Kulturë

Rëndësia e gjumit në mirëqenien tonë

Sa orë duhet të flemë?

Published

on

Gjumi është gurthemeli i mirëqenies sonë. Nëse flemë të paktën 7 orë, atëherë hedhim hapa të rëndësishëm drejt shëndetit optimal. Mungesa e gjumit ka një ndikim të fortë e negativ jo vetëm në humor dhe temperament por edhe në aftësinë për tu përqendruar në punët e përditshme. Ndikimi i parë vërehet në ushqimet që konsumojmë dhe sasinë e tyre. Duke qenë se hormonet e trupit rregullohet gjatë gjumit, në mungesë të tij, hormone e ushqimit çoroditen ndjeshëm.

Si rrjedhojë, ndjesia e urisë shtohet përtej çdo imagjinate. Nuk është rastësi që kur jemi të pagjumë, na hahet më shumë. Gjumi është i rëndësishëm sepse i jep kohë trupit dhe trurit të rimëkëmbet. Gjatë fazës së gjumit të thellë, trupi kategorizon informacionet më të rëndësishme dhe i rendit ato në kujtesën afatgjatë. Nëse kjo fazë e gjumit zgjat më pak, atëherë fokusi juaj mendor është i dobët.

Për më tepër ju ndiheni të acaruar dhe nervozë. Nëse flini më pak se shtatë orë atëherë do të përballeni me shtim në peshë, diabet, tension të lartë gjaku dhe depresion. Për më tepër, do të përjetoni dhimbje trupi, sistem të dobët imunitar dhe performancë të dobët në punë. Gjumi i mirë duhet të jetë pjesë e prioriteteve tuaja të mirëqenies. Ndiqni këto këshilla dhe flini siç duhet dhe mjaftueshëm për të garantuar mirëqenien e mendjes dhe trupit tuaj.

Vendosni një objektiv
Synoni të flini shtatë orë dhe të jeni energjikë për të përballuar sfidat e ditës. Nëse zgjoheni pas një gjumi të mirë, do të ndiheni të gjallëruar e të mençur. Rrjedhimisht do të merrni vendime të zgjuara në lidhje me ushqyerjen e shëndetshme apo aktivitetin fizik. Gjumi ju bën më të motivuar dhe më të vullnetshëm për tu rezistuar tundimeve të panevojshme.

Vendosni një orar dhe respektojeni
Ndërmarrja e një angazhimi të tillë është hapi i parë drejt një gjumi cilësor. Vendosni një orar, një rutinë tuajën dhe respektojeni sa më shumë. Fikni telefonin që t’i shmangeni tundimit për të përgjuar të tjerët në rrjetet sociale Vendoseni një alarm që t’ju kujtojë se është koha për të fjetur.

Ushqehuni shëndetshëm
Kur trupi dhe mendja janë të lodhur, ju i keqinterpretoni dëshirat tuaja. Herën tjetër që kuptoni se po hani pa pasur mendjen, përpiquni të zbuloni nëse po hani se jeni të uritur apo nuk jeni ngopur me gjumë. Lodhja me urinë ngatërrohen shpesh me njëra tjetrën.

Qetësohuni
Jepini kohë vetes. Qetësohuni, merrni frymë thellë, shtendosuni dhe përqendrohuni tek momenti dhe jo ngjarjet e ditës. Nëse truri juaj gëlon nga mendimet, shkruajini ato në një letër përpara se të flini. Gjumi ka nevojë për përkushtim. Një zakon i tillë do të ndihmojë shëndetin tuaj.

Provoni këto këshilla:
• Mbani një ditar gjumi dhe shënoni çdo lloj elementi, përjetimi ose emocioni që ju shqetëson.
• Hiqni dorë nga ushqimet e rënda, çokollata dhe pijet e gazuara apo ato alkolike
• Krijoni një rutinë larg teknologjisë duke bërë banjë apo lexuar një libër./AgroWeb

Lajmet

“Uta në Sharr”, filmi i animuar shfaqet në Prishtinë dhe Prizren

Published

on

Filmi i shkurtër i animuar “Uta në Sharr”, i bazuar në librin me të njëjtin titull, do të shfaqet më 22 shtator në Kino ARMATA në Prishtinë dhe më 23 shtator në Dokukino në Prizren.

Shfaqjet do të mbahen në orën 17:30, 18:00 dhe 18:30, ndërsa hyrja është falas. Për shkak të kërkesës së madhe, pjesëmarrësit duhet të rezervojnë biletat paraprakisht.

Filmi, i cili zgjat 10 minuta, sjell në ekran bukuritë natyrore të Kosovës dhe e përdor natyrën si hapësirë për bashkim dhe mirëkuptim mes komuniteteve.

Në qendër të tregimit janë Uta dhe Deltari, të cilët udhëtojnë nëpër malet e Sharrit, duke i ftuar fëmijët të zbulojnë këtë botë së bashku, pavarësisht komunitetit nga i cili vijnë.

