Botë

Sekretari amerikan i Mbrojtjes flet për planin e paqes në Ukrainë

Published

on

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka deklaruar se është “joreale” të pritet që Ukraina të rikthehet në kufijtë e saj të para vitit 2014, kur Rusia mori kontrollin e Krimesë.

Duke folur në një takim të Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës në Bruksel, Hegseth tha se një “paqe e qëndrueshme” mund të arrihet vetëm me një “vlerësim realist të fushës së betejës”.

Sekretari amerikan minimizoi gjithashtu mundësinë e anëtarësimit të Ukrainës në NATO dhe përjashtoi dërgimin e trupave amerikane në Ukrainë në kuadër të një marrëveshjeje të ardhshme sigurie.

Kievi ka kërkuar vazhdimisht anëtarësim në NATO dhe ka refuzuar dhënien e territorit si pjesë e një marrëveshjeje paqeje.

Ne duam, si ju, një Ukrainë sovrane dhe të begatë. Por duhet të pranojmë se kthimi në kufijtë e Ukrainës para vitit 2014 është një objektiv jorealist. Ndjekja e këtij qëllimi do ta zgjaste luftën dhe do të shkaktonte më shumë vuajtje,” u shpreh Hegseth para më shumë se 40 vendeve aleate të Ukrainës.

Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë nga Ukraina në mars 2014 dhe më pas mbështeti separatistët pro-rusë në një kryengritje të armatosur kundër forcave të Kievit në lindje të vendit. Aktualisht, Moska kontrollon rreth një të pestën e territorit të Ukrainës.

Hegseth theksoi se çdo paqe e qëndrueshme duhet të përfshijë “garanci të forta sigurie për të siguruar që lufta nuk do të rinisë”. AI shtoi se “Shtetet e Bashkuara nuk besojnë se anëtarësimi në NATO i Ukrainën është një zgjidhje realiste”.

Në vend të kësaj, ai sugjeroi që garancitë e sigurisë të mbështeten nga “trupa të afta evropiane dhe joevropiane”. Nëse këto trupa vendosen si paqeruajtës në Ukrainë, “ato duhet të jenë pjesë e një misioni jo-NATO dhe nuk duhet të mbulohen nga Neni 5”, klauzola e mbrojtjes reciproke të aleancës.

Ish-presidenti Donald Trump ka deklaruar vazhdimisht se prioriteti i tij është t’i japë fund luftës, duke kritikuar shpenzimet e larta të SHBA-së për ndihmën ushtarake ndaj Kievit.

Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka shprehur gatishmërinë për të negociuar një marrëveshje paqeje me Rusinë, por ka theksuar se “Kievi duhet ta bëjë këtë nga një pozitë force”.

Në një intervistë për The Guardian, Zelensky ka sugjeruar mundësinë e një shkëmbimi territoresh me Rusinë, duke dhënë zona që Ukraina ka marrë në rajonin e Kursk-ut gjatë ofensivës së fundit, në këmbim të territoreve të tjera të pushtuara nga Moska.

Lajmet

Izraeli: Vramë komandantin e inxhinierisë së Hezbollahut gjatë sulmeve në jug të Libanit

Published

on

Ushtria e Izraelit ka pretenduar se ka eliminuar një komandant të njësisë së inxhinierisë së Hezbollahut.

Në një postim në platformën “X”, Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) kanë bërë të ditur se javën e kaluar kanë goditur dhe kanë vrarë Abed Harb, të cilin e cilësojnë si pjesëtar të lartë të grupit.

Sipas IDF-së, Harb ka udhëhequr njësinë e inxhinierisë përgjegjëse për montimin dhe vendosjen e eksplozivëve, të cilët, sipas pretendimeve të ushtrisë izraelite, janë përdorur për të synuar ushtarët izraelitë në jug të Libanit.

“Harb ka qenë përgjegjës për disa sulme që nga viti 2006”, thuhet në deklaratën e IDF-së.

Po ashtu, ushtria izraelite ka njoftuar se Forcat Ajrore të saj kanë shkatërruar edhe një lëshues raketash që, sipas tyre, është përdorur nga Hezbollahu për sulme ndaj forcave izraelite që veprojnë në jug të Libanit.

Ngjarja vjen në një kohë kur raportimet ndërkombëtare bëjnë të ditur për tensione të vazhdueshme në rajon, ndërsa Hezbollahu së fundi ka refuzuar një propozim për armëpushim të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës mes Libanit dhe Izraelit.

Continue Reading

Lajmet

Zelensky i bën thirrje Putinit për takim të drejtpërdrejtë: Mos kini frikë t’i jepni fund luftës

Published

on

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka bërë thirrje presidentit rus Vladimir Putin për një takim ballë për ballë, në një përpjekje të re për t’i dhënë fund luftës që vazhdon prej më shumë se katër vitesh.

Në një letër të hapur drejtuar Putinit, Zelensky tha se do të ishte “gabim të pritej” derisa lufta në Evropë të rikthehej në qendër të vëmendjes së Shteteve të Bashkuara, duke theksuar se paqja mund të arrihet vetëm përmes dialogut të drejtpërdrejtë mes Ukrainës dhe Rusisë.

Ai propozoi gjithashtu një armëpushim të plotë gjatë zhvillimit të negociatave, ndonëse Putin e hodhi poshtë këtë ide më herët gjatë së enjtes.

“Ukraina propozon përfundimin e kësaj lufte përmes angazhimit të drejtpërdrejtë mes nesh – me ju. Unë propozoj një takim”, shkroi Zelensky, duke sugjeruar që bisedimet të zhvillohen në vende neutrale si Zvicra ose Turqia.

Në letër, presidenti ukrainas theksoi se Ukraina po humb qytetarë çdo ditë dhe se çdo humbje është e dhimbshme për vendin.

“Mos kini frikë të merrni rrugën për daljen nga kjo luftë. Kjo është gjëja kryesore që kërkohet nga ju tani”, shkroi ai.

Nga ana tjetër, Kremlini konfirmoi se e ka pranuar letrën dhe se Putini do të njoftohet për përmbajtjen e saj. Rusia deklaroi se Zelensky është i mirëpritur të takohet me Putinin në Moskë.

Duke folur në Shën Petersburg, Putin tha se është i gatshëm për të arritur një marrëveshje me Ukrainën, por shtoi se nevojiten kompromise. Ai përsëriti qëndrimin e Moskës se Ukraina duhet të heqë dorë nga katër rajone pjesërisht të pushtuara nga Rusia – Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhzhia – si dhe nga synimi për anëtarësim në NATO.

Kievi ka refuzuar vazhdimisht këto kërkesa, duke argumentuar se dorëzimi i territorit do ta inkurajonte Rusinë për agresione të tjera në të ardhmen.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump mbështeti idenë e një takimi mes dy liderëve.

“Mendoj se do të ishte shumë mirë nëse ata takohen. Duhet ta bëjnë. Le ta përfundojnë këtë”, deklaroi Trump.

Bisedimet për armëpushim kanë ngecur muajt e fundit, ndërsa përpjekjet e mëparshme diplomatike në Gjenevë, Abu Dhabi dhe Stamboll nuk kanë sjellë marrëveshje konkrete për përfundimin e konfliktit.

Continue Reading

Lajmet

Katër persona humbin jetën nga rrëzimi i një aeroplani të vogël në Kroaci

Published

on

Katër persona kanë humbur jetën si pasojë e rrëzimit të një aeroplani të vogël në perëndim të Kroacisë.

Sipas policisë kroate, aksidenti ka ndodhur në zonën Campanozh, ndërmjet rajoneve Kashtijun dhe Medulin, pranë aeroportit sportiv të Medulinit.

Mediat kroate, duke iu referuar burimeve jozyrtare, raportojnë se bëhet fjalë për një aeroplan të vogël gjerman që ishte nisur nga Austria me destinacion Medulinin.

Menjëherë pas aksidentit, në vendngjarje kanë dalë ekipet emergjente për të ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe për të siguruar zonën.

Autoritetet kanë bërë të ditur se më shumë detaje rreth shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit pritet të publikohen pas mbërritjes së hetuesve të Agjencisë për Hetimin e Aksidenteve në Trafikun Ajror, Detar dhe Hekurudhor (AIN).

Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë duke vazhduar.

Continue Reading

Lajmet

SHBA kërkon më shumë angazhim nga aleatët e NATO-s, priten rritje të kapaciteteve ushtarake evropiane

Published

on

Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin që aleatët evropianë të NATO-s dhe Kanadaja të rrisin me shpejtësi numrin e aeroplanëve, dronëve dhe anijeve që kontribuojnë në planet mbrojtëse të aleancës, ka deklaruar gjenerali i Forcave Ajrore Amerikane, Alexus Grynkewich, komandanti më i lartë i NATO-s dhe kreu i forcave amerikane në Evropë.

Deklarata e tij vjen pas vendimit të administratës së presidentit Donald Trump për të zvogëluar kapacitetet ushtarake amerikane në dispozicion të NATO-s në rast krizash. Trump ka kërkuar vazhdimisht që vendet evropiane të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e kontinentit dhe të reduktojnë varësinë nga mbështetja ushtarake amerikane.

Sipas raportimeve, SHBA-ja muajin e kaluar i njoftoi aleatët për reduktimin e kontributit në kuadër të Modelit të Forcës së NATO-s, një mekanizëm që përfshin forcat e gatshme për t’u aktivizuar në raste krizash apo konfliktesh.

Megjithëse Uashingtoni nuk ka bërë publike detajet e plota të shkurtimeve, ato raportohet se përfshijnë aftësi të rëndësishme ushtarake, si furnizimi me karburant i aeroplanëve, aeroplanët luftarakë, dronët dhe asetet detare.

Pas takimit të planifikuesve ushtarakë të NATO-s, Grynkewich theksoi se aeroplanët me dhe pa pilot, si dhe anijet detare, janë fushat ku aleatët evropianë dhe Kanadaja mund të ndërhyjnë më shpejt për të mbuluar boshllëqet që do të krijohen nga reduktimi i pranisë amerikane.

“Aeroplanët me dhe pa pilot, si dhe anijet detare janë dy fusha ku Kanadaja dhe aleatët evropianë mund të ndërmarrin hapa tani dhe në afat të shkurtër, ndërsa Shtetet e Bashkuara zvogëlojnë forcat sipas Modelit të Forcës së NATO-s në Evropë dhe i rifokusojnë ato diku tjetër”, ka deklaruar ai.

Gjenerali amerikan shtoi se ka ekzistuar një varësi e tepërt nga forcat amerikane brenda strukturës së NATO-s dhe se kjo situatë duhet të ndryshojë.

“Ka pasur një bashkëvarësi të pashëndetshme në Modelin e Forcës së NATO-s nga forcat amerikane. Presidenti Trump, Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth dhe të tjerë e kanë bërë të qartë se kjo duhet të ndryshojë dhe do të ndryshojë”, u shpreh Grynkewich.

Sipas tij, zhvillimet globale dhe mundësia e konflikteve të njëkohshme në rajone të ndryshme të botës kërkojnë që aleatët të marrin një rol më të madh në garantimin e sigurisë kolektive të NATO-s.

Burimi: Reuters.

Continue Reading

Të kërkuara