Aktualitet

Rritja e flukseve të turistëve të huaj në Shqipëri, Kumbaro inspekton pikat kufitare

Inspektimet do të vazhdojnë në Kakavijë, në Portin e Durrësit.

Published

on

Hapja e sezonit turistik veror ka sjellë rritjen e flukseve të vizitorëve nëpër pikat kufitare. Për këtë arsye, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro ka nisur një tur inspektimesh nëpër këto pika, për të parë nga afër punën për mirëpritjen e vizitorëve dhe evitimin e radhëve në kufi.

E shoqëruar nga drejtori i përgjithshëm i Doganave, Gent Gazheli, ministrja Kumbaro e nisi inspektimin nga pika kufitare e Qafë-Botës në të cilën së fundi janë bërë investime për sa i përket përmirësimit të kushteve të pritjes së vizitorëve që hyjnë në Shqipëri.

Më tej inspektimet do të vazhdojnë në Kakavijë, në Portin e Durrësit duke vazhduar në të gjitha pikat doganore ku janë edhe flukset më të shtuara të hyrjes së turistëve.

“Shifrat praktikisht rezultojnë të jenë shumë më të larta se sa vitin e kaluar. Masat janë marrë që çdo gjë të shkojë në rregull, të ketë një koordinim midis policisë së kufirit, Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit si dhe Drejtorisë së Doganave me qëllim që të mos kemi asnjë lloj episodi të pakëndshëm. Është pjesë e kartvizitës dhe pjesë e mikpritjes së turizmit shqiptar”, theksoi ajo, thuhet në komunikatën e ministrisë.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Gent Gazheli u shpreh se nga ana e administratës doganore janë marrë masat e duhura për përballimin e flukseve turistike të cilat pritet të jenë më të larta se vitin që shkoi.

Për vitin 2022, nga pika kufitare e Qafë Botës kanë hyrë 108 mijë vizitorë të huaj. Gjatë muajve janar-prill 2023, në Shqipëri kanë hyrë rreth 1,7 milionë vizitorë të huaj, ose 57% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Continue Reading

Aktualitet

Amerikanët dyshojnë në pretendimet e Trumpit për ekonomi “në lulëzim”

Published

on

By

Edhe pse presidenti Donald Trump ka deklaruar se ekonomia amerikane po lulëzon dhe inflacioni është zgjidhur, një sondazh i Reuters/Ipsos tregon se shumica e amerikanëve nuk pajtohen me këtë.

Sipas sondazhit, 68% e të anketuarve nuk besojnë se ekonomia po përjeton rritje të madhe, përfshirë edhe shumë republikanë. Brenda Partisë Republikane, opinionet janë të ndara: 56% mendojnë se ekonomia po lulëzon, ndërsa 43% nuk pajtohen.

Rezultatet vijnë ndërsa afrojnë zgjedhjet e pjesshme të Kongresit më 3 nëntor, ku republikanët do të mbrojnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat. /Reuters/

Continue Reading

Lajmet

Kurti takon kryetaren e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim kryetaren e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Justina Shiroka Pula, me të cilën diskutoi për punën dhe prioritetet e institucionit.

Gjatë takimit u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë dhe Akademisë, veçanërisht në fushën e arsimit dhe zhvillimit të vendit. Palët u dakorduan për komunikim të rregullt dhe thellim të bashkëpunimit në të ardhmen.

Në takim ishte i pranishëm edhe zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Përparim Kryeziu, si dhe nënkryetari i Akademisë, Fejzullah Krasniqi, dhe sekretari shkencor, Bardh Rugova.

Continue Reading

Aktualitet

REL: Beograd: Një shtetas i Kosovës dënohet në mungesë me 15 vjet burgim

Published

on

By

Një gjykatë në Beograd e ka dënuar në mungesë ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) Gjelosh Krasniqi me 15 vjet burgim nën akuzat për krime gjatë luftës në Kosovë.

Më 26 shkurt, Krasniqi është shpallur fajtor për vrasjen e tre personave dhe plagosjen e një civili serb në qershor të vitit 1999 në fshatin Bellopojë afër Pejës.

Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi ka thënë se aktakuza kundër Krasniqit bazohet kryesisht në deklarata të dëshmitarëve dhe prova të kufizuara forenzike dhe mjeko-ligjore dhe se avokati mbrojtës, sipas detyrës zyrtare, nuk kishte kontakt me të pandehurin.

Kjo organizatë joqeveritare ka thënë se bashkëpunimi me institucionet gjyqësore të Kosovës është i domosdoshëm për ndjekjen penale të krimeve kundër serbëve në Kosovë.

“Sidomos për faktin se Krasniqi është dënuar për krime kundër civilëve nga Gjykata e Qarkut e Pejës në vitin 2009”, është thënë në deklaratë.

Aty përmendet edhe se gjykimet në mungesë në rastet e krimeve të luftës në Kosovë po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe se “krijohet përshtypja se motivet për fillimin e procedurave të tilla rrjedhin pjesërisht nga hakmarrja ligjore dhe jo ekskluzivisht nga dëshira për të arritur drejtësi për viktimat”.

Fondi ka rikujtuar se Zyra e Prokurorit të Krimeve të Luftës në Serbi deri më tani ka ngritur shtatë padi kundër personave që nuk janë në dispozicion të gjyqësorit serb dhe se pesë prej tyre janë kundër qytetarëve të Kosovës, për krime të kryera kundër popullsisë joshqiptare.

Që nga viti 2014, Zyra e Prokurorit të Krimeve të Luftës nuk ka ngritur asnjë padi të re për krime në Kosovë kundër personave që janë shtetas të Serbisë.

Në përgjigje të këtyre kritikave, Zyra e Prokurorit të Krimeve të Luftës i ka thënë më parë Radios Evropa e Lirë se “ata fillojnë dhe zhvillojnë procedurat në përputhje me provat dhe ligjin”.

Serbia, përveç ngritjes së padive dhe gjykimeve në mungesë, ka vazhduar të ndalojë qytetarët e Kosovës në pikat kufitare.

Arrestimi i fundit ndodhi më 5 shkurt, kur një ish-anëtar i UÇK-së u arrestua në pikën kufitare midis Serbisë dhe Kroacisë. Komisioni Evropian paralajmëroi në atë kohë se arrestimi dhe ndjekja penale e një shtetasi të Kosovës nga autoritetet serbe përfaqësonte një tjetër shkelje të detyrimeve të Serbisë sipas marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut me Kosovën, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian në Bruksel.

“Serbia është zotuar të mos fillojë hetime penale ose ndjekje penale për krime të dyshuara të kryera në Kosovë, përveç nëse kërkohet nga autoritetet e Kosovës”, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian për Radion Evropa e Lirë.

Ai shtoi se akuzat për krime lufte dhe krime të tjera të rënda janë brenda juridiksionit të institucioneve të Kosovës dhe i bëri thirrje Serbisë të përmbushë detyrimet e saj. /REL/

 

 

 

Continue Reading

Lajmet

Supremja lë në fuqi burgimin e përjetshëm për Dardan Krivaqën

Published

on

By

Gjykata Supreme ka vërtetuar dënimin me burgim të përjetshëm ndaj Dardan Krivaqës për vrasjen e Marigona Osmanit, duke lënë në fuqi vendimet e shkallës së parë dhe të dytë.

Sipas Supremes, gjykatat më të ulëta kanë analizuar në detaje të gjitha provat, përfshirë dëshmitë, raportet e ekspertizës, provat materiale dhe video-incizimet nga banesa ku qëndronin i akuzuari dhe viktima. Nga këto prova është konstatuar se viktima kishte pësuar lëndime të rënda si pasojë e dhunës së ushtruar nga i akuzuari.

Raporti i autopsisë dhe ekspertët mjeko-ligjorë kanë vërtetuar se vdekja erdhi si pasojë e lëndimeve të shumëfishta trupore të shkaktuara me mjet të fortë, duke mbështetur kualifikimin e veprës si vrasje e kryer në mënyrë mizore.

Gjykata Supreme rrëzoi edhe pretendimet e mbrojtjes për parregullsi procedurale, ekspertizë psikiatrike dhe ndikim të substancave narkotike, duke theksuar se i akuzuari ka qenë i aftë të kuptojë veprimet e tij në momentin e kryerjes së krimit.

Continue Reading

Të kërkuara