Lajmet

Sekretet në fundin e liqenit më të thellë në botë, Baikal

Interesant është fakti se në shumicën e kohës liqeni është i ngrirë.

Published

on

Njerëzit kanë pasur gjithmonë shumë interes për gjërat më të veçanta në planetin tonë. Liqeni Bajkal është pak më ndryshe. Të qenit liqeni më i thellë dhe më i vjetër në botë, do të ishte zakonisht elementi tërheqës kryesor. Por edhe më interesant është fakti se në shumicën e kohës liqeni është i ngrirë.

Shumë rrallë ky liqen është i shkrirë. Dhe madje edhe atëherë, temperaturat janë sërish aq të ulëta, saqë askush nuk guxonte të bënte ndonjë zhytje për të gjetur fundin. Liqeni vlerësohet se ka një thellësi maksimale prej 1.637 metrash dhe është rreth 25 milionë vjet i vjetër. Ai përmban 1/5 rezervës së ujit të ëmbël në botë, me rreth 23.000 kilometra kub ujë.

Një nga sekretet e fshehura brenda liqenit janë 1000 lloje unike peshqish (të zbuluar deri më tani) që jetojnë në liqen, dhe 245 lloje bimësh ujore që janë gjithashtu unike për atë mjedis. Por shkencëtarët supozojnë se mund të ketë edhe më shumë lloje peshqish në fund të tij, ndoshta edhe krijesa të ndryshme të panjohura.

Vetëm në vitin 2008 një ekip i vogël kërkimor, guxoi të zbriste në fund të liqenit me dy nëndetëse të vogla. Por ai eksploroi vetëm një pjesë të vogël të liqenit gjigant. Në një thellësi të atillë, presioni është aq i madh, saqë oksigjeni mbaron shumë shpejt.

Ka shumë spekulime mbi mënyrën sesi u krijua ky liqen kaq i thellë. Disa thonë se mund të jetë formuar nga një meteorit i madh që u përplas me Tokën 25 milionë vjet më parë. Por ky pretendim nuk është aq i besueshëm, pasi një meteorit me dimensione të tilla do të kishte fuqinë për ta shkatërruar të gjithë planetin.

Nga ana tjetër, një shpjegim më logjik për formimin e këtij liqeni, është lëkundja e fuqishme e pllakave tektonike që shkaktoi një tërmet aq të madh, saqë një mal u nda në dysh dhe në miliona vjet krijoi gradualisht liqenin. Në dimër, trashësia e akullit arrin deri në 6 metra, duke bërë të mundur udhëtimin e sigurt të makinave, pa rrezikuar asnjëherë nga ndonjë plasaritje e mundshme.

Është interesante se si krijesat që jetojnë brenda liqenit kanë evoluar për t’u përshtatur me kushte të tilla ekstreme. Fama e liqenit është zgjeruar edhe nga shumë legjenda, madje disa parahistorike. Thuhet se kur liqeni shkrihet, edhe nëse një varkë guxon të lundrojë në të, për shkak të thellësisë mund të krijohen dallgë të mëdha që krijohen nga hiçi, duke e fundosur atë.

Kjo legjendë u krijua gjatë sundimit të udhëheqësit mongol Xhengiz Khan. Një mister interesant është se në ishullin brenda liqenit u gjet një ndërtim i vjetër shkëmbor me një gjatësi prej 300 metrash. Ai besohet të jetë ndërtuar nga një kult vendas në shekullin V-të, pasi pas këtij ndërtimi ka disa varreza të vjetra.

Një hipotezë tjetër për këtë formacion shkëmbor misterioz, është se ai mund të ketë shërbyer si një mur mbrojtës. Sido që të jetë, formacioni shkëmbor tani është bërë pjesë e liqenit pasi akulli ka bllokuar fundin e formacionit shkëmbor.

Ky formacion shkëmbor është kthyer në një atraksion turistik, edhe pse është shumë e vështirë për t’u arritur për shkak të rrugës së vështirë. Pushteti vendor donte të ndërtonte një rrugë drejt këtij vendi. Por shamanët vendas i ndaluan, pasi kjo do të nënkuptonte mbulimin e varrezave të paraardhësve të tyre.

Një tjetër histori interesante ndodhi në vitin 1982 kur disa peshkatarë vendas lajmëruan policinë, pasi po shihnin drita të forta që vinin nga thellësia e liqenit. Ushtria hyri për të hetuar. Dhjetëra ushtarë u zhytën në liqenin e ngrirë për të parë se nga vinte drita. Thuhet se në 50 metra thellësi ata panë disa krijesa humanoide aliene që e prodhonin këtë dritë.

Tre nga ushtarët u vranë, ndërsa pjesa tjetër doli me shpejtësi në sipërfaqe. Por kjo histori duhet marrë disi me rezerva, pasi besohet se është trilluar nga vendasit. Për më tepër s’ka asnjë provë për ta justifikuar atë ngjarje./syri.net

Continue Reading

Lajmet

AAK: Ejani ta votojmë Ligjin për Specialen

Published

on

By

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, u ka bërë thirrje publike të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të mblidhen urgjentisht për të votuar ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Përmes një konference për media të mbajtur në ambientet e Kuvendit, Tahiri theksoi se kanë mbetur vetëm edhe 13 orë nga afati për të votuar këtë ligj dhe për të përmbyllur procesin.

“Jemi në Kuvend kur kanë mbetur edhe 13 orë deri te mundësia e votimit të Ligjit të Dhomave të Specializuara dhe konstituimit të plotë të vendit. Nga këtu, në emër të GP të Aleancës, u bëjmë thirrje kolegëve deputetë: ejani menjëherë në Kuvend ta votojmë Ligjin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit Special, të bashkohemi sot gjithmonë në anën e drejtë të historisë rreth UÇK-së, vlerës më të lartë kombëtare. Kosova na thërret”, deklaroi Tahiri. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Haxhiu kërkon sqarim nga Kushtetuesja për kompetencat presidenciale pas skadimit të mandatit

Published

on

By

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarim se kush mund t’i ushtrojë kompetencat presidenciale pas përfundimit të mandatit të saj gjashtëmujor, nëse Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë presidentin e ri.

Këtë e konfirmoi Zyra e Presidentes në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë më 6 tetor – në ditën kur skadon afati për zgjedhjen e presidentit të ri.

Sipas Zyrës, Haxhiu e ka dorëzuar kërkesën në Gjykatën Kushtetuese më 5 tetor, duke u thirrur në nenin 113, paragrafi 3, nënparagrafi 1 i Kushtetutës.

“Kemi kërkuar të përcaktohet se si dhe nga kush ushtrohen kompetencat e domosdoshme presidenciale pas përfundimit të periudhës gjashtëmujore, kur presidenti i ri ende nuk është zgjedhur”, tha Zyra e Presidentes për REL-in.

Continue Reading

Lajmet

Gjeneral Jashari pret në takim lamtumirës komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Özkan Ulutaş

Published

on

By

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur sot në një takim lamtumirës komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Özkan Ulutaş, me rastin e përmbylljes së misionit të tij ushtarak në Kosovë.

Gjatë takimit, dy krerët ushtarakë diskutuan për situatën e përgjithshme të sigurisë në Kosovë dhe rajon, si dhe për rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit të vazhdueshëm ndërmjet FSK-së dhe KFOR-it. Ata vlerësuan lart nivelin e partneritetit ndërinstitucional, duke theksuar nevojën për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit profesional dhe operacional përmes angazhimeve të përbashkëta dhe shkëmbimit të përvojave.

Gjenerallejtënant Jashari shprehu mirënjohjen e tij për rolin dhe kontributin e KFOR-it në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend, duke riafirmuar përkushtimin e FSK-së për forcimin e mëtejshëm të raporteve dypalëshe.

Në përmbyllje të takimit, komandanti i FSK-së i uroi gjeneralit Ulutaş shëndet dhe suksese në marrjen e detyrave dhe përgjegjësive të reja ushtarake./E.A/

Continue Reading

Lajmet

Dyshohet se Policia përdori gaz lotsjellës me afat të skaduar mbrëmë: Cilat janë rreziqet dhe efektet e tij shëndetësore?

Published

on

By

Gjatë përplasjeve të mbrëmshme mes protestuesve dhe Policisë së Kosovës para Kuvendit, ku forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë turmën, janë ngritur dyshime mbi specifikat e mjeteve të përdorura. Nga pamjet e siguruara në terren, një nga gëzhojat e gazit lotsjellës të përdorur (e llojit CS POWDER) mban datën e prodhimit qershor 2018 (Mfg Date: 06/2018), çka ngre dyshime se afati i përdorimit të tij ka skaduar prej kohësh.

Sipas raporteve ndërkombëtare mbi pajisjet për kontrollin e turmave nga organizata si Physicians for Human Rights dhe studimeve mjekësore mbi ekspertizën e mjeteve kimike, përdorimi i gazit lotsjellës të skaduar përbën një rrezik shtesë për shëndetin publik, pasi përbërësit kimikë mund të dekompozohen dhe të shkaktojnë reaksione anormale.

Ndër efektet kryesore të dëmshme të dokumentuara nga gazi i skaduar numërohen:

  • Tolerancë e zvogëluar kimike dhe reaksione më të ashpra: Komponimet e dekompozuara kimike mund të bëhen më toksike ose më irrituese se gazi me afat të rregullt.
  • Dëmtime më të rënda në rrugët e frymëmarrjes: Mund të shkaktojë spazma më të forta bronkiale, djegie intense të fytit e mushkërive dhe vështirësi më të gjata në frymëmarrje.
  • Irritim dhe djegie të theksuar të lëkurës e syve: Në vend të efektit të përkohshëm, gazi i skaduar mund të shkaktojë djegie kimike të lëkurës, skuqje të zgjatur ose dëmtime më serioze në indet e syve.
  • Rrezik për shpërthim ose ndezje anormale: Me kalimin e afatit, mekanizmi i ndezjes dhe lënda djegëse në gëzhojë mund të mos funksionojnë siç duhet, duke rritur rrezikun e djegieve fizike apo lëndimeve nga fragmentet. /E.A/

Foto: Dardan Shala

 

Continue Reading

Të kërkuara