Aktualitet

REL: Shtëpia e Bardhë paralajmëron Iranin që të arrijë marrëveshje me SHBA-në

Published

on

Shtëpia e Bardhë e ka paralajmëruar Iranin se do të ishte “i mençur” që të arrinte një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara, teksa presidenti amerikan, Donald Trump, sërish aludoi në një veprim ushtarak.

Të dyja palët së voni kanë rinisur bisedimet indirekte, të ndërmjetësuara nga Omani, pasi Trump vazhdimisht kërcënoi me një veprim ushtarak kundër Iranit për shkak të shtypjes vdekjeprurëse të protestave muajin e kaluar.

Përpjekjet e kaluara për negociata kolapsuan pasi Izraeli kreu sulme të befasishme ndaj Iranit qershorin e vitit të kaluar, duke nisur një luftë 12-ditore, gjatë së cilës Uashingtoni kreu po ashtu bombardime ndaj ndërtesave bërthamore të Iranit.

“Irani do të ishte shumë i mençur nëse do të arrinte një marrëveshje me presidentin Trump dhe administratën e tij”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.

Një ditë më parë, Trump përmes një postimi në Truth Social sërish sugjeroi se SHBA-ja mund ta sulmojë Iranin, teksa në Lindjen e Mesme SHBA-ja ka dislokuar forca ushtarake.

Ai paralajmëroi Britaninë që të mos heqë dorë nga sovraniteti mbi Ishujt Çagos në Oqeanin Indian, duke thënë se baza ajrore në arkipelag, Diego Garcia, mund të përdoret nëse Irani nuk pranon një marrëveshje, “për të neutralizuar një sulm të mundshëm nga një regjim shumë i paqëndrueshëm dhe i rrezikshëm”.

Rrjetet televizive amerikane CNN dhe CBS raportuan të mërkurën se ushtria amerikane mund të jetë gati të nisë sulme kundër Iranit që nga kjo fundjavë, megjithëse raportohet se Trump ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar.

Ndërkaq, The Wall Street Journal tha se Trump është informuar për opsionet e tij ushtarake, të cilat janë “të gjitha të dizajnuara për të maksimizuar dëmin”, përfshirë edhe një fushatë për të “vrarë dhjetëra udhëheqës politikë dhe ushtarakë iranianë, me synimin për rrëzimin e Qeverisë”, raportoi kjo gazetë duke cituar zyrtarë anonimë amerikanë.

Të mërkurën, kryediplomati iranian, Abbas Araghchi, tha se Irani është duke “hartuar” një kornizë për bisedime të ardhshme me SHBA-në.

Irani dhe SHBA-ja zhvilluan të martën në Gjeneva rundin e dytë të negociatave, të ndërmjetësuara nga Omani.

Araghchi tha se Teherani ishte pajtuar me Uashingtonin për “parime udhëzuese”, por nënpresidenti amerikan, JD Vance, deklaroi se Irani ende nuk i ka pranuar të gjitha vijat e kuqe të SHBA-së.

Duke folur të mërkurën, presidenti iranian Masoud Pezeshkian këmbënguli se “ne nuk duam luftë”, por la të kuptohet se Teherani nuk mund t’iu nënshtrohet kërkesave të SHBA-së.

“Që nga dita kur mora detyrën, kam besuar se lufta duhet lënë mënjanë. Por, nëse ata do të përpiqen të na imponojnë vullnetin e tyre, të na poshtërojnë dhe të kërkojnë që ne të ulim kokën me çdo kusht, a duhet ta pranojmë këtë?”.

Bisedimet e ndërmjetësuara nga Omani synojnë të shmangin mundësinë e një veprimi ushtarak amerikan, ndërkaq Teherani po kërkon që Uashingtoni të heqë sanksionet që kanë gjymtuar ekonominë iraniane.

Irani ka insistuar se diskutimet duhet të kufizohen vetëm në çështje bërthamore, edhe pse më herët Uashingtoni ka kërkuar që në tryezë të negociatave të jetë edhe programi i raketave balistike të Teheranit si dhe mbështetja që Republika Islamike jep për grupet e armatosura në rajon.

Përderisa bisedimet kanë rinisur, SHBA-ja ka dislokuar forca afër Iranit.

Uashingtoni ka urdhëruar dërgimin e një aeroplanmbajtësi të dytë në rajon. Aeroplanmbajtësi i parë, USS Abraham Lincoln ka rreth 80 aeroplanë në bord dhe është pozicionuar rreth 700 kilometra larg bregut iranian që nga e diela, sipas pamjeve satelitore.

Irani ka kërkuar të shfaqë fuqinë e vet ushtarake, teksa Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike ka nisur të hënën një seri stërvitjesh ushtarake në Ngushtica e Hormuzit.

Politikanët iranianë vazhdimisht kanë kërcënuar se do ta bllokojnë këtë ngushticë, që është një rrugë kyç për transportin e naftës dhe gazit. Më herët gjatë javës, televizioni shtetëror iranian tha se Teherani do të mbyllë pjesë të kësaj ngushtice për shkak të sigurisë në kohën kur po zhvillohen stërvitjet. /REL/

 

 

Continue Reading

lajme

Goditet ura e dytë kryesore në Kiev, Klitschko paralajmëron për situatë “dramatike”

Published

on

By

Një sulm rus ka goditur një urë të dytë kryesore në Kiev, ka bërë të ditur kryetari i bashkisë, Vitali Klitschko, ndërsa Rusia po intensifikon sulmet mbi infrastrukturën kritike në kryeqytetin ukrainas, raporton BBC.

Sulmi të shtunën në mëngjes dëmtoi shtresën e rrugës dhe linjat ajrore të trolejbusëve në Urën Veriore (Northern Bridge), deklaroi Klitschko, duke shkaktuar bllokimin e qarkullimit të automjeteve.

Goditja vjen pasi një tjetër urë kyçe e qytetit, Ura e Jugut, u shënjestrua disa herë nga dronët rusë të enjten dhe të premten. Klitschko më herët paralajmëroi se sulme të tilla po e “shqyejnë Kievin”.

Urat e Veriut dhe të Jugut lidhin pjesët lindore dhe perëndimore të kryeqytetit dhe nuk ishin goditur kurrë më parë para të enjtes, gjë që sinjalizon një fazë të re në strategjinë e Moskës.

Sulmet mbi Urën e Jugut kanë shkaktuar kaos të madh në transport që nga e enjtja, me pezullimin e qarkullimit të metrosë dhe makinave mbi të. Shumë nga banorët e qytetit — i cili numëron rreth tre milionë banorë — mbështeten te metroja për të udhëtuar përmes qytetit.

Në sulmin e së enjtes, një dron rus goditi kabllot e urës Pivdennyi në Kiev.

Duke shkruar në Telegram të shtunën, Klitschko tha: “Goditje në Urën e Veriut. Shërbimet e urgjencës janë rrugës.”

“Qarkullimi në urë nga bregu i majtë në të djathtin për momentin është i bllokuar,” shtoi ai.

Sulmet e mëparshme në Urën e Jugut shtynë këshillin e mbrojtjes të Kievit të mbante një mbledhje krize të premten, pas së cilës Klitschko paralajmëroi se qyteti ndodhet në një “situatë shumë dramatike”, ndërsa Moska po godet “infrastrukturën kritike, logjistikën, strehimin” dhe objekte të tjera kyçe.

Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se Rusia po vepron si përgjigje ndaj sulmeve të Ukrainës mbi objektet energjetike ruse, me gjithë faktin se ishte vetë Moska ajo që kishte nisur e para sulme të tilla.

Pas sulmit në Urën e Jugut, udhëtarët përshkruan se si pluhuri nga vala e shpërthimit hyri në vagonin e tyre përmes sistemit të ventilimit.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se Putin ka vendosur që “tashmë nuk ka rregulla” gjatë sulmeve ndaj Ukrainës.

Në një intervistë për Financial Times, ai tha: “Rusët dështuan të na pushtojnë. Kështu që tani po kryejnë sulme masive dhe vrasje masive.”

Ai shtoi: “Ata duan të shkatërrojnë urat tona… qendrat tona të të dhënave, internetin, rrjetet celulare, spitalet, kopshtet, shkollat, universitetet — gjithçka. Ata duan që njerëzit të ikin nga qytetet e tyre.” /BBC/

 

Continue Reading

Vendi

PDK kërkon seancë urgjente të Kuvendit sot për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale

Published

on

By

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar që sot, më 3 tetor, të mbahet seancë e Kuvendit të Kosovës për të votuar në dy lexime ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka deklaruar se vendimi i Qeverisë për të përcjellë në Kuvend plotësim-ndryshimin e këtij ligji është një hap i rëndësishëm dhe se procedurat parlamentare duhet të nisin pa vonesë.

“Ligji duhet të trajtohet dhe të votohet në të dy leximet. Prandaj, procedura duhet të nisë SOT në seancën e Kuvendit, duke pasur parasysh afatin prej 72 orësh ndërmjet dy leximeve“, ka thënë Musliu.

Ajo ka theksuar se Kosovës i nevojitet edhe një strategji e koordinuar juridike e diplomatike me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë për procesin e apelimit të vendimit të 16 shtatorit dhe mbrojtjen e luftës së UÇK-së. Sipas saj, çështja është mbi kalkulimet politike dhe përfaqëson interes shtetëror, posaçërisht para se vendi të shkojë në zgjedhje./E.A/

Continue Reading

lajme

Qeveria miraton ndryshimet për Dhomat e Specializuara

Published

on

By

Qeveria e Kosovës ka konstatuar se nuk ka asnjë shkelje apo pengesë ligjore në nismën legjislative të ndërmarrë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Përmes një mbledhjeje elektronike të mbajtur të premten në mbrëmje, Ekzekutivi ka miratuar vendimin me të cilin i ka përcjellë Kuvendit të Kosovës vlerësimin dhe përgjigjet e nevojshme zyrtare lidhur me këtë nismë.

Sipas njoftimit zyrtar, përgjigja e Qeverisë përfshin opinionin ligjor të përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së , vlerësimin e ndikimit buxhetor, si dhe opinionin ligjor mbi përmbajtjen e projektligjit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar vendimin me të cilin i përgjigjet kërkesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për Nismën legjislative për ‘Projektligjin Nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializua”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Me këtë vendim, procedura i kalon tashmë Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe procedim tëmëtejshëm ligjvënës. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Shkarkohet Blerim Isufaj nga posti i Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale

Published

on

By

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, është shkarkuar të premten nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka mësuar KOHA.

Gjatë ditës ishte bërë e ditur se KPK-ja do të mblidhej në një takim të jashtëzakonshëm, ku në rend dite ishte diskutimi për performancën e Isufajt.

Isufaj ishte zgjedhur për herë të parë në krye të Prokurorisë Speciale në vitin 2019, ndërsa ishte rizgjedhur në këtë pozitë në vitin 2023.

Gjatë mandatit të tij, Isufaj ka qenë një prej figurave më të kritikuara në sistemin prokurorial nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai ishte votuar edhe nga Këshilli Prokurorial për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, por procesi kishte mbetur pezull dhe nuk ishte dekretuar nga ish-presidentja Vjosa Osmani.

Kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar më herët se në sistemin prokurorial “shumica e problemeve kanë emër të përveçëm”, duke iu referuar Isufajt.

Më 2 shtator, Isufaj pati një përplasje me disa anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Përplasjet u zhvilluan gjatë shqyrtimit të raportit të punës së Prokurorisë Speciale për vitin 2025, i cili më pas u rrëzua nga KPK-ja.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara