Lajmet

Reuters: Kosova shkon në zgjedhje ndërsa bllokimi politik kërcënon fondet jetike

Published

on

Kosova do të mbajë zgjedhje të parakohshme parlamentare më 28 dhjetor, pas një ngërçi politik njëvjeçar që çoi në shpërbërjen e Kuvendit dhe krijoi një boshllëk prej rreth 1 miliard eurosh në financat tashmë të brishta të shtetit më të ri të Evropës.

Partia Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, doli fituese në zgjedhjet e shkurtit, por nuk arriti të sigurojë shumicën parlamentare dhe as të formojë një koalicion qeverisës, pas një fushate të ashpër dhe polarizuese. Dështimi për të ndërtuar institucione funksionale ka rritur frikën se një përsëritje e rezultatit mund ta zhysë vendin në një krizë edhe më të thellë politike dhe financiare.

Zgjedhjet vijnë vetëm katër muaj para afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri dhe në një moment kritik, kur Kosova rrezikon humbjen e fondeve të rëndësishme ndërkombëtare.

Këto janë zgjedhjet më të rëndësishme të viteve të fundit, sepse pasojnë një vit paralize institucionale dhe i paraprijnë zgjedhjes së presidentit”, vlerëson analisti politik Artan Muhaxhiri. Sipas tij, nëse Kurti fiton sërish me rreth 42 për qind të votave, bllokada politike do të vazhdojë, pasi hendeku mes Vetëvendosjes dhe partive të tjera mbetet i pakapërcyeshëm.

Në Kosovë sondazhet zgjedhore nuk publikohen, ndaj parashikimet për rezultatin mbeten të paqarta. Megjithatë, partitë kryesore opozitare kanë sinjalizuar se nuk janë të gatshme të hyjnë në koalicion me Kurtin, të cilin e akuzojnë për përkeqësim të marrëdhënieve me pakicën serbe në veri, dështim në rritjen e standardit të jetesës dhe dëmtim të imazhit ndërkombëtar të Kosovës.

Kurti, i cili erdhi në pushtet në vitin 2021, fajëson opozitën për krizën politike dhe shprehet optimist se do të sigurojë 500 mijë votat e nevojshme për një shumicë të plotë parlamentare. Në tubime elektorale, ai ka premtuar rritje pagash, investime kapitale prej një miliard eurosh në vit dhe krijimin e një njësie të re prokuroriale për luftimin e krimit të organizuar.

Një vit paralize institucionale

Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, me mbështetjen e SHBA-së dhe pas ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999. Megjithatë, vendi me rreth 1.6 milion banorë vazhdon të përballet me varfëri, paqëndrueshmëri politike dhe krim të organizuar. Mandati i parë i Kurtit mbetet i vetmi rast kur një qeveri në Republikën e Kosovës ka përfunduar një mandat të plotë.

Kriza aktuale u thellua kur Kuvendit iu deshën gjashtë muaj dhe 73 votime për të zgjedhur kryetarin e parlamentit, një kusht i domosdoshëm për formimin e qeverisë. Pas dështimit të Kurtit dhe më pas të Glauk Konjufcës për të siguruar shumicën, presidentja Vjosa Osmani shpërndau Kuvendin dhe shpalli zgjedhjet e dhjetorit.

Për momentin, shteti nuk është funksional. Çdo gjë duhet të ndryshojë, sepse asgjë nuk po ecën”, thotë Shaip Gashi, 79 vjeç, banor i Prishtinës.

Fondet ndërkombëtare në rrezik

Ngërçi politik ka pasur pasoja të rënda për financat publike. Rreth 880 milionë euro fonde të Bashkimit Evropian për buxhetin e Kosovës janë vonuar, së bashku me 127 milionë euro mbështetje nga Banka Botërore, përfshirë projekte në shëndetësi dhe arsim.

Banka Botërore ka paralajmëruar se 90 milionë euro do të humbasin nëse nuk ratifikohen nga Kuvendi deri më 13 shkurt, ndërsa afatet për pjesën tjetër të fondeve skadojnë në prill dhe maj. Edhe fondet e BE-së mbeten në rrezik nëse institucionet nuk formohen shpejt pas zgjedhjeve.

Njerëzit po presin me padurim që vendi të dalë nga kjo gjendje. Ata mezi po përballojnë shpenzimet për ilaçe dhe energji elektrike”, thotë Vlora Çitaku nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e cila po bën fushatë me fokus në përmirësimin e cilësisë së jetës përmes shëndetësisë, arsimit dhe rritjes së pagave.

Vendi

Studentët e Psikologjisë në UBT realizojnë aktivitete ndërgjegjësuese për shëndetin emocional në “Akademia Elite”

Published

on

By

Në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm për ndikim social dhe edukativ, Fakulteti i Psikologjisë në UBT ka realizuar një vizitë në institucionin “Akademia Elite”.

Nën udhëheqjen e Prof. Violeta Zefit, studentët e vitit të tretë patën mundësinë të takojnë drejtueset e akademisë dhe të bashkëbisedojnë mbi praktikat më të mira të mbështetjes psikologjike për fëmijët.

Pjesa qendrore e kësaj vizite u fokusua në zhvillimin e një sërë aktiviteteve interaktive me fëmijët, të cilat u dizajnuan posaçërisht për t’i njohur ata me botën e emocioneve dhe rolin vendimtar që luan inteligjenca emocionale në shëndetin dhe mirëqenien e tyre të përgjithshme.

Përmes lojërave edukative dhe teknikave të thjeshta shpjeguese, studentët ndihmuan fëmijët të identifikojnë dhe të shprehin ndjenjat e tyre, duke krijuar një mjedis ku mirëqenia psikologjike trajtohet si prioritet që në moshë të hershme.

Kjo nismë nuk shërbeu vetëm si një urë lidhëse mes teorisë akademike dhe praktikës në terren për studentët, por u vlerësua edhe si një kontribut i çmuar për komunitetin.

Angazhime të tilla konfirmojnë misionin e UBT-së për të përgatitur profesionistë të ndjeshëm ndaj nevojave sociale, duke ofruar ekspertizën e tyre në shërbim të institucioneve edukative dhe shëndetit mendor të gjeneratave të reja.

Continue Reading

Vendi

Profesoresha Violeta Zefi dhe studentja Zhaneta Shatri publikojnë studimin shkencor në revistën prestigjioze “International Journal of Educational Reform”

Published

on

By

Profesoresha Violeta Zefi nga Fakulteti i Psikologjisë në UBT ka publikuar artikullin e saj më të ri shkencor në revistën ndërkombëtare “International Journal of Educational Reform”, e cila botohet nga platforma prestigjioze Sage Journals.

Bashkautore në këtë punim është edhe studentja e vitit të tretë, Zhaneta Shatri, duke dëshmuar suksesin e metodologjisë së mësimdhënies së orientuar kah hulumtimi që aplikohet në UBT.

Ky artikull trajton rëndësinë e perspektivës së prindërve në rastet e fëmijëve me vështirësi specifike në të nxënë, duke vënë në pah se si qëndrimet e tyre ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin akademik dhe emocional të fëmijëve.

Përmes intervistave të thelluara me 53 prindër, studimi ka zbuluar se mungesa e informacionit shpesh krijon pasiguri në identifikimin e hershëm të sfidave me të cilat përballen fëmijët.

Si rrjedhojë, punimi thekson nevojën urgjente për krijimin e sistemeve më të forta mbështetëse, si programet edukative të përshtatura, udhëzimet profesionale dhe qasjen në shërbime psikologjike.

Ky publikim përbën një kontribut të rëndësishëm për fushën e psikologjisë dhe edukimit, duke shërbyer si një udhërrëfyes për politika më të avancuara në përkrahjen e mirëqenies së fëmijëve dhe familjeve të tyre.

Artikullin mund ta lexoni këtu: https://journals.sagepub.com/doi/abs/10.1177/10567879261436425

 

Foto: Violeta Zefi

 

Foto: Zhaneta Shatri

 

 

Continue Reading

Aktualitet

Kuvendi zgjedh dy anëtarë të Këshillit Gjyqësor

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur sot dy anëtarë të rinj të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) me një mandat pesëvjeçar.

Pas procesit të votimit, u bë e ditur se anëtarët e përzgjedhur janë Bashkim Hyseni dhe Ivana Milenkoviq, të cilët do të jenë pjesë e këtij organi të rëndësishëm të sistemit të drejtësisë.

Ndërkohë, për sa i përket pozitës së një përfaqësuesi nga komuniteti serb, Kuvendi njoftoi se procesi do të rikthehet në pikën zero pasi asnjë kandidat nuk mori votat e mjaftueshme. Si rrjedhojë, për këtë pozitë do të shpallet së shpejti një konkurs i ri për të plotësuar vendin e mbetur vakant.

Continue Reading

Lajmet

Profesori nga Holanda ligjëron në UBT për vlerësimin e pasurive të paluajtshme

Published

on

By

Në kuadër të lëndës “Vlerësimi i Paluajtshmërive 1”, të ligjëruar nga Prof. Dr. Visar Hoxha, në Fakultetin Menaxhim i Patundshmërive dhe Infrastrukturë në UBT, studentët patën mundësinë të ndjekin një ligjëratë të veçantë nga Jan Veuger real estate professor, profesor i Real Estate në Hanze University of Applied Sciences Groningen Netherlands dhe ekspert ndërkombëtar në vlerësimin e pasurive të paluajtshme, si dhe Fellow i Royal Institution of Chartered Surveyors RICS.

Gjatë ligjëratës, ai trajtoi në mënyrë praktike qasjet kryesore të vlerësimit, përfshirë Sales Comparison Approach dhe Hedonic Pricing Model, duke analizuar faktorët që ndikojnë në çmimet e pronave rezidenciale dhe komerciale në Holandë.

Ligjërata solli një kombinim të rëndësishëm të teorisë me praktikën reale të tregut, duke u ofruar studentëve një perspektivë ndërkombëtare mbi zhvillimet bashkëkohore në fushën e pasurive të paluajtshme.

Continue Reading

Të kërkuara