Lajmet

Sa duhet të përfshihen prindërit në edukimin e fëmijëve?

Nga Lee Elliot Major.

Published

on

Nga Lee Elliot Major

Asgjë nuk ju përgatit për rrugëtimin e lodhshëm si një prind. Unë vetë kam lexuar mijëra studime mbi arsimin dhe kam këshilluar mësues në mbarë botën. Megjithatë, pas 2 dekadash si prind, nuk jam ende i sigurt se çfarë mund të jetë më e mira për fëmijët tanë.

Ashtu si shumica e prindërve, unë dhe bashkëshortja i kemi kaluar të gjitha: të dielat stresuese duke mbushur boshllëqet mësimore të fëmijëve tanë; mbrëmjet e kaluara duke i nxitur ata të kryejnë detyrat e shtëpisë; pagimin e tarifave mujore për regjistrimin e tyre në një ekip futbolli për të rinj, që gjatë disa sezoneve nuk arriti të fitonte as edhe një ndeshje të vetme.

Prindërit duket se po shpenzojnë më shumë kohë dhe para për aktivitete arsimore, duke i çuar pafund fëmijët e tyre në kurse muzike dhe sportive. Por edhe duke vizituar muzeume dhe galeri të ndryshme; duke bërë pushime sa më të larmishme për t’u dhënë atyre dije mbi kultura të ndryshme dhe për të përmirësuar CV-të e tyre personale.

E megjithatë, pavarësisht presioneve në rritje, ka pak këshilla për t’i udhëzuar prindërit se çfarë është e rëndësishme kur bëhet fjalë për arsimimin e fëmijëve të tyre. Dhe studimi im i fundit ma ka shtuar konfuzionin. Ai sugjeron se të ndihmosh fëmijët me detyrat e matematikës apo t’u lexosh libra jashtëshkollore nuk ka fare ndikim.

Për më tepër, zbulon se të vësh muzikë apo të luash sport me fëmijët nuk ndikon aspak në ecurinë e tyre në shkollë. Ashtu si me shumë studime të tilla, edhe ky i imi po i përgjigjet pyetjes së gabuar. Sepse rrethanat specifike të vetë prindit, kanë një ndikim të thellë në perspektivat e fëmijëve.

Fëmijët me prindër që nuk janë të diplomuar në universitet, kanë shumë më pak gjasa të rriten me 2 prindër dhe në një  shtëpi e cila është në pronësinë e familjes sesa fëmijët me prindër të diplomuar në universitet. Ndërkohë, fëmijët e familjeve më të pasura kanë 2 herë më shumë gjasa të përfitojnë nga mësimi privat sesa fëmijët nga familjet më të varfra.

Gjatë hulumtimit tim, unë kam zbuluar se zakonet e thjeshta në shtëpi mund të sjellim ndryshime që përcaktojnë jetën. Për shembull ulja dhe leximi i një libri bashkë me fëmijën tuaj çdo ditë, qoftë edhe vetëm për 20 minuta, mund të transformojë mënyrën e mësimit të tyre.

Rëndësi kanë edhe rutinat e rregullta (vakti kur hahet, kur bëhet banjë, koha e gjumit), ashtu si dhe përgatitja e fëmijëve për shkollën (duke siguruar që ata të hanë ushqim dhe të bëjnë një gjumë të mjaftueshëm).

Edhe artet dhe sportet kanë vlerë të madhe edukative në vetvete. Ato ndihmojnë në përmirësimin e besimit, vetëvlerësimit dhe mirëqenies, si dhe të aftësive sociale dhe drejtuese. Është thelbësore që prindërit t’i promovojnë ato, duke pasur parasysh se një program shkollor gjithnjë e më i dobët po lë pas dore muzikën, artin dhe sportin.

Sipas mendimit tim, fëmijët duhet t’i kushtojnë po aq kohë artit dhe sportit sa edhe studimit akademik bazë. Problemi qëndron tek zgjerimi i hendekut midis prindërve që janë në gjendje të mbështesin shkollimin e fëmijëve të tyre jashtë shkollës dhe atyre që nuk e kanë këtë mundësi.

Kjo ndarje ka ekzistuar prej kohësh, por pandemia e Covid-19 e ka përkeqësuar. Pas mbylljes së shkollave, sondazhet zbuluan se disa prindër ishin gjithnjë e më të angazhuar në mësimin e fëmijëve të tyre; ndërsa të tjerët jo. Në një botë gjithnjë e më të polarizuar jashtë shkollave, duket gjithnjë e më e rëndësishme puna e sociologes amerikane Anet Laro.

Ajo i cilëson si “kultivim të përbashkët” aktivitetet ku angazhohen prindërit e shtresës së mesme, duke i përfshirë fëmijët e tyre në aktivitete të strukturuara kulturore dhe diskutime gjatë kohës së darkës. Ndërkohë, prindërit e klasës punëtore praktikuan “prindërimin e rritjes natyrore”, një qasje e thjeshtë ndaj shkollimit.

Siç do t’ju thotë çdo mësues, këto janë përgjithësime: stilet e prindërve ndryshojnë midis prindërve të të gjitha shtresave shoqërore. Por ne duhet të jemi të kujdesshëm ndaj rrëshqitjes në një mentalitet defiçiti, duke i fajësuar prindërit që nuk kanë mbajtur ritmin në të gjitha këto përpjekje jashtëshkollore.

Kur prindërit bëjnë disa punë të pasigurta për të paguar faturat, ose kanë njohuri të kufizuara se si funksionon sistemi arsimor, ata mund të mos kenë kohë apo burime për të mbështetur fëmijët e tyre në mënyrat më të dobishme. Në fakt në epokën post-pandemike, janë dobësuar edhe të drejtat elementare për fëmijët: ushqimi i duhur, ngrohja, veshmbathja, mundësia për të udhëtuar në shkollë dhe hapësira për studim.

Ajo që është jetike për t’u kuptuar nëse duam të trajtojmë pabarazitë arsimore, është se fëmijët “e kultivuar” të Laro janë të prirur të kenë sukses në mjediset shkollore dhe inkurajohen të kërkojnë reagime nga mësuesi i tyre nëse nuk kuptojnë diçka. Fëmijët e tjerë humbasin shanset.

Në punën time me drejtuesit e shkollave, eksplorojmë mënyrat për të krijuar marrëdhënie jo hierarkike dhe reciproke me të gjithë prindërit. Të gjitha shkollat duhet të publikojnë planet e partneritetit të prindërve, të vëna në dispozicion të të gjithë komunitetit të shkollës, të cilat do të demonstrojnë se çfarë po bëjnë shkollat për të fuqizuar të gjithë prindërit për të ndihmuar në zhvillimin e shprehive në mjedisin mësimor në shtëpi.

Ky “premtim i prindërve” do të ishte një strategji e favorshme për mësuesit, pasi fëmijët do të kishin më shumë gjasa të ndiqnin shkollën dhe të përgatiteshin më mirë për të mësuar në klasë. Po ashtu mësuesit duhet të udhëzohen se si të punojnë me prindërit.

Derisa ta kapërcejmë këtë hendek, unë druhem se për shumë prindër një nga punët tona më të rëndësishme do të mbetet herë e suksesshme dhe herë jo. Arsimi është shumë më tepër se notat në shkollë.

Shënim: Lee Elliott Major është profesori i parë i lëvizshmërisë sociale në Universitetin Ekseter, Britani e Madhe. / “The Guardian” – Bota.al

Lajmet

Kurti i bën thirrje Hamzës për takim, do ta votojmë një deputet të PDK-së për nënkryetar të Kuvendit

Published

on

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje do ta votojë një deputet të PDK-së për nënkryetar të Kuvendit.

Ai ka kërkuar që emrat e kandidatëve të diskutohen në takimet mes partive dhe ka thënë se ende nuk është tepër vonë për të arritur marrëveshje.

“Ne medoemos një deputet të PDK-së do ta votojmë për nënkryetar të Kuvendit. Ne medoemos një deputet ose deputete të LDK-së do ta votojmë për nënkryetar të Kuvendit”, ka deklaruar Kurti.

Kurti ka thënë se dëshiron të takohet me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, për të diskutuar emrat e kandidatëve.

Ai e ka cilësuar si të keqardhshme braktisjen e procesit të konstituimit të Kuvendit, duke thënë se sot është humbur një mundësi për përmbylljen e tij.

“Jemi vonë, por nuk është tepër vonë. Nëse e bëjmë këtë të dielën, megjithatë do të konsiderojmë që përgjithësisht dhe së bashku ishim të suksesshëm”, ka deklaruar Kurti./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Avokati: Kërkojmë shpalljen të pafajshëm të Fazliut, të akuzuarit s’u intervistuan nga ZPS-ja

Published

on

Avokati i Fadil Fazliut, David Young ka kërkuar shpalljen të pafajshëm të Fadil Fazliut.

“Kërkojë me respekt që verdikti në këtë rast të korrigjohet dhe të jetë në përputhje me detyrën publike që është pafajësia e z.Fazliu”, tha Young.

Ai tha se gjatë ngritjeve të akuzave në këtë çështje, Prokuroria nuk ka intervistuar asnjëherë të dyshuarit.

 “Pjesa më e madhe e këtyre personave, e këtyre të akuzuarve nuk janë intervistuar asnjëherë. Besoj që z.Kilaj mund të ketë qenë para shumë shumë vitesh por pjesa më e madhe e të akuzuarve nuk janë intervistuar asnjëherë nga Prokuroria. Pra, mund të nxjerrim deduktimin nga kjo që Prokuroria ka marrë qasjen strategjike për të mos i intervistuar ata. Për të mos i intervistuar këta persona lidhur me pretendimet dhe a është kjo mënyrë  e drejtë për të filluar hetimet ap ngritur akuzat?! Unë besoj që jo. Unë thgem qartësisht që nuk është kështu”, tha David Young.

Young parashtroi se Fadil Fazliu duhej të paktën që të intervistohej por atij nuk iu dha mundësia të thoshte atë që kishte për të thënë.

“Nga përvoja juaj e gjerë i nderuar gjykatës ju e dini që normalisht ju jepet prokurorëve dhe hetuesve mundësia për pyetjet që do i bëjnë dëshmitarit për pretendimet dhe lidhur me provat. Në të njëjtën mënyrë, intervista I jep mundësinë të dyshuarit që të jep përgjigjet e tij ndaj pretendimeve që ngrihen kundër tij. Ndonjëherë është mënyrë e mirë për të vërtetuar provat dhe për të verifikuar pretendimet dhe për të parë se si personi përgjigjet”, tha ai.

David Young tha se kjo është mënyrë e duhur për të verifikuar provat nga mënyra se si përgjigjet I dyshuari.

“Por pas intervistave, është praktikë e zakonshme për prokurorët në nivel kombëtar dhe ndërkombëtarë që të marrin vendimin se nëse do të vazhdojnë më tej ndjekjen kundër të dyshuarit, të ngrenë akuza ndaj tij dhe kjo mund të varet nga ajo që është thënë gjatë intervistës apo jo”, tha ai.

Me kaq përfundoi fjalën përfundimtare mbrojtja e Fadil Fazliut për të vazhduar më pas me mbrojtjen e Hajredin Kucit e përfaqësuar nga avokati Alexander Admiral./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Avokati i Kuçit: ZPS-ja ndërtoi teorinë e saj mbi gabime në përkthim

Published

on

Alexander Admiral, avokat i Hajredin Kuçit, tha se Prokuroria ka ndërtuar teorinë e saj për Hajredin Kuçin mbi transkripta të përkthyera gabim dhe sipas tij versioni i korrigjuar dëshmon tjetër gjë.

Ai tha se Prokuroria ka hetuar Kuçin për më shumë se dy vjet duke kontrolluar shtëpinë e tij, telefonin, kompjuterin dhe mesazhet e tij. 

Ai tha se pas gjithë kësaj, provat e Prokurorisë mbështetën vetëm në një mesazh dhe në një bisedë e regjistruar pas të cilës asnjë dëshmitar nuk është kontaktuar dhe asgjë nuk është ndërmarrë si veprim.

Admiral tha se Prokuroria i ka thënë gjyqtarit të procedurës paraprake se Kuçi i kishte shkruar këto fjalë “Mik, ai të përgëzon për profesionalizimin, idetë e qarta, për vendin, luftën dhe guximin tënd! Bravo!”.

Sipas avokatit, me frazën “ai”, Prokuroria e ndërtoi teorinë e saj dhe në fjalën hyrëse kishte thënë që Kuçi i kishte përcjell përgëzimet e një personi të paemëruar duke shtuar se idetë e atij personi të paemëruar ishin të Fazliut.

“Kjo teori ishte e gabuar. Njësia e përkthimit tani ka dhënë përkthimin e duhur. Mesazhi lexon: Mik, ju përgëzoj unë (veta e parë). Z. Kuçi pra vetë. Nuk ka person të emëruar. Nuk ka mesazh nga askush”, tha Admiral.

Admiral tha se mbrojtja nuk e mohon faktin që është dërguar një mesazh por korrigjimi i përkthimit e ndryshon kuptimin e atij mesazhi.

“Hiqet pretendimi se z.Kuci ka shërbyer si lajmës. Gjithashtu nuk është më e vlefshme baza mbi të cilën është mbështetur Prokuroria për të thënë se ka pasur një plan më të gjerë për të ndërhyrë ndaj dëshmitarëve. Ky nuk është një ndryshim i vogël. Ndryshon kuptimin dhe peshën e mesazhit”, tha ai.

Admiral tha se ky mesazh ishte dërguar nga Kuçi tek Mustafa dhe se ky i fundit e kishte dhënë intervistën përpara se t’i dërgohej mesazhi.

 Sipas tij, deklaratat e Mutafës në Hagë ishin paraqitur në media dhe se Kuçi e pa se çfarë u tha dhe thjesht ia dërgoi dy fjali shokut të tij prej 30 vjetësh./A.K/

Continue Reading

Lajmet

“Liria ka Emër” fton qytetarët në “Marshin për Liri” më 12 shtator

Published

on

Platforma qytetare “Liria ka Emër” u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen “Marshit për Liri”, i cili do të mbahet të shtunën, më 12 shtator, në orën 14:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Përfaqësuesit e platformës, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, kanë bërë të ditur se në marsh janë ftuar liderët e katër partive parlamentare shqiptare. Sipas tyre, pozitivisht janë përgjigjur vetëm kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, dhe ai i AAK-së, Ardian Gjini.

Në aktivitet pritet të ketë edhe fjalime nga përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, familjarë të dëshmorëve dhe këngë patriotike.

Organizatorët kanë njoftuar gjithashtu se është siguruar transport me autobusë nga qytete të ndryshme të Kosovës dhe kanë bërë thirrje që qytetarët të marrin pjesë së bashku me familjet.

Marshi zhvillohet pak ditë para shpalljes së vendimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së, më 16 shtator në Hagë./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara