Botë

Rindërtimi i vështirë i Notre-Dame de Paris

Published

on

Dy vjet pas zjarrit shkatërrimtar më 15 Prill 2019, përgatitjet për rindërtimin e katedrales vazhdojnë. Por planet ndeshin në kundërshtime.

Rrallë prerja e pemëve është organizuar në mënyrë kaq pompoze. Të rrethuar nga një numër i madh kamerash televizive ministri francez i Bujqësisë Julien Denormandie dhe ministrja e Kulturës Roselyne Bachelot ngulën pllaka të vogla me numra në disa lisa. Pastaj të dy mbajtën një fjalim në pyllin shtetëror Bercé, 200 kilometra në jugperëndim të Parisit. “Besoj se Notre-Dame, që është simbol i së kaluarës sonë, tregon se në ç’masë pyjet shkruajnë historinë e kohës”, u shpreh Denormandy solemnisht. Kolegia e tij ministre shtoi në mënyrë më konkrete: “Na duhen gjithë këto dru, sepse është marrë vendimi që katedralja të rindërtohet ashtu siç ka qenë më parë, domethënë përpara zjarrit që nga ndërtimet [e arkitektit Eugène] Viollet-le-Ducs, që nisën në 1843”.

Lisat janë pjesë e rreth 2000 drurëve, që janë prerë dhe që do të përdoren për rindërtimin e majave të kullave dhe të kulmit të Notre-Dame de Paris, të cilat janë shkatërruar ose dëmtuar rëndë nga zjarri me 15 prill 2019. Këto plane rindërtimi janë pritur me pakënaqësi. Por jo për faktin se nuk ka siguri a do të arrihet të mbahet premtimi i presidentit Emmanuel Macron për rindërtimin e plotë të katedrales brenda pesë vitesh.

Rindërtimi “brenda pesë viteve”

Zjarri që ra dy vjet më parë tmerroi Francën dhe gjithë botën. Mijëra kureshtarë ishin grumbulluar atë mbrëmje rreth kësaj trashëgimie botërore të UNESCO-s, duke ndjekur me thirrje tmerri se si shëmbej maja e kambanares nga zjarri. Edhe pjesë të tëra të konstruksionit mesjetar të kulmit të çatisë u dogjën, qemerët e kalimeve kryesore anësore pësuan dëmtime. Ekipet televizive nga e gjithë bota ditë me rradhë zunë vend përreth katedrales, nga ku raportonin drejtpërdrejt, edhe kur Macron u zotua se do ta rindërtonte monumentin brenda pesë vitesh. Fillimisht ai u shpreh se dëshironte një rindërtim bashkëkohor të majave të kambanareve, por në fund iu nënshtrua ekspertëve, të cilët kërkonin një rindërtim sipas Viollet-le-Duc. Menjëherë pas zjarrit sipërmarrje të mëdha dhe donatorë të vegjël premtuan gati një miliard euro donacione për rindërtimin. Administratorët e katedrales kanë mbledhur tanimë 833 milion euro dhe kanë marrë të paktën premtime ligjërisht të detyrueshme për 98 për qind.

Pemët “gjithësesi do të priteshin”

Për rindërtimin e katedrales në formën e saj origjinale Francës i duhen tani lisa. Gjysma e tyre do të vijë nga pyje private dhe gjysma nga pyje publike. Pas prerjes ato duhen depozituar dymbëdhjetë deri në tetëmbëdhjetë muaj për të ulur lagështinë e drurit në rreth 30 përqind.

Bëhet fjalë për pemë shekullore, që gjithsesi do të kishin qenë në listën e lisave që do të priteshin, thotë Guillaume Larrière, zëdhënësi i ONF-së, qendra shtetërore franceze për administrimin e pyjeve. Franca ka një nga rregulloret më të rrepta në botë për menaxhimin e pyjeve: “Prandaj është e drejtë, që druri për Notre-Dame të sigurohet ekskluzivisht nga Franca – këtu e kemi saktësisht nën kontroll prerjen.”

Frankreich, Paris | Notre-Dame Kathedrale

Ambientalistët: Planet për rindërtimin janë “tërësisht të vjetëruara”

Por Jacky Bonnemains e kritikon këtë mënyrë. Ai është kryetari i shoqatës për mbrojtjen e mjedisit Robin des Bois. “Ne amputojmë pyjet tona, u rrëmbejmë atyre lisat, që janë të rëndësishëm për rigjenerimin e pyjeve. Ato janë habitate për një numër të madh insektesh dhe shpendësh”, thotë Bonnemains.

Këtë mendim e përkrahin së paku më shumë se 40.000 bashkatdhetarë të tij, të cilët kanë nënshkruar një peticion për të ndaluar prerjen e pemëve. Vendimin për rindërtimin e Notre-Dame ashtu siç ka qenë, ai e quan “tërësisht të vjetëruar”: “Kurrë nuk do të kisha menduar se qeveria do të zgjidhte këtë duo infernale drurin dhe plumbin, që mundësoi zjarrin dhe ndotjen me plumb”.

Ndotja e konsiderueshme me plumb në territorin e katedrales dhe në zonat përreth është konfirmuar edhe nga Instituti shtetëror për mjediset industriale dhe rreziqet e tyre. Kështu në 2019 Robin des Bois ngriti padi kundër personave të panjohur për rrezikimin e jetës së të tjerëve. Por çështja u ndërpre para disa muajve.

Bonnemains mendon se materiale të tjera ndërtimi do të ishin shumë më bashkëkohore dhe më të sigurta: “Katedralja Saint-Pierre-et-Saint-Paul në Nantë për shembull ka një çati prej betoni. Zjarri vitin e kaluar shkaktoi dëme relativisht të pakta atje”, shpjegon ai.

Plumbi dhe druri “kombinim ideal”

Betoni nuk është zgjidhje në rastin e Notre-Dame de Paris, kundërpërgjigjet një zëdhënës i autoritetit që administron monumentin, i cili nuk dëshiron të japë emrin. “Struktura e kulmit të katedrales ka nevojë për një peshë të caktuar, në mënyrë që ndërtesa të qëndrojë – kombinimi plumb dhe dru është ideal”, i thotë ai DW. “Zjarri është përhapur për shkak të gabimit njerëzor, ne thjesht kemi nevojë për më shumë njerëz për ta kontrolluar në vendet e duhura. Përveç kësaj do të vendosim dyer kundër zjarrit, për parandalimin e zjarreve në të ardhmen”, shpjegon ai.

Puna për sigurimin e katedrales nga shembja do të vazhdojë deri në korrik pastaj do të shpallen tenderë të shumtë publikë, në mënyrë që në fund të këtij apo fillimi të vitit të ardhshëm të mund të fillojë rindërtimi. “Në vitin 2024 Notre-Dame do të hapet për panaire siç është planifikuar”, tha zëdhënësi.

 Dyshimet për afatin e rindërtimit

Por zërat, që dyshojnë në afatin e vendosur nga presidenti, po shtohen. Ata vijnë madje nga vetë kantieri i ndërtimit. “Punimet për sigurimin nga shembja kanë zgjatur shumë dhe neve ndoshta do të na duhet të vazhdojmë disa punime pas vitit 2024, si për shembull qemerin mbështetës në pjesën e jashtme të ndërtesës”, i thotë DW Yann de Carné. Ai është president i shoqatës së industrisë GMH, e cila përfaqëson 80 përqind të kompanive, që kryejnë punë restauruese në monumentet publike. “Por panairet si dhe rihapja e disa pjesëve të katedrales për vizitorët, kjo duket mjaft realiste pas tre vjetësh”, është i mendimit ai.

Edhe Jacky Bonnemains beson se rindërtimi i katedrales do të marrë “edhe shumë vite të tjera”. “Kjo na jep kohë për të vepruar kundër mënyrës, se si i bëjnë ata gjërat”, thotë ambientalisti. Shoqata e tij dëshiron të rifillojë gjyqin për helmimin nga plumbi, në një përpjekje të re, këtë herë si bashkëpaditës.DW

Continue Reading

Botë

​Rusia, Ukraina dhe SHBA do të zhvillojnë bisedime trepalëshe në Abu Dhabi

Published

on

By

Negociatorë rusë, ukrainas dhe amerikanë do të mbajnë bisedime në Emiratet e Bashkuara Arabe të premten, në atë që zyrtarët e përshkruajnë si takimin e parë ku marrin pjesë të tria vendet që kur Moska nisi pushtimin e saj në shkallë të gjerë, gati katër vjet më parë.

Kremlini konfirmoi se zyrtarë rusë do të marrin pjesë në bisedime, pas një takimi në Moskë mes presidentit Vladimir Putin dhe të dërguarve amerikanë.

Rusia i përshkroi ato bisedime si “të dobishme në çdo aspekt”, por tha se një marrëveshje afatgjatë paqeje nuk mund të arrihet derisa të zgjidhen çështjet territoriale, shkruan BBC, transmeton KosovaPress.

Në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kritikoi aleatët evropianë për mungesë “vullneti politik” në marrjen e veprimeve kundër Rusisë.

Të pranishëm në takimin e së enjtes mbrëma me Putinin dhe dy këshilltarë të tjerë rusë ishin tre përfaqësues amerikanë, përfshirë Steve Witkoff, si dhe dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner.

Këshilltari i Kremlinit, Yuri Ushakov, tha se bisedimet ishin “thelbësore, konstruktive dhe shumë të drejtpërdrejta”, por përsëriti se çdo marrëveshje për paqe të qëndrueshme nuk do të ishte e mundur pa zgjidhjen e çështjeve territoriale.

“Derisa kjo të arrihet, Rusia do të vazhdojë të ndjekë në mënyrë të qëndrueshme objektivat e operacionit special ushtarak,” tha ai.

Ushakov shtoi se Putin theksoi se Rusia është “sinqerisht e interesuar” për një zgjidhje diplomatike.

“Pa zgjidhjen e çështjes territoriale sipas formulës së rënë dakord në Anchorage, nuk ka shpresë për të arritur një zgjidhje afatgjatë,” tha ai, duke iu referuar samitit mes Trumpit dhe Putinit në Alaska vitin e kaluar.

Witkoff vitin e kaluar kishte thënë se Rusia kishte rënë dakord të lejonte SHBA-në dhe Evropën t’i jepnin Ukrainës garanci “të fuqishme” sigurie si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme paqeje.

Pas takimit me Trumpin në Davos, Zelensky gjithashtu e bëri të qartë se statusi i ardhshëm i territorit në lindje të Ukrainës mbetet çështje e pazgjidhur përpara bisedimeve në Abu Dhabi.

“Gjithçka ka të bëjë me tokën. Kjo është çështja që ende nuk është zgjidhur,” u tha Zelensky gazetarëve në Davos, duke shtuar se “rusët duhet të jenë gati për kompromise, jo vetëm Ukraina”.

Pikat e debatit territorial përfshijnë kërkesën e Rusisë që Ukraina të heqë dorë nga 25% e rajonit të Donetskut që ende kontrollohet nga Kievi.

Zelensky bëri shaka në Davos se shpresonte që Emiratet e Bashkuara Arabe ta dinin për takimin e planifikuar të premten, por si tregues i seriozitetit të bisedimeve ai përmendi disa nga zyrtarët më të lartë si pjesë e ekipit negociator ukrainas.

Kreu i Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Rustem Umerov, tashmë po zhvillonte bisedime me zyrtarë amerikanë në Davos, së bashku me Kyrylo Budanov, kreun e zyrës së Zelenskyt, dhe negociatorin David Arakhamia. Ata do t’u bashkohen në Emirate edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Andrii Hnatov.

Nga ana ruse, delegacioni në Abu Dhabi do të udhëhiqet nga gjenerali Igor Kostyukov, drejtori i agjencisë ruse të inteligjencës ushtarake GRU, ndërsa i dërguari për investime, Kirill Dmitriev, do të takohet veçmas me Witkoff për të diskutuar çështje ekonomike.

Continue Reading

Botë

Trump tërheq ftesën e Kanadasë për në ”Bordin e Paqes”

Published

on

By

Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, ka tërhequr një ftesë për Kanadanë për t’u bashkuar me “Bordin e Paqes” të sapokrijuar, në përplasjen e fundit midis fqinjëve të Amerikës së Veriut.

“Ju lutem, lejoni që kjo Letër të shërbejë për të përfaqësuar se Bordi i Paqes po tërheq ftesën e tij drejtuar jush në lidhje me anëtarësimin e Kanadasë”, tha Trump në Truth Social në një postim drejtuar Kryeministrit Mark Carney, i cili bëri bujë këtë javë kur paralajmëroi për një “çarje” në rendin global të udhëhequr nga ShBA-ja.

Kanadaja kishte lënë të kuptohet se, ndërsa nuk do të paguante të ishte në bord, do të bashkohej.

Ndërkohë, shefi i BE-së, Antonio Costa, tha se udhëheqësit evropianë kanë dyshime serioze në lidhje me fushëveprimin e bordit, por ishin të gatshëm të punonin me organin në Gaza.

Continue Reading

Botë

Trump arrin në Zvicër për Forumin e Davosit

Published

on

By

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka arritur në Zvicër ku do t’i adresohet Forumit Ekonomik të Davosit, në një kohë të tensioneve me udhëheqësit evropianë për shkak të synimit të Uashingtonit për të marrë kontrollin e Grenlandës.

Trump udhëtoi më herët gjatë ditës drejt Zvicrës, pasi paraprakisht aeroplani presidencial u kthye pak pas nisjes, për shkak të problemeve. Më pas, Trump dhe ekipi i tij ndërruan aeroplanë dhe u nisën rreth dy orë e gjysmë më vonë drejt Zvicrës.

Aeroplani ateroi në Cyrih në mesditë dhe udhëheqësi amerikan tani niset drejt Davosit.

Continue Reading

Botë

Spanja shpall tri ditë zie, teksa rritet numri i viktimave nga përplasja e trenave

Published

on

By

Nga e marta, për tri ditë rresht në Spanjë është shpallur ditë zie, në nderim të 40 personave që u vranë pasi dy trena të shpejtë u përplasën gjatë fundjavës.

Përplasja e trenave, që ndodhi të dielën mbrëma, është aksidenti më vdekjeprurës në Spanjë që nga viti 2013, kur 80 persona vdiqën pasi një tren doli nga shinat në qytetin Santiago de Kompostela.

Aksidenti i fundit ndodhi kur një tren që po operohej nga kompania Iryo, që po udhëtonte nga Malaga për në Madrid, doli nga shinat afër Adamuzit në rajonin jugor të Andaluzisë. Treni doli në anën tjetër të shinave dhe u përplas me një tren që po vinte nga drejtimi i kundërt.

“Kjo është një ditë e dhimbjes për gjithë Spanjën, për gjithë kombin”, tha kryeministri Petro Sanchez, gjatë një adresimi për gazetarë kur qëndroi në Adamuz të hënën dhe njoftoi për shpalljen e tri ditëve të zisë.

“Ne do të marrim përgjigje dhe sapo të kuptohet shkaku i tragjedisë dhe ne do të njoftojmë për të me transparencë absolute”.

Continue Reading

Të kërkuara