Drita u mposht nga AZ Alkmaar në ndeshjen e Ligës së Konferencës, e zhvilluar mbrëmë në “Fadil Vokrri”, një duel ku mysafirët shfrytëzuan efikasitetin dhe përvojën për ta marrë një fitore të merituar.
Rezultati i rëndë vjen në një ndeshje ku gjilanasit kërkuan pikë për t’u mbajtur në garën e renditjes, por përballë një kundërshtari më superior nuk ia dolën.
Holandezët e hapën ndeshjen herët, me Mijnans që realizoi në minutën e 17-të pas një aksioni të shpejtë, duke e vendosur Dritën në disavantazh të hershëm.
Pjesa e dytë solli edhe goditjen e dytë, kur Jansen në minutën e 58-të e dyfishoi rezultatin, në një fazë kur Drita po tentonte të rikthehej në lojë.
Me kalimin e minutave, Alkmaari kontrolloi ritmin dhe shfrytëzoi hapësirat, ndërsa Sadiç vulosi gjithçka në minutën e 90-të për epilogun 0:3.
Humbja ka ndikim të drejtpërdrejtë në renditje, ku Drita zbret në vendin e 15-t dhe mbetet me vetëm 8 pikë pas pesë ndeshjeve, me gol-diferencë 4:5. Ndërkohë, Alkmaari ngjitet ndjeshëm në tabelë, në vendin e 11, duke arritur në kuotën e 9 pikëve me gol-diferencë të balancuar 7:7 pas triumfit të sotëm.
Ndeshja u zhvillua nën praninë e tifozëve të shumtë në Prishtinë, por përkundër mbështetjes, Drita nuk arriti ta shfrytëzonte avantazhin e terrenit, duke pësuar njërën nga humbjet më të rënda të këtij edicioni në Evropë.
Gjilanasit tashmë do të kërkojnë reagim në sfidat e mbetura për të ruajtur shanset në fazën e Ligës së Konferencës,/S.K/KP/