Aktualitet

“Rritja ekonomike në Kosovë do të jetë mbi 4 për qind”

Published

on

Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor – pritet të kenë sërish rritje ekonomike gjatë vitit 2021, pas recesionit të 2020-ës, më i rëndi i regjistruar ndonjëherë në rajon.

Kështu vlerëson Banka Botërore e cila thekson se pas goditjes së rëndë ekonomike të shkaktuar nga pandemia COVID-19, që rezultoi me një tkurrje të aktivitetit ekonomik të rajonit në një nivel të vlerësuar prej -3.4 përqind në vitin e kaluar, rajoni i Ballkanit Perëndimor pritet të rritet me 4.4 përqind në vitin 2021.

Sipas BB-së, ekonomia e Kosovës shënoi tkurrjen e saj të parë në vitin 2020, që u nxit nga një rënie domethënëse e eksporteve të shërbimeve të udhëtimit, të ndërlidhura me diasporën, dhe nga rënia e investimeve.

“Tkurrja u zbut nga masat mbështetëse qeveritare, dhe nga rritja e remitancave dhe eksporteve të mallrave. Deficiti buxhetor u rrit më shumë se dyfish në vitin 2020, duke arritur 7.6 për qind të BPV-së në 2020, nga 2.9 për qind në 2019, i nxitur nga rënia e të hyrave dhe nga kostoja e masave për mbështetjen e rimëkëmbjes. Sektori financiar i Kosovës e përballoi mirë pandeminë. Deri në fund të vitit 2020, mjaftueshmëria e kapitalit ishte mbi kërkesat rregullatore dhe norma e kredive jo-performuese u rrit pak krahasuar me një vit më parë”, thuhet në raportin e BB-së.Reklamë

Rimëkëmbja ekonomike do të jetë graduale edhe në Kosovë, në përputhje me trendin global, aktiviteti real do të arrijë nivelet para-pandemike vetëm në 2022. Rimëkëmbja do të udhëhiqet nga një rritje e eksporteve dhe e konsumit.

Rritja ekonomike parashikohet të mbetet në mbi 4 përqind në periudhën afatmesme. Perspektiva e parashikuar bazohet mbi supozimet e relaksimit të kufizimeve të lëvizjes së udhëtarëve ndërmjet Evropës dhe Kosovës, pa masa të mëtejshme të rrepta të lëvizjes për frenimin e pandemisë në vend, një ringjallje të rritjes në Eurozonë, dhe një rritje në çmimet e metaleve bazë dhe mineraleve.

Sipas raportit të BB-së, pandemia ndërpreu progresin e arritur gjatë një dekade në vendet e rajonit në rritjen e të ardhurave dhe uljen e varfërisë, ndërkohë që tregjet e punës në Ballkanin Perëndimor kanë mundur të rikuperojnë vetëm gjysmën e vendeve të punës të humbura për shkak të pandemisë – duke lënë të papunë një numër të lartë personash dhe duke i detyruar shumë të tjerë të braktisin tërësisht tregun e punës. Megjithëse norma e papunësisë pësoi rënie – nga 13.5 për qind në 2019 në 12.6 për qind në 2020 – kjo erdhi kryesisht si rezultat i rritjes së numrit të personave joaktivë, ndërsa numri total i vendeve të punës të humbura në rajonin e Ballkanit Perëndimor arriti afërsisht në 70,000 në fund të vitit 2020. Për më tepër, këto humbje prekën në mënyrë disproporcionale shtresat më të cenueshme të popullsisë në rajon, përfshirë gratë dhe të rinjtë – ku norma e papunësisë së të rinjve u rrit në 33.6 për qind në 2020, duke ndërprerë në këtë mënyrë trendin rënës të saj gjatë pesë viteve të fundit.

Sipas raportit, përpjekjet e politikave në rajon duhet të vijojnë të përqendrohen në mënyrë të vendosur në luftën kundër pandemisë, zvogëlimin e kostove sociale dhe mbështetjen e rimëkëmbjes. Të gjitha vendet e rajonit duhet të garantojnë pajisjen e sistemeve të tyre shëndetësore me burime të mjaftueshme për blerjen dhe shpërndarjen e vaksinave, testimin, terapitë, pajisjet e mbrojtjes personale si dhe përmirësimin dhe mirëmbajtjen e mjediseve të kujdesit shëndetësor. Investimet në arsim, dixhitalizim dhe projekte të tjera në infrastrukturë si dhe iniciativat e gjelbërta duhet të kenë gjithashtu përparësi, pasi ato mund të përshpejtojnë tranzicionin e nevojshëm drejt uljes së varësisë ndaj karbonit, ndërsa vendet dalin nga situata e pandemisë.

Continue Reading

Lajmet

Nga UBT në skenën botërore të robotikës: Kosova drejt Koresë së Jugut

Published

on

By

Në mesin e ekipeve më të mira të robotikës nga e gjithë bota, Kosova do të përfaqësohet edhe këtë vit nga UBT në FIRST Global Challenge 2026, garën prestigjioze ndërkombëtare që bashkon të rinjtë më të talentuar në fushën e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës.

Këtë vit, gara zhvillohet në Incheon, Kore e Jugut, nga 7 deri më 10 tetor me temën “Igniting Innovation”, e cila sfidon ekipet pjesëmarrëse të zhvillojnë zgjidhje inovative për adresimin e një prej sfidave më të mëdha mjedisore të kohës – zjarret e egra dhe ndikimin e tyre në natyrë, biodiversitet dhe komunitete.

Përfaqësimi i Kosovës edhe këtë vit i është besuar ekipit të UBT, i cili do të garojë me gjashtë nxënës të talentuar: Klea Hajrizi, Amar Rama, Melos Grainca, Jon Thaçi, Marta Çerkini dhe Ylli Osmani. Ekipi udhëhiqet nga mentorët Elita Hajrizi dhe Leona Hajrizi, në bashkëpunim me ekipin e Mekatronikës në UBT: Arxhend Jetullahu, Redon Rexhepi dhe Ylli Rexhaj, të cilët po punojnë intensivisht në përgatitjen teknike, strategjike dhe praktike për këtë garë me përmasa globale.

Përfaqësimi i këtij viti vjen pas një suksesi të jashtëzakonshëm për Kosovën në edicionin e kaluar të FIRST Global Challenge, të mbajtur në Panama, ku mentorja e ekipit, Elita Hajrizi, u vlerësua me çmimin “Best Mentor”, duke u shpallur mentorja më e mirë e garës në nivel botëror. Ky vlerësim përforcon traditën e suksesit të UBT-së dhe rrit pritshmëritë për paraqitjen e ekipit kosovar në Korenë e Jugut.

FIRST Global Challenge përfaqëson shumë më tepër se një garë robotike. Ajo është një platformë globale ku të rinjtë nga e mbarë bota bashkëpunojnë, ndajnë ide dhe dëshmojnë se inovacioni dhe teknologjia mund të shërbejnë si ura bashkëpunimi për zgjidhjen e sfidave globale.

Me përgatitjen profesionale, kreativitetin dhe përkushtimin që i karakterizon, ekipi i UBT synon ta prezantojë Kosovën me dinjitet në skenën ndërkombëtare, duke promovuar potencialin e të rinjve kosovarë në fushën e robotikës, inovacionit dhe teknologjisë.

UBT vazhdon të jetë lider në zhvillimin e talenteve të reja në STEM, duke krijuar mundësi që nxënësit dhe studentët e Kosovës të jenë pjesë e garave dhe iniciativave më prestigjioze ndërkombëtare. dhe iniciativave më prestigjioze ndërkombëtare.

 

 

 

Continue Reading

Aktualitet

Sulmet ukrainase godasin depot e “Amazon-it rus”, raportohen viktimë

Published

on

By

Dy depo të kompanisë “Wildberries” u goditën nga sulmet ukrainase gjatë natës të së hënës, ndërsa një tjetër objekt i lidhur me shitësin më të madh online në Rusi u dëmtua pranë Moskës.

Ukraina ka shënjestruar javët e fundit objektet e operuara nga kjo kompani, e cila shpesh cilësohet si “Amazon-i rus”.

Të paktën pesë persona u vranë dhe 10 të tjerë u lënduan në një zonë industriale rreth 69 km në jug të Kremlin-it, deklaruan zyrtarët lokalë, pa konfirmuar nëse ajo menaxhohej nga “Wildberries”.

Më tej, zyrtarët konfirmuan se dy zona të tjera të “Wildberries” u goditën në rajonet e Shën Petërsburgut dhe Tver-it.

Kieva thotë se depot furnizojnë ushtrinë ruse, gjë që Moska e mohon.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë deklaroi se ka penguar dhe shkatërruar 320 dronë gjatë natës.

Ndërkohë, sulmet e ndërmarra nga Rusia në të gjithë Ukrainën lanë të vrarë të paktën katër persona.

Guvernatori i rajonit të Moskës, Andrei Vorobyov, tha se një depo u godit dhe u përfshi nga flakët në një zonë industriale në Chekhov, në periferi të Moskës, ndërsa u dëmtuan edhe një nënstacion elektrik dhe një ndërtesë administrative.

Ai shkroi në Telegram se shtatë nga 10 personat e lënduar janë në gjendje mesatare, ndërsa njëri prej tyre është në gjendje të rëndë. /BBC/

Continue Reading

Lajmet

Vazhdojnë hetimet për krimet e luftës në Zubin Potok: Tre të arrestuar dhe gërmime në disa lokacione

Published

on

By

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se në koordinim me Policinë e Kosovës po vazhdojnë intensivisht hetimet lidhur me rastin e krimeve të luftës në komunën e Zubin Potokut.

Sipas njoftimit zyrtar, deri më tani janë arrestuar tre persona nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Gjatë zhvillimit të hetimeve janë kontrolluar disa lokacione të ndryshme. Në fshatin Jabukë janë gjetur mbetje të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe analizave të ADN-së për identifikim, ndërsa gërmimet në fshatin Kalludër e Vogël po vazhdojnë ende. Përveç këtyre, hetimet aktualisht po zhvillohen edhe në një lokacion të tretë.

Në vendngjarje ka qenë e pranishme edhe prokurorja përgjegjëse, e cila ka mbikëqyrur drejtpërdrejt veprimet hetimore së bashku me hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe ekspertët forenzikë.

Organet e ndjekjes bëjnë të ditur se për shkak të ruajtjes së procesit nuk mund të ndajnë detaje të tjera për momentin. “Për shkak të fazës së ndjeshme të hetimit, Prokuroria Speciale nuk mund të japë informacione të mëtejshme në këtë moment. Informacione shtesë do të publikohen kur kjo të jetë e mundur pa cenuar hetimin”, thuhet në komunikaten e Prokurorisë Speciale. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Rritet transparenca buxhetore në komuna: 10 prej tyre arrijnë pikët maksimale në Indeksin e vitit 2025

Published

on

By

Nivelit i transparencës buxhetore në komunat e Kosovës ka shënuar një përmirësim të përgjithshëm gjatë vitit 2025, ku mesatarja e pikëve ka arritur në 64.5, krahasuar me 61 pikë që ishte në vitin 2024. Sipas gjetjeve më të reja, ky është rezultati më i lartë i regjistruar që nga viti 2017, kur filloi vlerësimi sistematik nga Instituti GAP.

Gjatë këtij viti, dhjetë komuna kanë arritur rezultatin maksimal prej 100 pikësh. Përveç Kaçanikut, Mitrovicës së Jugut, Prizrenit, Rahovecit, Shtimes dhe Vushtrrisë që kanë ruajtur performancën e vitit të kaluar, rritje të dukshme kanë shënuar Obiliqi, Ferizaj dhe Deçani. Veçanërisht Obiliqi ka bërë një kthesë të madhe duke u ngritur nga 40 pikë në 100, ndërsa Ferizaj është ngjitur nga 47.5 pikë në maksimumin e pikëve, falë publikimit të të gjitha dokumenteve dhe përmirësimit të formatit të tyre. Progres të theksuar kanë pasur edhe Gjilani, i cili u ngrit nga 53.5 në 97 pikë, si dhe Gjakova nga 52 në 92.5 pikë.

Përkrah arritjeve, disa komuna kanë shënuar rënie të theksuar në renditje. Vitia ka pësuar rënien më të madhe duke kaluar nga 90 në 55 pikë, Mitrovica e Veriut ra nga 71 në 42 pikë, ndërsa Lipjani zbriti nga rezultati maksimal prej 100 pikësh në 85. Ulje të pikëve kanë pësuar edhe Klina, Skënderaj dhe Malisheva, ndërsa në fund të listës vazhdojnë të mbeten komunat me shumicë serbe si Kllokoti, Leposaviqi, Parteshi, Shtërpca, Zubin Potoku dhe Zveçani, të cilat renditen me pikë minimale apo pa pikë fare.

Raporti veçon se transparenca financiare është forcuar kryesisht në publikimin e raporteve tremujore, kornizës afatmesme buxhetore dhe rregulloreve për subvencione, mirëpo ka pasur rënie në publikimin e projekteve buxhetore për vitin pasardhës dhe në organizimin e dëgjimeve publike me qytetarë. Sa i përket Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinor, vetëm 19 nga 38 komuna kanë publikuar dokumentet përkatëse, ku 10 prej tyre kanë filluar zbatimin këtë vit, ndërsa 6 të tjera e kanë ndërprerë këtë praktikë.

Për të siguruar një llogaridhënie të qëndrueshme, rekomandohet rishikimi i bazës ligjore që obligon komunat t’i publikojnë dokumentet në formate të hapura (si Excel apo Word) dhe jo si PDF të skanuara. Gjithashtu kërkohet rritja e numrit të obligueshëm të dëgjimeve publike, publikimi i rregullt i listave të përfituesve të subvencioneve, si dhe bërja publike e kontratave të nënshkruara me operatorët ekonomikë dhe kartelave analitike të shpenzimeve. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara