Lajmet

REL: Nga frika te fuqizimi: Çka i pret gratë pas raportimit të dhunës në familje?

Published

on

Në ndërtesën katërkatëshe të Qendrës për Mirëqenien e Gruas në Pejë, ditët nisin ngjashëm. Gratë e strehuara atje bëhen bashkë për të gatuar mëngjesin për vete dhe fëmijët e tyre.

Por, këto gra, që i bashkon e kaluara – të gjitha i kanë mbijetuar dhunës nga bashkëshortët e tyre – nuk ndjekin më vonë përditshmërinë e njëjtë.

Kurse rrobaqepësie, kompjuterike, kuzhinierie… Seanca me avokaten për ndihmë juridike, takime me stafin psikosocial, vizita nga familjarë, përgatitja e fëmijëve për shkollë… Secila personalizon ditën e saj ashtu siç dëshiron.

“Prej ditës kur ajo mbledh forcën t’i thotë ‘jo’ dhunës, ne mundohemi që ta ruajmë atë forcë të saj, ta përkrahim”, thotë Ardita Bala, drejtoreshë e qendrës në Pejë, ku strehohen të mbijetuarat e dhunës në familje.

Ajo tregon se nga këto kurse – që përfundojnë me certifikata nga Qendrat për Aftësim Profesional – ka pasur gra që kanë nisur të punojnë qysh gjatë kohës sa ishin të strehuara aty. Kështu, kur kanë dalë nga strehimorja, ato kanë pasur një buxhet të tyre për ta rinisur jetën.

Në këtë qendër, ku ka hapësirë për 16-18 persona, çdo grua që ka raportuar dhunën në familje në Policinë e Kosovës, mund të strehohet fillimisht me një kontratë gjashtëmujore, të ndërmjetësuar nga Qendra për Punë Sociale.

Megjithatë, Bala tregon se qëndrimi në këtë strehimore nuk është i caktuar me afat të prerë, pasi që kontrata fillestare zgjatet derisa secila grua e vlerëson veten të gatshme për t’u larguar.

“Ideja është të mos e lëmë askënd jashtë, të mos i themi jo një gruaje në nevojë”, shton ajo.

Bala thekson se gratë në këtë qendër tregojnë shumë solidaritet me njëra-tjetrën, i ndihmojnë njëra-tjetrës që të ambientohen qysh nga dita e parë dhe ndërtojnë raporte shoqërie përplot përkrahje.

Sipas një raporti të publikuar muajin e kaluar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, rreth 4.7 për qind e grave në Kosovë raportojnë të kenë përjetuar dhunë fizike dhe/ose seksuale nga partnerët e tyre intimë.

Shpeshherë, gratë që vendosen nëpër strehimore shoqërohen nga fëmijët e tyre. Stafi i qendrës sigurohet që edhe për ata të ketë aktivitete dhe punimet e tyre ekspozohen në muret e qendrës.

Në ditën kur Radio Evropa e Lirë vizitoi këtë qendër, më 28 nëntor, katër vajza nga fëmijët në këtë qendër kishin përgatitur një program festiv.

Një nga një, ato recituan nga një vjershë, vallëzuan e kënduan.

Kjo strehimore që funksionon që nga viti 2001, ka strehuar deri më tani 1.758 gra. Ka pasur gra me fëmijë e pa fëmijë, si dhe gra shtatzëna.

Bala tregon se, sipas shumë hulumtimeve, nga pesë gra që përjetojnë dhunë në familje, vetëm njëra e raporton. Shumë herë, thotë ajo, kjo bëhet me idenë se në këtë mënyrë ruhet familja dhe mbrohen fëmijët.

“Por, pikërisht për shkak të fëmijëve, ato duhet ta raportojnë dhunën. Të dhënat tregojnë se, përndryshe, djemtë rriten që të bëhen si babai dhe vajzat rriten që të bëhen viktima të ardhshme”, shpjegon ajo.

Vetë Bala ka rastisur në këtë cikël. Ajo tregon se ka pasur raste kur ka strehuar një grua me vajzën e saj në strehimore dhe se, pas shumë vitesh, ka ardhur edhe vajza e saj si e mbijetuar e dhunës nga partneri.

“Kjo ndodh sepse dhuna është sjellje e mësuar. Dëmi më i madh është ai që u bëhet fëmijëve, sepse janë shumë të vegjël për të kuptuar”, përfundon Bala.

Në vitin 2023, organizata ndërkombëtare që merret me të drejtat e njeriut, Amnesty International, ngriti alarmin për mënyrën se si trajtohen të mbijetuarit e dhunës në familje në Kosovë.

Ndër problemet më të theksuara ishte mënyra e financimit të strehimoreve, të cilat në Kosovë operohen nga organizatat joqeveritare.

Këto OJQ financohen nga Ministria e Drejtësisë në periudha kohore 12-mujore dhe, së fundi, drejtues të strehimoreve të ndryshme nëpër Kosovë janë shprehur të kënaqur me shumën që u është ndarë.

Nga 25 nëntori deri më 10 dhjetor, çdo vit, edhe në Kosovë shënohen 16 Ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore.

Të dhënat e Policisë së Kosovës tregojnë se shumica e viktimave të dhunës në familje janë gratë. Numri më i madh i regjistruar ndonjëherë u shënua vitin e kaluar, kur pati gati 3.000 raste të dhunës në familje.

Këtë vit, nga janari e deri në tetor janë regjistruar gjithsej 2.429 raste.

Bala thotë se numri më i ulët i raportimeve deri më tani këtë vit nuk tregon se numri i rasteve është ulur në të vërtetë. Ajo shpjegon se kjo reflekton vetëm frikën e grave për ta raportuar dhunën.

“Gratë nuk i dinë të gjitha të drejtat e tyre, nuk dinë për përkrahjen institucionale që u takon dhe hezitojnë ta raportojnë dhunën”, thotë ajo.

Kjo shpesh ndërlidhet edhe me varësinë financiare të grave ndaj partnerëve të tyre. Mbi 80 për qind e grave në Kosovë nuk janë pjesë e tregut të punës, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK). Të dhënat tregojnë se burrat janë të punësuar në përqindje dukshëm më të lartë se gratë.

Gjithashtu, burrat trashëgojnë prona dhe pasuri nga familjet e tyre, që ua lehtësojnë investimin për të shtuar pasurinë më vonë. Sipas statistikave të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, as një e pesta e pronave në Kosovë nuk zotërohet nga gratë.

Me këto probleme, Bala ishte përballur qysh në vitin 1999, kur kishte nisur punën për parandalim dhe luftim të dhunës në familje.

Ajo kujton se si puna e saj ishte pritur plot herë me ankesa se banorëve të Pejës së pasluftës “u duhen kulme në shtëpi, jo ligjërata”.

Por, tregon se më vonë ishin vetë banorët e Pejës ata që kishin kërkuar hapjen e një strehimoreje, në mënyrë që të ndërpritej cikli i dhunës që vetë gratë po përjetonin nga partnerët e tyre.

“Dhuna duhet të ndalet sepse, përndryshe, ajo vazhdon si cikël edhe në gjeneratat e reja”, thotë Bala.

Për gratë që hezitojnë të raportojnë dhunën që përjetojnë, Bala ka një mesazh të qartë: strehimoret nuk janë vendi ku dështon jeta, janë vendi ku ajo rifillon. Aty, sipas saj, çdo ditë dikush mëson një aftësi të re e dikush tjetër kupton se nuk është e vetme./REL

Vendi

Jashari pret krerët e Forcave Speciale të Shqipërisë dhe Kroacisë

Published

on

By

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka prit në takim zyrtar Komandantin e Regjimentit të Operacioneve Speciale të Shqipërisë dhe Komandantin e Komandës së Forcave të Operacioneve Speciale të Kroacisë.

Gjatë takimit u diskutua për thellimin e bashkëpunimit dypalësh e shumëpalësh, koordinimin ushtarak dhe shkëmbimin e përvojave profesionale, me fokus të veçantë në fushën e operacioneve speciale, trajnimeve taktike dhe ngritjes së kapaciteteve operacionale.

Palët nënshtruan rëndësinë e ushtrimeve të përbashkëta për rritjen e ndërveprueshmërisë mes forcave aleate, ku si pikë kyçe e bisedimeve shërbeu ushtrimi ushtarak “Valor Shield 2026”.

Gjeneral Jashari shprehu vlerësimin e tij për partneritetin e vazhdueshëm me Shqipërinë dhe Kroacinë, duke nëvizuar se përkrahja e forcave partnere është me rëndësi vitalë për zhvillimin profesional dhe avancimin e FSK-së. /E.A/

Continue Reading

Vendi

OVL-UÇK paralajmëron protesta nëse nuk procedohet ndryshimi i Ligjit për Specialen

Published

on

By

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Gazmend Syla, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të procedojë sa më parë në Kuvend Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Në një konferencë për media të mbajtur këtë të martë, Syla mirëpriti miratimin e Deklaratës mbështetëse nga Kuvendi, mirëpo theksoi se ish-drejtuesit e UÇK-së në Hagë kanë nevojë për veprime konkrete ligjore e jo vetëm zotime politike.

“Deklarata është zotim, ligji është veprim. Ata që sot i kanë duart e lidhura në Hagë kanë nevojë për veprime konkrete. Nëse vendi shkon në zgjedhje pa i dhënë Kuvendit mundësinë për të votuar këtë ligj, përgjegjësia politike për mosprocedimin e tij duhet të jetë e qartë”, deklaroi Syla.

Ai paralajmëroi se kategoritë e dala nga lufta nuk do të rrinë duarkryq dhe se janë të gatshëm të dalin në rrugë e të ndërmarrin hapa të tjerë protestues nëse kërkesat e tyre injorohen.

Më tej, Syla bëri të ditur se tashmë janë kryer të gjitha përgatitjet për marshin protestues kundër vendimit të Gjykatës Speciale, i cili do të mbahet më 1 nëntor, duke filluar nga ora 16:00.

Continue Reading

Botë

Rubio: Një “aktor i huaj” i përfshirë në komplotin e dyshuar për bombë pranë bazës ushtarake në Britani

Published

on

By

Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara, Marco Rubio, ka deklaruar se një “aktor i huaj” ishte i përfshirë në një komplot të dyshuar për sulm me bombë pranë një baze ajrore në Britaninë e Madhe, e cila përdoret nga ushtria amerikane.

Policia arrestoi të dielën pesë persona — të gjithë shtetas britanikë nga Londra, të mosshës 20 deri në 25 vjeç — pasi u njoftua nga një fermer lokal për lëvizjen e tri furgonëve të bardhë në drejtim të bazës RAF Fairford. Kjo bazë britanike strehon bombarduesit amerikanë që kryejnë misione kundër Iranit.

Njësia kundër terrorizmit njoftoi se po heton nëse të dyshuarit po vepronin në emër të një shteti të huaj në këtë plan për të sulmuar bazën ajrore, ndërsa më vonë bëri të ditur se ata do të lirohen me dorëzani.

Duke komentuar rastin në emisionin “Hannity” në Fox News, Rubio u shpreh: “Ajo që ndodhi, ajo që për pak sa nuk ndodhi dhe ajo që mund të kishte ndodhur në Britani gjatë fundjavës është një situatë shumë serioze. Është një çështje që qartësisht përfshin dorën e një aktori të huaj, megjithëse nuk do të hyj ende në detaje të mëtejshme.”

Nga ana tjetër, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) kishte deklaruar në korrik se baza Fairford përbënte një “cakt të legjitim”. Megjithatë, Ambasada e Iranit në Londër i hodhi poshtë këto pretendime përmes një deklarate, duke i cilësuar si “spekulime të pabazuara dhe keqdashëse” që synojnë të nxisin propagandë kundër Iranit.

Lidhur me ngjarjen reagoi edhe presidenti amerikan Trump, i cili tha se autoritetet britanike dhe ato amerikane i kishin pasur të dyshuarit nën hetim prej kohësh, duke pretenduar se ata “po kërkonin të shkaktonin dëme të mëdha”. Pas lajmit për lirimin e tyre me dorëzani, Trump shtoi se rasti “mund të ketë lidhje” me Iranin, por pa dhënë detaje të tjera.

 

Continue Reading

Lajmet

692 milionë euro nga mërgata në gjashtë muajt e parë të vitit

Published

on

By

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka bërë të ditur se dërgesat e mërgatës në Kosovë kanë arritur në 692 milionë euro gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, duke shënuar një rritje prej 5.7 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Përmes një postimi, Gërvalla ka vlerësuar lart kontributin e bashkatdhetarëve, duke e cilësuar atë si një dëshmi të lidhjes së fuqishme dhe të pandashme me atdheun.

“Kjo shifër tregon shumë më tepër se një kontribut ekonomik. Tregon pikërisht lidhjen e pandashme që nuk e kanë këputur as mijëra kilometra largësi. Tregon se sa fort mërgata jonë vazhdon ta mbajë Kosovën afër vetes”, ka deklaruar ajo.

Më tej, ministrja theksoi se këto mjete financiare luajnë një rol jetik në mirëqenien e familjeve kosovare, konsumin vendor, kursimet dhe investimet, si dhe në ruajtjen e stabilitetit ekonomik e financiar të vendit. Ajo rikujtoi se gjatë dekadës së fundit, remitancat kanë përbërë mesatarisht 12% deri në 14% të Produktit Brendshëm Bruto (BPV) të Kosovës. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara