Lajmet

Sejdiu u dënua 15 vjet për vrasjen e Marigona Osmanit, familjarët: Meriton burgim të përjetshëm

Ata kanë theksuar se i njëjti ka qenë pjesëmarrjes në vrasje.

Published

on

Për vrasjen e Marigona Osmanit, Gjykata Themelore në Ferizaj ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën për veprën penale “vrasje e rëndë”. Ndërkaq, Arbër Sejdiu është dënuar me 15 vjet burgim, për veprën penale “ndihmë në kryerjen e vrasjes së rëndë”.

Avokati dhe familjarët e Marigona Osmanit nuk janë të kënaqur me vendimin kundër Sejdiut derisa kanë theksuar se i njëjti ka qenë pjesëmarrjes në vrasje.

“Me dënimin për Dardan Krivaqën jemi të lumtur, me të dytin jo, 15 vite, dy vite i ka mbajtur – 13 vite, pesë vite i heqin qysh funksionon këtu pak sistemi, por e presim ne. Pjesëmarrje në vrasje dhe me u dënu me 15 vite është pak e pakuptimtë. Falemnderit mediave që na keni përkrahur, popullit, shoqërisë civile, jemi të lumtur me ju, dhe sot deri diku, pjesërisht”, ka thënë axha i Marigonës, Rezmi Osmani.

Avokati Gazmend Rexhepi ka rikujtuar se familja është e frustruar sa i përket vendimit për Arbër Sejdiun, por ka theksuar se i besojnë drejtësisë dhe sipas tyre gjykimi do të ndodh vetëm në sallat e gjyqit.

Rexhepi ka thënë se do të paraqesin ankesë, derisa ka theksuar se të dy të akuzuarit meritojnë burgim të përjetshëm.

“Do ta praqesë ankesën, vazhdoj të mbes prapa vendimeve të mija nga fillimi që kam thënë që të dy të akuzuarit e meritojnë burgin e përjetshëm, dhe po ashtu vazhdoj të qëndrojë mbi atë që vrasja e Marigonës ka qenë vrasja më e rëndë në periudhën e pas luftës për shkak se kronologjia e saj e vrasjes ka zgjatur 72 më herët se ajo të ndërrojë jetë. Ne jemi për një proces të rregullt, qysh nga fillimi jemi deklaruar, pasi ta marrim aktgjykimin sigurisht që do ta bëjmë ankesën tonë për sanksion penal por edhe për ndryshim të kualifikimit për ndihmë, për shkak se konsideroj që ia akuzuari i dytë, jo ndihmë por ka qenë i kyçur në bashkëkryerje direkte në vrasje”, ka thënë ai.

Ndërsa sa i përket lirimit nga akuza për dhunim, avokati ka thënë se vazhdojnë të besojnë se e ndjera, Marigona Osmani, ishte dhunuar.

“E sqaroi gjykata, ka qenë e vështirë me u dokumenti me prova, fokusi im si përfaqësues ka qenë te vrasja në mënyrën mizore, që të merret dënimi maksimal, të gjithë angazhimin tim e kam pasur vetëm të vrasja mizore për të marrë dënimin maksimal. Unë vazhdoj të besoj që e ndjera ka qenë edhe e dhunuar, atë pretendim e japin edhe video inicimet por ta sqarojmë që ky është vetëm verdikt i gjykatës së shkallës së parë, do të kemi edhe të drejtën e ankesës, për shkak se ende nuk e kemi vendimin plotfuqishëm për të dytë”, ka thënë ai.

Lajmet

Bashkë-yjet e “Friends” refuzojnë të marrin pjesë në dokumentarin për Matthew Perry

Published

on

Jennifer Aniston, Courteney Cox, Lisa Kudrow, Matt LeBlanc dhe David Schwimmer nuk do të marrin pjesë në dokumentarin e ri të Netflix për aktorin e ndjerë Matthew Perry, sipas burimeve të cituara nga “Page Six”.

Bëhet fjalë për serialin dokumentar me tri pjesë “The One About Matthew Perry”, i cili do të trajtojë jetën, karrierën dhe betejën e aktorit me varësinë, përmes rrëfimeve të familjarëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Sipas burimeve, pesë aktorët e “Friends” janë kontaktuar nga ekipi i dokumentarit, por kanë vendosur të mos marrin pjesë. Në vend të tyre, dokumentari do t’u japë hapësirë njerëzve të tjerë që e kanë njohur dhe kanë qenë pranë Perry-t gjatë jetës së tij.

Një burim ka thënë se për Jennifer Aniston, e cila ishte veçanërisht e afërt me Perry-n, do të ishte e vështirë ta përjetonte përsëri humbjen në mënyrë publike dhe para kamerave.

Dokumentari, i drejtuar nga Mary Robertson, do të përfshijë edhe rrëfimin e motrës së Perry-t, Mia Perry Bowick, si dhe fotografi dhe video të papublikuara nga arkivi privat i familjes.

Matthew Perry u bë i njohur në mbarë botën për rolin e Chandler Bing në serialin “Friends”, i cili u transmetua nga viti 1994 deri më 2004. Pas përfundimit të serialit, ai mbeti i afërt me bashkë-yjet e tij.

Perry ndërroi jetë në tetor të vitit 2023, në moshën 54-vjeçare. Sipas autoriteteve, shkaku i vdekjes ishte efektet akute të ketaminës. Hetimi për vdekjen e tij çoi në arrestimin e pesë personave, përfshirë asistentin e tij dhe dy mjekë.

Aktori kishte folur publikisht për betejën e tij me varësinë dhe për përpjekjet për t’u rehabilituar. Në vitin 2022 ai publikoi kujtimet “Friends, Lovers, and the Big Terrible Thing”, ku rrëfeu përvojën e tij personale me varësinë dhe shërimin./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ramë Lahaj nis turneun ndërkombëtar “PASSION & ORIGIN” në Zürich

Published

on

Tenori kosovar me famë ndërkombëtare, Ramë Lahaj, po përgatitet për koncertin që do të hapë turneun e tij ndërkombëtar “PASSION & ORIGIN”, më 10 tetor në Zürich të Zvicrës.

Në skenën e Kongresshaus Zürich, Lahaj do të performojë së bashku me ARMA Ensemble, me një program muzikor që ndërthur repertorin shqiptar me këngë italiane, chanson franceze dhe muzikë nga kinemaja.

Pas koncertit në Zürich, turneu do të vazhdojë në Düsseldorf më 30 tetor, në Vjenë më 8 nëntor dhe në Toronto më 13 dhjetor. Organizatorët kanë bërë të ditur se pritet të shtohen edhe qytete të tjera në kalendarin e turneut.

Biletat për koncertin në Zürich tashmë janë në shitje përmes platformës Ticketmaster.

Përmes këtij turneu, Ramë Lahaj synon të sjellë para publikut ndërkombëtar një program që bashkon traditën muzikore shqiptare me repertorin ndërkombëtar, duke promovuar kulturën dhe identitetin shqiptar në skenat botërore./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Oficerët e FSK-së përfundojnë trajnimin ushtarak kanadez në Bosnje dhe Hercegovinë

Published

on

By

Pesë oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë marrë pjesë në kursin “Defence Resource Management Course”, të organizuar nga Ushtria Kanadeze në Bosnje dhe Hercegovinë.

Gjatë trajnimit njëjavor, pjesëmarrësit avancuan njohuritë në menaxhimin e resurseve të mbrojtjes, prokurim, projekte dhe burime njerëzore, duke shkëmbyer praktikat më të mira ushtarake kanadeze që mund të zbatohen në FSK.

Përveç aktivitetit ushtarak, ekipi i FSK-së vizitoi edhe Shoqatën e Shqiptarëve në Bosnje dhe Hercegovinë, ku u prit nga përfaqësues të komunitetit shqiptar atje.

Pjesëmarrja në këtë program ndihmon në ngritjen e kapaciteteve profesionale të personelit ushtarak kosovar dhe fuqizon bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Baleti i Shqipërisë dhe Kosovës bashkohen në një skenë, publiku duartroket për 10 minuta

Published

on

Premiera botërore e veprës “Neighbours / from Motherland”, e cila hapi Festivalin Ndërkombëtar të Vallëzimit në Tiranë, u prit me duartrokitje për 10 minuta nga publiku.

Vepra, e krijuar nga Brigel Gjoka dhe Rauf “Rubberlegz” Yasi, bashkoi për herë të parë në të njëjtën skenë trupat e Baletit të Shqipërisë dhe Baletit të Kosovës.

E shfaqur në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë, kjo vepër e baletit bashkëkohor vuri në qendër rrënjët e përbashkëta dhe identitetin, duke sjellë një bashkëpunim artistik mes dy trupave shqiptare.

Salla e teatrit ishte e mbushur me artdashës, të cilët ndoqën hapjen e edicionit të pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Vallëzimit në Tiranë (IDFT).

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit në Shqipëri, Blendi Gonxhja, ndau pamje nga performanca dhe bëri të ditur se më 7 tetor shfaqja do të prezantohet edhe në Teatrin Kombëtar të Kosovës në Prishtinë.

Festivali vazhdon me aktivitete të tjera, duke sjellë në Tiranë artistë dhe produksione nga skena ndërkombëtare e vallëzimit bashkëkohor./ATSH/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara