Kulturë

Rilindësi në dritë: Ekspozita e Bibliotekës Kombëtare çel kapituj nga jeta dhe vepra e Sami Frashërit

Published

on

Në kuadër të 120-vjetorit të ndarjes nga jeta të Sami Frashërit, një nga figurat më të shquara të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë organizoi një ekspozitë të veçantë për të nderuar kontributin e tij të jashtëzakonshëm në kulturën dhe historiografinë shqiptare. Ekspozita u çel më 22 gusht 2024 dhe do të qëndrojë e hapur në Sallën Shkencore të BKSH-së.  

Sami Frashëri (1850-1904), i njohur ndryshe në literaturën turke si Shemseddin Sami, është një figurë e rëndësishme e historisë shqiptare. Ai lindi në Frashër të Përmetit dhe ishte vëllai më i vogël i Abdyl dhe Naim Frashërit. Mësimet e para i mori në vendlindje dhe më pas studioi në Janinë dhe Stamboll, ku zhvilloi një veprimtari të gjerë intelektuale dhe atdhetare.

Ekspozita prezanton një koleksion të pasur materialesh që ilustrojnë shumëaspektet e veprimtarisë së Frashërit. Në këtë ngjarje, vizitorët do të kenë mundësinë të shohin dokumente origjinale, kopje të veprave të tij të rëndësishme dhe materiale të tjera që pasqyrojnë aktivitetin e tij në fushën e gjuhësisë, letërsisë, dhe publicistikës.

Sami Frashëri është i njohur për përkrahjen e tij të fuqishme për çlirimin dhe bashkimin kombëtar të shqiptarëve. Ai ishte një nga organizatorët kryesorë të Komitetit Qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare dhe themeloi Shoqërinë e të Shtypurit Shkronja Shqip. Ai drejtoi revistat e para në gjuhën shqipe, “Drita” dhe “Dituria”, dhe hartoi libra të rëndësishëm për arsimin dhe kulturën shqiptare, përfshirë “Abetare e gjuhës shqipe” dhe “Dheshkronjë”.

Një pjesë e rëndësishme e ekspozitës është përkushtuar veprës madhore të Frashërit “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhet”, e cila u bë manifest i Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe sintetizoi programin dhe strategjinë e lëvizjes kombëtare. Vepra të tjera të ekspozuara përfshijnë fjalorët e tij enciklopedik dhe përkthimet e shumta që ka realizuar.

Ekspozita ofron gjithashtu një pasqyrë të veprave të tij në gjuhët e tjera, duke përfshirë fjalorin e gjuhës turke “Kamus-i turki”, dhe fjalorët e tjerë dygjuhësh që mbajnë vlerën e tyre të madhe edhe në ditët e sotme.

Përveç veprave të tij të shkruara, ekspozita përfshin edhe dokumente që tregojnë angazhimin e tij si gazetar dhe përkthyes, si dhe ndihmën e tij në përhapjen e dijeve shkencore dhe kulturore.

Vizitorët janë të ftuar të vizitojnë këtë ekspozitë të veçantë dhe të rifreskojnë njohuritë e tyre mbi kontributin e Sami Frashërit në ndërtimin e identitetit kombëtar shqiptar./UBTNews/

Lajmet

Ndahet nga jeta Salih Zogiani, ruajtësi i anekdotave shqiptare

Published

on

Ndahet nga jeta kultivuesi i anekdotave, gojëdhënave dhe i trashëgimisë burimore shqiptare, Salih Zogiani.

Ai nuk ishte vetëm një autor, por një ruajtës i fjalës së urtë, i humorit dhe i mençurisë popullore, i cili me pasion të jashtëzakonshëm mblodhi dhe botoi thesaret më të çmuara të kulturës sonë.

Librat e tij, të pasur me anekdota dhe gojëdhëna të mrekullueshme, do të mbeten një dëshmi e përjetshme e përkushtimit ndaj traditës shqiptare, duke sjellë buzëqeshje dhe reflektim te lexuesit.

Trashëgimia që la pas nuk do të shuhet kurrë; në çdo faqe të veprave të tij do të jetojë zëri i ngrohtë dhe i dashur i Salih Zogianit, që na kujton kush jemi dhe nga vijmë. Kujtimi i tij i përjetshëm dhe fjala e tij e ëmbël do të mbeten burim frymëzimi për brezat që do të vijnë.

Continue Reading

Kulturë

Kanë nisur xhirimet e filmit “Për sa t’ketë det”

Published

on

Kanë filluar xhirimet e filmit artistik me metrazh të gjatë “Për sa t’ketë det”, me skenar dhe regji nga Sovran Nrecaj dhe producente Aurela Kadriu. Ky është projekti i parë i gjatë artistik i regjisorit, i cili po realizohet nga Can and Cam në partneritet me Degjenerata, me mbështetjen e Qendrës Kinematografike të Kosovës.

Filmi trajton tema të thella njerëzore, duke u fokusuar në dhimbjet e pafolura dhe jetët që mbeten pezull në pritje. I vendosur në një shoqëri që përpiqet të rindërtohet pas luftës, rrëfimi nuk kërkon heronj apo fitimtarë, por eksploron brishtësinë e një familjeje të prekur nga humbja.

Në qendër të historisë është Sadetja, e interpretuar nga Ilire Vinca, e cila jeton një jetë modeste me bashkëshortin e saj Burimin (Alban Ukaj), fotograf, dhe djalin e tyre Lumin (Yzeir Meha). Kur Burimi i bashkohet rezistencës së armatosur dhe zhduket pa lënë gjurmë, Sadetja mbetet vetëm me të birin, duke u përballur me një humbje të hapur dhe pa përgjigje. Mes së tashmes së rëndë dhe kujtimeve që nuk e lënë të qetë, ajo përpiqet të gjejë mënyra për të mbijetuar në një realitet të vështirë shoqëror.

Xhirimet e filmit po zhvillohen aktualisht në Kosovë.

Continue Reading

Kulturë

Eksperiencat dhe kujtimet e Çarshisë së Madhe, Gjakova hap dyert për qytetarët

Published

on

By

Qytetarët e Gjakovës janë të ftuar të marrin pjesë në një takim dhe ekspozitë në kuadër të projektit për hartimin e Planit të Konservimit të Tërësisë Urbanistike “Çarshia e Madhe”.

Takimi synon të identifikojë vendet dhe shënjuesit më të rëndësishëm në qytet dhe në lagjet e komunitetit, si dhe të mbledhë kujtimet dhe përvojat e qytetarëve lidhur me ta.

Në kuadër të aktivitetit, ekspozita e fotografive do të pasqyrojë zhvillimin e qytetit ndër vite, shpërndarjen hapësinore sipas funksioneve kryesore dhe marrëdhënien e njerëzve me mjedisin fizik.

Evenimenti do të zhvillohet të premten, më 27 mars 2026, nga ora 10:00 deri në 16:00, në Galerinë e Arteve në Pallatin e Kulturës në Gjakovë, dhe është i hapur për të gjithë.

Ky projekt, i bashkëfinancuar nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit dhe me mbështetje teknike nga UN-Habitat Kosovë, synon të integrojë trashëgiminë kulturore në planifikimin hapësinor për një zhvillim të qëndrueshëm, të gjelbër dhe gjithëpërfshirës.

Continue Reading

Kulturë

Pritje e jashtëzakonshme për Teatrin “Adriana” në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit në Samsun

Published

on

Teatri “Adriana” nga Ferizaj ka përfaqësuar me sukses Republikën e Kosovës në edicionin e 8-të të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Samsun, Turqi, ku është pritur me shumë ngrohtësi nga publiku vendas.

Shfaqja “9 Shpirtrat”, një komedi që ndërthur humorin me elemente të absurdit, ka arritur të tërheqë vëmendjen e audiencës, duke u shpërblyer me reagime pozitive dhe duartrokitje të shumta. Interpretimi i trupës teatrore është vlerësuar për energjinë, profesionalizmin dhe komunikimin e drejtpërdrejtë me publikun.

Mikpritja e ngrohtë nga organizatorët dhe publiku në Samsun ka lënë mbresa të veçanta për trupën e teatrit, duke e bërë këtë eksperiencë jo vetëm artistike, por edhe kulturore.

Teatri “Adriana” vazhdon të dëshmojë se arti skenik nga Kosova ka potencial të prezantohet denjësisht në arenën ndërkombëtare.

Continue Reading

Të kërkuara