Aktualitet

REL:Konferenca e Munihut-Merz bën thirrje për “ringjalljen” e besimit transatlantik

Published

on

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, e hapi Konferencën e Sigurisë në Munih (MSC) duke përshkruar një peizazh gjeopolitik të zhveshur nga orientimet e dikurshme dhe duke thënë se rendi i vjetër botëror “nuk ekziston më”.

Ai paralajmëroi për kërcënimet që vijnë nga Rusia dhe Kina, si dhe sugjeroi se marrëdhëniet SHBA-Evropë duhet të riparohen për t’u përballur me sfidat aktuale.

“Sado i papërsosur që ishte edhe në ditët e tij më të mira”, rendi global që “mbështetej në të drejta dhe rregulla” ka marrë fund, tha Merz në fjalimin e tij kryesor në këtë tubim vjetor.

“Kemi kaluar pragun drejt një epoke që karakterizohet sërish hapur nga fuqia dhe politika e fuqive të mëdha”.

Duke e cilësuar luftën e Rusisë kundër Ukrainës si shembullin më të qartë të këtij realiteti të ashpër, ai tha gjithashtu se Kina “i shfrytëzon në mënyrë sistematike varësitë e të tjerëve”.

Merz bëri thirrje për një “partneritet të ri transatlantik”, duke paralajmëruar se në “epokën e rivalitetit mes fuqive të mëdha, as Shtetet e Bashkuara nuk do të jenë mjaftueshëm të fuqishme për të vepruar e vetme”.

“Duhet ta kuptojmë në të dy anët e Atlantikut se jemi më të fortë së bashku… Prandaj le ta riparojmë dhe ringjallim bashkë besimin transatlantik”, tha ai.

Konferenca treditore e Sigurisë në Munih – ku marrin pjesë qindra liderë evropianë, ligjvënës, zyrtarë ushtarakë, akademikë dhe të tjerë – zhvillohet një vit pasi zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, tronditi konferencën me kritika të ashpra, duke akuzuar Evropën për politika të rrezikshme lidhur me emigracionin dhe partitë e ekstremit të djathtë.

“Është hapur një përçarje mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara”, tha Merz në fjalimin e tij.

“Zëvendëspresidenti JD Vance e tha këtë shumë hapur këtu në Munih një vit më parë”.

Duke nënvizuar gjithashtu shqetësimet në Evropë, një raport i hartuar nga organizatorët dhe i publikuar para konferencës foli për shfaqjen e “politikës së topit shkatërrues” dhe deklaroi se “më i fuqishmi ndër ata që po i godasin me sëpatë rregullat dhe institucionet ekzistuese është presidenti amerikan, Donald Trump”.

Delegacioni amerikan këtë vit udhëhiqet nga sekretari i Shtetit, Marco Rubio, i cili foli për një “moment përcaktues” në një botë që “po ndryshon shumë shpejt para syve tanë”.

“Bota po ndryshon shumë shpejt para syve tanë. Bota e vjetër ka ikur – sinqerisht, bota në të cilën u rrita – dhe ne jetojmë në një epokë të re në gjeopolitikë, dhe kjo do të kërkojë nga të gjithë ne që të rishqyrtojmë se si duket kjo dhe cili do të jetë roli ynë”, tha Rubio në komentet para nisjes nga baza ajrore Andress në Mariland.

Rubio u takua me ministrin e Jashtëm të Kinës, Wang Yi, për bisedime dypalëshe disa orë pas mbërritjes në Munih.

Rubio tha se ka gjasa të takohet me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, më 14 shkurt, kur ai të arrijë, megjithëse nuk ishte “100 për qind” i sigurt se takimi do të ndodhë.

I pyetur për sulmet e vazhdueshme ruse ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, të cilat kanë zhytur qindra mijëra njerëz në të ftohtë dhe errësirë gjatë dimrit, Rubio tha se kjo është arsyeja pse Uashingtoni po vazhdon përpjekjet e tij për paqe.

“Njerëzit po vuajnë. Është koha më e ftohtë e vitit. Është vuajtje e paimagjinueshme”, shtoi ai.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andriy Sybiha, i tha Radios Evropa e Lirë se pret të bisedojë gjithashtu me Rubion.

“Ne do të jemi të interesuar [të vazhdojmë] kontaktet tona të rregullta në nivelet më të larta”m tha Sybiha, i cili mirëpriti vizitorë, përfshirë Ministrin e Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, në një ekspozitë dronësh në “Shtëpinë e Ukrainës” në Munih.

“Vetëm [presidenti amerikan Donald] Trump mund ta përfundojë luftën, vetëm pala amerikane”, i tha Sybiha REL-it.

Trump e ka bërë përfundimin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës një prioritet që nga rikthimi i tij në presidencë në janar 2025, por Moska ka treguar pak gatishmëri për kompromis, dhe dy rundet e fundit të bisedimeve SHBA-Rusi-Ukrainë kanë lënë palët në mospajtim për çështje kyç, përfshirë kontrollin e territorit në rajonin ukrainas të Donbasit.

Zyrtarë rusë dhe ukrainas thanë më 13 shkurt se një rund i ri bisedimesh trepalëshe do të mbahet në Gjenevë më 17-18 shkurt.

“Gjëja më e rëndësishme që mund të arrijmë së bashku është përfundimi i luftës me një paqe dinjitoze dhe krijimi i garancive të besueshme të sigurisë për Ukrainën dhe për gjithë Evropën – që askush në Evropë të mos ketë frikë se do të mbetet pa mbrojtje”, shkroi Zelensky në një postim në X, ku përfshiu pamje nga mbërritja e tij në Munih.

Lufta “ka pasoja shumë përtej Ukrainës”, i tha për REL kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Stere.

“Bëhet fjalë për përballjen me forca që përdorin fuqinë ushtarake për të shtyrë interesat e tyre, çka është thelbësore për sigurinë e gjithë Evropës dhe, në fakt, edhe përtej saj”.

Store shtoi se “duhet të ushtrojmë çdo presion ndaj Rusisë që ta ndalë këtë luftë. Ajo mund të ishte ndalur çdo ditë nga Rusia. Rusia është agresori. Dhe ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për të mbështetur Ukrainën që të arrijë një armëpushim dhe një paqe të drejtë”.

Organizatorët e MSC-së thanë se ngjarja e këtij viti është më e madhja ndonjëherë, me më shumë se 1.000 delegatë, përfshirë rreth 50 krerë qeverish dhe diplomatë të lartë.

Konferenca e Munihut po zhvillohet në një kohë trazirash globale, me mundësinë e sulmeve ajrore të SHBA-së ndaj Iranit, me pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia që po i afrohet përvjetorit të katërt dhe me tensione lidhur me të ardhmen e aleancës transatlantike të NATO-s.

Këto shqetësime të fundit u shfaqën në një aktivitet të vogël anësor në prag të konferencës, ku ish-presidenti i Komisionit të BE-së, Jose Manuel Barroso, tha: “ne duhet… të mbetemi atlantikë, por ta evropianizojmë NATO-n.”

Barroso bëri thirrje për pavarësi më të madhe evropiane në mbrojtje mes frikës se Uashingtoni po tërhiqej nga angazhimi, duke shtuar se zgjerimi i Bashkimit Evropian për të përfshirë Ukrainën do të forconte gjithashtu sigurinë e tij.

“Të jemi të sinqertë, ata nuk do të jenë anëtarë të NATO-s”, i tha Barroso REL-it. “Por anëtarë të Bashkimit Evropian – mendoj se mund të jenë. Pra, le të gjejmë një mënyrë.”

E pyetur se çfarë pret nga fjalimi i Rubios në konferencë më 14 shkurt dhe nga angazhimi i SHBA-së me evropianët, ministrja e Jashtme e Rumanisë, Oana Toiu, u tha gazetarëve: “Shpresoj që delegacioni i SHBA-së… do të ritheksojë një mesazh të fortë mbështetjeje”.

“Dhe gjithashtu përtej fjalëve, përtej bisedave, mendoj se ajo që na duhet tani është veprim i përbashkët, burime të përbashkëta për qëndrueshmërinë, por edhe për procesin e paqes [në Ukrainë]”.

Toiu shtoi se “ndërtimi ose rindërtimi i besimit në partneritetin transatlantik është gjithashtu shumë i rëndësishëm për hapat e ardhshëm në procesin e paqes në Ukrainë”.

Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde, i tha REL-it se “shpreson shumë që kredia prej 90 miliardë eurosh (107 miliardë dollarë), e miratuar nga evropianët, të vihet në zbatim dhe të zbatohet sa më shpejt të jetë e mundur”, por tha se nuk kishte detaje.

Gjatë rrugës për në Munih, Rubio shprehu besim se mesazhi i tij për evropianët e shqetësuar do të “pritej mirë”. Ai shoqërohet nga një grup i madh senatorësh amerikanë nga dy partitë, të cilët kanë njoftuar takime me Zelenskyn, shefin e NATO-s, Mark Rutte, dhe të tjerë.

Në një deklaratë, anëtarja kryesore e Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit, Jeanne Shaheen, tha se do ta përdorë këtë udhëtim për të “forcuar mbështetjen për Ukrainën dhe për t’u bërë thirrje kolegëve të mi në Kongres që të miratojnë legjislacion dypartiak për sanksione për të mbajtur Rusinë dhe mbështetësit e saj përgjegjës”. /REL/

 

Continue Reading

Lajmet

Reuters: Presidentja e Kosovës shpërndan parlamentin, shpall zgjedhje të parakohshme

Published

on

By

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shpërndau të premten Parlamentin dhe shpalli zgjedhjet e parakohshme, pasi ligjvënësit dështuan të zgjedhin kreun e ri të shtetit brenda afatit kushtetues, ka raportuar media prestigjioze ndërkombëtare Reuters.

Parlamenti kishte afat deri të enjten në mesnatë për të zgjedhur një president të ri para se mandati i Osmanit të përfundojë në prill, por partitë opozitare refuzuan të marrin pjesë në votim. Sipas ligjeve të vendit ballkanik, dështimi për të zgjedhur presidentin e ri nxit automatikisht zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Ky veprim zgjat bllokadën politike në Kosovë, shtetin më të ri të Evropës që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Vendi mbeti pa një qeveri funksionale për pjesën më të madhe të vitit të kaluar, pasi parlamenti i fragmentuar dështoi për muaj të tërë të zgjidhte qoftë edhe kryetarin e Kuvendit.

Zgjedhjet e ardhshme do të jenë të tretat në pak më shumë se një vit. Kosova tashmë mbajti zgjedhje të parakohshme më 28 dhjetor, pas dështimit për të formuar qeverinë pas zgjedhjeve të shkurtit 2025.

“Një parlament që nuk mund të zgjedhë një president, nuk mund të vazhdojë pafundësisht ta zvarrisë procesin ashtu siç po tentohet,” tha Osmani në një deklaratë. “Askush nuk duhet të dëshirojë një tjetër cikël politik, veçanërisht në këtë moment kur vendi ka nevojë për stabilitet.”

Osmani pritet të takohet me partitë politike këtë të premte, para se të caktojë datën e saktë të zgjedhjeve.

Fitorja bindëse e partisë Vetëvendosje të Kryeministrit Albin Kurti në dhjetor dukej se do t’i jepte fund ngërçit. Në atë kohë, shumë analistë politikë besonin se opozita do të merrte pjesë në votimin për zgjedhjen e presidentit. Megjithatë, megjithëse Vetëvendosja fitoi mjaftueshëm ulëse për të formuar qeverinë, ajo dështoi të siguronte pjesëmarrjen e nevojshme të opozitës për kuorumin e zgjedhjes së presidentit.

Partitë opozitare kanë kërkuar një kandidat konsensual, por Kurti ka nominuar Ministrin e tij të Jashtëm, Glauk Konjufca./Reuters/

 

Continue Reading

Lajmet

Jashari koordinon dërgimin e trupave me ushtrinë e SHBA-së për në Gaza

Published

on

By

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka realizuar sot një video-konferencë me komandantin e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (International Stabilization Force), Gjeneral Major Jasper Jeffers III nga ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të bërë koordinimet e nevojshme për dislokimin e FSK-së në Rripin e Gazës.

Në këtë bisedë, Jashari i ka rikonfirmuar Gjeneralit Jeffers gatishmërinë e FSK-së për pjesëmarrje në këtë operacion ndërkombëtar me një kontingjent ushtarak.

“FSK është ushtri profesionale, e trajnuar me standarde të NATO-s dhe e gatshme të eksportojë siguri kurdo që një gjë e tillë kërkohet nga ushtritë e shteteve partnere, e në këtë rast të SHBA-së”, njofton FSK-ja.

Në fund të takimit, Gjenerali Jeffers III e falënderoi Gjeneral Jasharin për gatishmërinë e FSK-së për të ofruar siguri në Lindjen e Mesme, duke e vlerësuar forcën tonë si një partner serioz në promovimin e paqes dhe stabilitetit në botë.

Continue Reading

Aktualitet

Luftëtarët elitë të Hezbollahut kthehen në jug të Libanit për të luftuar trupat izraelite

Published

on

By

Hezbollahu ka shtuar luftëtarë elitë për t’u përballur me forcat izraelite në jug të Libanit, duke i rikthyer ata në rajonin kufitar nga i cili ishin tërhequr pas luftës së vitit 2024. Lajmi bëhet i ditur nga tre burime libaneze të mirëinformuara mbi këto lëvizje, ndërkohë që grupi i mbështetur nga Irani po zhytet gjithnjë e më thellë në konfliktin e Lindjes së Mesme.

Anëtarët e forcave “Radwan” të Hezbollahut kanë marrë urdhra për t’u përfshirë në betejë dhe për të bllokuar përparimin e tankeve izraelite. Burimet cituan si shembull qytetin e Khiyamit – një nga disa zonat ku raportohet se trupat izraelite kanë përparuar të mërkurën.

Hezbollahu, një grup mysliman shiit libanez i themeluar nga Garda Revolucionare e Iranit në vitin 1982, hyri në luftë të hënën, duke hapur zjarr për të marrë hak për vdekjen e liderit suprem të Iranit, i cili u vra në një sulm të befasishëm SHBA-Izrael në Teheran.

Izraeli ka kryer sulme të rënda në jug të Libanit dhe më gjerë që nga ajo kohë, duke dërguar më shumë trupa përtej kufirit dhe duke urdhëruar libanezët të largohen nga një pjesë e madhe e territorit në rajonin kufitar, ku ushtria izraelite kishte mbajtur ushtarë në disa pozicione që nga lufta e vitit 2024.

Udhëheqësi i Hezbollahut, Naim Qassem, tha në një fjalim televiziv të mërkurën se grupi do të përballet me atë që ai e përshkroi si një plan izraelit për “pushtim dhe zgjerim”.

“Për ne, kjo është një mbrojtje ekzistenciale,” tha ai.

Rikthimi i forcave “Radwan”

Sipas burimeve, të cilat folën në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së temës, luftëtarët elitë u dislokuan në jug pasi grupi hapi zjarr me raketa dhe dronë të hënën. Ata ishin larguar nga ajo pjesë e Libanit – konkretisht nga zona midis lumit Litani dhe kufirit me Izraelin – pas një armëpushimi të ndërmjetësuar nga SHBA në luftën e vitit 2024, duke u zhvendosur në veri të lumit.

Burimet nuk specifikuan numrin e saktë të forcave elitë që janë dislokuar. Presidenti i Libanit, Joseph Aoun, ka deklaruar se sulmet fillestare të Hezbollahut të hënën u kryen nga pozicionet në veri të lumit Litani.

Situata në terren dhe bilanci i vitit 2024

Një zëdhënës ushtarak izraelit tha se po verifikonin raportet, por nuk dha menjëherë komente mbi dëshmitë e burimeve. Ushtria libaneze refuzoi të komentonte, ndërsa zyra e Kryeministrit Nawaf Salam nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment.

Ushtria izraelite njoftoi të mërkurën se dy ushtarë u plagosën si pasojë e zjarrit antitank kundër trupave në jug të Libanit, duke shënuar lëndimet e para të raportuara në radhët e forcave izraelite që nga fillimi i luftës rajonale. Ndërkohë, Hezbollahu ka njoftuar disa sulme që shënjestrojnë tanket izraelite këtë javë, së bashku me lëshime të shumta raketash dhe dronësh drejt Izraelit.

Për t’i dhënë një pasqyrim historisë së këtij konflikti, në luftën e vitit 2024 u vranë rreth 5,000 luftëtarë të Hezbollahut, shumë prej të cilëve anëtarë të forcës elitë “Radwan”. Ajo luftë e la Hezbollahun e dëmtuar rëndë.

Pas armëpushimit të vitit 2024, i cili kërkonte që ushtria libaneze të konfiskonte të gjitha armët e paautorizuara në jug të lumit Litani, ushtria sekuestroi shumë depo armësh të Hezbollahut. Grupi deklaroi në atë kohë se respektonte armëpushimin në jug të Litanit, por pretendoi se ai nuk zbatohej për pjesën tjetër të Libanit.

 

Continue Reading

Aktualitet

LVV kundërshton shpërndarjen e Kuvendit, Nagavci: Do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese

Published

on

By

Shefja  e grupit parlamentar të Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci e konsideron antikushtetues vendimin për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës. Përmes një konference për media, deputetja Arbërie Nagavci bëri të ditur se partia e saj do të dorëzojë kërkesën në Gjykatën Kushtetuese për të kontestuar ligjshmërinë e këtij akti.

Nagavci argumentoi se ky vendim është i paarsyeshëm, veçanërisht duke pasur parasysh agjendën parlamentare që ishte planifikuar për ditën e sotme. Sipas saj, shpërndarja ka bllokuar procese me peshë financiare për vendin.

“Nuk ka asnjë arsye se pse duhej të ndodhte një akt i tillë sot në mëngjes. Me kërkesën e Qeverisë sot në 14:00 ka qenë e ftuar një seancë për shqyrtimin e marrëveshjeve ndërkombëtare me vlerë rreth 100 milionë euro projekte me interes të qytetarëve”, ka thënë ajo në konferencë për media.

Kjo lëvizje e LVV-së vjen si reagim i menjëhershëm ndaj dekretit të fundit, duke e cilësuar atë si një pengesë për realizimin e projekteve në interes të publikut.

 

Abdixhiku mbështet shpërndarjen e Kuvendit: “U mbrojt rendi kushtetues”

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar mbështetjen e tij për vendimin e Presidentes Vjosa Osmani-Sadriu për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

Sipas Abdixhikut, LDK-ja vlerëson përgjegjësinë dhe qartësinë kushtetuese që Presidentja ka treguar përmes këtë vendimi, duke vepruar në mbrojtje të rendit kushtetues dhe funksionimit normal të institucioneve të Republikës.

Kreu i LDK-së u shpreh se dështimet politike dhe tendencat për imponim nuk mund të prodhojnë zvarritje procedurale, të cilat do ta shndërronin Kosovën në një vend pa norma dhe rregulla. Ai u shpreh i gatshëm që partia e tij të marrë pjesë në konsultimet e menjëhershme për caktimin e datës së zgjedhjeve të reja.

Në fund, Abdixhiku nënvizoi se zgjedhjet nuk ishin alternativa e preferuar e LDK-së dhe se ekzistonte mundësia për ta evituar këtë proces. Megjithatë, siç u shpreh ai: “Apetitet për kapje njëpartiake të të gjitha pozitave shtetërore parandaluan çdo kompromis eventual”.

 

Kosova drejt zgjedhjeve të reja: Presidentja Osmani shpërndan Kuvendin

Në mëngjesin e së premtes, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nënshkruar zyrtarisht dekretin për shpërndarjen e legjislaturës aktuale të Kuvendit. Ky vendim vjen si pasojë e ngërçit politik të krijuar në institucionin ligjvënës.

Në një deklaratë për mediat, Osmani sqaroi se pamundësia e deputetëve për të zgjedhur kreun e ri të shtetit gjatë natës së mbrëmshme e ka dërguar vendin në mënyrë të pashmangshme drejt procesit të parakohshëm zgjedhor.

“Kjo situatë ka qenë plotësisht e evitueshme. Është fatkeqësi e madhe që ata përfaqësues nuk zgjodhën interesin e popullit”, ka theksuar ajo.

Procesi i zgjedhjes u ndërpre gjatë një seance të jashtëzakonshme të mbajtur vonë të enjten, vetëm pak orë para se të skadonte afati ligjor i paraparë me Kushtetutë. Shkak për këtë u bë mungesa e votave të mjaftueshme në sallë për të vijuar me procedurat.

Sipas rregullave në fuqi, për zgjedhjen e presidentit kërkohet prania e 80 deputetëve në kuti gjatë dy raundeve të para, ndërsa në të tretin nevojiten të paktën 61 vota. Megjithatë, të enjten ishin të pranishëm vetëm 66 deputetë të shumicës qeverisëse, pasi opozita zgjodhi të mos merrte pjesë.

Gjatë ditës së premte, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nënshkruar zyrtarisht dekretin për shpërndarjen e legjislaturës aktuale të Kuvendit. Ky vendim vjen si pasojë e ngërçit politik të krijuar në institucionin ligjvënës.

Në një deklaratë për mediat, Osmani sqaroi se pamundësia e deputetëve për të zgjedhur kreun e ri të shtetit gjatë natës së mbrëmshme e ka dërguar vendin në mënyrë të pashmangshme drejt procesit të parakohshëm zgjedhor.

“Kjo situatë ka qenë plotësisht e evitueshme. Është fatkeqësi e madhe që ata përfaqësues nuk zgjodhën interesin e popullit”, ka theksuar ajo.

Procesi i zgjedhjes u ndërpre gjatë një seance të jashtëzakonshme të mbajtur vonë të enjten, vetëm pak orë para se të skadonte afati ligjor i paraparë me Kushtetutë. Shkak për këtë u bë mungesa e votave të mjaftueshme në sallë për të vijuar me procedurat.

Sipas rregullave në fuqi, për zgjedhjen e presidentit kërkohet prania e 80 deputetëve në kuti gjatë dy raundeve të para, ndërsa në të tretin nevojiten të paktën 61 vota. Megjithatë, të enjten ishin të pranishëm vetëm 66 deputetë të shumicës qeverisëse, pasi opozita zgjodhi të mos merrte pjesë.

Lajm në zhvillim…

Continue Reading

Të kërkuara