Aktualitet

Samiti i BE-së në Shqipëri, nis kufizimi i qarkullimit në disa akse rrugore

Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar masash.

Published

on

Policia e Shqipërisë do të nisë prej ditës së sotme (e hënë) zbatimin e masave të sigurisë në kuadër të Samtit të BE-Ballkani Perëndimor që do të mbahet në Tiranë më 6 dhjetor.

Për të garantuar rendin dhe sigurinë, në rrugëkalimet e delegacioneve dhe në vendin ku do zhvillohet Samiti, Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar masash, duke bashkëpunuar me agjencitë ligjzbatuese brenda vendit, me ekspertë të sigurisë së vendeve të BE-së, si dhe me organizatat ndërkombëtare INTERPOL dhe EUROPOL.

Policia do të nisë zbatimin e masave për bllokimin e akseve rrugore që nga dita e sotme në orën 14:00 pas dreke deri në largimin e personaliteteve pjesëmarrës në Samit, shkruan ATSh.

Para, gjatë dhe pas zhvillimit të Samitit është parashikuar perimetri i sigurisë ku do të ndalohet parkimi, qarkullimi i automjeteve dhe qytetarëve.

Brenda perimetrit të sigurisë do të lejohet vetëm lëvizja e qytetarëve dhe banorëve rezident të zonës.

Akset rrugore ku ndalohet qarkullimi i automjeteve:

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga ura e Dajtit deri te Sheshi “Nënë Tereza”;

Bulevardi “Bajram Curri” nga kryqëzimi me rrugën e “Elbasanit” deri te kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”;

Rruga “Papa Gjon Pali II” nga ETC-RTSH-Stadium;

Rruga “Dervish Hima”;

Rruga “Asim Zeneli”;

Rruga “Themistokli Gërmenji”, pranë rrugës së Elbasanit dhe te kryqëzimi afër rrugës “Papa Gjon Pali II”;

Rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Liceut deri te rruga e “Elbasanit”

Rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”;

Rruga “Jul Variboba”, pranë postës, në rrugën e Elbasanit dhe rrugën “Papa Gjon Pali II”;

Rruga “Fatmir Haxhiu”, te ETC;

Rruga “Lekë Dukagjini”, nga sheshi “Frederik Shopen”, deri te stadiumi “Air Albania” dhe përreth stadiumit;

Rruga “Skerdilajd Llagami” dhe rruga “Faik Konica”.

Ndalim të qarkullimit të automjeteve do të ketë edhe në akset rrugore:

Rinas – Mbikalimi i Kasharit – Autostrada “Durrës – Tiranë” – Ish-sheshi “Shqiponja” – Unaza e Tiranës – Rrethrrotullimi i Saukut – Rrethrrotullimi pranë Akademisë së Policisë – Pallati i Brigadave – Rrethrrotullimi i qytetit “Studenti”, deri tek kryqëzimi me bulevardin “Bajram Curri”.

Kufizime të qarkullimit të automjeteve të tonazhit të rëndë, do të ketë në aksin rrugor “Shkodër – Lezhë – Milot – Thumanë – Fushë Krujë – Vorë”.

Gjithashtu, për të mos krijuar pengesa në mbarëvajtjen e institucioneve që janë brenda perimetrit të sigurisë të këtij Samiti, si dhe të banorëve rezidentë në perimetrin e sigurisë, Policia ka sqaruar se:

– Hyrja e punonjësve të Radio Televizionit Shqiptar, do të bëhet në këmbë, në rrugën “Themistokli Gërmenji”;

– Hyrja e punonjësve të AKSHI-së, do të bëhet në këmbë, në rrugën “Jul Variboba”;

– Hyrja e punonjësve të Kryeministrisë, do të bëhet në këmbë, në rrugën “Ismail Qemali” nga kahu i rrugës së “Elbasanit”;

– Hyrja e punonjësve të Kryesisë së Kuvendit, do të bëhet në këmbë, në rrugën “Ismail Qemali” nga kahu i rrugës “Ibrahim Rugova”;

– Hyrja e studentëve, do të bëhet në këmbë, nga rruga “Ibrahim Rugova” – sheshi “Frederik Shopen” – rruga “Lek Dukagjini” – Universitet;

– Hyrja e gazetarëve vendas dhe të huaj të ftuar në samit, do të bëhet në këmbë, në rrugën “Abdyl Frashëri”, në drejtim të pallatit të Kongreseve.

Bëhet e ditur se masat e planifikuara nga Policia e Shqipërisë, për këtë aktivitet konsistojnë në:

Garantimin e rendit publik para, gjatë dhe pas zhvillimit të Samitit.

Organizimin e shërbimeve policore për sigurimin e të gjithë perimetrit të sigurisë së Samitit.

Sigurimin e delegacioneve përgjatë gjithë rrugëkalimit, nga Rinasi për në Tiranë.

Eskortimin e delegacioneve nga aeroporti i Rinasit, për në vendin e zhvillimit të Samitit në Tiranë, dhe në kthim për në Rinas.

Eskortimi i delegacioneve nga PKK Morinë, Kukës, për në vendin e zhvillimit të Samitit në Tiranë, dhe në kthim për në Morinë, Kukës.

Eskortimi i delegacioneve nga PKK Hani i Hotit, Shkodër, për në vendin e zhvillimit të Samitit në Tiranë, dhe në kthim për në Hani i Hotit, Shkodër.

Sigurimin e rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës.

Menaxhimi i trafikut rrugor në qytetin e Tiranës, para, gjatë dhe pas zhvillimit të Samitit, etj.

Vendi

Prokuroria Themelore në Prishtinë jep detaje për përleshjen e armatosur në Podujevë

Published

on

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje lidhur me përleshjen e armatosur që ka ndodhur sot rreth orës 13:40 në sheshin “Bulevardi i Dëshmorëve” në Podujevë.

Sipas njoftimit zyrtar, në ngjarje janë përfshirë tre persona, ndërsa si pasojë e të shtënave me armë zjarri janë plagosur tre prej tyre dhe një kalimtar i rastit.

Dyshohet se personat e përfshirë kanë lidhje familjare (nip dhe dajë), ndërsa motivi paraprak lidhet me një mosmarrëveshje mes tyre.

Menjëherë pas pranimit të informatës, prokurori kujdestar ka dalë në vendin e ngjarjes së bashku me Policinë e Kosovës, ku janë ndërmarrë veprimet e para hetimore për zbardhjen e rrethanave.

Të dyshuarit po hetohen për veprën penale “Vrasja e rëndë në tentativë”, ndërsa të lënduarit janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në koordinim me Policinë e Kosovës, ka bërë të ditur se hetimet për rastin po vazhdojnë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Të shtëna me armë zjarri në Podujevë, katër persona të plagosur

Published

on

By

Lajm i përditësuar:

Katër persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri që kanë ndodhur sot rreth orës 13:30 në Podujevë.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Enisa Pllana për UBTnews, duke bërë të ditur se njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes pas pranimit të informatës.

Sipas informacioneve të para, fillimisht u raportua për tre të lënduar, ndërsa së fundmi në Qendrën Universitare Klinike të Kosovës (QKUK) është dërguar për trajtim mjekësor edhe personi i katërt. Të gjithë të plagosurit po marrin ndihmën e nevojshme shëndetësore.

Aktualisht, njësitet e policisë po vazhdojnë med ndërmarrjen e veprimeve intensive operativo-hetimore në terren, me qëllim të identifikimit të personave të përfshirë dhe sqarimit të plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Të shtëna me armë në qendër të Podujevës, dyshohet për një të vdekur dhe dy të plagosur

Published

on

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e sotme në qendër të Podujevës, ku sipas informacioneve fillestare raportohet për të shtëna me armë.

Sipas burimeve jozyrtare, tre persona dyshohet se janë plagosur, ndërsa njëri prej tyre raportohet se ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra.

Policia e Kosovës ende nuk e ka konfirmuar zyrtarisht rastin.

Lajmi do të përditësohet me informacione të reja./Kosovapress/

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

BE paralajmëron sanksione të reja ndaj industrisë ushtarake ruse pas sulmit masiv mbi Kiev

Published

on

By

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka dënuar ashpër sulmet brutale ruse gjatë natës mbi Kiev dhe ka paralajmëruar se do të propozojë menjëherë sanksione të reja ekonomike dhe ushtarake ndaj Moskës.

Masat e reja ndëshkuese do të shënjestrojnë direkt kompleksin ushtarako-industrial të Rusisë, me fokus të veçantë te firmat që prodhojnë pjesë për dronët vetëvrasës “Shahed” dhe “Geran”, të cilët po përdoren për të shkatërruar qytetet ukrainase.

Kallas deklaroi prerazi se vetëm fjalët nuk do t’i ndalin sulmet ndaj Kievit dhe se kjo mund të arrihet vetëm përmes mbështetjes së vazhdueshme ushtarake për Ukrainën dhe presionit në rritje ndaj Moskës.

Ndërkohë, Forcat Ajrore të Ukrainës kanë përditësuar bilancin e këtij sulmi, duke shpërfaqur përmasat e një prej goditjeve më masive ajrore të regjistruara deri më tani. Sipas të dhënave zyrtare, Rusia lëshoi 74 raketa dhe 496 dronë kamikazë.

Përkundër faktit që njësitë e mbrojtjes ajrore ukrainase arritën të rrëzonin shumicën dërrmuese të mjeteve fluturuese, 25 raketa balistike dhe 12 dronë depërtuan sistemin mbrojtës duke goditur 33 lokacione të ndryshme. Si pasojë e këtyre goditjeve, të paktën 17 persona kanë mbetur të vrarë.

Nga ana tjetër, kërcënimet e Brukselit për sanksione të reja nuk e kanë zmbrapsur Moskën zyrtare. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i është përgjigjur drejtpërdrejt deklaratës së Kallas duke konfirmuar se Rusia do të vazhdojë të rrisë presionin ushtarak ndaj asaj që ai e quajti “regjimi i Kievit”.

Peskov deklaroi me ftohtësi se ky presion do të vazhdojë në mënyrë që shteti rus të arrijë të gjitha objektivat e përcaktuara të luftës. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara