Aktualitet

REL: Kosova përballë një testi të mundshëm të sigurisë

Published

on

Raportimet për një rishikim të pranisë ushtarake amerikane në Evropë, duke përfshirë Kosovën, po shtohen.

Pentagoni nuk e konfirmon dhe as mohon ndonjë plan të mundshëm, duke lënë të hapur pyetjen për stabilitetin në KFOR.

Ekspertët theksojnë se roli amerikan në Kosovë shkon përtej aspektit ushtarak, duke përfshirë edhe një funksion të rëndësishëm politik dhe parandalues.

Në qershor të vitit 1999, ndërsa Kosova po dilte nga lufta dhe refugjatët po ktheheshin, NATO-ja vendosi misionin e saj paqeruajtës, KFOR, me qëllim krijimin e një mjedisi të sigurt dhe parandalimin e rikthimit të dhunës. Ai nuk ishte misioni i parë i aleancës ushtarake, por do të bëhej misioni i saj më jetëgjatë, operacioni më i madh aktiv dhe një nga ndërhyrjet më të suksesshme.

Forca shumëkombëshe numëronte fillimisht mbi 50.000 ushtarë, prej të cilëve rreth 7.000 amerikanë. Sfidat për ndërtimin e një të ardhmeje pas shkatërrimit të gjerë që la sulmi serb, ishin të jashtëzakonshme, sipas presidentit të atëhershëm amerikan, Bill Clinton.

Pesë muaj pas përfundimit të luftës, ai udhëtoi në Kosovë për të takuar trupat amerikane në kampin Bondsteel – bazën më të madhe ushtarake të SHBA-së në Ballkan dhe një nga simbolet më të fuqishme të pranisë së saj në rajon.

“E di se shumë nga detyrat tuaja janë ende të rrezikshme. E vlerësoj punën e palodhshme që keni bërë për të mbrojtur të gjithë njerëzit në Kosovë, përfshirë edhe serbët. Dhe, e vlerësoj ndërmjetësimin tuaj të vazhdueshëm mes njerëzve që kanë ende një rrugë të gjatë drejt pajtimit”, tha Clinton në nëntor të vitit 1999.

Më shumë se 26 vjet më vonë, siguria në Kosovë është përmirësuar ndjeshëm, ndërsa prania e KFOR-it është zvogëluar në rreth 4.700 trupa. Megjithatë, reduktimi i forcave nuk do të thotë se stabiliteti është i garantuar.

Mungesa e pajtimit të plotë dhe refuzimi i vazhdueshëm i Serbisë për ta njohur pavarësinë e Kosovës, e mbajnë hapur dimensionin e sigurisë. Në këtë kontekst, çdo sinjal për një rol më të vogël të Shteteve të Bashkuara në KFOR merr peshë të veçantë.

Ndryshimet në prioritetet globale të sigurisë kanë nxitur diskutime – jo gjithmonë zyrtare – për mundësinë e një reduktimi të angazhimit amerikan në KFOR, duke hapur pyetje edhe për të ardhmen e arkitekturës së sigurisë në Kosovë.

Në një përgjigje që mori Radio Evropa e Lirë prej Pentagonit më 19 shkurt u tha se nuk ka ndonjë njoftim për ndryshim të dislokimit të forcave. Por, po atë ditë, gazeta amerikane, Politico, duke cituar katër diplomatë të NATO-s, raportoi se Shtetet e Bashkuara po kërkojnë nga aleatët të shqyrtojnë reduktimin e angazhimeve të jashtme të aleancës, përfshirë edhe misionin në Kosovë.

Kjo nuk është hera e parë që ngrihen pikëpyetje për të ardhmen e trupave amerikane në Evropë.

Në shkurt të vitit të kaluar, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, paralajmëroi se kontinenti duhet të përgatitet për një rishikim dhe reduktim eventual të pranisë ushtarake amerikane, duke theksuar se vendimet do të varen nga kërcënimet globale dhe prioritetet strategjike të Uashingtonit.

Po atëkohë, zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, e lidhi të ardhmen e trupave në Evropë me politikëbërjen në rajon, duke deklaruar se amerikanët nuk do të mbështesin mbajtjen e trupave në Gjermani, nëse qytetarët atje përballen me ndëshkime për postime fyese në rrjetet sociale.

Radio Evropa e Lirë pyeti NATO-n nëse vendet evropiane kanë kapacitet të mbushin boshllëkun që mund të krijohet nga një tërheqje ose reduktim i mundshëm i forcave amerikane në KFOR, të cilat aktualisht numërojnë rreth 590 ushtarë.

Në përgjigjen e marrë nga një zyrtar, nuk jepen detaje konkrete, por theksohet se “Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të luajnë një rol themelor në sigurimin e stabilitetit afatgjatë të Kosovës dhe të rajonit, përmes misionit të KFOR-it, të udhëhequr nga NATO-ja”.

/REL/

 

Continue Reading

Lajmet

IKShPK: Vaksinat kundër gripit sezonal arrijnë më 21 tetor, vonesa shkaktohet nga ndryshimet globale

Published

on

By

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar qytetarët se kontingjenti i vaksinave kundër gripit sezonal për sezonin 2026/2027 pritet të mbërrijë në Kosovë më 21 tetor 2026.

Sipas IKShPK-së, procesi ndërkombëtar i prodhimit të vaksinave për hemisferën veriore ka pësuar vonesa globale për shkak të ndryshimeve në përbërjen e shtameve të rekomanduara. Këto ndryshime ushtruan ndikim të drejtpërdrejtë në afatet e furnizimit si në nivel global ashtu edhe në vendet e rajonit, duke bërë që mbërritja e tyre në Kosovë të shtyhet për 21 ditë nga afati i parashikuar.

Instituti bëri me dije se po përcjell nga afër këtë proces dhe se me të pranuar kontingjentin do të njoftojë publikun për nisjen zyrtare të procesit të imunizimit.

“IKShPK po përcjell nga afër procesin e furnizimit dhe, pas pranimit të vaksinave, do të njoftojë qytetarët dhe institucionet shëndetësore për fillimin e vaksinimit kundër gripit sezonal. Qytetarët do të informohen në kohë për vendet dhe oraret e vaksinimit, pas përfundimit të procedurave të pranimit dhe shpërndarjes së vaksinave në institucionet shëndetësore”.

Me këtë rast, IKShPK u ka shprehur falënderim qytetarëve për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e treguar gjatë kësaj periudhe.

 

Continue Reading

Aktualitet

Netanyahu: Piloti tentoi ta rrëzonte aeroplanin gjatë fluturimit nga Dubai për në Izrael

Published

on

By

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka bërë të ditur se një incident i rëndë ka ndodhur në bordin e një aeroplani që po udhëtonte nga Dubai drejt Izraelit, ku njëri prej pilotëve sulmoi me thikë kolegun e tij dhe u përpoq të rrëzonte mjetin fluturues.

Përmes një deklarate zyrtare të lëshuar disa orë pas ngjarjes, Netanyahu konfirmoi se piloti sulmues është arrestuar nga autoritetet në Arabinë Saudite, ku aeroplani kreu ulje emergjente.

“Njëri prej pilotëve e goditi me thikë pilotin tjetër dhe, me sa duket, u përpoq ta rrëzonte avionin bashkë me pasagjerët e tij. Fola me një prej pasagjerëve izraelitë, i cili më tha se avioni kishte nisur të rrotullohej dhe filloi të humbiste lartësi. I përshëndes këta heronj, të cilët treguan zgjuarsi dhe guxim të jashtëzakonshëm. Të gjithë pasagjerët janë jashtë rrezikut. Piloti sulmues u arrestua dhe aktualisht po merret në pyetje nga autoritetet saudite”, deklaroi Netanyahu.

Sipas raportimeve të medieve izraelite gjatë ditës, piloti që ndërmori sulmin dhe tentoi rrëzimin e aeroplanit me pasagjerë është me shtetësi nga Omani. Autoritetet saudite po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të motiveve të ngjarjes.

Continue Reading

Lajmet

Rusia kërcënon NATO-n me armë bërthamore për rajonin e Kaliningradit

Published

on

By

Rusia i ka dërguar një paralajmërim të ashpër NATO-s, duke bërë të ditur se është e gatshme të përdorë të gjithë arsenalin e saj ushtarak, përfshirë armët bërthamore, nëse aleanca perëndimore ndërmerr hapa për të izoluar apo shkëputur enklavën ruse të Kaliningradit.

Në një dokument konfidencial (“non-paper”) të dërguar NATO-s, të siguruar nga agjencia e lajmeve Reuters, Moska akuzon aleancën për një “kurs të rrezikshëm dhe të pamatur” që rrit rrezikun e një konflikti të drejtpërdrejtë ushtarak.

Në dokumentin diplomatik joformal, Moska bën të qartë se përgjigja ushtarake mund të përfshijë goditje të drejtpërdrejta brenda territorit të vendeve anëtare të NATO-s që nga fillimi i çdo përshkallëzimi:

“Rusia do të jetë gati të përdorë të gjithë arsenalin e forcave dhe kapaciteteve në dispozicion të saj, duke përfshirë armët bërthamore, për të mbrojtur territorin e saj nëse vendet e NATO-s ndërmarrin ndonjë përpjekje që synon izolimin e Rajonit të Kaliningradit nga pjesa tjetër e vendit.”

Dokumenti nëvizon gjithashtu mundësinë e “sulmeve ruse kundër qendrave të vendimmarrjes në shtetet anëtare të aleancës që nga fillimi i konfliktit.”

Përveç paralajmërimit konfidencial, ambasadat ruse në të paktën tre shtete evropiane kanë lëshuar deklarata publike gjatë tre ditëve të fundit. Ato akuzojnë NATO-n për nxitje të tensioneve përmes stërvitjeve ushtarake dhe skenarëve operativë që përfshijnë Kaliningradin — territorin e militarizuar rus që ndodhet gjeografikisht midis Polonisë dhe Lituanisë.

Nga ana tjetër, diplomatët rusë hodhën poshtë pretendimet e vendeve perëndimore se Moska përbën kërcënim apo se po përgatit sulm ndaj ndonjë anëtari të NATO-s, si dhe mohuan akuzat për udhëheqjen e një “lufte hibride” përmes sabotimeve në Evropë. Sidoqoftë, pala ruse nënjëzogoi se çdo cenim ndaj Kaliningradit do të përballet me “përgjigjen më të fortë të mundshme”.

 

Continue Reading

Lajmet

15 profesorë të UBT-së renditen të parët në Kosovë në Scholarly Index 2026

Published

on

By

UBT ka shënuar rezultate të rëndësishme në Scholarly Index Top1000 Scholar 2026, ku 15 profesorë të universitetit janë renditur në vendin e parë në Kosovë në të paktën një temë kërkimore.

Në mesin e tyre janë:

Alban Kuriqi, Hyrije Koraqi, Ridvan Peshkopia, Visar Krelani, Gazmend Temaj, Pajtim Bytyçi, Burhan Reshat Rexhepi, Milaim Berisha, Kujtim Lepaja, Demokrat Nuha, Xhevahire Millaku, Liridon Kryeziu, Alfred Marleku, Nuredin Lutfiu dhe Kristina Perkola.

Këto renditje mbulojnë fusha të ndryshme të kërkimit, përfshirë inxhinierinë, ujërat dhe mjedisin, biznesin, shkencat sociale, shkencat ushqimore, arsimin, gjuhësinë dhe fusha të tjera.

Në nivel ndërkombëtar, profesorët e UBT-së kanë arritur gjithashtu pozita të larta. Prof. Dr. Alban Kuriqi ka shënuar pozitën më të lartë globale në mesin e profesorëve të UBT-së të paraqitur në këto renditje, duke u renditur i 8-ti në botë në temën “Hydrology and Sediment Transport Processes” për periudhën 2021–2025.

Po ashtu, Kristina Perkola është renditur #71 në botë, ndërsa Burhan Reshat Rexhepi #81, në temat e tyre përkatëse.

Këto rezultate tregojnë një prani të fortë të profesorëve të UBT-së si në nivel kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar, dhe përforcojnë dukshmërinë e universitetit në kërkimin shkencor.

 

Continue Reading

Të kërkuara