Animacioni është realizuar nga Anibar Studios, ndërsa skenari dhe tregimi janë të Tuba Safçiut. Kënga “Uta në Sharr” është kompozuar, shkruar, interpretuar dhe prodhuar nga Arbër Salihu (La Fazani), me vokal nga Lisa Zuka.

Projekti është pjesë e nismës “Uta në Sharr – Edukim Gjithëpërfshirës dhe Ndërgjegjësim Mjedisor përmes Tregimit të Historive, Animacionit dhe Mësimit në Natyrë”, e financuar nga Sida përmes Ambasadës së Suedisë në Prishtinë dhe e zbatuar në partneritet me Save the Children Kosova/o.

Nisma po zbatohet në 12 komuna të Kosovës dhe synon të promovojë edukimin gjithëpërfshirës, ndërgjegjësimin mjedisor dhe tregimin e historive për fëmijët dhe të rinjtë nga komunitete të ndryshme./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Sot i jepet lamtumira e fundit Flora Brovinës

Published

on

By

Sot, më 18 shtator, i jepet lamtumira e fundit ish-deputetes së Kuvendit të Kosovës dhe humanistes së njohur, Flora Brovina, e cila u nda nga jeta më 15 shtator në moshën 76-vjeçare.

Nderimet për jetën dhe veprën e saj do të fillojnë në orën 10:00 me një mbledhje komemorative në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë.

Më pas, nga ora 11:30 deri në orën 14:30, në hollin e Kuvendit të Kosovës do të mbahen homazhe shtetërore në nderim të figurës së saj.

“Ceremonia e varrimit të ish-deputetes Brovina do të bëhet të premten, më 18 shtator, në ora 16:00 në varrezat e qytetit në lagjen Arbëri në Prishtinë”, thuhet në njoftim.

Flora Brovina la pas një trashëgimi të pasur si mjeke, poete, veprimtare e të drejtave të njeriut dhe politikane me kontribut të çmuar në shtetndërtimin e Kosovës.

Continue Reading

Lajmet

Të premten mbahen ceremonitë përkujtimore dhe varrimi i Dr. Flora Brovinës

Published

on

Të premten, më 18 shtator 2026, do të zhvillohen ceremonitë përkujtimore dhe të varrimit të Dr. Flora Brovinës.

Ceremonia përkujtimore në nderim të saj do të mbahet në orën 10:00, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë.

Më pas, nga ora 11:30 deri në 14:30, homazhet do të zhvillohen në Hollin e Kuvendit të Kosovës.

Në orën 16:00, ceremonia do të vijojë me varrimin e Dr. Flora Brovinës në Varrezat e Qytetit, në Dragodan.

Ndërkaq, të shtunën dhe të dielën, më 19 dhe 20 shtator, e pamja do të mbahet në Hotel “Grand”.

Njoftimi është bërë nga familjet Begu dhe Brovina, të cilat kanë shprehur mirënjohje dhe respekt për të gjithë ata që do të marrin pjesë në ceremonitë e përcjelljes së saj./A.K/

Continue Reading

Lajmet

19 vjet nga vdekja e Robert Jordan, autori i “The Wheel of Time”

Published

on

Më 16 shtator 2007, bota e letërsisë fantastike humbi shkrimtarin amerikan Robert Jordan, pseudonimi i James Oliver Rigney Jr. Ai ndërroi jetë në moshën 58-vjeçare, duke lënë pas një prej serive më të njohura të zhanrit fantastik.

Jordan u bë i famshëm veçanërisht për serinë “The Wheel of Time”, e cila përbëhet nga 14 romane dhe një libër paraprirës. Saga ka shitur rreth 90 milionë kopje në mbarë botën dhe konsiderohet ndër veprat më të suksesshme të letërsisë fantastike.

Para se t’i përkushtohej shkrimtarisë, Jordan shërbeu në ushtrinë amerikane gjatë Luftës së Vietnamit. Pas kthimit në Shtetet e Bashkuara, ai studioi fizikë dhe punoi si inxhinier bërthamor për Marinën amerikane.

Karrierën si shkrimtar e nisi në fund të viteve ’70. Ai shkroi romane historike, një western dhe shtatë romane për personazhin Conan the Barbarian, përpara se të niste punën për “The Wheel of Time” në vitin 1984.

Fillimisht, Jordan e kishte menduar serinë si një histori prej vetëm tre librash, por projekti u zgjerua ndjeshëm me kalimin e viteve. Për shkak të problemeve shëndetësore, ai nuk arriti ta përfundonte sagën, por para vdekjes la shënime të hollësishme për mënyrën se si duhej të përmbyllej historia.

Pas vdekjes së tij, shkrimtari Brandon Sanderson mori përsipër përfundimin e serisë, duke u mbështetur në materialet e lëna nga Jordan. Tre librat e fundit u botuan nga viti 2009 deri në vitin 2013, me “A Memory of Light” që shërbeu si vëllimi përmbyllës.

19 vjet pas vdekjes së tij, Robert Jordan vazhdon të kujtohet për krijimin e një universi të gjerë letrar, i cili ka lënë gjurmë të rëndësishme në letërsinë fantastike dhe vazhdon të tërheqë lexues në mbarë botën./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara