Aktualitet

Rusia vret të paktën 12 persona në natën e gjashtë të sulmeve me dronë mbi Kiev

Published

on

Të paktën 12 persona kanë mbetur të vdekur në Kiev dhe rrethinat e tij gjatë natës, ndërsa kryeqyteti i Ukrainës përballoi natën e gjashtë rresht të sulmeve ruse me dronë dhe raketa, të cilat synojnë shkatërrimin e infrastrukturës dhe uljen e moralit të qytetit.

Oshëtimet e alarmit ajror vazhduan për orë të tëra dhe kulmuan me një valë goditjesh rreth orës 2:30 të mëngjesit. Të paktën tetë persona u raportuan të vdekur brenda në Kiev — përfshirë shtatë viktima në një depo hekurudhore në bregun e majtë të qytetit — si dhe katër të tjerë në rajonin përreth.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, deklaroi se gjatë sulmit u përdor “një numër i madh dronësh me motor me reaksion dhe raketash balistike”, duke shtuar se Rusia po shfrytëzon mungesën e raketave mbrojtëse amerikane të sistemit Patriot.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Zelenskyy u shpreh: “Rusia gjithmonë i planifikon sulmet e saj posaçërisht për të shkaktuar sa më shumë shkatërrim në jetët e njerëzve, dhe këtë arrin ta bëjë vetëm atëherë kur kapacitetet e mbrojtjes ajrore janë të pamjaftueshme”.

Kievi dhe qytezat e fshatrat përreth janë përballur me sulme të vazhdueshme ditët e fundit. Të enjten, 38 persona humbën jetën pasi një dron rus goditi një depo municioni në Myla (24 km në perëndim të Kievit), goditje kjo që shkaktoi shpërthime të njëpasnjëshme për orë të tëra dhe dëmtoi shtëpitë përreth.

Forcat Ajrore të Ukrainës njoftuan se Rusia kishte goditur 28 lokacione, me fokus kryesor qytetet e Kievit, Odesës dhe rrethinat e tyre. Mbrojtja ajrore arriti të rrëzonte pesë raketa balistike Iskander, dy raketa Banderol, pesë raketa kruz Kalibr si dhe 187 nga 218 dronët e lëshuar. Zyrtarët ukrainas nuk e bëjnë më të ditur numrin e përgjithshëm të raketave të lëshuara.

Drejtori ekzekutiv i Hekurudhave të Ukrainës, Oleksandr Pertsovskyi, konfirmoi se gjashtë nga shtatë personat e vrarë në depo ishin punonjës të rrjetit hekurudhor, ndërsa një tjetër mbeti i hospitalizuar.

Kievi vuan nga një mungesë kronike e sistemeve të mbrojtjes ajrore që prej ndërprerjes së furnizimit me raketa Patriot nga SHBA-ja. Patriotët janë e vetmja armë që mund të ndalojë me efikasitet raketat balistike ruse të shpejtësisë së lartë, të cilat prodhohen me një normë prej rreth 60 copë në muaj.

Kompania amerikane Lockheed Martin prodhon rreth 600 raketa mbrojtëse Pac-3 në vit, por rezervat ushtarake të SHBA-së janë reduktuar përgjatë luftës amerikane me Iranin. Ukraina po përpiqet të sigurojë një rezervë prej rreth 300 raketash për dimrin, të financuara nga aleatët evropianë përmes një marrëveshjeje furnizimi të dakorduar me SHBA-në.

Moska duket se po përpiqet të shfrytëzojë këtë mungesë të mbrojtjes ajrore përpara ardhjes së dimrit, duke përshkallëzuar konfliktin i cili mbetet pothuajse i bllokuar në vijën e frontit. Në anën tjetër, Ukraina po përgjigjet duke goditur rafineritë e naftës, depot dhe objektet e tjera ushtarake thellë brenda territorit rus, me synim dëmtimin e ekonomisë së këtij shteti. /The Guardian/

 

Continue Reading

Vendi

Detajet nga vrasja në Gjilan nga raporti i Policisë së Kosovës

Published

on

By

Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja përmes raportit 24-orësh lidhur me vrasjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e së dielës në Gjilan, ku një person ka humbur jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri.

Sipas raportit zyrtar të policisë, ngjarja ka ndodhur më 11 tetor 2026, rreth orës 19:32, ku i dyshuari burrë dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri viktimën burrë.

Në vendin e ngjarjes, njësitë policore kanë konfiskuar një sasi të konsiderueshme armatimi e municioni, përfshirë një pushkë gjuetie, një pushkë zjarri M48, një pistoletë, si dhe 68 fishekë e 4 gëzhoja.

I dyshuari për kryerjen e kësaj vepre penale gjendet ende në kërkim policor.

Ndërkaq, me vendim të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion. Hetimet për rastin po vazhdojnë nga njësitë përkatëse. /E.A/

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Prof. Ass. Dr. Burim Kiseri sjell një perspektivë bashkëkohore mbi estetikën dentare dhe fasetat moderne në Kongresin e XI-të Mbarëkombëtar të Stomatologjisë

Published

on

By

Prof. Ass. Dr. Burim Kiseri, nga Programi i Stomatologjisë në UBT, ishte i ftuar si ligjërues në Kongresin e XI-të Mbarëkombëtar të Stomatologjisë në Republikën e Kosovës, ku prezantoi temën “Nga Perceptimi Estetik te Fasetat Dentare: Krijimi i Buzëqeshjes në Epokën e Personalizimit”, duke sjellë një perspektivë bashkëkohore mbi estetikën dentare dhe zhvillimet në stomatologjinë restauruese.

Në fokus të prezantimit të tij ishte individualizimi i buzëqeshjes, harmonia ndërmjet dhëmbëve, gingivës dhe tipareve të fytyrës, si dhe rëndësia e planifikimit digjital, teknikës mock-up dhe fasetave dentare në arritjen e rezultateve natyrale dhe funksionale.

Përmes kësaj teme, Prof. Ass. Dr. Kiseri theksoi se estetika moderne dentare shkon përtej formës dhe ngjyrës së dhëmbëve, duke synuar krijimin e një buzëqeshjeje që reflekton identitetin dhe karakteristikat individuale të secilit pacient. Ndërthurja e perceptimit estetik me parimet shkencore dhe teknologjitë moderne mundëson trajtime më të personalizuara, duke ruajtur harmoninë dhe funksionalitetin.

Pjesëmarrja e Prof. Ass. Dr. Burim Kiserit në këtë kongres përfaqëson një mundësi të rëndësishme për shkëmbimin e njohurive dhe përvojave profesionale, si dhe për promovimin e qasjeve inovative në stomatologji.

Continue Reading

Live

Trump pretendon “armëpushim energjetik” mes Rusisë e Ukrainës, Kievi raporton sulme të reja

Published

on

By

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Rusia dhe Ukraina kanë rënë daktord për një “armëpushim energjetik” me efekt të menjëhershëm, mirëpo pa dhënë detaje shtesë për marrëveshjen.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u shpreh i papritur nga ky njoftim, por konfirmoi se Kievi është i gatshëm të pezullojë sulmet ndaj infrastrukturës energjetike ruse nëse Moska bën të njëjtën gjë. Megjithatë, menjëherë pas deklaratës së Trump-it, Zelensky akuzoi Rusinë se goditi me dronë një central elektrik në Kiev dhe objekte energjetike në Kharkiv, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike.

Kërkesa e Trump-it ndaj Ukrainës për ndalimin e goditjeve mbi rafineritë ruse lidhet me një marrëveshje për importin e naftës dizele ruse, e cila ka pezulluar përkohësisht disa sancione me synim uljen e çmimeve të karburantit në SHBA përpara zgjedhjeve të mesmandatit. Kjo iniciativë ka nxitur kritikave të ashpra nga Zelensky, zyrtarë evropianë dhe politikanë amerikanë. Nga ana tjetër, Britania e Madhe, Franca, Kanadaja dhe BE-ja kanë shprehur mbështetje për idenë e një armëpushimi të qëndrueshëm energjetik, ndërsa Moska ende nuk ka bërë ndonjë koment zyrtar. /BBC/

Continue Reading

Lajmet

Vritet një 29-vjeçar në Pogragjë të Gjilanit

Published

on

By

Një person i gjinisë mashkullore, i lindur në vitin 1997, ka humbur jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri të dielën rreth orës 19:30 në fshatin Pogragjë të Gjilanit.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani, bëri të ditur se ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës në vendngjarje. I dyshuari për kryerjen e veprës, i njohur për organet e rendit, është larguar nga vendi i ngjarjes dhe gjendet në kërkim policor. Njësitë përkatëse hetimore, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, po ndërmarrin të gjitha veprimet operative për lokalizimin e tij dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.

Ngjarja pason një tjetër incident tragjik të ndodhur të premten në Livoç të Ulët, ku një burrë vrau bashkëshorten dhe kunatin e tij, si dhe plagosi një person tjetër.

Lidhur me situatën e krijuar, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka shprehur ngushëllime për familjet e viktimave dhe ka njoftuar thirrjen e një mbledhjeje urgjente të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) për të hënën në mëngjes. Hyseni theksoi se komuna do të bashkëpunojë ngushtë me organet e rendit për garantimin e sigurisë publike, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve për maturi e qetësi. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara