Botë

Sekretari amerikan i Mbrojtjes flet për planin e paqes në Ukrainë

Published

on

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka deklaruar se është “joreale” të pritet që Ukraina të rikthehet në kufijtë e saj të para vitit 2014, kur Rusia mori kontrollin e Krimesë.

Duke folur në një takim të Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës në Bruksel, Hegseth tha se një “paqe e qëndrueshme” mund të arrihet vetëm me një “vlerësim realist të fushës së betejës”.

Sekretari amerikan minimizoi gjithashtu mundësinë e anëtarësimit të Ukrainës në NATO dhe përjashtoi dërgimin e trupave amerikane në Ukrainë në kuadër të një marrëveshjeje të ardhshme sigurie.

Kievi ka kërkuar vazhdimisht anëtarësim në NATO dhe ka refuzuar dhënien e territorit si pjesë e një marrëveshjeje paqeje.

Ne duam, si ju, një Ukrainë sovrane dhe të begatë. Por duhet të pranojmë se kthimi në kufijtë e Ukrainës para vitit 2014 është një objektiv jorealist. Ndjekja e këtij qëllimi do ta zgjaste luftën dhe do të shkaktonte më shumë vuajtje,” u shpreh Hegseth para më shumë se 40 vendeve aleate të Ukrainës.

Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë nga Ukraina në mars 2014 dhe më pas mbështeti separatistët pro-rusë në një kryengritje të armatosur kundër forcave të Kievit në lindje të vendit. Aktualisht, Moska kontrollon rreth një të pestën e territorit të Ukrainës.

Hegseth theksoi se çdo paqe e qëndrueshme duhet të përfshijë “garanci të forta sigurie për të siguruar që lufta nuk do të rinisë”. AI shtoi se “Shtetet e Bashkuara nuk besojnë se anëtarësimi në NATO i Ukrainën është një zgjidhje realiste”.

Në vend të kësaj, ai sugjeroi që garancitë e sigurisë të mbështeten nga “trupa të afta evropiane dhe joevropiane”. Nëse këto trupa vendosen si paqeruajtës në Ukrainë, “ato duhet të jenë pjesë e një misioni jo-NATO dhe nuk duhet të mbulohen nga Neni 5”, klauzola e mbrojtjes reciproke të aleancës.

Ish-presidenti Donald Trump ka deklaruar vazhdimisht se prioriteti i tij është t’i japë fund luftës, duke kritikuar shpenzimet e larta të SHBA-së për ndihmën ushtarake ndaj Kievit.

Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka shprehur gatishmërinë për të negociuar një marrëveshje paqeje me Rusinë, por ka theksuar se “Kievi duhet ta bëjë këtë nga një pozitë force”.

Në një intervistë për The Guardian, Zelensky ka sugjeruar mundësinë e një shkëmbimi territoresh me Rusinë, duke dhënë zona që Ukraina ka marrë në rajonin e Kursk-ut gjatë ofensivës së fundit, në këmbim të territoreve të tjera të pushtuara nga Moska.

Live

Andy Burnham merr zyrtarisht detyrën si Kryeministër i ri i Britanisë së Madhe: Premton një model të ri politik dhe plan 10-vjeçar

Published

on

By

Andy Burnham ka mbajtur fjalimin e tij të parë si kryeministër i Britanisë së Madhe përpara një turme të madhe në Downing Street, duke shënuar fillimin e një epoke të re politike. Pa pasur nevojë për një foltore dhe i rrethuar nga mbështetësit, kryeministri i ri e cilësoi emërimin e tij si një moment reflektimi dhe rezolute të re, duke thënë se gjenerata e tij e politikanëve duhet të ngrejë nivelin e angazhimit për të rikthyer stabilitetin e vendit.

Burnham pranoi se qytetarët janë të lodhur nga politika aktuale dhe premtoi se ky moment do të shërbejë si një ndryshues i madh kursesh, duke u zotuar për një model të ri që bazohet në bashkëpunim dhe zgjidhje të problemeve, larg pikëve politike. Ai kritikoi vendimet e gabuara të viteve të 80-ta, përfshirë privatizimin dhe de-industrializimin, duke thënë se shumë zona ende nuk janë rimëkëmbur nga ato politika.

Në planin e tij qeverisës, Burnham premtoi se që nga e nesërmja do të shpalosë planet për t’u dhënë njerëzve më shumë hapësirë sa i përket kostos së jetesës, duke treguar edhe si do të financohen ato.

Ai u zotua për ndryshime në sistemin e arsimit për të ndihmuar të rinjtë të futen në tregun e punës, rritje të mbështetjes për shëndetin mendor, si dhe ndërtimin e më shumë shtëpive sociale si një mënyrë e drejtë dhe e qëndrueshme për të ulur shpenzimet e asistencës sociale.

Ndër vendimet e tij të para të prera, kryeministri i ri njoftoi se do të nxjerrë urdhrin e parë për t’i dhënë fund fenomenit të njerëzve që flenë në rrugë.

Për më tepër, Burnham bëri të ditur se do të largojë pushtetin nga Westminsteri për ta shtrirë atë në çdo cep të vendit. Ai u zotua të ndërtojë një ekonomi të re, duke kthyer shërbimet dhe mallrat jetike nën kontrollin publik për t’i bërë ato të përballueshme, si dhe të ri-industrializojë Britaninë duke mbështetur industrinë vendase.

Kryeministri njoftoi se më vonë gjatë këtij viti do të prezantojë një plan 10-vjeçar që do të përcaktojë qartë rrugën se ku dëshiron ta dërgojë vendin. Duke theksuar se kujdesi për njerëzit do të jetë në qendër të çdo vendimi të tij, Burnham i bëri thirrje publikut dhe mbështetësve që t’i qëndrojnë pranë për të ndërtuar një ndjenjë të re të unitetit kombëtar, duke e përmbyllur fjalimin mes duartrokitjeve të shumta, para se të futej në rezidencën e famshme numër 10. /BBC/

Continue Reading

Live

Rubio: Irani po e përdor Ngushticën e Hormuzit si mjet presioni

Published

on

By

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se Irani po përpiqet ta përdorë Ngushticën e Hormuzit si “mjet presioni ndaj botës”.

Ai e akuzoi atë se synon të kontrollojë një rrugë jetike ndërkombëtare dhe u bëri thirrje edhe vendeve të tjera që të ndajnë barrën e mbrojtjes së transportit detar global.

Duke folur para gazetarëve, para nisjes për një takim në Filipine, Rubio tha se operacionet ushtarake amerikane janë të përqendruara vetëm në ndalimin e sulmeve iraniane ndaj anijeve tregtare dhe në dobësimin e aftësisë së Teheranit për të kërcënuar trafikun detar.

“Është e qartë se Irani, ose të paktën disa njerëz në Iran, duan ta kontrollojnë Ngushticën dhe ta përdorin atë si mjet presioni ndaj botës”, tha Rubio.

“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të bëjnë atë që është e nevojshme për të mbrojtur transportin detar global, por edhe vendet e tjera duhet të fillojnë të kontribuojnë, qoftë me pajisje, qoftë me mjete financiare, për ta ndarë këtë barrë”, shtoi ai.

Sipas tij, Uashingtoni nuk mund të mbetet i vetmi përgjegjës për sigurimin e një prej rrugëve më të ngarkuara tregtare detare në botë.

“Nuk është detyrë e Shteteve të Bashkuara që ta mbrojnë përgjithmonë transportin detar të të gjithë planetit”, tha Rubio.

 

Diplomacia mbetet e mundur

Rubio tha se fushata aktuale ushtarake amerikane ka në shënjestër vetëm kapacitetet iraniane që po përdoren për të lëshuar raketa dhe dronë ndaj anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit.

Ai e përshkroi Ngushticën si një rrugë ndërkombëtare që duhet të mbetet e hapur.

“Arsyeja e vetme pse Shtetet e Bashkuara po kryejnë sulme, është goditja e kapaciteteve iraniane që po përdoren për të sulmuar transportin tregtar global”, tha ai.

Sipas tij, forcat amerikane kanë arritur ta zvogëlojnë aftësinë e Iranit për të goditur anije dhe shumë sulme janë parandaluar para se të kryheshin.

“Ju dëgjoni për anijet që janë goditur. Por, nuk dëgjoni për ato që janë mbrojtur dhe për sulmet që Irani nuk ka arritur t’i kryejë”, tha Rubio.

Duke përsëritur se Uashingtoni mbetet i hapur për negociata, Rubio tha se diplomacia do të kërkonte një ndryshim të vërtetë në sjelljen e Teheranit.

“Ne jemi gjithmonë të hapur për diplomaci. Por, ajo duhet të jetë e vërtetë. Duhet të jetë një marrëveshje që ata janë të gatshëm ta respektojnë”, tha ai.

Rubio e akuzoi Iranin se ka shkelur mirëkuptimet e mëparshme, duke vazhduar sulmet ndaj anijeve në vend se ta rihapte Ngushticën e Hormuzit.

