Kulturë

Rrëfimi i ngjyrave: Ekspozita e Shqipërim Fejzullahut në Galerinë e Arteve

Ekspozita, e quajtur “Dimensioni Artistik”, me kurator Muhamet Sadriun solli përpara publikut një diversitet temash, motive, teknikash dhe stilesh artistike.

Published

on

Në një pasqyrë kronologjike të ngjarjeve artistike, Galeria e Arteve në Gjilan i hapi dyert një pasurie artistike me 88 vepra të shquara nga krijuesi Shqipërim Fejzullahu. Ekspozita, e quajtur “Dimensioni Artistik”, me kurator Muhamet Sadriun solli përpara publikut një diversitet temash, motive, teknikash dhe stilesh artistike.

Muhamet Sadriu, kuratori i ekspozitës, ndau me publikun përshtypjet e tij nga puna e Shqipërim Fejzullahut, duke theksuar llojllojshmërinë dhe përkushtimin e autorit në artin e tij. Ai e përshkroi autorin si një artist të rrallë, i cili jo vetëm se krijon vepra, por komunikon me to përmes ngjyrave, dritës, dhe hijes së tyre, duke lënë përshtypjen se çdo vizitor komunikon me artin e tij.

“Unë kam qenë edhe në atelienë e Shqipërimit në Preshevë dhe më ka bërë përshtypje vet titulli që e ka emëruar “Dimensioni artistik” kjo flet për llojllojshmërinë edhe përkushtimin në punën që e bën dhe dashurinë që e ka ndaj punës. Autori nuk ka punime për një ekspozitë, por ka për 30 ekspozita, ai është i veçantë për plotë gjëra, por një që e bën shumë të veçantë është edhe ajo që ju po e shihni, puna që e bën me një mjeshtëri të rrallë”, deklaroi Sadriu.

Kuratori nuk la pa theksuar se çdo punim i artistit, nëse ndalemi dhe e shikojmë ju jep përshtypjen se jeni duke komunikuar me veprat e tij.

“Nëse ndaleni përpara një vepre, ndjeni se komunkoni me veprat. Ngjyrat e zgjedhura me kujdes, loja me dritën dhe hijen, të bën të ndjehesh si në një botë të re, të rehatë që e bën punën e Shqipërimit të adhurohet pa masë”, deklaroi ai.

Profesori Musa Prelvukaj, kritiku i artit, shtoi në diskutim vlerën e veprave të ekspozuara, duke e cilësuar takimin me to si një përvojë të madhe. Ai u shpreh për admirimin e teknikës dhe integritetit të pikturës në punën e autorit.

“Teknikat që ai ka përdorur janë të jashtëzakonshme, por më e veçanta është mënyra se si ato janë vendosur në hapësirë dhe ambientin e duhur. Shqipërimit veprat i flasin vet. Është një nder për mua të njoh punën e tij të paraqitur në këtë ekspozitë. E di se përzgjedhja mes shumë punimeve nuk ka qenë e lehtë për të, por i uroj atij sukses në vazhdim”, deklaroi Prelvukaj.

Ndërkaq skulptori Mal Myrtaj ndau refleksionet e tij për përparimin e artit në Preshevë, duke e krahasuar atë me kohën kur ai ishte mësimdhënës në një gjimnaz lokal. Ai vuri në dukje rëndësinë e një ekspozite si kjo në të nxitur dhe promovuar talentet artistike në Kosovë dhe Shqipëri.

Shqipërim Fejzullahu, autori i ekspozitës, nuk la pa shprehur mirënjohjen e tij për Drejtorinë e Kulturës dhe Sportit të Gjilanit, që bëri të mundur realizimin e ekspozitës. Ai gjithashtu falenderoi bashkëpunëtoren, gruan e tij, skulptoren Valmire Fejzullahu, e cila u tregua mbështetëse dhe kritike konstruktive gjatë gjithë procesit krijues. Falënderime iu shkuan edhe kuratorit të ekspozitës, Muhamet Sadriut, duke lënë hapësirë për kritikë dhe sugjerime nga vizitorët.

Shqipërim Fejzullahu me ekspozitat e tij të shumta, ka fituar njohje të mëdha dhe ekspozita e tij e fundit është një udhëtim emocionues që na udhëheq në botën e zemrës dhe mendjes, duke transmetuar mesazhe të rëndësishme për paqen, tolerancën dhe dashurinë ndaj njerëzve. Pikturat janë një harmoni e bukur e ngjyrave, formave dhe teksturave, që reflektojnë thellësinë e trashëgimisë kulturore dhe shpirtin njerëzor.

“Dimensioni Artistik” është një ekspozitë e re që na ofron një shkëlqim të ri të artistit Shqipërim Fejzullahu. Është një udhëtim që nuk duhet humbur për të gjithë dashamirësit e artit.

Kështu, nën kujdesin e këtyre krijuesve dhe kritikëve, ekspozita “Dimensioni Artistik” u bë një ngjarje e rëndësishme për kulturën dhe artin në rajon, duke e përshkruar një udhëtim të pasur në botën e artit dhe kreativitetit. Ekspozita do të jetë e hapur deri në datën 17 prill dhe shënon vetëm fillimin e një udhëtimi të pasur në botën e artit!/UBTNews/

© Dionesa Ebibi

Kulturë

Sa mund ta dëmtojë arrestimi i Andrew Familjen Mbretërore?

Published

on

By

Sa mund ta dëmtojë arrestimi i Prince Andrew Familjen Mbretërore? Si mund të përfundojë kjo ndryshe veçse keq për Pallatin, për Familjen Mbretërore dhe për monarkinë?

Vëllai i Mbretit është arrestuar, është marrë nga shtëpia e tij në pronën e Mbretit në Sandringham, është fotografuar dhe i janë marrë shenjat e gishtërinjve, raporton BBC.

Vetëm pak ditë më parë, ky ishte njeriu që jetonte në Royal Lodge, në luks me tridhjetë dhoma në Windsor Great Park.

Vetëm pak javë më parë, ky ishte “Princi” Andrew, duke nxjerrë një deklaratë përmes Pallatit ku shpallte shërbim dhe pafajësi. Vetëm pak muaj më parë, ai u fotografua në shkallët e Westminster Cathedral, mes pjesës tjetër të familjes në funeralin e Dukeshës së Kentit.

Dhe për vite me radhë pas tërheqjes nga roli i të dërguarit tregtar në vitin 2011, ai përdori Pallatin Buckingham si sfond për nismën e tij të investimeve, Pitch Palace.

Askush nuk do ta kishte zili pozitën e Charles III tani; mbështetësit e tij tregojnë për veprimet që ai tashmë ka ndërmarrë – heqjen e titujve dhe të shtëpisë nga vëllai i tij, si dhe premtimin për bashkëpunim me çdo hetim.

Ata theksojnë atë që e quajnë shpejtësi dhe vendosmëri në veprim.

Dhe ata tregojnë për deklaratën e lëshuar brenda orëve pas arrestimit të Andrew Mountbatten-Windsor. Një deklaratë pa asnjë referencë për lidhjet e gjakut mes Mbretit dhe Andrew.

Aty ai shkroi për “shqetësimin e tij më të thellë” lidhur me “Andrew Mountbatten-Windsor dhe dyshimet për keqpërdorim në detyrë publike”; autoritetet, tha ai, “kanë mbështetjen dhe bashkëpunimin tonë të plotë dhe të sinqertë”.

Kjo, thonë mbrojtësit e tij, është Mbreti që po lë mënjanë çfarëdo besnikërie familjare që mund të ndiejë.

Biografi dhe miku i Mbretit, Jonathan Dimbleby, vendosi një vijë ndarëse mes Familjes Mbretërore dhe monarkisë.

“Nuk mendoj se kjo e dëmton monarkinë,” tha ai për arrestimin. “Duhet të ndajmë nocionin e familjes nga institucioni i monarkisë. Është shumë e rëndësishme. Është shumë e lehtë t’i barazosh të dyja.”

Disa besojnë se arrestimi do t’i japë Familjes Mbretërore dhe Pallatit pak hapësirë për frymëmarrje, dhe se trajtimi i Andrew Mountbatten-Windsor si thjesht një i dyshuar tjetër do ta zvogëlojë dëmin e shkaktuar.

Mund të jetë një pikë ngushëllimi në një ditë të rëndë lajmesh. Por kjo nuk e bën aspak situatën më të lehtë.

Për vite, për dekada, Pallati – institucioni që i shërben Familjes Mbretërore nën drejtimin e saj – ka tërhequr një vijë mes rolit publik të anëtarëve të familjes dhe jetës së tyre private. Ndërsa Andrew u tërhoq nga jeta publike, po ashtu u tërhoq edhe Pallati nga përfaqësimi i tij.

Por ky dallim humbet për shumicën e njerëzve; Pallati, Familja Mbretërore dhe monarkia duken si një e vetme.

Andrew mund të mos ketë qenë prej kohësh në ballkonin e Pallatit Buckingham. Por për më shumë se gjashtë dekada ai ishte pjesë e asaj që babai i tij, Prince Philip, e quante “biznesi i familjes”.

Ideja se kjo është një “çështje private” nuk qëndron. Mountbatten-Windsor është ish-Princi Andrew dhe mbetet në vijën e trashëgimisë së Kurorës. Gjaku mbretëror është thelbi i një monarkie trashëgimore.

Edhe sikur të ishte thjesht një qytetar i zakonshëm, marrëdhënia e tij e mëparshme me Familjen Mbretërore do të mjaftonte për ta përfshirë monarkinë në polemikë.

Kush e di çfarë mund të dalë nga “bashkëpunimi i plotë dhe i sinqertë” me hetimet që Mbreti ka premtuar?

Pallati tregon për hapat e paprecedentë të Mbretit deri më tani – heqjen e titujve dhe të shtëpisë, ofrimin e ndihmës dhe shmangien e çdo përpjekjeje për të kërkuar favore nga autoritetet

Nuk ka dyshim për betejën që Mbreti ka pasur, duke balancuar besnikërinë familjare, një situatë që e trashëgoi me ngjitjen në fron, dhe detyrën e tij ndaj Kurorës.

Drama e ditës do të shuhet, por dëmi tashmë është bërë. Pyetja për Pallatin, për Familjen Mbretërore dhe për Kurorën mbetet – sa më shumë ka ende për të ardhur?

Kujtojmë, vëllai i Mbretit, Andrew Mountbatten-Windsor, është lënë i lirë të enjten në mbrëmje pas ndalimit nga autoritetet, të cilat po e hetojnë nën dyshimet për sjellje të papërshtatshme në detyrë publike, lidhur me pretendimet se kishte shpërndarë dokumente konfidenciale qeveritare te Jeffrey Epstein.

/BBC/

Continue Reading

Kulturë

Sunny Hill Festival 2026 zyrtarisht i konfirmuar: 31 Korrik – 2 Gusht

Published

on

By

Është zyrtare! Sunny Hill Festival 2026 do të zhvillohet këtë verë, nga 31 Korrik deri më 2 Gusht. Festivali i njohur ndërkombëtarisht do të rikthehet me një linjë të pasur artistësh dhe aktivitete, duke ofruar tre ditë plot muzikë, energji dhe përvojë të paharrueshme për të gjithë adhuruesit.

Organizatorët ftojnë të gjithë të bashkohen dhe të shijojnë atmosferën e veçantë në kodrat e Sunny Hill: “See you on the Hill!”

Kjo edicion pritet të jetë një nga më të mëdhatë dhe emocionuesit deri më tani, duke sjellë artistë të njohur lokalë dhe ndërkombëtarë për publikun shqiptar dhe vizitorët nga jashtë.

Continue Reading

Kulturë

Dua Lipa bëhet Ambasadorja Globale e Bvlgari

Published

on

By

Bvlgari ka njoftuar me krenari se këngëtarja e njohur Dua Lipa është bërë Ambasadorja e saj e re Globale e Markës. Ky bashkëpunim shënon një kapitull të ri për shtëpinë e famshme të modës dhe bizhuterive, duke sjellë freski dhe stil modern.

“Është jashtëzakonisht e veçantë të punosh me një markë ikonike si Bvlgari, dhe jam e emocionuar të jem pjesë e një shtëpie që mishëron besimin, krijimtarinë dhe feminitetin modern,” tha Dua Lipa. Ajo shtoi se pjesët e Bvlgari gjithmonë japin prekje perfekte, duke transformuar çdo pamje në një moment të veçantë.

Bashkëpunimi i ri pritet të përfshijë fushata ndërkombëtare dhe prezantime ekskluzive, duke forcuar imazhin e Bvlgari si një nga markat më të njohura dhe prestigjioze në botë.

Continue Reading

Kulturë

Besimtarët myslimanë nisin muajin e shenjtë të Ramazanit

Published

on

By

Besimtarët myslimanë kanë nisur muajin e shenjtë të Ramazanit, një periudhë e përkushtimit, agjërimit dhe reflektimit shpirtëror që zgjat 30 ditë. Me faljen e namazit të parë të teravisë, në shumë qytete u regjistrua pjesëmarrje e madhe e besimtarëve, të cilët mbushën xhamitë, ndërsa në disa vende u falën edhe në oborre dhe hapësira përreth për shkak të numrit të lartë të pjesëmarrësve.

Në të gjitha xhamitë e Kosovës u fal namazi i teravisë së parë me prani të madhe të besimtarëve, duke shënuar kështu fillimin zyrtar të muajit të Ramazanit.
Në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, e njohur si “Sulltan Mehmet Fatih”, një numër i madh besimtarësh u mblodhën për të falur namazin e jacisë dhe më pas teravinë.

Ramazani konsiderohet një nga muajt më të rëndësishëm në kalendarin islam, gjatë të cilit besimtarët agjërojnë nga agimi deri në perëndim të diellit, duke iu përkushtuar lutjes, bamirësisë dhe afrimit me Zotin. Përveç dimensionit fetar, ky muaj thekson edhe solidaritetin, ndihmën ndaj nevojtarëve dhe forcimin e lidhjeve familjare e shoqërore.

Institucionet fetare kanë bërë thirrje për mirëkuptim, respekt dhe ruajtje të vlerave që simbolizon ky muaj i shenjtë, duke uruar që Ramazani të sjellë paqe, shëndet dhe begati për të gjithë.

 

Continue Reading

Të kërkuara