Lajmet

Rriten rastet e fëmijëve që raportojnë dhunën

Fushata sensibilizuese po vlerësohet të ketë ndikuar që fëmijët të raportojnë dhunën ndaj tyre.

Published

on

“Dhuna nuk ka justifikim”, “Dhuna nuk ka disiplinë”, janë mesazhet që u ekspozuan në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, e që vie në kuadër të fushatës sensibilizuese për promovimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës.

Fushata sensibilizuese po vlerësohet të ketë ndikuar që fëmijët të raportojnë dhunën ndaj tyre. Kështu u tha në një organizim që u mbajt në kuadër të fushatës “Dhuna nuk ka Justifikim”.

Përfaqësuesi i organizatës “Syri i Vizionit”, Naser Lajçi, theksoi se është rritur numri i rasteve ku fëmijët raportojnë për ngacmimet, bullizimin e edhe dhunën ndaj tyre. Ndonëse nuk kanë ende një raport të detajuar, Lajçi tha se në bazë të statistikave nga institucionet gjegjëse vërehet rritja e rasteve të dhunës. Por megjithëkëtë, ai thotë se me numra do të flitet atëherë kur do të përfundojë hulumtimin të cilin janë duke e bërë.

“Kemi një rritje të raportimeve të rasteve, që do të thotë fushata dhe puna jonë ka ndikuar që fëmijët kanë marrë guximin të raportojnë rastet qoftë ngacmimit, bullizimit dhe rasteve të dhunës. Akoma nuk është bërë një analizë nëse ka një rritje të rasteve të dhunës apo rritje të raportimeve por statistikat që i pranojmë dhe kontaktet që i kemi me fëmijë shihet që ka rritje të rasteve të raportimeve në krahasim me dy-tri vitet e mëparshme”, tha ai.

Lajçi ka shtuar se në bazë të hulumtimit që do të jetë i gatshëm në fund të këtij viti do të dihet edhe se si qëndron situata e sigurisë në shkolla.

Ndërsa, drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, Habit Hajredini, thotë se Qeveria është duke punuar në vazhdimësi për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve.

“Ne vetëm se kemi filluar një fushatë e cila do të jetë në vazhdimësi edhe në vitin 2022 për t’i vetëdijesuar institucionet në nivel lokal dhe qendror por edhe për t’i informuar qytetarët, fëmijët, nxënësit, trekëndëshin e përgjithshëm në familje për veprimet që duhet të ndërmerren institucionet në zbatim të ligjit. Është tepër e rëndësishme që të informohen qytetarët por edhe fëmijët për obligimet që ka një institucion për t’i mbajt fëmijët. Mesazhet që po i adresojmë në komunat e Kosovës janë mesazhe të vetë fëmijëve që ata me shkrimet e tyre, t’i tregojnë nevojat për mbrojtjen në rastin për të drejtat e tyre, ky është një mobilizim i mirë që do të jetë në vazhdimësi gjatë gjithë vitit 2022, ky është një obligim i joni ligjor por edhe një obligim i fëmijëve tanë në vendin tonë”, tha Hajredini.

Fushata sensibilizuese “Dhuna nuk ka justifikim” është pjesë e fushatës së promovimit të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës me theks të veçantë ndalimin e ndëshkimit trupor dhe dhunës ndaj fëmijëve, gjatë kësaj kohe u mbajt edhe në 6 qendrat më të mëdha të Kosovës.

Lajmet

Presidentja Osmani pret në takim të ngarkuarën me punë të SHBA-së në Kosovë

Published

on

By

Vjosa Osmani ka pritur në takim të ngarkuarën me punë të Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, me të cilën ka diskutuar për zhvillimet aktuale në vend dhe çështje të bashkëpunimit bilateral.

Sipas njoftimit të Presidencës, gjatë takimit u trajtuan zhvillimet e fundit politike në vend, si dhe tema të tjera me interes të përbashkët ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në fokus të bisedës ishte edhe rëndësia e ruajtjes së një mjedisi demokratik, ku respektohen mendimet e ndryshme dhe debati publik zhvillohet në mënyrë të përgjegjshme.

Presidentja Osmani theksoi përkushtimin e vazhdueshëm të Kosova për thellimin e bashkëpunimit me SHBA-në, duke ritheksuar se aleanca ndërmjet dy vendeve mbetet jetike dhe e pazëvendësueshme për Kosovën.

Continue Reading

Lajmet

Gjykata Evropiane: Ndalimi i ndryshimit të gjinisë në dokumente shkel ligjet e BE-së

Published

on

By

Gjykata më e lartë e Bashkimit Evropian mori vendim të enjten se ligjet kombëtare që ndalojnë ndryshimin e të dhënave gjinore në dokumentet e identifikimit janë në kundërshtim me ligjin e BE-së. Gjykata theksoi sfidat e mëdha me të cilat ballafaqohen personat kur identiteti i tyre gjinor nuk përputhet me dokumentet zyrtare.

Rasti në fjalë rrodhi nga një shtetase bullgare, e regjistruar si mashkull në lindje, e cila kishte filluar trajtimin hormonal dhe identifikohej si grua. Ajo ishte zhvendosur në Itali dhe u kishte kërkuar autoriteteve bullgare të ndryshonin gjininë ligjore, emrin dhe numrin personal në dokumente.

Gjykatat në Bullgari e kishin refuzuar kërkesën, duke u thirrur në rregullat kombëtare që e përkufizojnë seksin vetëm në aspektin biologjik dhe që ndalojnë ndryshimin e të dhënave gjinore.

Megjithatë, Gjykata Evropiane e Drejtësisë konstatoi se megjithëse shtetet anëtare janë përgjegjëse për lëshimin e dokumenteve, mosmarrëveshja mes identitetit gjinor dhe letërnjoftimit mund të shkaktojë dyshime gjatë kontrolleve rutinë, udhëtimeve apo ndërveprimeve profesionale. Sipas Gjykatës, këto “paparashikueshmëri të konsiderueshme” pengojnë të drejtën e personit për lëvizje të lirë brenda Bashkimit Evropian. /Reuters/

Continue Reading

Lajmet

KQZ pezullon AKR-në e Behgjet Pacollit

Published

on

By

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për pezullimin e partisë Aleanca Kosova e Re (AKR), pasi subjekti dështoi të organizojë zgjedhjet e brendshme deri në afatin e paraparë (25 shkurt 2026). Edhe pse partia ishte njoftuar paraprakisht, ajo nuk e ka përmbushur këtë obligim ligjor.

KQZ i ka dhënë AKR-së një afat shtesë prej 45 ditësh për ta mbajtur Kuvendin Zgjedhor. Nëse ky kusht nuk plotësohet as brenda kësaj periudhe, partia do të çregjistrohet përfundimisht nga regjistri zyrtar.

AKR, e cila ishte pjesë e Kuvendit që nga viti 2007, aktualisht udhëhiqet nga ushtruesi i detyrës, Vesel Makolli, pas dorëheqjes së Behgjet Pacollit në tetor 2025. Në zgjedhjet e fundit, kjo parti mbeti jashtë Kuvendit pasi nuk arriti ta kalojë pragun zgjedhor.

Continue Reading

Lajmet

IKSHPK: Ndotja e ajrit shkakton mbi 1,150 vdekje në vit në Kosovë

Published

on

By

Raporti i fundit i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK) për vitin 2025 ka alarmuar se ndotja e ajrit mbetet një rrezik madhor, duke shkaktuar rreth 12.1% të vdekshmërisë totale në vend.

“Rezultatet tregojnë se 1 150 raste të vdekjeve në vit (121/100 000 banorë) i atribuohen nivelit aktual të PM2.5 në Kosovë i cili paraqet 12.1% të vdekshmërisë totale, nga të gjitha shkaqet (natyrore)”, thuhet në raport.

Sipas të dhënave, gjendja më kritike është regjistruar në Prishtinë (veçanërisht në Kodrën e Trimave), Obiliq, Gjilan, Fushë Kosovë (Palaj) dhe Mitrovicë, ku nivelet e grimcave helmuese PM2.5 gjatë dimrit kanë arritur deri në 272 µg/m3, shifër kjo shumë herë mbi limitet e lejuara.

Shkaktarët kryesorë mbeten djegia e thëngjillit për ngrohje, termocentralet dhe makinat e vjetra, të cilat po rëndojnë shëndetin e grupeve më të ndjeshme si të moshuarit, gratë shtatzëna dhe fëmijët.

IKSHPK thekson se kjo ndotje lidhet drejtpërdrejt me rritjen e rasteve të sulmeve në zemër, goditjeve në tru dhe problemeve të rënda respiratore, duke kërkuar masa urgjente për zgjerimin e ngrohjes qendrore dhe reduktimin e përdorimit të lëndëve djegëse fosile.

Continue Reading

Të kërkuara