të maskuar e të armatosur me pushkë automatike, revole, thika e bomba, morën peng Kadri Hasanin (16) dhe e urdhëruan që t’i dërgojë në shtëpinë e Hysen Sadriut. Në këtë shtëpi plaçkitësit morën para, stoli ari dhe gjithë tjetër që kishte vlerë. Më pas plaçkitësit shkuan edhe në shtëpinë e djaloshit të marrë peng ku plaçkitën mall me vlerë prej rreth 1000 DM. Më pas djaloshi 16 vjeçar dhe të tjerët u detyruan me forcë që mallin e plaçkitur ta dërgojnë deri matanë kufirit. Atje, rreth orës 3 pas mesnate, plaçkitësit ua morën edhe këpucët dhe i detyruan të kthehen prapa.

Më 22 tetor, plaçkitësit trokitën në disa dyer të fshatit Molliq, ndërsa rreth orës 20:00 tentuan të hyjnë në një shtëpi të fshatit. Por, pasi u mblodhën rreth 50 banorë, plaçkitësit u larguan. Në një shtëpi më të largët ata vodhën dy batanije dhe demoluan orenditë. Po këtë ditë ata vodhën tri lopë në fshatin Nivokaz.

Më 23 tetor, në mesditë, tre plaçkitës të armatosur ia morën me dhunë lopën një fshatari, por meqë për pak kohë u tubuan shumë fshatarë, pas rreth 300 metrash, plaçkitësit e lëshuan lopën.

Më 24 tetor, iu plaçkitën tri lopë Osman Hysenit nga Shishmani.

Më 25 tetor, pas orës 1 pas mesnate, plaçkitës të armatosur vodhën tri lopë në Batushë, dy prej të cilave i lanë të lidhura në malin në afërsi, pasi vërejtën se plaçkitja ishte hetuar.

Më 27 tetor, rreth orës 18:30, plaçkitësit hynë në shtëpinë e Kasëm Ramës për t’ia marrë atij lopën. Ata, në shpejtësi morën peng djalin e tij 13 vjeçar. Pas kësaj u mblodhën disa fshatarë, plaçkitësit lanë djalin, dhe u larguan ngadalë nga vendi i ngjarjes.

Dje, kur u varros i ndjeri Afrim Zenuni, i vrarë nga plaçkitësit, u përhapën fjalë se tre persona të armatosur ishin vërejtur në vendin e quajtur “Shkozë” në afërsi të fshatit Batushë. Ndërsa, pas orës 24:00 në Batushë ata plaçkitën 6 lopë dhe një kali, pronë e Hasan Mehmetit.

Që nga data 15 qershor në fshatrat e përmendura më lart, janë plaçkitur mbi 40 krerë lopë. Ndërsa më parë vetëm në këto fshatra janë plaçkitur mbi 100 krerë lopë, dele e kuaj. Në fshatrat e bashkësisë lokale të Ponoshecit, ku më parë janë plaçkitur mbi 100 krerë bagëti, vetëm këtë vit janë plaçkitur mbi 150 krerë.

Njoftimet nga këto fshatra bëjnë të ditur për një gjendje tepër të tensionuar dhe për shqetësim të përgjithshëm të banorëve të pambrojtur, të cilët përditë e më shumë po bëhen pre e plaçkitësve të armatosur, të cilët për realizimin e qëllimeve të tyre janë në gjendje madje edhe të vrasin njerëzit, faji i vetëm i të cilëve është se provojnë të mbrojnë atë që është pronë e tyre.

 

31 tetor 1998

Në Llaushë u gjetën tri gra të vrara

Sot në Llaushë të Skënderajt u gjetën trupat e tri grave shqiptare, të vrara gjatë sulmit serb në këtë fshat para tre muajsh.

Nënkëshilli i KMDLNJ-së në Skënderaj njoftoi se u gjetën trupat e Fatime Gecit (73) e Mevlude Gecit (45) nga Llausha, dhe trupi i Hamide Terakut (51) nga Vitaku, nënë e 8 fëmijëve. Dy të parat ishin invalide dhe nuk kishin arritur të ikin nga fshati.

Trupat e tyre u gjetën të gropuar së bashku me mbeturina të shtazëve të vrara dhe të mbuluar me pak dhe.

 

Në Lubeniq të Pejës u gjet kufoma e djegur e Mehmet Ukshinajt

Më 27 tetor të këtij viti, rreth 70 metra larg shtëpisë së tij u gjet kufoma e djegur e Mehmet Ukë Ukshinajt (70) nga Lybeniqi i Pejës.

Qerim Ukshinaj, vëlla i Mehmetit i tha KI të Degës së LDK-së në Pejë se forcat serbe kanë ekzekutuar dhe djegur vëllain e tij Mehmetin katër muaj më parë, por që nuk është identifikuar ajo për shkak se në këtë fshat nuk ka jetuar asnjë banorë shqiptarë.

 

Continue Reading

lajme

Protestat vazhdojnë në Prishtinë: Kërkohet që vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare

Published

on

By

Protesta kundër vrasjes së Arlinda Zekajt ka vazhduar edhe sot në Prishtinë, ku qytetarët janë mbledhur për të tretën ditë radhazi në sheshin e kryeqytetit për të kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi institucionale.

Gjatë ditës së sotme, protestuesit janë ndalur edhe para objektit të Qeverisë së Kosovës, duke shprehur pakënaqësi të thellë ndaj mënyrës se si po menaxhohen e trajtohen rastet e dhunës ndaj grave nga organet kompetente.

Këto aksione po organizohen nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, nën moton kryesore “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”.

Continue Reading

Lajmet

Akil Gjakova mbyll garën pa medalje në Abu Dhabi

Published

on

By

Xhudisti kosovar Akil Gjakova e ka mbyllur pa medalje paraqitjen e tij në Grand Slam-in e Abu Dhabit, pasi u mposht në përballjen e drejtpërdrejtë për vendin e tretë.

Në kategorinë deri në 73 kilogramë, Gjakova u ndal në luftën për medaljen e bronztë nga xhudisti rus Karen Galstian. Pejani e nisi garën i lirë në xhiron e parë, ndërsa në të dytën mposhti me Ippon izraelitin Ohad Moritz. Suksesin më të madh e shënoi në raundin e tretë ku eliminoi nënkampionin e botës, Makhmadbek Makhmadbekov, po ashtu me Ippon në kohën shtesë.

Pasi u mposht në çerekfinale nga azerbajxhanasi Hidayat Heydarov, Gjakova kërkoi suksesin përmes repesazhit, por nuk arriti të ngjitej në podiumin e fituesve. /E.A/

Continue Reading

lajme

Nën hetim për projektin e kryeqytetit: Përparim Rama paraqitet në Prokurorinë Speciale

Published

on

By

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, është paraqitur sot në Prokurorinë Speciale ku po intervistohet në cilësinë e të dyshuarit lidhur me projektin “Arkitekti i Kryeqytetit”.

Rama arriti në prokurori i shoqëruar nga avokati Artan Çerkini, teksa para hyrjes deklaroi shkurtimisht se detyra e tij është ndërtimi i kryeqytetit, ndërsa e organit të ndjekjes është të sigurohet që gjithçka bëhet në përputhje me ligjin. Hetimet për këtë projekt ndërlidhen me procedurat e prokurimit publik, vlerën prej 12 milionë eurosh, si dhe me dyshimet për manipulim të stafit e konflikt interesi.

Intervistimi i kryetarit të Prishtinës vjen pas tensioneve publike dhe paralajmërimeve nga zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje për arrestimin e tij të mundshëm, reagime këto që pasuan ndryshimet e fundit në udhëheqjen e Prokurorisë Speciale, ku pas shkarkimit të Blerim Isufajt, detyra i është besuar prokurorit Dren Paca.

Ndaj deklaratave të përfaqësuesve të pushtetit, Rama u ka bërë thirrje publike organeve të drejtësisë që të merren me ato që i ka cilësuar si kërcënime direkte ndaj tij. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara