Lajmet

Sa i brishtë është ende Ballkani Perëndimor

Published

on

Ballkani: Non-paper – Kjo temë nuk do të diskutohet më zyrtarisht në Bruksel.

Idetë e “shpërbërjes përfundimtare të Jugosllavisë” dhe spostimi i kufijve në Ballkanin Perëndimor nuk do ta ndryshojnë politikën aktuale të BE. Megjithatë angazhimi europian në rajon ka nevojë për një aktivizim urgjent.

Sa i brishtë është ende Ballkani Perëndimor si rajon, akoma me prirje destabilizimi për shkak të plagëve ende të hapura nga e kaluara, të cilat tani politikisht korrekt quhen “çështje të hapura bilaterale”, e dëshmuan informatat për një tekst, i cili për shkak të karakterit jozyrtar, nuk mund të quhet as dokument, madje as paper. I ashtuquajturi “non- paper”, pa kokë dhe pa firma poshtë, iu atribua nga mediat kryeministrit slloven Janez Jansa.

Teksti propozon “përfundimin e shpërbërjes së Jugosllavisë” apo spostimin “përfundimtar” të kufijve në Ballkanin Perëndimor, me qëllim të krijimit të një Bosnje Hercegovine të fragmentuar por “të qëndrueshme dhe funksionale”, një Shqipërie të bashkuar me Kosovën dhe pjesë të Maqedonisë së Veriut dhe një Serbie të bashkuar me Republikën Srpska.

Institucionet e BE-së nuk e kanë konfirmuar ende mbërritjen e një teksti të tillë në Bruksel, dhe ndoshta kurrë nuk do ta konfirmojnë. Brukseli zyrtar përsëriti vetëm qëndrimin e tij se “asgjë nuk duhet të ndryshojë, kur është fjala për kufijtë e Ballkanit Perëndimor”. 

Që “vizatimi i kufijve të rinj është një rrugë e rrezikshme” dhe “pajtimi dhe bashkëpunimi rajonal është çelësi i paqes, demokracisë dhe prosperitetit” në Ballkanin Perëndimor, u theksua edhe nga Sekretari gjerman i Shtetit për Evropën, Michael Roth. Të njëjtat mesazhe erdhën edhe nga Parlamenti Evropian, ku raportuesi për Serbinë, Vladimir Bilçik, porositi se „ndryshimi i kufijve dhe territoreve është një rrugë e rrezikshme drejt së kaluarës shpërthyese” të rajonit.

Kompromise të rrezikshme

Sidoqoftë Alexandra Stiglmayer nga Nisma Evropiane e Stabilitetit dhe Bodo Weber nga Këshilli i Politikës së Demokratizimit në Berlin pohojnë për DW se shfaqja e këtij teksti nuk është e rastësishme, se ai ka parahistorinë e vet dhe se ka njerëz, që e shohin zgjidhjen e të gjitha problemeve në Ballkanin Perëndimor në ndryshimin e kufijve. Në bisedë me DW ata kujtojnë se shkëmbimi i territoreve jo shumë kohë më parë ishte temë në rajon dhe në BE, kur në 2018 flitej për shkëmbimin e territoreve midis Serbisë dhe Kosovës.

„Gjëra të tilla vazhdojnë të dalin. Ato kanë qenë prezente edhe gjatë luftës në ish-Jugosllavi. Por duhet pasur parasysh edhe arsyeja që çoi në këto luftëra. Prandaj është shumë e rrezikshme të besohet se ndryshimi i kufijve, që do të çonte në këmbime etnike, do të sillte zgjidhje në Ballkanin Perëndimor”, thotë Stiglmayer.

Ajo beson se shfaqja e një ideje të tillë në këtë moment është një lloj baloni prove për të parë reagimin e vendeve anëtare të BE-së dhe për të testuar, nëse mund të ecet në këtë rrugë. “Për mendimin tim kjo nuk është kurrësesi rruga, sepse do të çonte vetëm drejt konfliktit, dhe pastaj në një konflikt të armatosur në të gjitha vendet e prekura të Ballkanit Perëndimor”, thekson analistja nga Brukseli.

Bodo Weber thotë se në katër vitet e mëparshme i gjithë rajoni u kërcënua nga destabilizimi për shkak të idesë së shkëmbimit të territoreve midis Serbisë dhe Kosovës dhe se tani është bërë një “hapje e re”, që e zhvendos kërcënimin në territorin e Bosnjë Hercegovinës.

“Në katër vitet e fundit është vërejtur dinamika e një ‘devijimi të rrezikshëm’ të disa përfaqësuesve të BE dhe SHBA, që negociojnë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, të cilët së pari, duke u përqëndruar në negociatat midis Serbisë dhe Kosovës, kërcënuan stabilitetin e të gjithë rajonit me idenë e çmendur të shkëmbimit të territoreve. Kështu jashtë vëmendjes, në Bosnjë Hercegovinë arritën të bien dakord për një “marrëveshje të ndyrë”, për ndarjen etnike në nivel lokal, të ashtuquajturën marrëveshja e Mostarit. E gjitha kjo tregon, se negociatorët tanë perëndimorë në situata krize janë të prirur, të bëjnë çfarëdo marrëveshjeje, që nënkupton edhe kompromis të keq me axhenda të rrezikshme rajonale, që do t’u shkonin për shtat liderëve nacionalë në Ballkanin Perëndimor”, përfundon Weber.

Dokument radikal

Nga Nisma Evropiane e Stabilitetit të Aleksandra Stiglmayer kujtojnë faktin se në procesin e zgjidhjes së “çështjes së Kosovës” disa nga udhëheqësit e BE-së kanë mbështetur opsionin e “çdo zgjidhjeje, për të cilën bien dakord të dyja palët”. Ata shtojnë se “non-paperi” slloven vepron “shumë më radikalisht” pa konsultime paraprake me vendet e prekura.

“Nuk mendoj se Bosnjë Hercegovina, Maqedonia e Veriut apo Kosova do të bien dakord për këtë. Ndoshta Shqipëria, por kjo do të nënkuptojë largimin nga rruga e BE”, thotë Stiglmayer.

Në të njëjtën kohë kryeministri shqiptar, Edi Rama, ishte i vetmi që konfirmoi se e kishte parë dokumentin dhe se kishte biseduar për “idenë” me kryeministrin slloven.

Analistët nga Brukseli dhe Berlini pajtohen, se një “ide” e tillë nuk ka mbështetjen e shumicës.

“Nëse ekziston një dokument i tillë, në formën si është publikuar në media, kjo do të tregonte se zoti Jansa në radikalizmin e tij vepron në fakt në mënyrë kundërproduktive për promovimin e idesë së tij. Unë besoj se kjo është një mënyrë shumë e vrazhdë lobimi për ide të tilla të rrezikshme, nëse dokumenti është i vërtetë dhe autentik”, shprehet Bodo Weber për DW.

Ai shton, se shpreson që situata e re do të inkurajojë vendet e BE-së, që t’i japin “më shumë kontra” mënyrës së rrezikshme të negociatave të përfaqësuesve të BE, konkretisht në Bosnjë Hercegovinë, në këtë moment.

“Këto negociata rrezikojnë ndarjen e mëtejshme etnike të Bosnjë Hercegovinës nën patronatin e BE dhe SHBA, por edhe shpërbërjen e vendit dhe destabilizimin e të gjithë rajonit, që do ta përjetonim po të tillë, po të arrihej marrëveshja për shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë. Kërcënimi është real nga negociatat e jo të pastra dhe jotransparente të përfaqësuesve evropianë dhe më pak nga një përfaqësim i tillë i hapur i ideve etno-nacionaliste si non-paper i famshëm nga Ljubljana”, konkludon Weber.

Një test pa ndikim dhe politikë pa „aktivizim”

Teksti, që krijoi tymnajë në Ballkanin Perëndimor dhe në të gjithë BE-në, pretendohet se iu dërgua Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, si pjesë e njohjes me prioritetet, të cilat do t’i përfaqësojë Sllovenia, kur të marrë presidencën e Këshillit të BE në mes të vitit.

Aleksandra Stiglmayer mendon se pas reagimeve që mori, kryeministri slloven nuk do të vazhdojë të këmbëngulë në ide të ngjashme dhe se nuk duhet pritur ndonjë kthesë radikale në politikën e BE ndaj Ballkanit Perëndimor. “Nuk besoj se kjo mund të bëhet bazë për ndonjë politikë të re të BE ndaj Ballkanit Perëndimor. Shumica e vendeve anëtare mbështesin shtetet multietnike, bazuar në të drejtat e njeriut dhe ato civile. Për këtë nuk do të diskutohet më zyrtarisht në Bruksel”, thotë Stiglmayer. Por ajo shton:

“Një impuls i ri në politikën e BE ndaj Ballkanit Perëndimor është i domosdoshëm, por unë nuk shoh se ka një apel të vërtetë për zgjim. Për sa kohë të zvarritet situata në Ballkanin Perëndimor, ndoshta jo në mënyrë fort të kënaqshme, por gjithsesi pa konflikte, vendet anëtare të BE-së nuk do ta shohin atë si prioritet.”

Në bisedë me DW Stiglmayer i bën thirrje BE që t’i ofrojë përfundimisht Ballkanit Perëndimor “diçka vërtet të besueshme”, përfshirë një proces më funksional të pranimit, se “për çfarë dhe në çfarë drejtimi” duhet të punojë Ballkani Perëndimor. “Përndryshe, kam frikë se do të shkaktohet konflikt. “Dy situata veçanërisht problematike janë ajo mes Serbisë dhe Kosovës dhe ajo në Bosnjë dhe Hercegovinë”, përfundon Aleksandra Stiglmayer. DW

Lajmet

Udhëheqësit e shtetit nderojnë delegatët e 2 Korrikut 1990: Themelet e Republikës u vendosën këtu

Published

on

By

Në 36-vjetorin e miratimit të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, krerët e institucioneve të Kosovës kanë pritur në një takim shtetëror delegatët e asaj legjislature, duke vlerësuar lart guximin dhe kontributin e tyre historik në rrugëtimin drejt pavarësisë.

Në pritjen e organizuar të enjten në Prishtinë, Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bashkë me Ushtruesen e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, dhe Ministren në detyrë të Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, shprehën mirënjohjen e thellë ndaj ish-deputetëve që sfiduan regjimin e atëhershëm pushtues serb.

Në fjalën e tij, kryeministri në detyrë Albin Kurti theksoi se Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut, e pasuar nga Kushtetuta e Kaçanikut më 7 Shtator 1990, ishin dy akte që plotësuan njëra-tjetrën dhe institucionalizuan vullnetin e popullit për liri e barazi.

“Më 2 korrik 1990, vullneti legjitim politik i shqiptarëve triumfoi mbi dhunën, shtypjen dhe diskriminimin politik të Serbisë ndaj tyre. Republika e Kosovës, e shpallur në vitin 1990, ishte e para republikë e Kosovës, e cila rezultoi të ishte republikë për rezistencë, njëherë për qëndresë paqësore e mandej edhe për luftë çlirimtare”, deklaroi Kurti.

Kryeministri shtoi se mbledhja historike 12-minutëshe në oborrin e Kuvendit i hapi rrugën çlirimit definitiv në vitin 1999 dhe shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008. Ai vuri në dukje se brezi i sotëm i politikanëve është plotësisht i vetëdijshëm se pa themelet e vitit 1990, shtetësia e sotme nuk do të ishte e mundur.

Takimi me protagonistët e vitit 1990 u cilësua nga krerët shtetërorë si një përpjekje e domosdoshme për të kultivuar traditën institucionale të njohjes së vlerave dhe historisë moderne të Kosovës.

Gjatë bashkëbisedimit, udhëheqësit dëgjuan kujtimet dhe detajet e delegatëve mbi rrethanat e jashtëzakonshme të kohës, kur Serbia po zbatonte një plan të hapur të aparteidit duke dëbuar shqiptarët nga puna, shkollat dhe institucionet publike. Pritja zyrtare u përmbyll me zotimin se trashëgimia politike e kësaj gjenerate do të mbetet pikë referimi për të ardhmen euroatlantike të vendit. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Rizvanolli me mesazh të prerë në Komunitetin e Energjisë: Serbia shpërfilli afatin e 1 korrikut, nuk do të qëndrojmë duarkryq

Published

on

By

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar se Kosova nuk do të qëndrojë duarkryq përballë refuzimit të Serbisë për të zbatuar vendimin e Komunitetit të Energjisë, i cili e obligon Beogradin të vërë në dispozicion kapacitetet ndërkufitare për tregtinë e energjisë me Kosovën.

Gjatë takimit joformal të Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë, i cili këtë vit kryesohet nga Kosova, Rizvanolli akuzoi hapur Serbinë se ka shpërfillur plotësisht afatin e caktuar të 1 korrikut 2026 për hapjen e këtyre kapaciteteve.

Në këtë forum, ministrja Rizvanolli shpalosi tri prioritetet kryesore të udhëheqjes së Kosovës: përshpejtimin e integrimit të tregut të rrymës sipas legjislacionit të BE-së, harmonizimin e politikave klimatike për zvogëlimin e emetimeve të karbonit dhe bashkëpunimin e shtuar rajonal për shfrytëzimin e kapaciteteve ekzistuese transmetuese e gjeneruese.

Megjithatë, ajo theksoi se ky bashkëpunim po sabotohet direkt nga pala serbe.

“Serbia jo vetëm që nuk e ka mbërritur këtë afat, por nuk ka ndërmarrë asnjë hap përgatitor për të zbatuar obligimin e vet. Operatori i transmisionit të Serbisë vazhdon të refuzojë bisedimet e drejtpërdrejta me operatorin tonë KOSTT, ndërsa komunikimi është i domosdoshëm për bashkëpunim të qëndrueshëm rajonal”, deklaroi Rizvanolli.

Sipas saj, duke penguar shfrytëzimin komercial të interkoneksionit, Serbia po mbingarkon rrjetin e Kosovës dhe të vendeve fqinje, duke u vendosur një barrë financiare të panevojshme të gjithë konsumatorëve të rajonit. “Pasojat e kësaj i kemi ndier shumë afër dhe shumë rëndë në vitet e kaluara. Ne nuk mund dhe nuk do të qëndrojmë duarkryq”, paralajmëroi ajo.

Në këtë takim morën pjesë edhe zyrtarë të lartë evropianë, të cilët rikonfirmuan se integrimi i Ballkanit Perëndimor në tregun e brendshëm energjetik të BE-së është një prioritet strategjik.

Yolanda Garcia Mezquita, Shefe e Njësisë për Bashkimin Evropian, përçoi një mesazh të prerë për rajonin.

“Mesazhi ynë sot është i qartë: siguria energjetike e Evropës nuk ndalet në kufijtë e Bashkimit Evropian. Ajo varet nga një hapësirë më e gjerë energjetike evropiane, e cila është e integruar, e ndërlidhur mirë dhe e bazuar në rregulla të përbashkëta”.

Nga ana tjetër, drejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Artur Lorkowski, vuri në pah një sfidë specifike gjeografike dhe infrastrukturore të vendit tonë. Ai saktësoi se Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk ka interkoneksione (linja të drejtpërdrejta të transmetimit) me ndonjë shtet anëtar të Bashkimit Evropian.

Lorkowski shtoi se, përkundër këtyre sfidave, BE-ja tashmë u ka bërë thirrje të gjitha vendeve të rajonit që të integrohen plotësisht në tregun energjetik evropian, pa pritur anëtarësimin e tyre politik në bllok. /Ekonomia online/ /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Një muaj paraburgim ndaj dy të dyshuarve për vrasjen e imamit në Dragash

Published

on

Gjykata Themelore në Prizren u ka caktuar nga një muaj paraburgim dy të dyshuarve për përfshirjen në vrasjen e imamit në Zlipotok të Dragashit.

Në kërkesën e Prokurorisë një ditë më parë, thuhej se ekziston dyshimi i bazuar se më 29 qershor 2026, rreth orës 23:00, i pandehuri B.H. ka privuar nga jeta tani të ndjerin G.T., pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme që lidhej me shfrytëzimin e një prone, përkatësisht një livadhi.

Ndërkaq, i pandehuri I.H., (babai i të pandehurit B.H.) dyshohet se, edhe pse ka qenë në afërsi të vendit të ngjarjes dhe ka pasur mundësi të ofrojë ndihmë pa rrezikuar veten apo të tjerët, nuk ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për t’i ofruar ndihmë viktimës, e cila ndodhej në rrezik të drejtpërdrejtë për jetën.

Në vendimin e Gjykatës Themelore në Prizren për caktimin e masës së paraburgimit, thuhet se me masën e paraburgimit do të arrihet të sigurohet prezenca e të pandehurve dhe se do të mund të zhvillohen normalisht dhe pa pengesa procedura penale.

Tutje thuhet se është marrë parasysh edhe fakti se i pandehuri ishte larguar nga vendi i ngjarjes çka për Gjykatën rezulton se me lënien në liri ekziston rreziku i ikjes dhe arratisjes, me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, andaj masa e paraburgimit në këtë fazë është e domosdoshme./A.K/

 

Continue Reading

Lajmet

Suharekë: Dyshohet se u godit nga rrufeja, vdes një person

Published

on

By

Një person në Suharekë ka humbur jetën pasi dyshohet se është goditur nga rrufeja.

Sipas raportit zyrtar të Policisë së Kosovës, rasti po trajtohet si “hetim i vdekjes”.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë autoritetet kompetente, si dhe ekipi mjekësor, ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës, mashkull kosovar.

“Lidhur me rastin, vdekjen e viktimës mashkull kosovar i cili dyshohet se është goditur nga rrufeja e ka konstatuar mjeku kujdestar.

Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës dërgohet për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë”, njofton Policia.

Hetimet po vazhdojnë nga njësitet përkatëse, ndërsa raporti i obduksionit pritet të konfirmojë zyrtarisht shkakun e vdekjes. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara