Aktualitet

REL:Konferenca e Munihut-Merz bën thirrje për “ringjalljen” e besimit transatlantik

Published

on

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, e hapi Konferencën e Sigurisë në Munih (MSC) duke përshkruar një peizazh gjeopolitik të zhveshur nga orientimet e dikurshme dhe duke thënë se rendi i vjetër botëror “nuk ekziston më”.

Ai paralajmëroi për kërcënimet që vijnë nga Rusia dhe Kina, si dhe sugjeroi se marrëdhëniet SHBA-Evropë duhet të riparohen për t’u përballur me sfidat aktuale.

“Sado i papërsosur që ishte edhe në ditët e tij më të mira”, rendi global që “mbështetej në të drejta dhe rregulla” ka marrë fund, tha Merz në fjalimin e tij kryesor në këtë tubim vjetor.

“Kemi kaluar pragun drejt një epoke që karakterizohet sërish hapur nga fuqia dhe politika e fuqive të mëdha”.

Duke e cilësuar luftën e Rusisë kundër Ukrainës si shembullin më të qartë të këtij realiteti të ashpër, ai tha gjithashtu se Kina “i shfrytëzon në mënyrë sistematike varësitë e të tjerëve”.

Merz bëri thirrje për një “partneritet të ri transatlantik”, duke paralajmëruar se në “epokën e rivalitetit mes fuqive të mëdha, as Shtetet e Bashkuara nuk do të jenë mjaftueshëm të fuqishme për të vepruar e vetme”.

“Duhet ta kuptojmë në të dy anët e Atlantikut se jemi më të fortë së bashku… Prandaj le ta riparojmë dhe ringjallim bashkë besimin transatlantik”, tha ai.

Konferenca treditore e Sigurisë në Munih – ku marrin pjesë qindra liderë evropianë, ligjvënës, zyrtarë ushtarakë, akademikë dhe të tjerë – zhvillohet një vit pasi zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, tronditi konferencën me kritika të ashpra, duke akuzuar Evropën për politika të rrezikshme lidhur me emigracionin dhe partitë e ekstremit të djathtë.

“Është hapur një përçarje mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara”, tha Merz në fjalimin e tij.

“Zëvendëspresidenti JD Vance e tha këtë shumë hapur këtu në Munih një vit më parë”.

Duke nënvizuar gjithashtu shqetësimet në Evropë, një raport i hartuar nga organizatorët dhe i publikuar para konferencës foli për shfaqjen e “politikës së topit shkatërrues” dhe deklaroi se “më i fuqishmi ndër ata që po i godasin me sëpatë rregullat dhe institucionet ekzistuese është presidenti amerikan, Donald Trump”.

Delegacioni amerikan këtë vit udhëhiqet nga sekretari i Shtetit, Marco Rubio, i cili foli për një “moment përcaktues” në një botë që “po ndryshon shumë shpejt para syve tanë”.

“Bota po ndryshon shumë shpejt para syve tanë. Bota e vjetër ka ikur – sinqerisht, bota në të cilën u rrita – dhe ne jetojmë në një epokë të re në gjeopolitikë, dhe kjo do të kërkojë nga të gjithë ne që të rishqyrtojmë se si duket kjo dhe cili do të jetë roli ynë”, tha Rubio në komentet para nisjes nga baza ajrore Andress në Mariland.

Rubio u takua me ministrin e Jashtëm të Kinës, Wang Yi, për bisedime dypalëshe disa orë pas mbërritjes në Munih.

Rubio tha se ka gjasa të takohet me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, më 14 shkurt, kur ai të arrijë, megjithëse nuk ishte “100 për qind” i sigurt se takimi do të ndodhë.

I pyetur për sulmet e vazhdueshme ruse ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, të cilat kanë zhytur qindra mijëra njerëz në të ftohtë dhe errësirë gjatë dimrit, Rubio tha se kjo është arsyeja pse Uashingtoni po vazhdon përpjekjet e tij për paqe.

“Njerëzit po vuajnë. Është koha më e ftohtë e vitit. Është vuajtje e paimagjinueshme”, shtoi ai.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andriy Sybiha, i tha Radios Evropa e Lirë se pret të bisedojë gjithashtu me Rubion.

“Ne do të jemi të interesuar [të vazhdojmë] kontaktet tona të rregullta në nivelet më të larta”m tha Sybiha, i cili mirëpriti vizitorë, përfshirë Ministrin e Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, në një ekspozitë dronësh në “Shtëpinë e Ukrainës” në Munih.

“Vetëm [presidenti amerikan Donald] Trump mund ta përfundojë luftën, vetëm pala amerikane”, i tha Sybiha REL-it.

Trump e ka bërë përfundimin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës një prioritet që nga rikthimi i tij në presidencë në janar 2025, por Moska ka treguar pak gatishmëri për kompromis, dhe dy rundet e fundit të bisedimeve SHBA-Rusi-Ukrainë kanë lënë palët në mospajtim për çështje kyç, përfshirë kontrollin e territorit në rajonin ukrainas të Donbasit.

Zyrtarë rusë dhe ukrainas thanë më 13 shkurt se një rund i ri bisedimesh trepalëshe do të mbahet në Gjenevë më 17-18 shkurt.

“Gjëja më e rëndësishme që mund të arrijmë së bashku është përfundimi i luftës me një paqe dinjitoze dhe krijimi i garancive të besueshme të sigurisë për Ukrainën dhe për gjithë Evropën – që askush në Evropë të mos ketë frikë se do të mbetet pa mbrojtje”, shkroi Zelensky në një postim në X, ku përfshiu pamje nga mbërritja e tij në Munih.

Lufta “ka pasoja shumë përtej Ukrainës”, i tha për REL kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Stere.

“Bëhet fjalë për përballjen me forca që përdorin fuqinë ushtarake për të shtyrë interesat e tyre, çka është thelbësore për sigurinë e gjithë Evropës dhe, në fakt, edhe përtej saj”.

Store shtoi se “duhet të ushtrojmë çdo presion ndaj Rusisë që ta ndalë këtë luftë. Ajo mund të ishte ndalur çdo ditë nga Rusia. Rusia është agresori. Dhe ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për të mbështetur Ukrainën që të arrijë një armëpushim dhe një paqe të drejtë”.

Organizatorët e MSC-së thanë se ngjarja e këtij viti është më e madhja ndonjëherë, me më shumë se 1.000 delegatë, përfshirë rreth 50 krerë qeverish dhe diplomatë të lartë.

Konferenca e Munihut po zhvillohet në një kohë trazirash globale, me mundësinë e sulmeve ajrore të SHBA-së ndaj Iranit, me pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia që po i afrohet përvjetorit të katërt dhe me tensione lidhur me të ardhmen e aleancës transatlantike të NATO-s.

Këto shqetësime të fundit u shfaqën në një aktivitet të vogël anësor në prag të konferencës, ku ish-presidenti i Komisionit të BE-së, Jose Manuel Barroso, tha: “ne duhet… të mbetemi atlantikë, por ta evropianizojmë NATO-n.”

Barroso bëri thirrje për pavarësi më të madhe evropiane në mbrojtje mes frikës se Uashingtoni po tërhiqej nga angazhimi, duke shtuar se zgjerimi i Bashkimit Evropian për të përfshirë Ukrainën do të forconte gjithashtu sigurinë e tij.

“Të jemi të sinqertë, ata nuk do të jenë anëtarë të NATO-s”, i tha Barroso REL-it. “Por anëtarë të Bashkimit Evropian – mendoj se mund të jenë. Pra, le të gjejmë një mënyrë.”

E pyetur se çfarë pret nga fjalimi i Rubios në konferencë më 14 shkurt dhe nga angazhimi i SHBA-së me evropianët, ministrja e Jashtme e Rumanisë, Oana Toiu, u tha gazetarëve: “Shpresoj që delegacioni i SHBA-së… do të ritheksojë një mesazh të fortë mbështetjeje”.

“Dhe gjithashtu përtej fjalëve, përtej bisedave, mendoj se ajo që na duhet tani është veprim i përbashkët, burime të përbashkëta për qëndrueshmërinë, por edhe për procesin e paqes [në Ukrainë]”.

Toiu shtoi se “ndërtimi ose rindërtimi i besimit në partneritetin transatlantik është gjithashtu shumë i rëndësishëm për hapat e ardhshëm në procesin e paqes në Ukrainë”.

Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde, i tha REL-it se “shpreson shumë që kredia prej 90 miliardë eurosh (107 miliardë dollarë), e miratuar nga evropianët, të vihet në zbatim dhe të zbatohet sa më shpejt të jetë e mundur”, por tha se nuk kishte detaje.

Gjatë rrugës për në Munih, Rubio shprehu besim se mesazhi i tij për evropianët e shqetësuar do të “pritej mirë”. Ai shoqërohet nga një grup i madh senatorësh amerikanë nga dy partitë, të cilët kanë njoftuar takime me Zelenskyn, shefin e NATO-s, Mark Rutte, dhe të tjerë.

Në një deklaratë, anëtarja kryesore e Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit, Jeanne Shaheen, tha se do ta përdorë këtë udhëtim për të “forcuar mbështetjen për Ukrainën dhe për t’u bërë thirrje kolegëve të mi në Kongres që të miratojnë legjislacion dypartiak për sanksione për të mbajtur Rusinë dhe mbështetësit e saj përgjegjës”. /REL/

 

Continue Reading

Live

Moska e hapur për dialog me BE-në, por refuzon ultimatumat

Published

on

By

Kremlini ka njoftuar se është i hapur për të rinisur dialogun me vendet evropiane, por ka bërë të qartë se nuk do të pranojë asnjë kushtëzim apo ultimatum nga pozicioni i forcës. Kjo deklaratë e zëdhënësit Dmitry Peskov vjen pas sinjaleve se Bashkimi Evropian po tenton të hapë me kujdes kanalet e komunikimit me Moskën, të cilat u ndërprenë që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës. Sipas Kremlinit, presidenti Vladimir Putin është i gatshëm për bisedime, por hapi i parë duhet të vijë nga vetë blloku evropian, i cili deri më tani ka ndërmarrë 20 pako sanksionesh ekonomike ndaj Rusisë.

Pasi ia la për më shumë se një vit ndërmjetësimin Donald Trumpit, zyra e Presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka zhvilluar javët e fundit kontakte të shkurtra diplomatike me Kremlinin. Ndërsa kancelari austriak Christian Stocker kërkoi që BE-ja të shfrytëzojë këtë moment për bisedime, nisma e Costës ka zbuluar ndarje të thella brenda bllokut. Në samitin e fundit në Bruksel, disa shtete anëtare u ankuan se nuk ishin konsultuar paraprakisht dhe kërkuan që fokusi të mbetet ekskluzivisht te presioni ushtarak dhe sanksionet ndaj Rusisë.

Nga ana tjetër, Ukraina po rrit presionin përmes sulmeve masive me dronë në thellësi të territorit rus, duke synuar të kthejë situatën në favor të saj. Autoritetet ruse konfirmuan se nga sulmet e fundit ka mbetur e vdekur një vajzë 8-vjeçare në rajonin e Moskës, ndërsa për të dytën herë brenda pak ditësh u përfshi nga flakët një rafineri e madhe nafte në juglindje të kryeqytetit. I pyetur nëse Putin i ka parë pamjet e rafinerisë duke u djegur, Peskov u kundërpërgjigj duke u kërkuar gazetarëve të shohin shkatërrimet në qytetet ukrainase dhe paralajmëroi se sulmet ruse do të vazhdojnë nëse nuk arrihet një zgjidhje diplomatike. /Reuters/ /E.A/

Continue Reading

Vendi

Mbyten dy vajza të mitura në Tale

Published

on

By

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e sotme në plazhin e Tales, ku dy vajza të mitura, të moshës 11 dhe 9 vjeçe, janë mbytur në det.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, tragjedia ka ndodhur rreth orës 12:50. Pas marrjes së informatës, zyrtarët policorë kanë dalë menjëherë në vendngjarje dhe, në bashkëpunim të ngushtë me pushuesit e tjerë, kanë bërë të mundur gjetjen dhe nxjerrjen e trupave të pajetë në breg.

“Në bashkëpunim me pushuesit, është bërë e mundur gjetja dhe nxjerrja e trupave të pajetë në breg“, thuhet në njoftimin e policisë.  /E.A/

Continue Reading

Vendi

Dyshime për cilësinë: Bllokohen mbi 1 mijë e 400 infuzione në Spitalin e Mitrovicës

Published

on

By

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka njoftuar se ka bllokuar përkohësisht 1,432 njësi të një produkti mjekësor në Spitalin Rajonal “Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, pas dyshimeve se ai mund të mos jetë brenda specifikave të kërkuara të cilësisë.

Bëhet fjalë për infuzionet e llojit Compound Sodium Lactate (500 ml). Alarmi u ngrit fillimisht nga farmacistja përgjegjëse e spitalit, gjë që vuri në lëvizje Inspektoratin Farmaceutik dhe Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM).

Pas një inspektimi të dytë të kryer më 17 qershor, autoritetet urdhëruan bllokimin e menjëhershëm të këtij kontingjenti deri në pranimin e rezultateve nga analizat laboratorike. ShSKUK ka njoftuar opinionin publik se ky është një masë parandaluese dhe se mbetet e përkushtuar për të garantuar sigurinë e plotë të pacientëve dhe cilësinë e barnave nëpër spitalet publike. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

KQZ gati për rezultatet përfundimtare: Përfundon rinumërimi i 185 vendvotimeve

Published

on

By

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përmbyllur zyrtarisht procesin e rinumërimit për të gjitha 185 vendvotimet e kontestuara. Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, procesi ka përfunduar sot në orën 12:00 dhe të dhënat e reja tashmë janë përditësuar në platformën zyrtare të rezultateve.

Me këtë hap, KQZ-ja ka mbyllur teknikisht të gjitha aktivitetet e administrimit të votave dhe është gati për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit.

Megjithatë, përpara shpalljes zyrtare, duhet të respektohen afatet ligjore për ankesat e mundshme. Elezi sqaroi se sot përfundon afati për ankesat lidhur me administrimin e numërimit nga dita e mërkurë (17 qershor), ndërsa po ashtu do të pritet nëse do të ketë ankesa për procesin e rinumërimit të përmbyllur sot.

Për më tepër, para se të procedohet tutje, KQZ-ja do të kërkojë një konfirmim zyrtar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për të vërtetuar nëse ka ndonjë ankesë tjetër ende në shqyrtim.

Në fund, Qendra e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) do të hartojë një raport të detajuar për gjetjet në secilin prej 185 vendvotimeve. Ky raport synon të konfirmojë se procesi i parë i numërimit nëpër komuna është zhvilluar me saktësi dhe në përputhje të plotë me vullnetin e shprehur të qytetarëve, raporton Ekonomia Online. /Ekonomia Online/ /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara