Lajmet

“Savings Game” fuqizon njohuritë financiare të studentëve të Menaxhmentit, Biznesit dhe Ekonomisë në UBT

Published

on

Studentët e vitit të tretë të Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi (MBE) në UBT morën pjesë në trajnimin praktik “Savings Game”, një aktivitet edukativ i organizuar nga Deutsche Sparkassenstiftung für Internationale Kooperation (DSIK) dhe i mbështetur nga BMZ – Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim.

Përmes një simulimi interaktiv, studentët patën mundësinë të zhvillojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre në menaxhimin e financave personale, planifikimin e shpenzimeve dhe rëndësinë e kursimit afatgjatë. Aktiviteti u konceptua për t’i vendosur pjesëmarrësit në situata reale financiare, duke i sfiduar ata të marrin vendime ekonomike dhe të analizojnë pasojat e tyre.

Të organizuar në ekipe, studentët punuan me skenarë të ndryshëm që përfshinin menaxhimin e të ardhurave, planifikimin e buxhetit, krijimin e kursimeve dhe përballimin e sfidave të papritura financiare. Kjo qasje praktike u mundësoi atyre të kuptojnë më mirë rëndësinë e planifikimit financiar dhe të zhvillojnë shkathtësi të vlefshme për jetën profesionale dhe personale.

Gjatë aktivitetit, studentët treguan interesim dhe angazhim të lartë, duke kontribuar aktivisht në diskutime dhe në procesin e vendimmarrjes brenda ekipeve. Trajnimi “Savings Game” u vlerësua si një metodë inovative dhe efektive e të mësuarit, e cila kombinon edukimin financiar me punën ekipore, analizën praktike dhe zhvillimin e kompetencave që kërkohen në tregun bashkëkohor të punës.

Ky aktivitet është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të UBT-së për t’u ofruar studentëve përvoja praktike dhe mundësi të reja për zhvillimin e aftësive profesionale, duke i përgatitur ata për sfidat e botës reale dhe të ekonomisë moderne.

Lajmet

Abdixhiku: LDK-ja e gatshme të rikthehet në negociata me VV-në për formimin e institucioneve

Published

on

Kryetari i sapokonfirmuar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se partia e tij është e gatshme të rikthehet menjëherë në negociata me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e institucioneve.

Procesi i bisedimeve ishte pezulluar për shkak të Kuvendit të jashtëzakonshëm të LDK-së, ku ishte iniciuar shkarkimi i Abdixhikut. Pas votimit, ai arriti të sigurojë mbështetjen e shumicës së delegatëve dhe të vazhdojë udhëheqjen e partisë.

Pas përfundimit të Kuvendit, Abdixhiku tha se pezullimi i negociatave hiqet dhe se LDK-ja është e hapur për diskutime lidhur me krijimin e institucioneve të reja.

Ai bëri të ditur se në takimin e parë me kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, është diskutuar edhe për “balancën e pushteteve”, që sipas tij nënkupton se një parti e vetme nuk duhet t’i udhëheqë të gjitha institucionet.

Megjithatë, Abdixhiku mohoi se në atë takim ka pasur marrëveshje apo dakordime të tjera konkrete./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Gjashtë trupa gjenden në gërmimet në Kalludër të Vogël, vazhdon kërkimi për varrezën masive

Published

on

Gjashtë trupa janë gjetur deri më tani gjatë gërmimeve në fshatin Kalludër e Vogël, në komunën e Zubin Potokut, ku dyshohet për ekzistimin e një varreze masive nga lufta e fundit në Kosovë.

Sipas burimeve të RTK-së, numri i mbetjeve mortore të gjetura është rritur në gjashtë, ndërsa punimet po vazhdojnë në zonën ku dyshohet se mund të ketë edhe trupa të tjerë.

Në vendin e ngjarjes ka qëndruar edhe kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, i cili ka vizituar punimet dhe ka falënderuar Policinë e Kosovës, prokurorët e Prokurorisë Speciale dhe ekipet e Mjekësisë Ligjore për angazhimin në këtë proces.

Gërmimet po zhvillohen për të zbardhur rrethanat e rastit dhe për identifikimin e mbetjeve mortore, ndërsa dyshimet lidhen me një varrezë masive të personave të vrarë gjatë luftës në Kosovë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

VV dorëzon kallëzim penal ndaj Përparim Ramës për pretendime mbi legalizime të kundërligjshme

Published

on

Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, dhe disa zyrtarëve të kabinetit të tij, nën dyshimet për legalizime të kundërligjshme të objekteve.

Asamblistja e VV-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Berita Abazi, tha se kallëzimi bazohet në një sinjalizim anonim, i cili përmban pretendime për përfshirjen e disa kompanive të ndërtimit, legalizime të paligjshme dhe shuma parash që dyshohet se lidhen me këto raste.

Sipas saj, Prokuroria duhet të hetojë dhe të vërtetojë nëse pretendimet e sinjalizuesit janë të bazuara.

Ndërkohë, Komuna e Prishtinës, zyrtarët e përmendur dhe kompanitë e apostrofuara nuk kanë reaguar ndaj këtyre pretendimeve.

Nga ana tjetër, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i ka cilësuar akuzat si pjesë e një fushate propaganduese të Vetëvendosjes kundër tij, duke theksuar se ato janë bërë publike në ditën e mbajtjes së Kuvendit të LDK-së, ku emri i tij është përmendur si kandidat i mundshëm për kryetar të partisë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Panairi i Gruas mbledh ndërmarrëset nga e gjithë Kosova në Prishtinë

Published

on

Gratë ndërmarrëse nga e gjithë Kosova janë mbledhur në Prishtinë në edicionin e dytë të Panairit të Gruas, ku kanë prezantuar produkte artizanale, veshje dhe ushqime tradicionale, me synim promovimin e bizneseve të tyre dhe zgjerimin e bashkëpunimit.

Ndërmarrësja Sanije Hyseni tha se interesimi për blerjen e produkteve artizanale ka rënë, pasi qytetarët po orientohen kryesisht drejt produkteve ushqimore dhe nevojave bazike.

Në hapje të panairit, ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, bëri të ditur se ministria ka lansuar skema grantesh për gratë ndërmarrëse dhe se, në kuadër të Agjencisë së re për Ndërmarrësi dhe Inovacion, do të krijohet një divizion i veçantë për mbështetjen dhe promovimin e grave në biznes.

Ndërkaq, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, theksoi se fuqizimi ekonomik i grave është thelbësor për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, duke nënvizuar se pa përfshirjen e tyre nuk mund të ketë rritje të plotë ekonomike.

Edicioni i dytë i Panairit të Gruas është organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës në bashkëpunim me GIZ-in, me synim promovimin e produkteve vendore dhe mbështetjen e grave në zhvillimin e bizneseve të tyre./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara