Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.
12 tetor 1993
Amnesty International i brengosur për situatën në Kosovë
Represioni masiv i policisë serbe kundër shqiptarëve në Kosovë si dhe në tërësi gjendja e rëndë ekonomike dhe politike e shqiptarëve të Kosovës, është preokupim i përhershëm i Amnesty International.
Kështu, në një raport për gjendjen aktuale në Kosovë të organizatës së lartëpërmendur ndërkombëtare, pasqyrohet në mënyrë shumë të plotë dhe reale pozita tejet e rëndë e shqiptarëve në Kosovë dhe njëkohësisht, siç njofton gazeta gjermane “Frankfurter Allgemaine”, Amnesty International (AI), në mënyrë ultimative u bënë thirrje OKB-së, BE-së, KSBE-së, Organizatës së Shteteve Islamike, që të ndërmarrin masa për angazhim të përbashkët në kthimin e misionit vëzhgues të KSBE-së në Kosovë dhe për të evituar shkallëzimin e hapjes së konfliktit me përmasa ballkanike, ku do të jetë e pashmangshme përfshirja edhe e vendeve fqinje.
Në raportin e AI që u botua në gazetat kryesore gjermane, thuhet se në Kosovë gjendja është tejet e tensionuar për shkak të sulmeve të parreshtura të policisë serbe kundër popullatës shqiptare. Organet zyrtare serbe kanë larguar misionin e vëzhguesve të KSBE-së dhe nuk kanë pranuar vizitën e një delegacioni të Amnesty International në Kosovë. Çdo ditë AI-së i vijnë informacione për sulmet e vazhdueshme të policisë serbe ndaj shqiptarëve, të cilët e përbëjnë popullin shumicë në Kosovë.
Që nga viti i kaluar kemi pasur informacione për keqtrajtimin e fëmijëve, pleqve dhe grave shqiptare në Kosovë si dhe të aktivistëve politikë dhe atyre të të drejtave të njeriut. Kështu ngjau edhe me një aktivist, i cili u torturua në polici për shkak të angazhimit në detyrat e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut. Që nga largimi i misionarëve vëzhgues të KSBE-së, represioni serb ka marrë përmasa të shtuara, prandaj Amnesty International nga instancat ndërkombëtare kërkon shtimin e vëzhgimit ndërkombëtar në Kosovë për të ndalur shkallëzimin e situatës. Kosova, sipas AI, është e rrezikuar jo vetëm nga represioni policor, por edhe nga ashpërsimi i gjendjes ekonomike të shqiptarëve.
Gjatë raportit të AI-së janë dhënë disa raste të rrahjeve dhe torturimit të shqiptarëve edhe në rrugë, si dhe deklarata të policëve serbë, të cilët nuk kanë frikë nga kërcënimi me sanksione.
Së këndejmi Amnesty Internatioal e thirrë bashkësinë ndërkombëtare që të ndërmarrë masa konkrete në rastin e Kosovës, sepse vetëm brenda javës së kaluar janë burgosur mëse 34 shqiptarë, kurse gjatë muajit shtator janë burgosur 83 shqiptarë, të cilëve organet zyrtare serbe u mveshin epitete të terroristëve, etj.
12 tetor 1994
Represioni në Kosovë
Rahovec: – Ditëve të fundit, policia serbe nën pretekst të kërkimit të armëve ka shtuar represionin ndaj banorëve të fshatit Dabidol të Rahovecit. Para pak ditësh policia serbe mori në stacionin e policisë tetë veta si, Ramadan e Shpend Krasniqin, Zef, Gjokë, Gjergj e Muharrem Gashin, Haxhi Isakajn dhe Ramiz Morinën.
Njoftohet se personat e lartëshënuar janë keqtrajtuar brutalisht në stacionin e policisë në Rahovec.
Ndërkaq, nën pretekst të kërkimit të armëve në polici u morën edhe Ruzhdi Krasniqi e Lulzim Morina nga Ratkoci i Rahovecit.
Prizren: – Këto ditë në fshatin Lutogllavë të Prizrenit, policia serbe bastisi shtëpinë e Aliriza Metajt, tek i cili u gjetën armë.
Nga Prizreni bëhet me dije se ditëve të fundit, policia serbe në këtë komunë po i bastis, plaçkitë dhe keqtrajton fizikisht shumë qytetarë shqiptarë, ndërsa pronarët e dyqaneve dhe firmave private po i gjobitë me sasi të mëdha parash.
Skënderaj: – Në fshatin Açarevë, nën pretekst të kërkimit të armëve, u bastisën shtëpitë e Mahmut Selimit, Fadil Shabanit, Brahim Rrahmanit, Cenë Nurës dhe Islam Miftarit.
Më 9 tetor, në fshatin Rezallë, një ekspeditë e policisë serbe rreth dhjetë orë, nën pretekst të kërkimit të armëve bastisi shtëpitë e Besim e Hamdi Deliut.
Lipjan: – Sot rreth orës 8:00 të mëngjesit, policia serbe ia la thirrjen Fitim Selimit, sekretar i Degës së LDK-së në Lipjan që të paraqitet nesër në stacionin e policisë.
Gjakovë: – Dje, rreth orës 8, me pretekst të kërkimit të armëve, në dyqanin e tij privat, në fshatin Junik, policia mori Ali Isuf Zeqirin, kryetar i Degës së Forumit Rinor të LDK-së në Gjakovë. Ali Zeqiri në lokalet e policisë në Gjakovë u mbajt deri në orën 13:00 dhe u rrah aq rëndë sa u detyrua të shtrihet në spitalin e Gjakovës.
12 tetor 1995
Karl Bilt: Kosova është përfshirë në planin global për zgjidhjen e krizës në ish-Jugosllavi
Në një tekst të gazetës “Flaka” të Shkupit me titull “Gjendja alarmante e të drejtave të shqiptarëve në Kosovë” konstatohet se çështja e Kosovës dhe ajo mbarëshqiptare në ish-Jugosllavi, këtyre ditëve në Kombet e Bashkuara në Gjenevë ishte në qendër të debatit. Në dy konferencat e fundit për shtyp, organizuar nga zyrtarë të OKB-së dhe të Evropës, të angazhuar drejtpërsëdrejti në krizën e ish-Jugosllavisë, Kosova u shqyrtua si një temë serioze dhe si çështje, e cila dita më ditë po e preokupon bashkësinë ndërkombëtare.
Siç kemi informuar, të mërkurën e kaluar, mediatori ndërkombëtar i Unionit Evropian, Karl Bilt, para gazetarëve deklaroi se “Kosova është përfshirë në planin global për zgjidhjen e krizës në ish-Jugosllavi…”, ndërsa dje në selinë e OKB-së, mbajti një konferencë për shtyp, po ashtu me temë për Kosovën, edhe raportuesja e posaemëruar për të drejtat e njeriut në ish-Jugosllavi, finlandezja Elizabeth Rehn, e cila tash e tutje do të vazhdojë misionin e z.Mazovjeckit, i cili në qershorin e këtij viti dha dorëheqje nga ky post, për shkaqe tashmë të njohura.
Duke folur për krizën në ish-Jugosllavi dhe pasojat e konfliktit mes palëve të konfrontuara, ajo deklaroi se kriza më së tepërmi ka goditur popullatën civile, me ç’rast janë shkelur të drejtat e njeriut në mënyrë flagrante dhe kanë dalur jashtë kontrollit. Këso situatash fatkeqësisht sot kemi në Bosnjë, Kroaci, Kosovë e gjetiu.
Po ashtu emisarja e OKB-së, për gazetarët deklaroi se detyrën e saj mbi të drejtat e njeriut në ish-Jugosllavi do ta fillojë nga zeroja edhe atë që nga dita e hënë e javës së ardhshme, kur do të gjendet në teren për të kontaktuar me masën dhe palët ndërluftuese. Dhe, mu për këtë, nënvizoi ajo, “mua nuk më intereson cilët janë lule e cilët gjemba, për mua të gjithë udhëheqësit e palëve në luftë janë fajtorë për tragjedinë trivjeçare në ish-Jugosllavi, viktima të së cilës janë gratë, fëmijët, pleqët, etj…”, theksoi ajo.
Në pyetjen tonë, se cili është opinioni i saj mbi gjendjen e shqiptarëve në Kosovë, ajo për deklaroi: “Gjendja e shqiptarëve në Kosovë është fatkeqësisht tejet e vështirë dhe dramatike, situatë kjo vërtetë që na brengos. Të folësh sot për të drejtat e njeriut në ish-Jugosllavi, e të mos përmendësh Kosovën, është një gabim i madh, sepse atje shkelen të drejtat e shqiptarëve në mënyrë flagrante. Situatën e kemi parasysh dhe e përcjellim vazhdimisht. Edhe pse aktualisht komuniteti ndërkombëtar është i preokupuar me ndërprerjen e gjakderdhjes në Bosnjë-Hercegovinë, ne kurrsesi nuk guxojmë ta harrojmë Kosovën, gjendja e së cilës do përmirësohet gjithsesi…”, përfundoi z.Elizabeth Rehn.
12 tetor 1998
Suharekë: Prani e madhe e forcave policore në qytet
Burimet e Komisionit për Informim të Degës së LDK-së në Suharekë bëjnë të ditur se prania e forcave ushtrake e policore serbe në këtë komunë nuk është zvogëluar aspak. Përkundrazi, prania e tyre duket tashti edhe më e madhe.
Të hënën paradite në Suharekë ishte një gjendje e tensionuar. Nëpër qytet pati lëvizje të mëdha të forcave ushtarake e policore, ndërsa patrullat e policisë ndaluan e legjitimuan pothuaj të gjithë kalimtarët dhe automjetet.
Rreth orës 10.00 në fushën sportive afër hotelit “Ballkan” dhe shkollës fillore aterruan dy helikopterë. Oborri i shkollës u vërshua nga një nunmër i madh policësh e atumjetesh policore. Në këtë gjendje ishte i pamundur vazhdimi i procesit mësimor, prandaj nxënësit u liruan në shtëpi.
Lëvizja e banorëve të fshatrave Reshtan e Samadraxhë është shumë e vështirë për shkak të stacionimit të forcave policore serbe. Në këto fshatra ka pasur edhe raste të keqtrajtimit të banorëve, me motivacion se ata nuk janë vendës, por kanë ardhur për të vejdhur. Ndër të keqtrajtuar ditët e fundit ishin edhe Halit Demiraj (55) e Agim Demiraj (25), të dy nga Samadraxha.
I njëjti burim njofton se në fshatin Mohlan, i cili vazhdon të mbahet nën rrethimin e plotë të forcave policore serbe prej para tri javësh, janë kidnapuar 22 shqiptarë, kryesisht të rinj. Deri tash është konfirmuar se më 9 e 10 tetor, në shtëpitë e tyre, janë kindapuar: Jusuf Gashi, kryetar i Aktivit të LDK-së, vëllezërit Ahmet, Fadil, Haxhi, Elmi e Safet Gashi, pastaj vëllezërit: Asllan, Hysni e Bafti Gashi, si dhe Reshat Gashi, Alush Kabashi, Besim Kabashi, Jetish Kabashi, Liman Kabashi dhe Rushit Kabashi, të gjithë nga Mohlani.
Njoftohet se këto ditë u bë identifikimi i trupit pa jetë të Lulzim Shaip Gutajt (18) nga Suhareka, i cili është vrarë gjatë aksioneve të forcave serbe në fshatin Jezerc, ku kishte shkuar për të punuar në pronën familjare.
Foto: Karl Bilt