Qendrat për shpërndarjen e ndihmës në Gazë do të mbyllen përkohësisht më 4 qershor, njoftoi fondacioni që udhëheq ato, teksa ushtria izraelite paralajmëroi se rrugët që çojnë drejt qendrave “konsiderohen zona të luftës”.
Njëzet e shtatë persona u vranë në jug të Gazës të martën, kur ushtria izraelite hapi zjarr pranë një qendre të ndihmës që drejtohet nga Fondacioni Humanitar për Gazën (GHF), që mbështetet nga Shtetet e Bashkuara.
Së fundi, Izraeli ka lehtësuar bllokadën në enklavën palestineze, por Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se e gjithë popullsia e territorit është në rrezik nga zia e bukës.
Të mërkurën, Këshilli i Sigurimit i OKB-së pritet të votojë një rezolutë që bën thirrje për armëpushim dhe qasje humanitare në Gazë, një masë për të cilën SHBA-ja pritet të vendosë veto.
GHF-ja tha se “qendrat e shpërndarjes do të mbyllen për rinovim, riorganizim dhe përmirësim të efikasitetit të punës” të mërkurën dhe operacionet do të rinisin të enjten.
Ushtria izraelite, që ka konfirmuar mbylljen e përkohshme, paralajmëroi njerëzit kundër kalimin “në rrugët që çojnë drejt qendrave të shpërndarjes, të cilat konsiderohen zona të luftës”
GHF-ja nisi operacionet një javë më parë, por OKB-ja dhe grupet e tjera të mëdha të ndihmës kanë refuzuar që të bashkëpunojnë me të, duke ngritur shqetësime se kjo organizatë është krijuar për t’u përshtatur me qëllimet ushtarake të Izraelit.
Pas incidentit vdekjeprurës të së martës afër një qendre të GHF-së, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, e cilësoi “të papranueshme” vrasjen e palestinezëve që po shkojnë për të marrë bukë në qendrat e shpërndarjes.
Autoritetet izraelite dhe GHF-ja – që përdor personel amerikan të sigurisë – kanë mohuar akuzat se ushtria izraelite qëllon ndaj civilëve që shkojnë për të marrë pako me ndihma në qendrat e GHF-së. Ushtria izraelite tha se ngjarja e së martës është duke u hetuar.
Izraeli ka intensifikuar përpjekjet për të mposhtur Hamasin – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – i cili sulmoi Izraelin tetorin e vitit 2023, duke nxitur luftën në Gazë.
Ministria e Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi ka thënë se të paktën 4.240 persona janë vrarë që kur Izraeli ka rinisur ofensivën në territorin palestinez më 18 mars, teksa numri i përgjithshëm i viktimave në Gazë që kur ka nisur lufta ka arritur në mbi 54.000.
Ndërkaq, gjatë sulmit të Hamasit në jug të Izraelit u vranë afër 1.200 persona dhe u rrëmbyen afër 250 të tjerë.
Përveç incidentit në qendrën e ndihmës, agjencia për mbrojtje civile në Gazë të martën ka raportuar edhe për 19 të vrarë.
Ndërkaq, ushtria izraelite tha se tre ushtarë janë vrarë në veri të Gazës, duke shtuar se numri i përgjithshëm i ushtarëve izraelitë të vrarë që nga nisja e luftës është 424./REL/