Lajmet

Rozeta Hajdari raporton sot në Komisionin për Ekonomi

Published

on

Sot do të mblidhet Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti.

Në këtë komisioni është ftuar edhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Ministrja Hajdari para deputetëve anëtarë të këtij komisioni do të raportoj për planin e ministrisë të cilën ajo drejton.

Komisioni do të mblidhet në ora 10:00.

Ndërkohë që pas raportimit të ministres Hajdari, komisioni do të shqyrtojë edhe raportin vjetor të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit-ARRU për vitin 2020.

Po ashtu do të bëhet prezantim i Raportit të Implementimit për Kosovën, nga Janez Kopac, Drejtor i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë me seli në Vjenë, më temë “Rruga e Kosovës drejt integrimit evropian të energjisë: Gjendja e zbatimit të Traktatit të Komunitetit të Energjisë” (prezantimi është virtual dhe mbahet në sallën N-204 nga ora 13:00).

Lajmet

Nis fushata “Tetori Rozë”: Thirrje për kontrolle falas dhe diagnostikim të hershëm të kancerit të gjirit

Published

on

By

Me moton “Kontrollohu, për veten, për jetën!”, Ministria e Shëndetësisë dhe Presidenca e Kosovës kanë hapur zyrtarisht fushatën ndërgjegjësuese për kancerin e gjirit, duke i bërë thirrje të gjitha grave që të mos i shtyjnë kontrollet mjekësore.

Në ngjarjen hapëse, ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, theksoi se mbështetja familjare dhe shoqërore është e domosdoshme që gratë të gjejnë kohë për shëndetin e tyre.

Nga ana tjetër, Kryeministri Albin Kurti bëri me dije se mamografia ofrohet falas në shëndetësinë publike dhe se gjatë këtij viti do të shtohen tetë mamografë të rinj në komunat ku mungojnë. Ai veçoi se gjatë vitit 2025, mbi 53% e rasteve janë diagnostikuar në stadet e hershme, ndërsa rikonstruksioni i gjirit në QKUK vazhdon të kryhet falas.

Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia, njoftoi se buxheti për barna onkologjike është rritur nga 8 në 22 milionë euro. Gjatë tërë muajit tetor, mamografi mobil do të jetë në shërbim të qytetareve në të gjithë territorin e Kosovës, nga Dragashi deri në Leposaviq. /E.A/ 

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 2 tetor 1993-1998

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

2 tetor 1993

Vazhdojnë arrestimet e aktivistëve në Gjakovë

Gjatë javës së fundit, vala e arrestimeve të aktivistëve në Gjakovë nga ana e policisë serbe, vazhdon edhe më tej. Kështu sot në orët e hershme të mëngjesit u arrestuan Shefqet Vokshi, anëtar i Kryesisë së Partisë Fshatare të Kosovës, Dega në Gjakovë dhe Teki Dobroshi, kryetar i Orrganizatës sindikale të PTT-së në Gjakovë.

Komisioni për Informim i LDK-së së Gjakovës, gjithashtu njofton se policia serbe e mori peng Qazim Thaçin në vend të djalit të tij, Ilirit, të cilin kohë më parë e kërkoi policia serbe.

 2 tetor 1995

Në Mitrovicë policia financiare serbe plaçkiti sasi të madhe të mallit dhe të parave

Më 30 shtator, siç kemi informuar edhe më parë, një ekspeditë e policisë financiare serbe ndërhyri në tregun e Mitrovicës, me ç’rast plaçkiti sasi të konsiderueshme parashë nga pronarët shqiptarë të firmave e dyqaneve, njofton KI i Degës së LDK-së në Mitrovicë.

Policia serbe dhe ajo financiare ndërhynë edhe në kompleksin e sharrave për përpunimin e drurit në fshatin Zhabar të Epërm të Mitrovicës. Ekspeditës plaçkitëse i printe njëfarë Safet Jakupi me përkatësi gorane, i cili plaçkiti sasi të mëdha parashë. Kështu, Arif Hysenit iu plaçkitën 2.000 dinarë, Bedri Mujës 400, Sylejman Jetullahut 700, Rexhep Ceranit 1.000, Fadil Bajraktarit 300, Basri Hysenit 1.000, Bedri Çitakut 300, Sabedin Ramës 500, Sahit Padruzit 2.000, Zenë Mujës 500, Sahit Pepiqit (mysliman) 1.000, Brahim Ahmetoviqit 1.000 dhe Hamit Pepiqit 500.

Njoftohet se disa pronarë të dyqaneve janë plaçkitur edhe në lagjet “Tavnik” dhe “Ura e gjakut”, si ato të Haki Shabanit nga i cili u plaçkitën 1.200 dinarë, Ali Malokut 600, Sami Krasniqit 400, Bajram Shabanit 1.200, Fehmi Avdiut 2.700, Selim Eminit 200, Shaban Sadikut 500, Sabri Jasharit 500, Sabri Haxhiut 100, Sejdi Parallankës 200, Abedin Behramit 400, Bedri Vocës 250, Beqir Morinës 300, Nerxhivane Vocës 600 dhe Mustafë Aruçit 2080.

Bëhet e ditur se inspektorët serbë plaçkitën edhe mobile, tavolina e gjësende të ndryshme.

Bëhet e ditur se policia finaciare dhe ajo e uniformuar në tregun e pemëve dhe perimeve në Mitrovicë, nga tregtarët shqiptarë kanë plaçkitur edhe artikuj të ndryshëm ushqimorë, pa u lëshuar kurrfarë vërtetimi, ashtu siç ndodhi edhe me plaçkitjen e parave, për të cilat gjithashtu nuk u dhanë kurrfarë vërtetimesh me shkrim.

Në Informatën shtesë të KI të Degës së LDK-së në Mitrovicë bëhet me dije se janë plaçkitur edhe këta pronarë dyqanesh: Ilaz Vojvodës i janë plaçkitur 7500 DM, Bashkim Behramit 600 dinarë, Pajazit Bekës 600, Qerim Galicës 300, Afrim Shabanit 700, Abdullah Ymerit 500, Musa Dragës 600, Osman Skënderit 500, Ramadan Rexhepit 600 dhe Lavdim Vojvodës 2000 dinarë.

Izet Bilallin nga Zhabari i Poshtëm inspektorët e ndalën në rrugë dhe ia plaçkitën 450 kilogamë fasule, në vlerë prej rreth 1350 dinarë.

Në këtë njoftim gjithashtu bëhet me dije se në tregun e druve, ku ekspozohet për shitje edhe druri ndërtimor, policia plaçkiti një sasi të madhe të devizave nga tregtarët muslimanë.

Sipas shënimeve të mbledhura deri më tash, llogaritet se në këtë treg janë plaçkitur rreth 65.000 DM.

 

2 tetor 1997

  1. Engël kërkon që SHBA-të të dënojnë energjikisht Serbinë

Kongresisti amerikan Eliot Engël lidhur me intervenimin e forcave policore serbe ndaj demonstruesve studentë shqiptarë në Kosovë i bëri thirrje administratës së Klintonit që t’i dënojë me forcë autoritetet serbe për ndërhyrje me forcë ndaj protestave të studentëve në Kosovë. Ai theksoi se ky është momenti i përshtatshëm që administrata të emërojë një përfaqësues të posaçëm për Kosovën.

Eliot Engël, ligjdhënës nga Nju-Jorku, i cili kryeson grupin e deputetëve të interesuar për çështjen shqiptare, tha se e kishte indinjuar ndërhyrja e forcave policore serbe ndaj protestave të studentëve në Prishtinë.

Jam i skandalizuar nga kjo që ndodhi dhe besoj se Shtetet e Bashkuara duhet që me fjalë më të ashpra t’i japin Sllobodan Millosheviqit dhe Qeverisë serbe që të kuptojë se kjo është krejt e papranueshme dhe se ne do t’i mbajmë S. Millosheviqin dhe Qeverinë serbe përgjegjëse për veprimet e tyre. Z. Engël tha se po i shkruan sekretares ameriakne të Shtetit Medlin Ollbrajt për t’i kërkuar asaj që të protestojë ashpër ndaj një veprimi të tillë të Qeverisë serbe. Ligjvënësi tha se do të përfitojë nga ky rast për të kërkuar vazhdimin e sanksioneve ndaj Jugosllavisë së vetëshpallur.

I bëj thirrje gjithashtu asaj që të vazhdojë sanksionet ndaj Serbisë dhe t’u lihet serbëve që të kuptojnë se veprimet e tilla do të kuptojnë se veprimet e tilla do të çojnë në sanksione shtesë dhe se komuniteti ndërkombëtar nuk do të qëndrojë duarkryq për të lejuar që protestat paqësore të shtypen me dhunë. I bëj thirrje edhe njëherë presidentit Klinton, tha z. Engël, që të caktojë një përfaqësues të posaçëm për Kosovën. Z. Engël është një nga kritikët më të hapur në kongres kundër politikave të autoriteteve serbe në Kosovë dhe ka bërë vazhdimisht thirrje që administrata të emërojë një përfaqësues të posaçëm për Kosovën. Vitin e kaluar dhoma e përfaqësuesve miratoi një rezolutë të hartuar prej tij ku shtrohej me forcë kjo kërkesë. Ajo nuk është bërë realitet. Ligjvënësi tha se tani është koha më e përshtatshme pë të ndërmarrë një hap të tillë. Z. Engël tha se nëse “të drejtat” e serbëve si ajo që të shtypen me dhunë protestat e shqiptarëve në Kosovë nga forcat e armatosura e gaz lotsjellës, të cilët rrahën brutalisht njerëzit aksionet shkojnë drejt rrijtes. Shtohet pakënaqësia dhe kjo e bën shumë të vështirë që z. Rugova t’i qetësojë protestuesit. Z. Engël tha se mundësia e gjakderdhjes ekziston, por ai shfaqi shpresën se njerëzit do t’i përgjigjen thirrjes dr. Rugovës që protestat të zhvillohen paqësore, pasi siç theksoi ai, çdo akt dhune do të shkonte në favor të z. Milosheviq, njofton “Bujku”.

 

2 tetor 1998 (Ora 14:30).

Ferizaj: Në Jezerc forcat serbe plagosën disa shqiptarë – fshati sërish sulmohet e mbahet në rrethim

Nga e shtuna e kaluar, forcat e ushtrisë dhe të policisë serbe pandërprerë kanë granatuar fshatin Jezerc, ndërsa granatimet serbe në drejtim të këtij fshati kanë vazhduar edhe mbrëmë, bën të ditur KI i Degës së LDK-së në Ferizaj.

I njëjti burim bën të ditur se në këtë fshat nga forcat serbe janë plagosur disa civilë shqiptarë dhe gjendja e tyre shëndetësore është shumë e rëndë. Lidhur me këtë, banorët e këtij fshati apelojnë te organizatat e huaja ndërkombëtare humanitare që t’u vijnë në ndihmë të plagosurve, por edhe rreth 1.500 banorëve të zhvendosur të këtij fshati, të cilët kanë mbetur pa ushqime, ilaçe e gjësende tjera më elementare.

 

Suharekë: U identifikuan trupat e pajetë edhe të 3 shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe

Dje në komunën e Suharekës janë gjetur trupat e pajetë edhe të 3 civilëve shqiptarë të vrarë nga forcat serbe, njofton KI i Degës së LDK-së në Suharekë.

Bëhet e ditur se janë identifikuar trupat e pajetë të Qazim Kolollit (60) në Budakovë dhe trupat e djegur të bashkëshortëve Arif Ndrecaj (80) dhe të Xhyzide Ndrecajt (78) në Maçitevë, kufomat e të cilëve ende janë të paprekura dhe nuk janë varrosur.

 

Malishevë: Nëntë të vrarë gjatë ditëve të fundit

Ditëve të fundit Në fshatrat Golluboc, Plaçicë e Llazicë të Malishevës, forcat serbe kanë vrarë edhe 9 civilë shqiptarë.

Njoftohet se forcat serbe kanë vrarë edhe Fazli Hoxhajn (41), Selman Gashin (31), Rrustem Malokun (42), Rasim Malokun (38), Muhamet Malokun (35), Halim Malokun (37), Ahmet Malokun (25) Aziz Malokun (48) e Ilaz Maliq Javorin.

 

KMDLNJ dëshmon edhe identitetin e 11 shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe

Më 26 shtator të këtij viti, në afërsi të tuneleve të Murgës në Klinë, forcat serbe kanë ndarë nga turma e civilëve të zhvendosur shqiptarë dhe kanë ekzekutuar Smail Millakun (72) dhe djalin e tij Sefer Millakun (49) nga Ujmiri, bën të ditur KMDLNJ me seli në Prishtinë.

I njëjti burim bën të ditur se po këtë ditë në fshatin Gollubovc, paramilitarët serbë kanë ekzekutuar edhe 8 të rinj shqiptarë si Agron Miftar Hasanin (25), Hysen Rifat Pantinën (20), Ahmet Pantinën (25) dhe Shaip Sali Manajn (19) nga Gllareva. Po ashtu forcat serbe kanë vrarë edhe Remzi Veselajn (35) e Zeqir Berishën (40) nga Gjurgjeviku i Madh dhe vëllezërit Rasim (39) e Halim Maloku (37), që të dy mësimdhënës nga Ceroviku i Klinës.

Ndërkaq, më 29 shtator në malin e Oshlanit të Vushtrrisë, banorët e këtushëm kanë gjetur trupin e pajetë dhe të masakruar të fëmijës, Arsim Ibrahimi (13) nga Oshlani.

Njoftohet se në fshatin Gollubovc, forcat serbe kanë plagosur edhe dy të rinj shqiptarë, emrat e të cilëve nuk janë konfirmuar ende.

 Foto: Kongresisti amerikan Eliot Engël

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 1 tetor 1993-1998

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

1 tetor 1993

Serbia po ndjek penalisht 67 shqiptarë të Kosovës

Në një informatë të hollësishme të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut në Prishtinë, që e boton gazeta e sotme “Bujku”, thuhet se në dy muajt e fundit autoritetet serbe kanë ndërmarrë një fushatë të gjerë arrestimesh të shqiptarëve në Kosovë. Sipas informatave që posedon KMDLNJ, deri më tash u paraburgosën ose po ndiqen 67 persona.

Më 27 korrik 1993, thuhet në këtë informatë, “në Kosovë ka filluar edhe një fushatë tjetër arrestimesh të shqiptarëve, kryesisht veprimtarë të partive politike, ish-të burgosur politikë dhe-ish eprorë ushtarakë, me motive e prapavi politike, siç janë edhe kualifikimet që u bëhen veprave për të cilat ngarkohen ata”.

Sipas avokatëve Bajram Kelmendi, Fazli Balaj, Adem Bajri, Hazër Susuri, Aziz Rexha, Haxhi Kelmendi, Halil Kelmendi, Xhafer Maliqi dhe Destan Rukiqi, këtë fushatë e karakterizon edhe përdorimi i dhunës fizike e psikike, me qëllim detyrimi që të pranojnë fajet për të cilat ngarkohen, si dhe shkeljet flagrante të procedurës penale.

Në këtë informatë të KMDLNJ-së, thuhet se të gjithë këta të pandehur ndiqen për vepra penale dhe se pos qëllimit për frikësimin e shqiptarëve dhe shkaktimin e pasigurisë kolektive të tyre, me synim të spastrimit të qetë etnik të Kosovës dhe të serbizimit të saj, kjo fushatë ka për objektiv krijimin e bindjes para opinionit serb dhe të atij ndërkombëtar se shqiptarët janë ata që duan problemin e Kosovës ta zgjidhin me luftë e jo me mjete paqësore demokratike.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut në Prishtinë, thuhet në këtë informatë, i ka bërë me dije faktorët ndërkombtarë, si dhe përgjegjësit në Jugosllavinë e vetëshpallur mbi këtë fushatë dhe për keqtrajtimin e pashembullt të shqiptarëve të arrestuar. Po ashtu thuhet se një letër e këtij këshilli, siç është informuar opinioni, ka hyrë edhe në procedurën e shqyrtimit në Kuvendin e Kombeve të Bashkuara, që po mbahet këto ditë në Nju-Jork.

 

1 tetor 1994

Represioni në Kosovë

Vushtrri: – Më 24 shtator, policia serbe shkoi për ta kërkuar në shtëpinë e vet Sinan Begun në fshatin Kurillovë, me pretekst se ai nuk i ishte përgjigjur thirrjes së policisë për t’u paraqitur në stacion.

Policia u parashtroi pyetje njerëzve lidhur me Enver Begun, kryetar i Nëndegës së LDK-së në Kurillovë. Policët i thanë Sinan Begut që t’i thotë Enverit se nëse nuk heq dorë nga aktiviteti politik, “do ta vrasim”.

Më 28 shtator, një inspektor dhe një polic serb ishin në lokalin e Kurtan Berishës në fshatin Smrekonicë, nga i cili kërkuan para në valutë devizore.

Më pas inspektori dhe polici së bashku me Kurtanin shkuan në shtëpinë e tij dhe e bastisën, me ç’rast djalit të Kurtan Berishës ia plaçkitën 20 marka gjermane.

Më 26 shtator, policia e postkomandës së Prilluzhës, kërkoi në shtëpinë e tij Sheremet Saraçin në fshatin Bivolak. Kjo është hera e katërt që Sheremeti thirret në polici.

Më 26 shtator, nga shefi i stacionit të policisë në Vushtrri, Vuçina Janiçijeviq u mor në pyetje Tahir Tahiri, kryetar i Aktivit të LDK-së në fshatin Stanoc i Poshtëm i Vushtrrisë.

Tahir Tahiri u mor në pyetje rreth gjashtë orë dhe u pyet rreth aktivitetit politik dhe Këshillit për Financim.

Më 29 shtator rreth orës 12:00, një patrullë e policisë serbe ishte në shtëpinë e Islam Rexhës në fshatin Sllatinë. Nga ai policia mori një pushkë.

Më pas policët, me pretekst të kërkimit të armëve, shkuan edhe në shtëpitë e Ramë Jonuzit dhe në atë të Aziz Beqirit. Njoftohet se Aziz Beqiri u rrah në prani të anëtarëve të familjes, ndërsa më pas u dërgua në polici.

Prizren: – Pardje, policia serbe nën pretekst të dorëzimit të armëve morën në pyetje Hamdi Gashin dhe Destan Shalën nga Skënderaji i Ulët i Prizrenit. Destan Shala u keqtrajtua fizikisht në stacionin e policisë në Prizren, ndërsa ata u liruan me kusht që të paraqiten sërish në stacionin e policisë.

Viti: – Gjatë javës së kaluar policia nga Hamdush Hyseni kërkoi një revole dhe e urdhëruan atë që ta blejë, në rast se nuk e ka.

Më 26 shtator rreth orës 10:00, inspektorët serbë morën Musa Abdylin, ish-kryetar i Nëndegës së LDK-së në Beguncë të Vitisë. Musa Abdyli në lokalet e stacionit të policisë në Viti u mbajt rreth 11 orë. Ai tash është kryetar i SHB “Nënë Tereza” në Viti. Policët kërkuan nga ai që të tërhiqet nga aktiviteti i tij.

Gjakovë: – Më 24 shtator, nën pretekst të armëve policia serbe mori në pyetje Ramush, Azem, Agim, Sali dhe Haki Hoxhën nga Cërmjani i Gjakovës. Ata u pyetën edhe rreth aksionit “Të ndihmojmë shkollën shqipe” dhe për aktivitetin e LDK-së.

Më 23 shtator, policia nën pretekst të kërkimit të armëve mori Muhamet Osmanin nga Dobroshi i Gjakovës. Ai u mbajt në stacionin e policisë në Gjakovë rreth 24 orë.

Ndërkaq më 24 shtator, në të njëjtin fshat, policia kërkoi Iber H.Rexhën, por ai nuk gjendej në shtëpi.

Prishtinë: – Më 22 shtator, rreth orës 11, derisa ishte duke mbajtë orën e mësimit, u mor në pyetje Ilmi Osmani, arsimtar i shkollës fillore “Nexhmi Mustafa” në Besi të Prishtinës. Pretekst i kësaj ndërhyrjeje të policisë në këtë mënyrë ishte kërkimi i armës nga ky arsimtar.

Mitrovicë: – Më 28 shtator, policia serbe nën pretekst të kërkimit të armëve shkoi në shtëpinë e Shasivar Çelës në fshatin Rashan të Mitrovicës, nga i cili kërkoi që të dorëzojë një pushkë. Policia urdhëroi Shasivarin që të paraqitet së bashku me djalin e tij, Xhafer Çelën në stacionin e policisë në Mitrovicë.

Të njëjtit policë shkuan edhe në shtëpinë e Nexhmedin Çelës, të cilit ia lanë thirrjen që të paraqitet në stacionin e policisë në Mitrovicë.

 

1 tetor 1995

Plaçkitje të mëdha të tregtarëve shqiptarë në Mitorvicë

Pas bllokimit djeshëm të tregut të plaçkave dhe të pemëve e perimeve në Mitrovicë, inspektorët serbë të tregut që ndihmoheshin nga policët, u plaçkitën sasi shumë të mëdha të mallrave të ndryshme. Gjarë këtij aksioni tregtarëve dhe bujqve shqiptarë iu konfiskuan veshmbathje me vlerë rreth 70.000 DEM, perime të ndryshme që kapin shumën prej 10.000 DEM si dhe mobilje, lëndë e materiale të tjera të ndërtimtarisë vlera e të cilave është shumë e madhe. Asnjërit nga të dëmtuarit nuk iu lëshua kurrfarë dëshmie për mallin e konfiskuar.

Nënkëshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Mitrovicë njofton se inspektorët serbë të tregut që kishin ardhur nga Prishtina dhe nga qytete të ndryshme të Serbisë, gjobitën e plaçkitën edhe shumë pronarë të dyqaneve private. Me nga 600 dinarë u gjobitën edhe disa pronarë që i mbyllën dyqanet nga frika se do të plaçkiten e do te gjobiten me shuma të mëdha.

Nga Mitrovica njoftohet po ashtu se dje policia serbe konfiskoi 8 traktorë me zhavor të destinuar për treg. Policia i detyroi pronarët që zhavorin ta dërgojnë në ndërmarrjen “Betonierka”.

 

1 tetor 1997

Protesta paqësore u pengua nga ndërhyrja e forcave okupuese serbe

Rreth 50 000 studentë e qytetarë u mblodhën sot në orën 10. 30 në lagjen “Velania” të Prishtinës për të protestuar kundër okupimit të shkollave e të lokaleve universitare të Kosovës. Mirëpo protestën nuk e lejoi të zhvillohej policia serbe, e cila ishte e armatosur me të gjitha llojet e armëve e pajisjeve për sulm.

Vala e studentëve, të veshur në pjesën e sipërme të trupit me rroba të bardha, drejt vendnisjes së protestave në Velani, nisi që para orës 9. Studentë të disa fakulteteve, si ata të Fakultetit të Mjekësisë, FSHMN-së etj. erdhën të organizuar dhe të shoqëruar nga profesorët e tyre.
Me organizimin e kujdestarëve studentë, që mbanin shirita të kuq në duar, radhitja e studentëve sipas fakulteteve u bë për një kohë shumë të shkurtë.

Duhet theksuar se policia që më herët ishte stacionuar në të gjitha rrugët që çojnë në këtë lagje dhe legjitimonte e ndalonte studentët dhe qytetarët tjerë. Studentë të ardhur nga qytete të tjera të Kosovës, si nga Podujeva etj. , thanë se policia i kishte detyruar të zbrisnin nga autobusët në hyrje të Prishtinës dhe deri te vendi i protestave ata kishin arritur të vinin vetëm duke kaluar periferisë së qytetit.

Numri i gazetarëve që kishin dalë për të përcjellë protestën ishte tejet i madh, në mesin e tyre kishte një numër të madh të gazetarëve të mediave të huaja, që kishin ardhur nergut në Kosovë për të përcjellë protestat e studentëve.

Driton Lajçi, nënkryetar i UPS të UP- së, duke u përgjegjur në pyetjen e një gazetari për karakterin e protestave, i tregoi atij përmbajtjen e parullave, krejtësisht të karakterit joviolent, dhe u shpreh se protestat do të vazhdojnë deri në realizimin e kërkesave, respektivisht deri në lirimin e objekteve universitare.

Në lokacionin ku u mblodhën studentët ishin prezentë gjithashtu një numër i diplomatëve të huaj, si Riçard Hëkëbi, drejtor i Zyrës Amerikane në Prishtinë, Nikollas Hill, sekretar i dytë i Ambasadës Amerikanë në Beograd, Xhulian Bretuajt, sekretar i dytë i Ambasadës së Britanisë së Madhe në Beograd, Jonas Uajs, sekretar i parë i Ambasadës suedeze etj.
Deri në orën 10. 30 kur kolona u nis në marshutën e caktuar më parë, numri i studentëve, duke llogaritur këtu edhe numrin e madh të qytetarëve që kishin dalë në përkrahje të tyre, arriti në mbi 50. 000 veta.

Në ballë të kolonës, që ishte e pajisur me pankarta të shkruara në gjuhën shqipe dhe në gjuhën angleze, ishte rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Ejup Statovci, që shoqërohej nga prorektori prof. dr. Ahmet Geca dhe Bujar Dugolli, kryetar i UPS të UP, Muhamet Mavraj, kryetar i Kuvendit të UPS të UP, Driton Lajçi, nënkryetar e Albin Kurti, anëtar i Kryesisë, si dhe udhëheqës të tjerë të këtij unioni. Në protestë merrnin pjesë bashk me studentët edhe mësimdhënësit e tyre.
Derisa zgjati rreshtimi i studentëve, herë pas here u dëgjuan duartrokitje të studentëve, ndërsa pas nisjes kolona ishte e qetë.

Forcat e policisë, që qëndronin në daljen në rrugën për Tauk Bashçe, pas nisjes së kolonës vendosën menjëherë autoblindën dhe autocisternën në rrugë kordonin policor. Kordone policore u vendosën edhe në të gjitha rrugët anësore për rreth kësaj hapësire. Kolona e studentëve, në krye me rektorin Statovci, eci në qetësi derisa u afrua disa metra pranë kordonit policor dhe aty u ndal.

Pas disa minutash, mbi hapësirën ku ishin studentët filluan të fluturojnë helikopterët e policisë, të cilët vëzhgonin situatën.

Policët, që fillimisht ishin në numër më të paktë, dhe kolona e studentëve qëndruan ballë për ballë gjatë tërë kohës, deri në intervenimin policor. Ndërkohë, veç policëve që ishin në gjendje gatishmërie për intervenim, mjaft aktivë ishin edhe një xhirues dhe një fotograf që fotografonin pandërprerë, të hipur mbi autoblindë.

Një pjesë e gazetarëve, që ishin në fillim të turmës, u penguan të fotografonin në afërsi të kordonit dhe më pas u lejuan nga policia të dilnin prapa kordonit. Por, pas disa minutash, policia i largoi ata fare larg nga turma.

Në orën 11,00 policia iu drejtua me megafon protestuesve dhe kërkoi prej tyre që të shpërndaheshin, duke e quajtur demonstratën të paligjshme. Policia u dha afat protestuesve 30 min. që të shpërndaheshin vetë. Mirëpo hapësira e lagjes mbushej vazhdimisht me protestues. Në orën 11, 30 policia u kërcënua edhe njëherë se do të intervenonte, duke dhënë afat 15 minuta. Pas kërcënimeve, forcat e mëdha të policisë intervenuan në orën 11,50 me bomba lotësjellëse dhe duke përdorur dhunën masive fizike kundër protestuesve. Pasi policia kishte krijuar një gjendje rrethimi, shumë protestues tentuan të largoheshin në drejtim kah “Varret e çifutëve” dhe drejtime të tjera, mirëpo ata goditeshin nga forcat e policisë që gjendeshin në të gjitha anët. Mbi hapësirë fluturonin edhe dy helikopterë të policisë. Gjatë ndërhyrjes, policia arrestoi rektorin prof. dr. Ejup Statovci dhe bashkëpunëtorët e tij si edhe kryetarin e UPS të UP-së Bujar Dugollin dhe disa bashkëpunëtorë të tij. Merret vesh se ata në polici janë keqtrajtuar rëndë dhe më vonë janë liruar. Z. Dugolli ka pësuar lëndime trupore dhe është detyruar të kërkojë ndihmën e mjekut. Lëndime trupore ka pësuar edhe nënkryetari i UPS të UP-së Driton Lajçi.

Policia rrahu dhe arrestoi edhe shumë qytetarë të tjerë. Ky intervenim brutal i shpërndarjes zgjati rreth një orë, ndërsa shumë studentë e qytetarë u strehuan nëpër shtëpitë e kësaj lagjeje. Policia hodhi gaz lotësjellës edhe nëpër ballkonet e shtëpive të lagjes “Taslixhe”. Dhjetëra protestues të lënduar rëndë e lehtë kërkuan ndihmë në klinikat private të mjekëve shqiptarë. Forca serbe intervenuan edhe në pjesë të tjera të Prishtinës. Qysh prej mëngjesit grupe të shumta policësh të ardhur nga Serbia e Mali i Zi ishin stacionuar pranë të gjitha objekteve publike të Prishtinës, nëpër udhëkryqet kryesore, pranë ndërtesave të fakulteteve e Qendrës së Studentëve që mbahen të okupuara, pastaj pranë çerdheve të fëmijëve, gjithashtu të okupuara, lokaleve shkollore prej nga janë dëbuar shqiptarët, pranë bankave, e tjerë. Nëpër rrugët kah pritej të kalonte marshuta e protestës, kishin dalë edhe dhjetëra mijëra qytetarë për të protestuar kundër pushtimit të objekteve shkollore dhe për të kërkuar lirimin e tyre.
Intervenime të policisë pati edhe në Gjilan, Mitrovicë, Pejë, Ferizaj, Gjakovë dhe Prizren ku u zhvilluan protesta të studentëve e qytetarëve.

 

1 tetor 1998

Suharekë: Në Vraniq u gjetën edhe 5 shqiptarë të ekzekutuar nga forcat serbe

Sot në fshatin Vraniq, janë gjetur trupat e pajetë edhe të 5 shqiptarëve të ekzekutuar nga paramilitarët serbë, bën të ditur KI i Degës së LDK-së në Suharekë.

Njoftohet se në këtë fshat janë gjetur trupat e ekzekutuar të Burim Hamdi Elshanit e Milaim Bajram Bugarit (20) nga Suhareka, Hafir Elshanit (35) nga Sllapuzhani, trupi i të cilit u gjet i masakruar, Rasim K. Kolgecit (15) nga Vraniqi dhe të Hazir Bajraktarit nga Budakova.

I njëjti burim bën të ditur se i ekzekutuari i parë Burim Elshani para se të ekzekutohej është ndarë nga civilët tjerë shqiptarë dhe është dërguar në mal, ku paramilitarët serbë e kanë ekzekutuar pasi ia kanë veshur uniformën ushtarake për ta paraqitur atë se kinse ka qenë pjesëtar i UÇK-së.

Në komunën e Suharekës dyshohet edhe për viktimat të tjera shqiptare të shkaktuara nga forcat e ushtrisë, policisë dhe të paramilitarëve serbë.

 

Në Gllarevë të Klinës edhe 5 shqiptarë të vrarë dhe 2 të plagosur

Ahmet Alush Pantina e Hysen Rifat Pantina nga Gllareva e Klinës u gjetën dje të vrarë në fshatin e tyre.

KI i Degës së LDK-së në Malishevë njofton se ata janë vrarë gjatë ofnesivës së fundit të forcave serbe në këtë fshat.

I njëjti burim bën të ditur se forcat serbe në këtë fshat kanë vrarë edhe tre shqiptarë të tjerë, por emrat e tyre deri tash nuk janë bërë të ditur.

Bëhet e ditur se forcat serbe në këtë fshat kanë plagosur edhe Ymer Hamëz Veselajn e Rexhë Balajn, që të dy nga Gllareva.

 

Vushtrri: Në Oshlan edhe 2 shqiptarë të vrarë nga forcat serbe

Dje në Oshlan, u gjetën trupat e pajetë edhe të dy shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe, njofton KI i Degës së LDK-së në Vushtrri.

Njoftohet se në këtë fshat u gjet trupi i pajetë i Arsim Isë Ibrahimit (14) dhe i Musa Shaban Sheremetit (60) nga i njëjti fshat.

Njoftohet se trupi i viktimës së fundit ishte i karbonuar, pasi ishte vështirë të identifikohej.

Të përkujtojmë se vetëm në fshatin Oshlan, forcat serbe deri tash kanë ekzekutuar 19 shqiptarë, ndërsa dyshohet se numri i të vrarëve në këtë komunë nga forcat serbe është shumë i madh.

 

Gllogoc: Para ndërtesës së Kuvendit të instaluar serb 3 kufoma të paidentifikuara

Dje rreth orës 10:00, para ndërtesës së Kuvendit të instaluar serb në Gllogoc janë parë 3 kufoma të mbuluara, të cilat ruheshin vazhdimisht nga policia serbe, i tha sot QIK-ut një shqiptar nga Zabeli i Ulët, i cili për shkaqe sigurie deshi të mbetej anonim.

I njëjti burim thekson se identiteti i 3 kufomave nuk dihej, ndërsa në stacionin e policisë serbe në Gllogoc, po mbahen në arrest edhe shumë civilë shqiptarë, të cilët po torturohen brutalisht.

 

(Ora 18:30).

Së paku 167 shqiptarë të vrarë nga data 22 shtator

Prishtinë, 1 tetor (QIK) – Prej 22 shtatorit, kur filloi sulmi kundër fshatrave të Drenicës rreth bjeshkës së Qyqavicës, në mes komunave Skënderaj, Gllogoc, Vushtrri, Mitrovicë e Obiliq, janë vrarë së paku 167 shqiptarë. Një shumicë prej tyre janë masakruar në mënyrën më mizore.

Më posht po e japim listën e hartuar sipas njoftimeve që janë transmetuar në QIK prej datës 22 shtator.

Janë vrarë:

Sheremet Bajrush Sheremeti (42), Rrahim Mehmeti (60) Hajrullah Gjaka (63), Bislim Kamber Brahimi (32), Nysret Abdurrahim Ferati (60), Adem Tafil Azemi (38), Sali Adem Sejdiu (26), Selim Jashar Sagaqi (65), Faton Syla (15), Bahtie Gashi, Behxhet Islam Karaxha e Skënder Fetah Karaxha nga Çikatova e Vjetër, Bashkim Abdullah Krasniqi, Hajzer Hajdari, dhëndërr i Hajzerit, Bajram Beqir Krasniqi, Bajram Bajrami (40) e Qamil Bajrami (20) vëllezër, Hysni (23) e Elhami (15) Shabani vëllezër, Naim Musliu (34), Fejzullah Ramadani (23), Naim Salihu (25), Lulzim Gashi, Sadullah Selman Dibrani (47) dhe nipi i tij Avni Jetullah Dibrani (20, Fitore Klinaku (12) Shyqyri Krasniqi, i biri i Beqir Morinës nga Gllobari, Murat Muharrem Haliti (33), Fatmir Hajrush Ahmeti (22), Hajrush Qamil Ahmeti (55), Daut Fazli Avdiu (56), Milazim Sinan Behrami (rreth 75 vjeç), Shyqyri Islam Islami (57), bashkëshortja e tij, Fatimja (51), Selvete Avdi Islami (21), Agim Ademi, bashkëshortja e Mursel Shabanit, Mustafë Shuti, Milazim Mani me të ëmën Kadën, Sheremet Bajrushi, Shasivar Isa Ademi (51), Fatmir Shasivar Ademi (17), Burim Ramadan Ademi (17), Gani Fazli Ademi (16), Bajram Bejtullah Sahiti (33), Agim Selim Ademi (28), Hetem Rizah Halili (45), Bujar Hetem Halili (16), Bekim Miftar Halili (22), Nazmi Veli Halili (25) e Nexhat Kadri Halili (17) nga Galica, Sejdi Kabashi (22) nga Polaci, Haradin Islam Lahu (43) nga Galica, Enver Kastrati (40) nga Polluzha, Hasime Shabani (50) nga Galica, Mexhid Hamit Bislimi (33), Xhavit Haradin Bislimi (40), Driton Shaban Brahimi (22) nga Prekazi i Epërm, Kadri Miftar Mehmeti (22), Adem Lushtaku nga Prekazi i Epërm, Enver Halit Ferati (42) nga Lubaveci, Muhamet Rrahman Idrizi (53) nga Beqiqi, Feriz Rrustem Shala (43) nga Ujmiri, Murat Muharrem Haliti (33), Hajrush Qamil Ahmeti (55) dhe djali i tij Fatmir Ahmeti (22), Daut Fazli Avdiu (56), Fetije Bislim Bislimi (32), Sylejman Rrustem Kafexholli (70), Kujtim Kerlani (44), Ramadan Islam Muleta (1954), Besim Rexhep Muleta (1975), Bashkim Tahir Muleta (1971), Lutfi Hyseni (65), Selatin Hyseni (28), Halit Hyseni (40), Hamit Hyseni (41), Idriz Mehmeti (83) nga Oshlani, Hysen Murati nga Balinci, Hazir Qerim Avdyli, Rifat Myftar Fejza nga Dobrasheci, Bajram Beqir Krasniqi e Behram Hazir Morina nga fshati Gllobar; Rrustem Fetah Karaxha (u gjet i masakruar në bunar) nga Çikatova e Vjetër; Shyqri Hajdin Krasniqi, Muhamet Krasniqi, Bashkim Avdullah Krasniqi, Myftar Shaban Kurrumeli, Xhevat Sheqir Berisha, Hafize Jetullah Llugani (e sëmurë mentale), Hamit Lladrofci, Fehmi Lladrovci dhe Xhevahire Krasniqi – Lladrovci (bashkëshorte e Fehmiut), të gjithë nga fshati Gllanasellë; Brahim Ajet Avdulli (i masakruar në fytyrë), Hajdar Ismaili, Selim Myftari e Hamit Zymberi, nga Likoshani, Bahtie Gashi nga Vërbovci e Sefer Tafaleci (i therrur me thikë) nga Vërbovci, Mehmet Azem Saliuku e dr. Lec Bislim Uka (i masakruar) nga Gradica, Hajzer Hajdari nga Abria e Epërme, Haxhi Ahmet Krasniqi nga Zhilivoda dhe nëna e Sabri Saraçit nga Bivolaku, Adem Sali Deliu (33), Hava Imer Deliu (65), Jeton Imer Deliu (10), Hamide Sali Deliu (60), Valmir Adem Deliu (1 vjet e gjysmë), Luljeta Imer Deliu (25), shtatzënë, Lumnije Imer Deliu (30), Mihane Imer Deliu (25), Donjeta Hajriz Deliu (4), Gentiana Hajriz Deliu (7), Zahide Hajriz Deliu (27), Fazli Deliu (90), Ali Deli Deliu (63), i prerë në fyt me thikë, Pajazit Rrustem Deliu (65), Zeqir Jonuz Deliu (44) që të gjithë nga Abria e Epërme, Mustafë Fejza, Rifat Fejza, Hazir Avdyli e Hasan Maloku nga Dobrosheci, Sadri Muçolli, një shqiptar me mbiemrin Tluna, Ahmet Alush Pantina (19) nga Gllareva e Klinës dhe Hasan Beqë Morina (22) nga Vllashki Drenoci i Malishevës, Dervish Cen Maloku (60), Sejdi Bali Gashi (60), Deli Bali Gashi, Zenel Morina (30), Fitim Sadri Elshani (22), Vehbi Ejup Hoxha (48), Faik Aziz Braiqi (16), Fahredin Sejdë Braiqi, Sabit Metë Buzllaku (62), Fejzë Brahim Braiqi (45), Afrim Ramadan Braiqi (30), Zymer Ali Buzhala (rreth 55 vjeç), Murat Kurtish Kokollari (55), Adem Imer Buzhala (rreth 58 vjeç), që të tre nga Budakova, Bajram Durmish Bytyçi (1969), Mehaz Mjekiqi, Xhemshir Ademaj (35) nga Petrova, dr. Shpëtim Robaj, Habib Deliu, Driton Hysenaj (14), Haki Liman Krasniqi (1967), Shefqet Haki Krasniqi (1965), Skënder Hydë Krasniqi (1970, Ali Metë Krasniqi (1818, i cili u gjet i djegur në shtëpinë e tij në Negroc të Gllogocit), Mehdi Sylë Morina (1953) nga Gjergjica e Malishevës, Ilaz Maliq Javori (1953) nga Llazica e Malishevës, Bashkim Tahir Muleta (27) nga Korrotica e Gllogocit, Burim Hamdi Elshani e Milaim Bajram Bugari (20) nga Suhareka, Hafir Elshani (35) nga Sllapuzhani, Rasim K. Kolgeci (15) nga Vraniqi, Hazir Bajraktari nga Budakova, Hysen Rifat Pantina, Arsim Isë Ibrahimi (14) e Musa Shaban Sheremeti (60), Xhevdet Deriqi (38), i sëmurë psikik, Rrustem Hysenaj (80) e Mehmet Xhemajlaj (70), të tre nga Obria e Epërme dhe Sami M. Bakiu.

Në foto: Mitrovica

Continue Reading

Lajmet

Kurti: Komunikim intensiv gjatë fundjavës për zgjedhjen e presidentit

Published

on

By

Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se kanë nisur komunikimet intensive për arritjen e një marrëveshjeje politike për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, duke e cilësuar këtë fundjavë si përcaktuese për të shmangur krizën institucionale.

Synimi i mazhorancës është që Kosova të bëhet me kryetar shteti gjatë javës së ardhshme, përpara se të skadojë afati përfundimtar kushtetues më 6 tetor.

Nëse Kuvendi dështon të zgjedhë presidentin deri të hënën, vendi do të shkojë automatikisht në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare — të katërtat në më pak se dy vjet — të cilat duhet të mbahen më së largu deri më 15 nëntor.

Për të siguruar kuorumin e nevojshëm prej 80 deputetësh në sallë, Lëvizja Vetëvendosje po përballet me kushtëzime të forta nga partitë opozitare.

Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur gatishmëri për diskutime vetëm me kusht që të ndryshohet Ligji për Gjykatën Speciale, duke kërkuar kufizimin e mandatit të saj pas dënimeve të fundit ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe rikthimin e gjykimeve për krimet e luftës në Kosovë.

Nga ana tjetër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vazhdon të refuzojë takimet pa u plotësuar kërkesat e saj politike, ndërsa me Lidhjen Demokratike të Kosovës nuk ka pasur takime të reja që prej dështimit të kandidaturës së mëparshme të Bekim Sejdiut. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara