Është miratuar Plani i Menaxhimit për Qendrën Historike të Janjevës, një dokument i rëndësishëm që synon mbrojtjen, ruajtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të kësaj zone me vlera të veçanta kulturore dhe historike.
Pas investimeve të realizuara në revitalizimin e qytetit të vjetër, ky plan përcakton mekanizmat dhe masat konkrete për mbrojtjen e trashëgimisë historike, arkitektonike dhe peizazhit kulturor të Janjevës, duke siguruar që këto vlera të mbeten pjesë aktive e jetës së komunitetit.
Janjeva konsiderohet një nga qendrat më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Kosovë, me histori dhe identitet të pasur. Përmes këtij plani synohet mirëmbajtja, aktivizimi dhe menaxhimi afatgjatë i trashëgimisë së saj, duke krijuar një bazë të qëndrueshme për zhvillimin lokal.
Po ashtu, plani parasheh zhvillimin e turizmit kulturor në harmoni me ruajtjen e vlerave historike, duke e shndërruar trashëgiminë në një faktor të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të zonës.
Miratimi i këtij plani vlerësohet si një tjetër hap i rëndësishëm në procesin e rijetësimit dhe promovimit të Janjevës si një qendër me rëndësi të veçantë kulturore dhe historike.