Tre vjet më parë, kur Mariusz Zaremba dhe miqtë e tij vendosën të niseshin drejt Ballkanit për të përshkuar shtegun malor “Peaks of the Balkans” (shqip: Majat e Ballkanit), pritjet e tyre për Kosovën nuk ishin të mëdha.
Për vite me radhë, polaku – që tash jeton në Irlandë – kishte eksploruar Alpet, Dolomitet dhe malet e tjera të Evropës Perëndimore. Por, turizmi malor atje nisi t’i dukej gjithnjë e më komercial.
Kur dëgjoi për herë të parë për Ballkanin si destinacion për ecje malore, fillimisht ishte skeptik.
“Ballkani – ish-Jugosllavia – më bënte të mendoja për varfëri, luftë dhe një atmosferë të zymtë sovjetike. Përshtypja ime e parë bazohej në injorancë dhe stereotipa”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Në atë kohë, kujton Zaremba, shumë udhërrëfyes dhe artikuj për shtegun rekomandonin që Kosova të anashkalohej. Por, pikërisht këto këshilla shtynë atë dhe miqtë e tij të bëheshin edhe më kureshtarë për ta parë vendin nga afër.
Ata e nisën udhëtimin në Mal të Zi, ku gjetën peizazhe të bukura dhe shtigje relativisht mirë të shënuara, por me pak kontakt me banorët lokalë.
Në Shqipëri, sipas tij, natyra ishte ndoshta më mbresëlënësja përgjatë gjithë shtegut, por, gradualisht, nisi të ndihej prania e turizmit masiv, me vila që po ndërtoheshin përgjatë gjithë shtegut.
“Dhe, më në fund, erdhi Kosova. Male më të buta, më shumë pyje, lule dhe gjelbërim dhe më e rëndësishmja: qetësi dhe paqe totale”, kujton Zaremba.
Por, ajo që e veçoi Kosovën, sipas tij, nuk ishte vetëm natyra.
“Njerëzit ishin miqësorë kudo… Ndiheshim sikur po vizitonim familjarë dhe jo thjesht si turistë”.
Ai thotë se në shumë destinacione të njohura evropiane është ndier thjesht “si një klient tjetër”, ndërsa në Kosovë ka gjetur ngrohtësi të sinqertë dhe mikpritje.
Pikërisht kjo përvojë bëri që ai të kthehej një vit më vonë dhe të planifikojë edhe një tjetër vizitë këtë vit – kësaj radhe vetëm në Kosovë.
“Kosova është një perlë e fshehur”, thotë Zaremba. “Ende relativisht e paprekur dhe jo e prishur nga dora e njeriut”.
Sipas tij, potenciali i Kosovës nuk është shfrytëzuar ende plotësisht.
Ai thotë se shtigjet nuk janë gjithmonë mirë të shënuara dhe se sinjali telefonik është shpesh i dobët, ndërsa në disa pjesë edhe asfaltimi i rrugëve ka zbehur ndjesinë e natyrës së paprekur.
Kosova, sipas tij, duhet të ketë kujdes të mos ndjekë gabimet e disa vendeve të rajonit, veçanërisht komercializimin e tepruar, në mënyrë që të ruajë dhe shfrytëzojë më mirë potencialin e saj turistik.
Në malet e Kosovës, Safet Behrami e sheh këtë potencial nga afër.
I licencuar si guidë malore dhe aktiv prej vitesh në shtigjet e “Peaks of the Balkans” dhe “High Scardus Trail”, ai thotë se interesimi i turistëve është rritur vazhdimisht.
Behrami thotë se, viteve të fundit, ka shoqëruar turistë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja, Izraeli dhe vende të tjera të largëta.
Përveç shtigjeve malore, Kosova tërheq vizitorë edhe për trashëgiminë e saj kulturore dhe historike.
Prizreni konsiderohet gjerësisht kryeqendra kulturore e vendit dhe një nga destinacionet më të vizituara nga turistët e huaj, ngjashëm si monumenti Newborn në Prishtinë që është bërë simbol i pavarësisë së vendit.
Ndërsa Gryka e Rugovës, Bjeshkët e Nemuna, Malet e Sharrit dhe Brezovica janë ndër atraksionet kryesore natyrore.
Megjithatë, sipas Behramit, Kosova vazhdon të mbetet në hije krahasuar me Shqipërinë dhe Malin e Zi.
“Fatkeqësisht, turistët shpesh e evitojnë pjesën e Kosovës”, thotë ai, duke shtuar se një nga arsyet kryesore është mungesa e promovimit ndërkombëtar.
“Kur i kam pyetur turistët se si kanë vendosur të vijnë në Shqipëri ose Mal të Zi, shumë prej tyre më kanë treguar se i kanë parë këto destinacione në televizionet kombëtare të vendeve të tyre”, thotë Behrami për Radion Evropa e Lirë.
Ai thotë se në grupet online të dedikuara për “Peaks of the Balkans” shpesh shihen itinerare që e anashkalojnë Kosovën, edhe pse vizitorët që e përfshijnë vendin, zakonisht largohen me përshtypje pozitive.
“Secili prej tyre bën apel që të mos evitohet pjesa e Kosovës. Thonë se është shumë e bukur”, tregon Behrami.
Në Qeverinë e formuar këtë vit, e që aktualisht është Qeveri në detyrë, për herë të parë është ndarë Ministria e Kulturës dhe Turizmit nga ajo e Rinisë dhe Sportit, duke krijuar një institucion të veçantë me mandat të dedikuar për zhvillimin e turizmit.
Në përgjigjen e dhënë për Radion Evropa e Lirë, Ministria thotë se kjo ndarje institucionale tregon përkushtimin më të madh të Qeverisë për ta trajtuar turizmin si sektor më vete dhe për ta forcuar zhvillimin e tij.
Megjithatë, ajo pranon se sfidat mbeten të shumta, duke filluar nga infrastruktura dhe kapacitetet akomoduese, deri te fuqia punëtore, promovimi ndërkombëtar dhe zgjatja e sezonit turistik gjatë gjithë vitit.
“Në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe pushtetin lokal, synohet zgjerimi i rrjetit të shtigjeve që lidhin destinacionet kryesore turistike dhe krijimi i standardeve më të larta për sigurinë dhe shërbimet për vizitorët”, thuhet në përgjigje.
Ministria shton se planifikimi i destinacioneve dhe përfshirja e komuniteteve lokale mbeten kyç për suksesin afatgjatë të sektorit të turizmit.
Por, në terren, sfida e kapaciteteve akomoduese del shpesh si pengesë konkrete për zhvillimin e turizmit malor.
“Ka turistë që anulojnë udhëtimet sepse nuk gjejnë vend për të fjetur”, thotë Behrami.
Sipas tij, kjo tregon edhe potencialin e pashfrytëzuar ekonomik të zonave malore, ku zhvillimi i turizmit mund të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për komunitetet lokale.
Për turistë si Mariusz Zaremba, pikërisht ky autenticitet mbetet një nga asetet më të mëdha të Kosovës.
“Në Kosovë gjej atë që ndonjëherë më mungon: male, pyje, ushqim të vërtetë shtëpiak dhe një mikpritje që të bën të ndihesh pothuajse si pjesë e familjes. Ky është ndoshta komplimenti më i madh që mund t’i japësh një vendi të huaj dhe njerëzve të tij”, përfundon ai.
Mbetje mortore janë gjetur sot në fshatin Brod të Komunës së Shtërpcës, gjatë aktiviteteve të kërkimit për personat e zhdukur me dhunë.
Sipas njoftimit të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, aktivitetet e kërkimit dhe gërmimet vlerësuese në këtë lokacion kishin nisur më 6 nëntor 2026, pas sigurimit të urdhrit përkatës gjyqësor.
Gjatë aktivitetit të parë nuk ishte arritur të lokalizohej varri i dyshuar, për shkak të ndryshimeve që kishte pësuar terreni ndër vite, duke vështirësuar përcaktimin e vendndodhjes së saktë.
Ndërkaq, gjatë vazhdimit të gërmimeve më 12 nëntor, janë gjetur mbetje mortore, të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimit mjekoligjor dhe procedurave të identifikimit përmes analizës së ADN-së.
Aktivitetet janë realizuar në koordinim ndërmjet Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Institutit për Mjekësi Ligjore dhe Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës – Sektorit për Hetimin e Personave të Zhdukur, me përkrahjen e Prokurorisë – Departamentit për Krime Lufte./A.K/
Kampusi Shkencor Inovativ dhe Teknologjik i UBT-së është bërë nikoqir i një ekspozite të veçantë kushtuar njërit prej mendjeve më të jashtëzakonshme në historinë njerëzore, Leonardo da Vincit.
Përmes kësaj ekspozite, studentët, stafi akademik dhe vizitorët kanë mundësi të njihen më nga afër me botën krijuese të Da Vincit, idetë e tij revolucionare dhe projektet që dëshmojnë gjenialitetin e tij në fusha të ndryshme, nga arti e anatomia, deri te inxhinieria dhe teknologjia.
E organizuar në kuadër të edicionit të XXVI të Javës së Gjuhës Italiane në Botë, me temën “Gjuhë e mirësjelljes, gjuhë gjeniale: të ideosh, të projektosh, të krijosh me italisht”, ekspozita sjell në vëmendje rëndësinë e gjuhës, kulturës dhe trashëgimisë italiane në zhvillimin e mendimit krijues dhe shkencor.
Ky aktivitet është realizuar në bashkëpunim me Ambasadën e Italisë në Prishtinë dhe përfaqëson një mundësi të rëndësishme për të nxitur kureshtjen intelektuale, kreativitetin dhe frymën inovative te gjeneratat e reja.
Përmes kësaj ekspozite, UBT sjell në kampusin e tij trashëgiminë e një figure që vazhdon të frymëzojë botën, duke dëshmuar se idetë e mëdha nuk njohin kohë dhe se arti, shkenca dhe teknologjia janë pjesë e së njëjtës gjuhë: gjuhës së inovacionit.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë vendim që ta shtyjë vazhdimin e seancës së sotme plenare për ditën e nesërme, në orën 11:00, pasi deputetët u vonuan rreth gjysmë ore për t’u kthyer në sallë pas pauzës.
Duke arsyetuar vendimin, kryeparlamentarja Haxhiu theksoi se është e pamundur të zhvillohen punimet e Kuvendit kur deputetët nuk respektojnë orarin. Në momentin e ndërprerjes, në sallën plenare ndodheshin vetëm disa deputetë të PDK-së, disa të LDK-së dhe vetëm dy deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Për shkak të kësaj shtyrjeje, mbetën pa u shqyrtuar pikat e mbetura të rendit të ditës, ku përfshiheshin katër marrëveshje ndërkombëtare, interpelanca me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, mocioni lidhur me energjinë, si dhe diskutimi për Projektligjin për Gjykatën Speciale. /E.A/