Lajmet
Santorini shpall gjendjen e jashtëzakonshme
Published
1 year agoon
By
UBTnewsGjendja e jashtëzakonshme është shpallur në ishullin grek të Santorinit pas disa ditë tërmetesh të njëpasnjëshme.
Vendimi vjen pasi një lëkundje me magnitudë 5.2 u regjistrua në orën 21:09 me orën lokale të mërkurën midis ishujve grekë të Amorgos dhe Santorini, duke e bërë atë më të fortën në ditët e fundit. Tërmeti vlerësohet se ka ndodhur në një thellësi prej 5 km.
Dekreti do të jetë në fuqi deri më 3 mars për të “adresuar nevojat emergjente dhe menaxhuar pasojat”, thanë zyrtarët.
Më shumë se 11,000 njerëz janë larguar tashmë nga Santorini, me rreth 7,000 që janë nisur me traget dhe 4,000 me ajër.
Një tërmet me magnitudë 4.7 u regjistrua gjithashtu në jug-perëndim të Amorgos në orën 07:50 me kohën lokale të së enjtes, pas 57 lëkundjeve midis mesnatës dhe 06:30.
Deri më tani nuk janë raportuar dëme të mëdha në ishull, por autoritetet po marrin masa paraprake dhe po kujdesen në rast se goditet një tërmet më i madh.
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis pritet të vizitojë Santorinin të premten.
Vasilis Karastathis, drejtor i Institutit Gjeodinamik, tha për ERTNeës se “sizmiciteti vazhdon me të njëjtin ritëm si ditët e mëparshme, intensiv”.
“Kemi një numër mjaft të lartë tërmetesh me magnitudë mbi 4”, tha ai.
Sport
Shiten të gjitha biletat për tifozët shqiptarë për ndeshjen në Poloni
Published
19 minutes agoon
March 25, 2026By
UBTNews
Biletat e ndara për tifozët shqiptarë për ndeshjen Poloni – Shqipëri janë shitur të gjitha.
Këtë e ka bërë të ditur Federata Shqiptare e Futbollit.
Ndeshja luhet të enjten mbrëma nga ora 20:45 dhe i takon gjysmëfinales së plejofit për kualifikim në Botëror.
“FSHF-ja falënderon të gjithë tifozët për interesin dhe mbështetjen e jashtëzakonshme ndaj Kombëtares në këtë përballje historike, duke i ftuar njëkohësisht të respektojnë dhe ndjekin të gjitha udhëzimet e përcaktuara nga Federata Polake”, shkruan në njoftim FSHF.
Vendi
Krusha e Madhe: 26 vite pritje, 26 vite qëndresë mbi hirin e krimeve serbe
Published
28 minutes agoon
March 25, 2026By
UBTNews
Sot mbushen plot 26 vite nga nisja e njërës prej masakrave më tronditëse të luftës së fundit në Kosovë, ajo e Krushës së Madhe, ku makineria vrastare serbe la gjurmë të pashlyeshme dhimbjeje dhe tmerri.
Më 25 mars të vitit 1999, vetëm një ditë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, forcat policore dhe ushtarake rrethuan fshatin dhe për tri ditë me radhë ushtruan terror dhe vrasje mbi popullatën civile të pambrojtur.
Gjatë kësaj periudhe të përgjakshme, u vranë dhe u masakruan mizorisht 241 banorë, në mesin e të cilëve shtatë fëmijë dhe pesë gra, ku njëra prej tyre ishte shtatzënë.
Nga ky ferr i vërtetë arritën të mbijetojnë me lëndime të rënda vetëm 25 persona, ndërsa fati i 64 të tjerëve vazhdon të mbetet i pazbardhur edhe sot e kësaj dite, duke e mbajtur hapur plagën e ankthit për familjarët që ende presin një përgjigje.
Ndonëse ngjarjet tragjike në Krushë të Madhe ishin pjesë qendrore e aktakuzës në Tribunalin e Hagës kundër Sllobodan Millosheviqit dhe krerëve të tjerë serbë, drejtësia për banorët ka mbetur në gjysmë të rrugës, pasi deri më tani asnjë proces gjyqësor nuk ka dënuar drejtpërdrejt ekzekutorët që kryen këto krime në terren.
Për këtë fshat të Rahovecit, i cili pas luftës u bë simbol botëror i qëndresës përmes forcës së grave të tij, dhimbja mbetet po aq e freskët sa në marsin e vitit 1999, ndërsa kërkesa për llogaridhënie dhe zbardhjen e fatit të të pagjeturve mbetet thirrja kryesore që ushton në çdo përvjetor mbi varret e martirëve.
Ballafaqimi i kësaj të enjteje mes Kosovës dhe Sllovakisë po merr vëmendje të madhe nga mediat në Sllovaki, të cilat po e konsiderojnë këtë përballje si tejet të vështirë dhe një “pagëzim me zjarr”.
Sipas analizave të fundit në shtypin sllovak, kjo është një ndeshje ku luhet gjithçka: ose do të shuhet shpresa për kampionatin veror të futbollit, ose ajo do të jetë gjallë edhe për pesë ditë të tjera deri në finalen e madhe kundër fituesit të çiftit Turqi – Rumani.
Të besuarit e Francesco Calzonas nuk konsiderohen favoritë para kësaj faze vendimtare të kualifikimeve, megjithëse në favor të tyre flet fusha vendase që ua caktoi shorti.
Pengesa e parë, Kosova, vlerësohet si jashtëzakonisht e vështirë pasi futbollistët nga Ballkani shënuan rezultate të jashtëzakonshme në grup, përfshirë fitoren në Suedi, ndaj nuk kanë asnjë arsye të ndihen si autsajderë në Bratislavë, shkruan gazeta sllovake Pravda.
Mediat sllovake theksojnë se Kosova do të jetë veçanërisht e fortë në sulm, duke pasur në përbërje dy emra të mëdhenj nga ligat kryesore si Vedat Muriqin e Mallorcës, golashënuesin e dytë më të mirë në La Liga, dhe Fisnik Asllanin, për të cilin po interesohen klube si Barcelona e Chelsea.
Ndërkohë që cilësia në sulm anon nga Kosova, Sllovakia shpresat i mban te mbrojtja e udhëhequr nga Milan Škriniar, nëse ky i fundit rikuperohet në kohë. Me një rekord prej vetëm gjashtë golash të shënuar në gjashtë ndeshje, formacioni i Calzonas do të kërkojë forcën te mbrojtja e organizuar dhe shfrytëzimi efikas i rasteve, duke tentuar të përsërisë sukseset historike si ai i vitit 2010.
Për Kosovën ky mbetet momenti më i rëndësishëm sportiv që nga pavarësia në vitin 2008, dhe duke qenë se skuadrat nuk janë ndeshur kurrë më parë, gjithçka mbetet e hapur deri në sekondën e fundit, ku nuk përjashtohet as mundësia e shtesave apo goditjes së penalltive.
Lajmet
REL: Kosova përballë një prove politike: kompromis apo krizë e re?
Published
18 hours agoon
March 24, 2026By
UBTNews
Kosova duket se po rrëshqet sërish drejt zgjedhjeve të parakohshme – jo si rezultat i një domosdoshmërie demokratike, por si pasojë e një dështimi të vazhdueshëm politik për të ndërtuar konsensus dhe për të funksionalizuar institucionet.
Edhe pse procesi mbetet teknikisht i pezulluar nga Gjykata Kushtetuese, sinjalet politike janë të qarta: vendi po hyn në një tjetër cikël zgjedhor që rrezikon të prodhojë të njëjtin rezultat – bllokadë.
Analistët paralajmërojnë se, pavarësisht vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese lidhur me dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, zgjedhjet e reja janë pothuajse të pashmangshme.
“Të gjitha indikacionet tregojnë që, pas përfundimit të afateve kushtetuese – cilatdo qofshin ato – Kosovën e pret një proces i ri zgjedhor”, thotë analisti Artan Muhaxhiri.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur masë të përkohshme deri më 31 mars, duke pezulluar efektet e dekretit të presidentes.
Kjo nënkupton që, deri atëherë, nuk mund të shpallet data e zgjedhjeve të reja, por as të vazhdohet seanca për zgjedhjen e presidentit, e nisur më 5 mars.
Kërkesa për vlerësim të kushtetutshmërisë së dekretit të Osmanit u dorëzua nga Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti, me argumentin se procesi për zgjedhjen e presidentit ka një afat 60-ditor për t’u përmbyllur.
Një rrugë e trasuar drejt zgjedhjeve
Sipas Donika Eminit, nga Grupi Këshillues për Politikat e Ballkanit në Evropë – BiEPAG, edhe nëse Gjykata vendos në favor të interpretimit të afatit 60-ditor, realiteti politik mbetet i pandryshuar: mungesa e konsensusit e ka bërë zgjedhjen e presidentit pothuajse të pamundur.
“Aktualisht, nuk ka asnjë sinjal për konsensus ndërmjet partive politike për zgjedhjen e presidentit”, thekson ajo për Radion Evropa e Lirë.
Mandati i Osmanit skadon në më pak se dy javë.
Zgjedhja e presidentit në Kosovë bëhet nga Kuvendi dhe kërkon shumicë të kualifikuar votash – gjë që e bën procesin të varur nga kompromisi ndërpartiak. Në rast të dështimit, vendi shkon në zgjedhje.
Disa parti politike po e trajtojnë tashmë skenarin e zgjedhjeve si të kryer.
Kryeministri Albin Kurti shprehet skeptik se zgjedhjet do të sjellin ndryshim real, duke paralajmëruar një “vazhdim të agonisë legjislative dhe institucionale”.
Në anën tjetër, opozita e sheh përgjegjësinë pikërisht te pushteti.
Sipas kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, mungesa e vullnetit nga shumica parlamentare, po e shtyn vendin drejt zgjedhjeve, në një kohë kur, sipas tij, “Kosova ka nevojë për stabilitet, përgjegjësi dhe zhvillim”.
Gjatë një paraqitje në televizionin Klan Kosova, ditë më parë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se partitë politike kanë nisur “ngërçin e ri institucional”.
“Në rrethanat e tanishme, të sigurta janë zgjedhjet e reja. Të sigurta”, tha ai.
E, më pesimist u shpreh Ardian Gjini i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i cili paralajmëroi mundësinë e dy palë zgjedhjeve brenda vitit, nëse edhe pas zgjedhjeve të reja nuk arrihet marrëveshje për presidentin.
“Ushtruesi i detyrës mund të qëndrojë vetëm gjashtë muaj, që nënkupton afatin deri më 5 tetor. Nëse deri atëherë nuk kemi as president dhe as qeveri, vendi nuk do të ketë zgjidhje tjetër përveçse të shkojë në zgjedhje”, theksoi Gjini për mediat në Kosovë.
Në këto rrethana, pyetja thelbësore që mbetet, është: çfarë kuptimi kanë zgjedhjet?
Zgjedhje pa ndryshim?
Sipas Eminit, përvoja e viteve të fundit tregon se ciklet e përsëritura zgjedhore nuk kanë sjellë ndryshim substancial në funksionimin e skenës politike.
Edhe zgjedhjet e fundit – të mbajtura më 28 dhjetor, rreth 10 muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 – konfirmuan dominimin e Lëvizjes Vetëvendosje, pa garantuar një kapacitet real për konsensus institucional.
“Zgjedhjet e reja ka shumë gjasa të japin rezultate të ngjashme me ato të mëparshmet. Mund të ketë vetëm lëvizje të vogla në përqindjen që mund të fitojnë partitë politike”, thotë ajo.
Një faktor potencialisht i ri mund të jetë rikthimi eventual i Vjosa Osmanit në skenën partiake, por edhe kjo, sipas Eminit, do të sillte një rikonfigurim të pjesshëm, e jo transformim thelbësor të skenës politike.
Sipas saj, problemi nuk qëndron te vota, por te mungesa e kulturës së kompromisit.
“Nëse situata vazhdon në këtë drejtim, hapësira ku qytetarët përfitojnë nga sistemi politik, mbetet shumë e kufizuar. Kjo mbetet ndoshta pasoja më shqetësuese e gjithë krizës aktuale”, thotë Emini.
Rreziku i një cikli të pafund krizash
Të dy analistët paralajmërojnë se Kosova po hyn në një rreth vicioz, ku zgjedhjet nuk zgjidhin krizën, por e riciklojnë atë.
Muhaxhiri vlerëson se, në teori, do të ishte logjike një rënie e mbështetjes për Lëvizjen Vetëvendosje, për shkak të mungesës së bashkëpunimit politik, por përvoja e fundit tregon të kundërtën.
“Nuk pres ndryshim të madh. Kështu u mendua edhe vitin e kaluar – dhe ja ku jemi sot”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, ndryshimi i vetëm real do të vinte nga një reagim ndëshkues i elektoratit – një “votim transformues” që do t’i jepte fund “çoroditjes politike”.
“Përndryshe, rrethi vicioz do të vazhdojë patrazueshëm”, thotë ai.
Pasojat nuk janë vetëm të brendshme.
Një krizë e vazhdueshme institucionale, paralajmëron Muhaxhiri, rrezikon ta largojë Kosovën edhe nga agjendat integruese të Bashkimit Evropian dhe t’i demotivojë aleatët ndërkombëtarë.
“Zmbrapsja nga projektet evropiane e zvogëlon rëndësinë gjeopolitike të Kosovës dhe e nxjerr atë nga radari i bashkëpunimit”, thekson ai.
Çfarë do të duhej të bënin partitë politike?
“Në një skenar ideal, zgjedhjet e reja do të duhej të shmangeshin”, thotë Emini, duke theksuar se ende ekziston një dritare për kompromis, por vetëm nëse ka angazhim serioz për tejkalimin e ngërçit.
E, nëse vendi shkon në zgjedhje, ato do të kenë kuptim vetëm nëse shoqërohen me një ndryshim të qasjes politike, sipas saj.
“Partitë duhet të hyjnë në procesin zgjedhor me një qëllim të qartë: të punojnë për interesin afatgjatë të vendit, jo për dominim politik apo përfitime të ngushta. Kjo nënkupton gatishmëri për dialog, negociata mbi baza programore dhe fokus në nevojat reale të qytetarëve”, thotë Emini.
Në të njëjtën linjë skeptike është edhe analisti Artan Muhaxhiri, i cili nuk pret ndryshim të qasjes nga Lëvizja Vetëvendosje, por as një alternativë të qartë nga opozita.
Sipas tij, as PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja nuk kanë dëshmuar deri më tani se posedojnë një strategji bindëse për ta sfiduar dominimin politik të Vetëvendosjes.
“Nëse partitë opozitare arrijnë të rrisin mbështetjen dhe të sigurojnë shumicën prej 61 deputetësh, atëherë përgjegjësia minimale politike do të ishte harmonizimi i qëndrimeve dhe bashkëqeverisja në përputhje me fuqinë elektorale”, thekson Muhaxhiri, ndonëse nuk beson se një skenar i tillë është i arritshëm.
Sipas tij, ndalja e ciklit të krizave të njëpasnjëshme institucionale mbetet alternativa e vetme racionale – dhe një detyrim i drejtpërdrejtë për klasën politike.
“Në të kundërtën, çdo opsion tjetër përbën investim në gërryerjen e shtetit dhe përshpejtim të rrugës drejt pashtetësisë”, përfundon ai. /REL/
Shiten të gjitha biletat për tifozët shqiptarë për ndeshjen në Poloni
Krusha e Madhe: 26 vite pritje, 26 vite qëndresë mbi hirin e krimeve serbe
Teatri “Adriana” përfaqëson artin shqiptar në Turqi me premierën “9 Shpirtra”
DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 25 mars, në vitet nëntëdhjetë
Arrestohet i dyshuari pasi sulmoi vajzën e tij në Gjakovë
Vdes një shtetas i huaj në QKUK, Policia nis hetimet
Sllovakia në ankth para Kosovës
Prishtinë: Arrestohet i mituri pasi therë me thikë një person
Irani refuzon negociatat me Trump; vazhdojnë sulmet me Izraelin
Të kërkuara
-
Lajmet3 months agoProfesorët e UBT-së publikojnë studim shkencor në revistën prestigjioze ndërkombëtare të indeksuar në Scopus (Q1)
-
Lajmet1 month agoUBT nderon Familjen Jashari me Dekoratën Jetësore të Nderit
-
Lajmet2 months agoProfesori i UBT-së, Kujtim Thaçi publikon artikull shkencor në revistën prestigjioze Frontiers in Immunology
-
Lajmet2 months agoStudentët e UBT-së në vizitë studimore në Presidencën e Republikës së Kosovës
