Lajmet

Mungon Rozeta Hajdari, dështon të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar në rastin për rezervat shtetërore

Published

on

Në mungesë të prezencës së ministres në detyrë, Rozeta Hajdari dhe mbrojtësit të të akuzuarit, Irfan Lipovicës, Feim Alaj ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar në rastin për rezervat shtetërore.

Në seacën e sotme prezente nuk ishin as përfaqësuesit e palës së dëmtuar nga Avokatura Shtetërore.


Ka filluar seanca në rastin e “Rezervave shtetërore” ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, si dhe ndaj tre të tjerëve Irfan Lipovicës, Hafiz Garës e Ridvan Muharremit.

Në seancë nuk është e pranishme ministrja në detyrë e MINT, Rozeta Hajdari, por vetëm Ifran Lipovica dhe Hafiz Gara.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) në aktakuzën e ngritur ndaj ministres në detyrë Rozeta Hajdari, ish-zëvendëssekretarit Irfan Lipovica, drejtorit të Departamentit të Rezervave Shtetërore në këtë Ministri, Hafiz Gara dhe afaristit Ridvan Muharremi, ka vlerësuar se dëmi që iu shkaktua buxhetit të Kosovës në rastin e “Rezervave shtetërore” është afër 3 milionë euro.

Aktakuzën e ngritur nga prokurorët specialë, Valdet Gashi dhe Milot Krasniqi, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Sipas aktakuzës së ngritur, buxheti është dëmtuar në lartësi prej 2,912,134.78 euro.

Bazuar në aktakuzën e PSRK-së, të pandehurit Rozeta Hajdari në cilësinë e ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica si zëvendëssekretar dhe Hafiz Gara në pozitën e Drejtorit të Departamentit të Rezervave Shtetërore, në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik, duke iu shmangur procesit të konkurrencës, me procedurë të negocimit kishin negociuar dhe më pas nënshkruar kontratën me kompaninë turke “Yafe Turizm Indaat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi” me seli në Bursa të Turqisë, për blerjen e 10 mijë tonë grurë me çmim prej 4,834,778.00 euro.

Mirëpo, aty thuhet se çmimi për blerje të grurit ishte kontraktuar 193.48 euro më i lartë sesa çmimi mesatar i tregut, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ata ngarkohen se në kuadër të mjeteve buxhetore të ndara nga Qeveria në shumën prej 10.000.000 euro, iu shmangën procedurës së hapur të prokurimit me rastin e procedurës së mallrave të rezervës shtetërore më 2022, konkretisht grurit, vajit dhe sheqerit.

Pas lidhjes së kontratës me operatorin turk më 15 mars 2022 më pas, thuhet se u nënshkrua aneks/kontrata me të njëjtin operator më 29 mars 2022 për shpenzimet e transportit të grurit në sasinë e përcaktuar në kontratën bazë nga Turqia në Portin e Durrësit në shumën 295.000 euro.

Ndërsa, sipas aktakuzës, me kompaninë OE “Xanto” SP. ZO.O” me seli në Gdyna- Poloni u lidh kontrata për blerjen e vajit në sasi 200.000 litra dhe sheqerit në sasi 120.000 kg me çmim të përgjithshëm 276.000 euro.

Gjithnjë sipas aktakuzës, edhe përkundër se pagesa e kontraktuar u bë në kundërshtim me Ligjin për buxhetin më 2022, 100% me avanc nga MINT, kompania turke nuk e përmbushi obligimin sa i përket grurit, duke sjellë 58.98 tonë grurë më pak sesa ishte përcaktuar në kontratë, kurse kompania polake nuk i ka sjellë fare produktet e vajit dhe sheqerit sipas kontratës, duke i shkaktuar kështu dëm në shkallë të madhe buxhetit të shtetit.

Sipas aktakuzës, Gara në koordinim me Lipovicën dhe Hajdarin me qëllim të kufizimit të konkurrencës dhe favorizimit të operatorëve ekonomik dhe fshehjes së shkeljeve ligjore në këtë aktivitet, përmes e-mailit nën arsyetimin për përshpejtim të procedurave të furnizimit me mallra të Departamentit të Rezervave Shtetërore, ka kërkuar nga Lipovica që t’i drejtohet me kërkesë Qeverisë për përjashtim nga procedurat e prokurimit për furznizim me produktet e rezervës shtetërore, e që bashkë me Hajdarin iu drejtuan me e-mail Qeverisë më 25 shkurt 2022 dhe se kërkesa u miratua të nesërmen nga Qeveria, e gjithë kjo në kundërshtim me Ligjin për Rezervat Shtetërore, duke u klasifikuar blerja e produkteve të rezervës si sekrete, përkundër se aktiviteti i prokurimit duhej të bëhej detyrimisht përmes procedurave të hapura dhe nuk konsiderohet sekret shtetëror sipas Ligjit.

Çmimi i kontraktuar me kompaninë turke për 1 ton grurë, sipas aktakuzës, kishte qenë 483.48 euro, ndërsa çmimi mesatar i tregut bazuar në të dhënat e Doganës së Kosovës në import në muajin e njëjtë- mars 2022, kishte qenë 290 euro.

“Referuar diferencës në mes të çmimit të kontraktuar të grurit prej 483.48 euro për ton dhe çmimit mesatar të tregut për muajin mars që ishte 290 euro për ton, rezulton se çmimi për një ton grurë është kontraktuar për 193.48 euro më shumë sesa çmimi mesatar i tregut në Kosovë, e që diferenca në çmim në raport me 10 mijë tonë grurë është 1,934,800.00 euro, që konsiderohet dëm i shkaktuar në këtë pikë”, thuhet në aktakuzë.

Mirëpo, më tej thuhet se megjithëse kontrata parashihte 10 mijë tonë grurë dhe u pagua avanci 100%, kompania dyshohet se ka sjellë 58.98 tonë grurë më pak. Rrjedhimisht, duke i shkaktuar dëm buxhetit 28,515.65 euro.

Kurse, Hajdari thuhet se pa publikim të shpalljes publike, më 15 mars 2022, edhe përkundër faktit se ishte paralajmëruar nga drejtori i Departamentit Ligjor se blerja e rezervave me procedurë të negociuar nuk kishte bazë ligjore, nënshkroi kontratën me kompaninë turke.

Gjithnjë sipas aktakuzës, kontrata me kompaninë turke për blerjen e grurit e nënshkruar më 15 mars 2022 në vlerë prej 4 milionë e 834 mijë e 778 euro, ishte bërë bazuar në kushte tregtare Delivered Duty Paid (DDP) që nënkupton se çmimi i kontratës përveç blerjes së produktit mbulon të gjitha shpenzimet e transportit nga depoja deri tek destinacioni final, duke përfshirë sigurimin e mallrave gjatë transportit, ngarkim- shkarkimin e mallrave, doganës dhe shpenzimet e tjera administrative.

Mirëpo, kjo rezulton se nuk kishte ndodhur, sipas PSRK-së.

Hajdari akuzohet se veproi në kundërshtim me plotësim/ndryshimin e Ligjit për Prokurim Publik, duke shmangur qëllimshëm kushtet esenciale të sigurimit të ekzekutimit të kontratave dhe në kundërshtim me Ligjin për buxhet u bënë pagesat në avanc 100% përderisa MINT pranoi nga kompania turke 59.98 tonë grurë më pak në raport me sasinë e kontraktuar dhe paguar, nga kompania polake nuk pranoi fare sasinë e vajit dhe sheqerit. Me këto veprime, u favorizuan dy OE dhe iu mundësua përfitim material dhe shmangie nga përgjegjësia, njëkohësisht iu shkaktua dëm i madh buxhetit të shtetit.

Nëntë ditë pas nënshkrimit të kontratës për blerjen e grurit, aktakuza thotë se MINT kishte nënshkruar aneks-kontratë me kompaninë turke për shpenzimet e transportit në vlerë prej 295 mijë euro, e përkundër se kontrata bazë përfshinte edhe shpenzimet e transportit.

Më pas, thuhet se Lipovica në koordinim me Hajdarin e Garën kishte lidhur një kontratë me kompani tjetër OE “Railtrans” L.L.C më 15 prill 2022 për shërbimet e transportit dhe shpedicionit nga Durrësi deri në depon e rezervave në Kosovë, në vlerë prej 377,419.13 euro.

“Referuar faktit se përtej rregullave të Kontratës bazë, për transportin e grurit janë lidhur 2 (dy) kontrata, fillimisht një Aneks-kontratë në vlerë 295,000 euro dhe më pas një kontratë tjetër në vlerë 377,419.13 euro, si në përshkrimet faktike të aktakuzës, rrjedh se në këtë pikë është shkaktuar dëm në lartësi prej 672,419.13 euro”, thuhet në aktakuzën e ngritur nga PSRK.

Në aktakuzë më tej thuhet se të pandehurit Hajdari, Lipovica dhe Gara kanë negociuar dhe nënshkruar kontratë edhe me kompaninë “Xanto SP. ZO. O” me seli në Gdynia të Polonisë për blerjen e 200 mijë litra vaj dhe 120 mijë kilogramë sheqer. Mirëpo, përkundër pagesës së kryer, malli nuk ishte pranuar asnjëherë.

“Referuar faktit se me rastin e lidhjes së kontratës për blerjen e vajit dhe sheqerit si në përshkrimet faktike të aktakuzës, në njërën anë është bërë pagesa në avanc 100% në shumën prej 276,400 euro, ndërsa në anën tjetër malli nuk është dorëzuar asnjëherë në Kosovë, nga ku rrjedh se në këtë pikë është shkaktuar dëm në lartësi 276,400.00 euro”, thuhet në aktakuzë e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”.

Pagesat ndaj kompanive ishin bërë 100 për qind avancë, sipas Prokurorisë Speciale, përkundër se kjo bëhet vetëm në rastet kur mallrat kanë të bëjnë me mbrojtjen dhe sigurinë, pra pajisje për nevoja ushtarake.

Me këto veprime, të njëjtit ngarkohen se i kanë shkaktuar buxhetit të Kosovës dëm në shumën e përgjithshme 2 milionë e 912 mijë e 134 euro e 13 centë.

Për të gjitha këto veprime, ministrja Rozeta Hajdari, zëvendëssekretari Irfan Lipovica dhe drejtori i Departamentit për Rezervat Shtetërore, Hafiz Gara, po akuzohen se kanë kryer veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par.2, lidhur me par.1 dhe nenin 31 të Kodit Penal.

Të njëjtit akuzohen edhe për veprën penale “Zbulim i fshehtësisë zyrtare”, pasi sipas aktakuzës, pjesë të procesit të negocimit ngarkohen ta kenë bërë dhe afaristin Ridvan Muharremi i njohur si “Ridi”.

Gara ngarkohet se ia komunikoi sekretin shtetëror Muharremit, duke ia dërguar në e-mail programin programin për furnizim me mallra të rezervës shtetërore të vitit 2022, në të cilin ishin përshkruar detajet e llojit të produktit, sasia dhe vlera monetare si pjesë e Planit Strategjik Vjetor të mallrave të rezervës shtetërore, duke rrezikuar interesin publik dhe furnizimin strategjik të vendit me rezerva shtetërore.

Me këtë, Gara akuzohet se ka kryer veprën penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare” nga neni 426, par.1 të Kodit Penal.

Kurse, bashkë me Hajdarin e Lipovicën, Gara ngarkohen se zbuluan fshehtësinë zyrtare duke ia vënë në dispozicion Muharremit informatën për vendndodhjen e deponimit të grurit si mall i rezervës shtetërore. Muharremi fillimisht përmes WhatsApp në grupin ku bënin pjesë edhe tre të pandheurit tjerë i njoftoi se kishte siguruar një OE për deponim të grurit, duke ua dërguar të dhënat.

Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare” nga neni 426, par.1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Për Hajdarin, Lipovicën e Garën është propozuar edhe dënim plotësues- kompensimi i dëmi të buxhetit të shtetit

Në anën tjetër, afaristi Muharremi po akuzohet nga PSRK për kryerjen e veprës penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”./BetimipërDrejtësi

Lajmet

Gjermania ndalon tubimet e partive kosovare për zgjedhjet e 28 dhjetorit

Published

on

Ambasada gjermane në Kosovë, ka lëshuar një njoftim drejtuar kandidatëve për kryeministër dhe subjekteve politike në garën për zgjedhjet e 28 dhjetorit, ku ambasada rikujton se organizimi i tubimeve zgjedhore në territorin gjerman nuk lejohet më pak se tre muaj para mbajtjes së zgjedhjeve në vendin e tyre.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë, do të mbahen më 28 dhjetor, kjo do të thotë se nuk mund të ketë tubime në Gjermani, një nga vendet ku ka më së shumti diasporë kosovare.

“Meqenëse kemi një diasporë të madhe të Kosovës në Gjermani, dëshirojmë t’u kujtojmë të gjithë kandidatëve se, si rregull, ngjarjet e fushatës zgjedhore nga zyrtarët e huaj në Gjermani nuk lejohen në periudhën më pak se 3 muaj para zgjedhjeve. Faleminderit për mirëkuptimin tuaj”, thuhet në njoftim.

Së fundmi, kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka paralajmëruar tubim në Frankenthaler të Gjermanisë më 13 dhjetor./S.K/EO/

Continue Reading

Lajmet

Auditimi zbulon mangësi në ndërtimin e objektit për Klinikat Nefrologji dhe Hemato-Onkologji

Published

on

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka identifikuar mangësi të shumta në procesin e ndërtimit të objektit për Klinikat Nefrologji dhe Hemato-Onkologji në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK) për periudhën 2018-2025.

Raporti i auditimit “Ndërtimi i objektit për Klinikat Nefrologji dhe Hemato-Onkologji”, ka vlerësuar procesin e ndërtimit duke nisur nga buxhetimi dhe planifikimi, procedurat e tenderimit, deri te menaxhimi i fondeve dhe implementimi i kontratës.

Gjithashtu, janë evidentuar mangësi në buxhetim, tenderim dhe menaxhim të fondeve, përfshirë mospërputhjen në planifikimin buxhetor për ndërtimin e objektit, qasjen e dyfishtë në hartimin e specifikave teknike, mospërputhjen mes dokumentacionit teknik të projektit dhe paramasës, mangësinë në procesin e vlerësimit të ofertave gjatë tenderimit dhe dobësinë në menaxhimin e shpenzimeve.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, theksoi se këto mangësi tregojnë nevojën për një qasje më sistematike dhe respektim të plotë të kornizës ligjore në zbatimin e projekteve, për të rritur përgjegjësinë, transparencën dhe integritetin në menaxhimin e fondeve publike.

ZKA-ja ka dhënë pesë rekomandime për përmirësimin e proceseve:

1. Forcimi i kontrolleve të brendshme për harmonizimin e buxhetimit dhe transparencën e fondeve;

2. Kontroll më efektiv të njësive kërkuese dhe zyrës së prokurimit për specifika teknike të qarta;

3. Përmirësimi i sistemit të kontrollit gjatë përgatitjes së paramasës për të harmonizuar dokumentacionin teknik me kërkesat e projektit;

4. Sigurimi që tenderët të konsiderohen të përgjegjshëm vetëm kur janë në përputhje me të gjitha kërkesat e dosjes;

5. Ndarja e qartë e burimeve dhe shpenzimeve për secilin projekt dhe forcimi i mekanizmave të kontrollit të brendshëm për identifikimin e gabimeve që në faza të hershme./S.K/EO/

Continue Reading

Lajmet

BE: Komisioni ka ndërmarrë hapat e parë drejt heqjes graduale të masave ndaj Kosovës

Published

on

Bashkimi Evropian ka konfirmuar se Komisioni ka ndërmarrë hapat e parë drejt heqjes graduale të masave ndaj Kosovës, të vendosura në vitin 2023.

BE-ja ka bërë të ditur se blloku evropian synon të vazhdojë me heqjen e mëtejshme të këtyre masave dhe thanë se kanë mirëpritur dorëzimin e qetë të qeverisjes lokale në katër komunat veriore.

Po ashtu, BE-ja ka marrë në dijeni shpalljen e zgjedhjeve të reja parlamentare, që pritet të mbahen në më 28 dhjetor, duke nënvizuar rëndësinë e një procesi zgjedhor të administruar mirë dhe konkurrues  përfshirë certifikimin e partive politike, pjesëmarrjen e tyre dhe akreditimin e mediave nga të gjitha komunitetet.

“BE-ja është e gatshme të punojë me autoritetet e Kosovës sapo ato të zgjidhen, dhe të vazhdojë mbështetjen për vendin në rrugën drejt integrimit evropian”, thuhet në përgjigje.

BE-ja shtoi se pret nga Kosova të rikthehet në rrugën e reformave të domosdoshme evropiane dhe të avancojë procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë./S.K/EO/

Continue Reading

Lajmet

Liderët fetarë në Kosovë nënshkruajnë deklaratë kundër dhunës me bazë gjinore

Published

on

Në përmbyllje të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, Ambasada britanike në Prishtinë ka mbledhur së bashku udhëheqësit kryesorë fetarë të Kosovës për të nënshkruar Deklaratë të Përbashkët për Dhunën me Bazë Gjinore dhe Dinjitetin Njerëzor si një akt i vlerësuar si historik.

Sipas njoftimit të ambasadës britanike, nën drejtimin e ambasadorit Jonathan Hargreaves, përfaqësues nga Bashkësia Islame e Kosovës, Kisha Ortodokse Serbe, Kisha Katolike, komuniteti hebre dhe Kisha Protestante Ungjillore u bashkuan në të njëjtën tavolinë për të sinjalizuar një qëndrim të qartë dhe të unifikuar: dhuna nuk ka vend në fe, familje apo shoqëri.

Mbretëria e Bashkuar, e cila pozicionohet si kampione globale në luftën kundër dhunës me bazë gjinore, theksoi se promovimi i barazisë dhe dinjitetit njerëzor është shtylla e paqes dhe prosperitetit.

Ambasadori Hargreaves nënvizoi se në Kosovë këto vlera luajnë rol kyç në forcimin e kohezionit shoqëror dhe stabilitetit.

Gjatë 16 ditëve të aktivizmit, siç thotë njoftimi, ambasada vendosi të punojë ngushtë me liderët fetarë, duke theksuar ndikimin e tyre të drejtpërdrejtë në formimin e normave dhe vlerave brenda komuniteteve.

“Deklarata e nënshkruar përfaqëson një zotim të shkruar dhe një premtim publik për mbrojtjen e më të cenueshmëve dhe sfidimin e praktikave të dëmshme. Ajo dërgon një mesazh shprese se komunitetet fetare në Kosovë janë të bashkuara në thënien ‘mjaft’ ndaj dhunës me bazë gjinore”, thuhet në njoftim./S.K/EO/

Continue Reading

Të kërkuara