Rihanna ka humbur një shumë marramendëse prej 36 milionë dollarësh pas dështimit të projektit të saj të modës me Louis Vuitton, sipas dokumenteve financiare të kompanisë së saj britanike, Denim UK Holdings.
Këngëtarja amerikane kishte lansuar më 2019 linjën e veshjeve Fenty, në bashkëpunim me markën luksoze franceze LVMH, grupin që zotëron edhe Louis Vuitton. Por pas vetëm dy vitesh, projekti u mbyll për shkak të vështirësive të shkaktuara nga pandemia e COVID-19.
Pengesat dhe humbjet
Raportet e kohës tregonin se kufizimet e udhëtimit gjatë pandemisë e penguan Rihannën, e cila ishte përfshirë drejtpërdrejt si dizajnere të udhëtonte drejt atelieve në Paris dhe fabrikave në Itali që prodhonin veshjet.
Në momentin e nisjes së projektit, u bë e ditur se Rihanna kishte investuar afro 30 milionë euro, ndërsa LVMH kontribuoi me një shumë të ngjashme. Kompania u regjistrua në Francë nën emrin Project Loud France, si një referencë ndaj albumit të pestë të artistes, Loud.
Ajo zotëronte 49.99% të aksioneve, LVMH mbante pjesën tjetër. Pavarësisht potencialit, linja nuk arriti të gjeneronte shitjet e pritshme.
Arsyeja e mbylljes
Në vitin 2021, të dyja palët Rihanna dhe LVMH, vendosën ta mbyllin linjën e veshjeve për t’u përqendruar në sektorët më fitimprurës: kozmetikën, kujdesin e lëkurës dhe të brendshmet.
Në deklaratën e përbashkët thuhej: “LVMH dhe Rihanna rikonfirmojnë synimin për t’u përqendruar në rritjen dhe zhvillimin afatgjatë të ekosistemit Fenty, me fokus në kozmetikë, kujdes të lëkurës dhe të brendshme.”
Një luks që nuk u përqafua nga tregu
Edhe pse projekti synonte të sillte frymë të re në modën luksoze, çmimet e larta, 1,000 dollarë për një xhaketë xhins dhe 810 dollarë për një fustan me korse – e bënë linjën më pak tërheqëse për publikun e gjerë.
Sot, me një pasuri të vlerësuar rreth 1.4 miliardë dollarë, Rihanna mbetet një prej grave më të pasura në industrinë e argëtimit, falë suksesit të madh të Fenty Beauty dhe Savage x Fenty. /A.Z/UBT News/