Kroacia planifikon të investojë 932.1 milionë euro deri në vitin 2032 në zhvillimin e inteligjencës artificiale (AI), përfshirë krijimin e një modeli të madh gjuhësor për gjuhën kroate dhe një asistenti digjital për qytetarët.
Plani Kombëtar për Zhvillimin e Inteligjencës Artificiale u prezantua nga ministri kroat i Drejtësisë, Administratës dhe Transformimit Digjital, Damir Habijan. Për planin e parë të veprimit, i cili përfshin periudhën deri në vitin 2028, janë paraparë 382.1 milionë euro dhe 33 masa konkrete.
Një pjesë e rëndësishme e investimeve do të dedikohet për kërkime shkencore, inovacion, zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturën kompjuterike e të të dhënave, për të cilën janë ndarë 139 milionë euro në kuadër të planit të parë.
Inteligjenca artificiale pritet të përdoret edhe në shërbimet publike. Një nga projektet kryesore është krijimi i një asistenti në sistemin “e-Qytetarët”, i cili synon t’ua lehtësojë qytetarëve qasjen në informacione dhe shërbime administrative.
Teknologjia do të përdoret gjithashtu për të mbështetur punën e zyrtarëve në sistemin e drejtësisë. Megjithatë, autoritetet theksojnë se inteligjenca artificiale duhet të shërbejë si mjet ndihmës dhe jo si zëvendësim i njeriut në marrjen e vendimeve.
Plani parasheh që deri në vitin 2028 të trajnohen 7 mijë qytetarë për njohuritë bazë të inteligjencës artificiale, 10 mijë mësimdhënës dhe 5 mijë nëpunës shtetërorë.
Ndërkohë, konsultimet publike për planin kombëtar dhe atë të veprimit do të zgjasin 30 ditë, gjatë të cilave qytetarët, institucionet dhe bizneset mund të paraqesin propozimet dhe vërejtjet e tyre.
Në korrik, qeveria kroate kishte siguruar edhe 39 milionë euro grante për krijimin e fabrikës së parë kroate të inteligjencës artificiale, si dhe 10 milionë euro për pjesëmarrjen në një fabrikë të ardhshme evropiane të kësaj teknologjie./A.K/