“Sjellja e tyre duhet të ndryshojë që të ndryshojë edhe e jona”, tha ai, duke shtuar se Teherani vazhdon të dërgojë sinjale përmes kanaleve të drejtpërdrejta dhe të tërthorta se është i interesuar për negociata, ndërkohë që vazhdon sulmet me raketa dhe dronë.

 

Ndarjet brenda Iranit

Rubio tha se, brenda udhëheqjes iraniane, duket se po thellohen ndarjet mes zyrtarëve që kërkojnë lehtësim ekonomik përmes diplomacisë dhe vijës së ashpër që dëshiron ta vazhdojë përballjen ushtarake.

“Ka një ndarje në rritje mes atyre që e kuptojnë se ekonomia e tyre është në gjendje të rëndë dhe të tjerëve që kanë një qasje shumë luftarake dhe vazhdojnë të lëshojnë raketa”, tha ai.

Rubio tha se Uashingtoni do t’i mirëpriste negociatat nëse zërat më pragmatikë do të fitonin më shumë ndikim në Teheran, por paralajmëroi se vazhdimi i përballjes do ta thellonte krizën ekonomike të Iranit.

“Nuk mendoj se kjo do të jetë mirë për Iranin”, tha Rubio, duke e përshkruar ekonominë e vendit si të rrënuar, me inflacion të lartë, mungesa të ushqimeve dhe karburanteve, rënie të të ardhurave dhe probleme të rënda të brendshme.

Rubio, po ashtu, e akuzoi udhëheqjen iraniane se po i përdor burimet për të mbështetur grupe si Hezbollahu, Hamasi dhe milicitë rajonale, në vend se të investojë te populli i saj.

Sipas tij, brenda Iranit, përfshirë edhe mes disa zyrtarëve qeveritarë, po rritet vetëdija se drejtimi aktual i vendit nuk është i qëndrueshëm.

“Nëse hapet dera për diplomaci, ne do ta mirëpresim”, tha Rubio. /REL/

Continue Reading

Botë

Spanja në fronin e botës

Published

on

By

Spanja është shpallur kampione e botës në futboll për herë të dytë në histori, pas një fitoreje dramatike 1:0 ndaj Argjentinës në finalen e zhvilluar në New Jersey. Ndeshja u dominua tërësisht nga të përzgjedhurit e Luis de la Fuentes, por goli i triumfit erdhi vetëm në minutën e 106-të të vazhdimeve, kur rezervisti Ferran Torres shndërroi në gol pasimin e saktë nga Nico Williams.

Kjo finale do të mbahet mend gjatë në histori për nga njëanshmëria e saj absolute në fushë. Spanja krijoi raste të panumërta dhe goditi portën 15 herë gjatë 90 minutave të rregullta, ku 10 prej tyre shkuan në kuadrat. Ndërkohë, Argjentina vendosi një rekord negativ mjaft të rrallë, duke mos regjistruar asnjë goditje të vetme drejt portës gjatë kohës së rregullt – diçka që nuk kishte ndodhur kurrë më parë në një finale të Kampionatit Botëror.

Edhe pse argjentinasit u përpoqën të kërcënonin seriozisht në minutat e fundit të shtesave, mbrojtja spanjolle u tregua e pathyeshme. Spanja e mbylli këtë turne madhështor duke pësuar vetëm një gol në total, duke harruar plotësisht atë barazim të parë befasues pa gola ndaj Kepit të Gjelbër dhe duke u ngjitur me meritë në majën e futbollit botëror.

Continue Reading

Lajmet

Dy viktima nga stuhitë në Francë, mbi 53 mijë familje mbeten pa energji elektrike

Published

on

Të paktën dy persona kanë humbur jetën pasi stuhi të fuqishme goditën Francën gjatë natës, duke i dhënë fund një vale të zgjatur të të nxehtit.

Sipas mediave franceze, në Saint-Victornienne një grua humbi jetën pasi u godit nga një pemë e rrëzuar, ndërsa në Dolomieux një burrë u gjet i karbonizuar në një punishte që mori flakë pasi u godit nga rrufeja.

Operatori i rrjetit elektrik Enedis njoftoi se rreth 53 mijë familje kanë mbetur pa energji elektrike. Ndërprerjet kanë prekur kryesisht rajonet Auvergne-Rhône-Alpes në juglindje dhe New Aquitaine në jugperëndim të Francës.

Ndërkohë, shërbimi meteorologjik Meteo-France ka hequr paralajmërimin portokalli për stuhi në departamentet e prekura, pasi më herët kishte paralajmëruar për breshër dhe erëra të forta në disa pjesë të vendit./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara