Lajmet

​Rreth 22 miliardë euro llogariten dëmet materiale nga lufta e fundit në Kosovë

Sheremeti tha se sipas llogaritjeve del se dëmet janë vlerësuar rreth 22 miliardë euro, përfshirë 120 mijë shtëpi të shkatërruara.

Published

on

Institucioni i Avokatit të Popullit po mban një tryezë diskutimi me rastin e shënimit të Ditës Kombëtare të Personave të Pagjetur.

Këshilltari juridik në këtë institucion, Labinot Sheremeti, tha se Avokati i Popullit gjatë vitit 2023 ka publikuar raportin për drejtësinë tranzicionale dhe zbatimin e mekanizmave të saj, ku qëllimi i tij ka qenë në dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës dhe sigurimin e drejtësisë për viktimat e këtyre krimeve.

“Avokati i Popullit gjatë vitit 2023 ka publikuar raportin për drejtësinë tranzicionale dhe zbatimin e mekanizmave të saj me qëllim të vlerësimit të se sa kanë qenë institucionet e Republikës së Kosovës në nivël të përmbushjes së detyrave sa i përket zbatimit të mekanizmave të drejtësisë tranzicionale me fokus në dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës dhe sigurimin e drejtësisë për viktimat e këtyre krimeve”, tha ai.

Duke folur për numrin e viktimave gjatë luftës së fundit në Kosovë, Sheremeti tha se edhe pse nuk kanë të dhëna zyrtare, sipas organizatave vendore e ndërkombëtare, del se mbi 13 mijë e 500 persona janë vrarë ose zhdukur gjatë viteve 1998-2000. Ai tha se prej tyre kanë 10 mijë civilë, e prej tyre 1 mijë e 133 fëmijë të vrare ose të zhdukur, ku fati i afër 1 mijë e 600 personave vazhdon të mbetet i pazbuluar.

Ndërkaq, duke folur për dëmet materiale të luftës, Sheremeti tha se sipas llogaritjeve del se dëmet janë vlerësuar rreth 22 miliardë euro, përfshirë 120 mijë shtëpi të shkatërruara.

“Edhe pse nuk kemi të dhëna zyrtare sa i përket krimeve të kryera gjatë luftës, bazuar në të dhënat e mbledhura dhe të publikuara nga organizatat e shoqërisë civile, organizatat ndërkombëtare dhe ekspertë të ndryshëm të fushës, del se rreth 13.535 persona janë vrarë apo zhdukur gjatë viteve 1998-2000. Mbi 10 mijë prej tyre kanë qenë civilë, 1133 prej tyre kanë qenë fëmijë të vrarë apo të zhdukur, ende vazhdon të mbetet i paditur fati i rreth 1.600 personave të zhdukur. Në varresat masive në Serbi deri në vitin 2021 janë gjetur rreth 950 trupa të personave që janë zhdukur në Kosovë. Përllogariten afro rreth 20 mijë viktima të dhunës seksuale, mbi 2 mijë persona janë dërguar në mbajtje në burgje në Serbi pas përfundimit të luftës. Së paku 810 mijë qytetarë të Kosovës kanë qenë refugjatë, përllogariten rreth 120 mijë shtëpi të shkatërruara dhe dëmet materiale sipas ekspertëve janë vlerësuar rreth 22 miliardë euro”, tha ai.

Ai përmendi edhe ndryshimin e Kodit të procedurës penale, me të cilin është mundësuar gjykimi në mungesë për të dyshuarit që kanë kryer krime lufte dhe se aktakuzat e para veçse janë ngritur.

Lajmet

Presidentja Osmani pret në takim të ngarkuarën me punë të SHBA-së në Kosovë

Published

on

By

Vjosa Osmani ka pritur në takim të ngarkuarën me punë të Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, me të cilën ka diskutuar për zhvillimet aktuale në vend dhe çështje të bashkëpunimit bilateral.

Sipas njoftimit të Presidencës, gjatë takimit u trajtuan zhvillimet e fundit politike në vend, si dhe tema të tjera me interes të përbashkët ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në fokus të bisedës ishte edhe rëndësia e ruajtjes së një mjedisi demokratik, ku respektohen mendimet e ndryshme dhe debati publik zhvillohet në mënyrë të përgjegjshme.

Presidentja Osmani theksoi përkushtimin e vazhdueshëm të Kosova për thellimin e bashkëpunimit me SHBA-në, duke ritheksuar se aleanca ndërmjet dy vendeve mbetet jetike dhe e pazëvendësueshme për Kosovën.

Continue Reading

Lajmet

Gjykata Evropiane: Ndalimi i ndryshimit të gjinisë në dokumente shkel ligjet e BE-së

Published

on

By

Gjykata më e lartë e Bashkimit Evropian mori vendim të enjten se ligjet kombëtare që ndalojnë ndryshimin e të dhënave gjinore në dokumentet e identifikimit janë në kundërshtim me ligjin e BE-së. Gjykata theksoi sfidat e mëdha me të cilat ballafaqohen personat kur identiteti i tyre gjinor nuk përputhet me dokumentet zyrtare.

Rasti në fjalë rrodhi nga një shtetase bullgare, e regjistruar si mashkull në lindje, e cila kishte filluar trajtimin hormonal dhe identifikohej si grua. Ajo ishte zhvendosur në Itali dhe u kishte kërkuar autoriteteve bullgare të ndryshonin gjininë ligjore, emrin dhe numrin personal në dokumente.

Gjykatat në Bullgari e kishin refuzuar kërkesën, duke u thirrur në rregullat kombëtare që e përkufizojnë seksin vetëm në aspektin biologjik dhe që ndalojnë ndryshimin e të dhënave gjinore.

Megjithatë, Gjykata Evropiane e Drejtësisë konstatoi se megjithëse shtetet anëtare janë përgjegjëse për lëshimin e dokumenteve, mosmarrëveshja mes identitetit gjinor dhe letërnjoftimit mund të shkaktojë dyshime gjatë kontrolleve rutinë, udhëtimeve apo ndërveprimeve profesionale. Sipas Gjykatës, këto “paparashikueshmëri të konsiderueshme” pengojnë të drejtën e personit për lëvizje të lirë brenda Bashkimit Evropian. /Reuters/

Continue Reading

Lajmet

KQZ pezullon AKR-në e Behgjet Pacollit

Published

on

By

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për pezullimin e partisë Aleanca Kosova e Re (AKR), pasi subjekti dështoi të organizojë zgjedhjet e brendshme deri në afatin e paraparë (25 shkurt 2026). Edhe pse partia ishte njoftuar paraprakisht, ajo nuk e ka përmbushur këtë obligim ligjor.

KQZ i ka dhënë AKR-së një afat shtesë prej 45 ditësh për ta mbajtur Kuvendin Zgjedhor. Nëse ky kusht nuk plotësohet as brenda kësaj periudhe, partia do të çregjistrohet përfundimisht nga regjistri zyrtar.

AKR, e cila ishte pjesë e Kuvendit që nga viti 2007, aktualisht udhëhiqet nga ushtruesi i detyrës, Vesel Makolli, pas dorëheqjes së Behgjet Pacollit në tetor 2025. Në zgjedhjet e fundit, kjo parti mbeti jashtë Kuvendit pasi nuk arriti ta kalojë pragun zgjedhor.

Continue Reading

Lajmet

IKSHPK: Ndotja e ajrit shkakton mbi 1,150 vdekje në vit në Kosovë

Published

on

By

Raporti i fundit i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK) për vitin 2025 ka alarmuar se ndotja e ajrit mbetet një rrezik madhor, duke shkaktuar rreth 12.1% të vdekshmërisë totale në vend.

“Rezultatet tregojnë se 1 150 raste të vdekjeve në vit (121/100 000 banorë) i atribuohen nivelit aktual të PM2.5 në Kosovë i cili paraqet 12.1% të vdekshmërisë totale, nga të gjitha shkaqet (natyrore)”, thuhet në raport.

Sipas të dhënave, gjendja më kritike është regjistruar në Prishtinë (veçanërisht në Kodrën e Trimave), Obiliq, Gjilan, Fushë Kosovë (Palaj) dhe Mitrovicë, ku nivelet e grimcave helmuese PM2.5 gjatë dimrit kanë arritur deri në 272 µg/m3, shifër kjo shumë herë mbi limitet e lejuara.

Shkaktarët kryesorë mbeten djegia e thëngjillit për ngrohje, termocentralet dhe makinat e vjetra, të cilat po rëndojnë shëndetin e grupeve më të ndjeshme si të moshuarit, gratë shtatzëna dhe fëmijët.

IKSHPK thekson se kjo ndotje lidhet drejtpërdrejt me rritjen e rasteve të sulmeve në zemër, goditjeve në tru dhe problemeve të rënda respiratore, duke kërkuar masa urgjente për zgjerimin e ngrohjes qendrore dhe reduktimin e përdorimit të lëndëve djegëse fosile.

Continue Reading

Të kërkuara