Lajmet

REL: NATO për paktin e mbrojtjes të Kosovës: Shqipëria dhe Kroacia kontribuojnë në stabilitetin rajonal

Published

on

Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Radmilla Shekerinska, tha se Shqipëria dhe Kroacia kontribuojnë në stabilitetin rajonal, kur u pyet për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes të dy shteteve të aleancës me Kosovën.

“Shqipëria dhe Kroacia nuk janë vetëm aleate të besueshme dhe të çmuara brenda aleancës. Ato janë edhe kontribuuese për paqen dhe stabilitetin rajonal. Ato kanë prani në KFOR, por në përgjithësi janë të përqendruara në mbështetjen e kësaj agjende në rajon”, tha Shekerinska për agjencinë serbe të lajmeve, Beta.

Kosova, Shqipëria dhe Kroacia marsin e vitit të kaluar nënshkruan një deklaratë për bashkëpunim në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Zyrtarët e mbrojtjes të këtyre tri shteteve janë takuar dy herë gjatë këtij muaji për zbatimin e kësaj deklarate dhe kanë paralajmëruar se gjatë këtij viti do të zhvillojnë një stërvitje të përbashkët.

Ky bashkëpunim ka zemëruar Serbinë, presidentit i të cilës, Aleksandar Vuçiq, e ka parë si “aleancë sulmuese” kundër “serbëve dhe Serbisë”.

Shekerinska shtoi se NATO-ja nuk merr pjesë në diskutime apo konsultime për deklaratën e në shkruar nga Prishtina, Tirana dhe Zagrebi, por anëtarësimi në aleancë nuk i parandalon shtetet që të kenë marrëveshje shtesë të mbrojtjes me palë të treta.

“Çfarë shohim në përgjithësi është, sigurisht, situata gjeopolitike globale po ashtu ka ndikuar në rajon. Ju shihni më shumë stërvitje, më shumë investime në mbrojtje dhe siguri, por ne po ashtu u bëjmë thirrje aleatëve dhe partnerëve të angazhohen në dialog politik për të zgjidhur çështjet e hapura në rajon. Prania jonë në Ballkanin Perëndimor synon mbështetjen e këtij lloji të dialogut politik”, tha Shekerinska.

Pas këtyre deklaratave, ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Ivan Anusheviq, tha se bashkëpunimi me Kosovën dhe Shqipërinë nuk përbën kërcënim për askënd.

“Në këtë deklaratë absolutisht nuk ka asgjë të diskutueshme dhe, natyrisht, nuk i rrezikojmë askënd me të. Bashkëpunimi ynë është qartësisht i orientuar drejt forcimit të stabilitetit dhe sigurisë në Evropën Juglindore, si dhe për thellimin e partneritetit dhe aleancës mes tre shteteve mike”, shkroi ai në X.

Edhe më herët, nënshkruesit e deklaratës kanë deklaruar se ajo nuk është kundër askujt, as ndaj Serbisë, teksa ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, deklaroi në fund të janarit të këtij viti se e ka ftuar Serbinë që të bëhet pjesë e këtij pakti, por Beogradi nuk i është përgjigjur kësaj ftese.

Kroacia dhe Shqipëria janë pjesë e aleancës ushtarake perëndimore të NATO-s, aty ku Kosova shpreson të anëtarësohet.

Sipas deklaratës, janë katër fusha kryesore të bashkëpunimit, që përfshijnë promovimin e bashkëpunimit në fushën e aftësive mbrojtëse dhe industrisë mbrojtëse, rritjen e ndërveprueshmërisë përmes arsimit, trajnimit dhe ushtrimeve të përbashkëta, adresimin e kërcënimeve hibride dhe forcimin e qëndrueshmërisë, si dhe ofrimin e mbështetjes së vazhdueshme dhe të plotë për integrimin euroatlantik.

Në bazë të kësaj deklarate, veç tjerash, Prishtina, Tirana dhe Zagrebi parashohin të bëjnë blerje të përbashkëta të armatimit nga Shtetet e Bashkuara.

Numri dy në NATO, Radmilla Shekerinska, foli edhe për sulmin në Banjskë të Zveçanit dhe tha se aleanca ka pranuar garanci nga autoritetet në Beograd se do të përcaktohet përgjegjësia.

“Kemi pranuar garanci apo një zotim të qartë nga autoritetet në Beorad se përgjegjësia do të përcaktohet”, tha ajo.

Shefi i NATO-s, Mark Rutte, tha më herët gjatë javës se ende po pret “për përgjegjësi” për ngjarjet e shtatorit të vitit 2023 në Kosovë, duke shtuar se Vuçiq i ka premtuar se do të përmbushë këtë premtim sa më shpejt.

“Është një thirrje që do ta përsërisim vazhdimisht se presim nga autoritetet në Beograd të dalin me rezultate”, tha Shekerinska.

E pyetur se nëse kjo do të thotë se nuk ka pasur rezultate deri më tani, ajo u përgjigj se Rutte “prandaj bëri thirrje sërish për përgjegjësi”.

Në shtator të vitit 2023, një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit duke vrarë një polic. Gjatë këmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues serb.

Politikani nga Kosova dhe biznesmeni Millan Radoiçiq e mori përgjegjësinë për sulmin, dhe prej atëherë ai ndodhet në Serbi, ku nuk është ndjekur penalisht deri më sot.

Kosova kërkon ekstradimin e tij, pasi Prokuroria Speciale veçse ka ngritur një aktakuzë për këtë rast dhe Radoiçiq është pjesë e aktakuzës.

Continue Reading

Lajmet

Osmani: Sakrifica e Jasharëve është udhërrëfyesi ynë për shtetin

Published

on

By

Në kuadër të shënimit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka bërë sot homazhe në Kompleksin Memorial në Prekaz, duke nderuar rënien e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari.

Gjatë vizitës në këtë vend historik, Presidentja theksoi rëndësinë e kujtesës kolektive.

“Në Kompleksin Memorial në Prekaz, çdo hap është histori, çdo gur është sakrificë. U përkulëm me nderim para altarit të lirisë, para komandantit legjendar Adem Jashari dhe para familjes që i dha Kosovës gjithçka. Sakrifica e tyre do të mbetet udhërrëfyesi ynë në çdo hap që bëjmë për shtetin dhe të ardhmen tonë”, shkruan Osmani.

Gjatë qëndrimit të saj në Prekaz, Presidentja u prit nga Rifat Jashari, të cilin e vlerësoi si simbol të qëndresës dhe dinjitetit kombëtar.

Ajo shprehu mirënjohjen e saj për këtë mikpritje, duke nënvizuar se mesazhi që buron nga kjo familje nuk do të shuhet kurrë. “Mirënjohje të thellë për pritjen e ngrohtë nga Baca Rifat, simbol i qëndresës dhe i dinjitetit të kësaj familjeje legjendare. Nga Prekazi buron një mesazh që nuk shuhet kurrë: Liria nuk është dhuratë, por amanet,” deklaroi Osmani, duke shtuar se ky amanet do të jetojë përjetë në zemrat e të gjithë shqiptarëve.

Continue Reading

Lajmet

UBT bëhet institucioni i parë dhe i vetëm në Kosovë dhe në rajon që merr akreditim prestigjioz nga British Accreditation Council

Published

on

By

Rektori i UBT, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ka bërë të ditur se institucioni është akredituar nga British Accreditation Council për një periudhë katërvjeçare, duke e cilësuar këtë si një arritje të rëndësishme për institucionin dhe për arsimin e lartë në Kosovë.

Gjatë një konference për media, Rektori Hajrizi theksoi se ky akreditim konfirmon se UBT përmbush standardet e larta britanike dhe evropiane të cilësisë në arsim, duke përforcuar më tej pozicionin e universitetit në skenën ndërkombëtare akademike.

British Accreditation Council është një nga institucionet më të njohura ndërkombëtare për sigurimin e cilësisë në arsim, me seli në Mbretërinë e Bashkuar, që vlerëson dhe akrediton institucione arsimore në mbarë botën për të garantuar standarde të larta akademike dhe menaxhim institucional të qëndrueshëm.

“Procesi i akreditimit nga British Accreditation Council është i detajuar dhe shumë rigoroz. Gjatë këtij procesi janë analizuar në mënyrë të thelluar programet tona akademike, cilësia e mësimdhënies, infrastruktura, menaxhimi institucional, shërbimet për studentët dhe angazhimi ynë për përmirësim të vazhdueshëm”, tha Hajrizi.

Ai bëri të ditur se si rezultat i këtij procesi, UBT është bërë institucioni i parë dhe i vetëm në Kosovë dhe në rajon që merr këtë akreditim prestigjioz nga British Accreditation Council.

Rektori Hajrizi e cilësoi këtë arritje si dëshmi të qartë se përkushtimi i universitetit për cilësi, inovacion dhe ndërkombëtarizim po njihet dhe vlerësohet edhe në nivel ndërkombëtar. Ai shprehu mirënjohje për stafin akademik dhe administrativ, studentët dhe partnerët ndërkombëtarë të UBT-së, të cilët kanë kontribuar në arritjen e këtij suksesi.

Sipas tij, për studentët dhe të gjithë ata që zgjedhin të studiojnë në UBT, ky akreditim përfaqëson një garanci shtesë se ata janë pjesë e një institucioni që funksionon sipas standardeve më të larta britanike dhe evropiane, duke i përgatitur për një treg pune gjithnjë e më global dhe konkurrues.

Në përfundim, Hajrizi theksoi se UBT do të vazhdojë të investojë në cilësi, kërkim shkencor, inovacion dhe bashkëpunim ndërkombëtar, me synimin që institucioni të mbetet një lider i arsimit të lartë në Kosovë, në rajon dhe më gjerë.

Continue Reading

Lajmet

Reuters: Presidentja e Kosovës shpërndan parlamentin, shpall zgjedhje të parakohshme

Published

on

By

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shpërndau të premten Parlamentin dhe shpalli zgjedhjet e parakohshme, pasi ligjvënësit dështuan të zgjedhin kreun e ri të shtetit brenda afatit kushtetues, ka raportuar media prestigjioze ndërkombëtare Reuters.

Parlamenti kishte afat deri të enjten në mesnatë për të zgjedhur një president të ri para se mandati i Osmanit të përfundojë në prill, por partitë opozitare refuzuan të marrin pjesë në votim. Sipas ligjeve të vendit ballkanik, dështimi për të zgjedhur presidentin e ri nxit automatikisht zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Ky veprim zgjat bllokadën politike në Kosovë, shtetin më të ri të Evropës që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Vendi mbeti pa një qeveri funksionale për pjesën më të madhe të vitit të kaluar, pasi parlamenti i fragmentuar dështoi për muaj të tërë të zgjidhte qoftë edhe kryetarin e Kuvendit.

Zgjedhjet e ardhshme do të jenë të tretat në pak më shumë se një vit. Kosova tashmë mbajti zgjedhje të parakohshme më 28 dhjetor, pas dështimit për të formuar qeverinë pas zgjedhjeve të shkurtit 2025.

“Një parlament që nuk mund të zgjedhë një president, nuk mund të vazhdojë pafundësisht ta zvarrisë procesin ashtu siç po tentohet,” tha Osmani në një deklaratë. “Askush nuk duhet të dëshirojë një tjetër cikël politik, veçanërisht në këtë moment kur vendi ka nevojë për stabilitet.”

Osmani pritet të takohet me partitë politike këtë të premte, para se të caktojë datën e saktë të zgjedhjeve.

Fitorja bindëse e partisë Vetëvendosje të Kryeministrit Albin Kurti në dhjetor dukej se do t’i jepte fund ngërçit. Në atë kohë, shumë analistë politikë besonin se opozita do të merrte pjesë në votimin për zgjedhjen e presidentit. Megjithatë, megjithëse Vetëvendosja fitoi mjaftueshëm ulëse për të formuar qeverinë, ajo dështoi të siguronte pjesëmarrjen e nevojshme të opozitës për kuorumin e zgjedhjes së presidentit.

Partitë opozitare kanë kërkuar një kandidat konsensual, por Kurti ka nominuar Ministrin e tij të Jashtëm, Glauk Konjufca./Reuters/

 

Continue Reading

Lajmet

Kurti: Dekreti është antikushtetues, nuk u konsumua as raundi i parë

Published

on

By

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk mund të flitet për proces të ri zgjedhor pa marrë një përgjigje nga Gjykata Kushtetuese, duke argumentuar se dekreti për shpërndarjen e Kuvendit nuk ka bazë ligjore.

“Ndodhemi në një situatë ku unë nuk besoj se mund të flasim për zgjedhje të reja pa e thënë fjalën e vet Gjykata Kushtetuese, meqenëse kemi mospajtime dhe kërkesë para tyre”, u shpreh Kurti, duke theksuar se institucionet duhet të presin verdiktin final para çdo hapi tjetër.

Ai sqaroi se njoftimi për shpërndarjen e Kuvendit përmes mediave ishte i papritur dhe në kundërshtim me procedurat e parapara në aktin më të lartë juridik të vendit.

“Neni 86 paragrafi i gjashtë i Kushtetutës parasheh që Kuvendi shpërndahet nëse në votimin e tretë asnjë kandidat nuk zgjidhet president, pra asnjë nga kandidatët nuk i merr 61 vota dhe ne nuk kemi mbërritur atje. Dy kandidatë ishin mbrëmë, Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha Kollçaku, mirëpo nuk u konsumua as raundi i parë e lere më i treti”, tha Kurti, duke vënë në dukje se procesi i votimit nuk është ezauruar sipas ligjit.

Tutje, Kurti ritheksoi se kompetenca për shpërndarjen e legjislativit nuk mund të ushtrohet në mënyrë arbitrare jashtë kornizave kushtetuese. “Në një situatë të tillë, dekreti për shpërndarjen e Kuvendit nuk është kushtetues sepse kompetenca për shpërndarjen e Kuvendit mund të ushtrohet vetëm në rastet e caktuara shprehimisht nga Kushtetuta”, përfundoi ai, duke kërkuar mbrojtjen e rendit juridik të Kosovës.

Zgjedhjet e reja në prill: Jepen datat opsionale

Ka përfunduar takimi i Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, me përfaqësuesit e partive politike, të cilin ajo e ka thirrur për caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme.

Gjatë këtij takimi, ku morën pjesë pothuajse të gjitha subjektet opozitare, u diskutuan datat 5, 12 dhe 19 prill si mundësi për mbajtjen e procesit zgjedhor. Megjithatë,në takimi nuk mori pjesë Lëvizja Vetëvendosje dhe Listës Serbe.

Partia në pushtet, LVV, nuk pranoi të marrë pjesë me arsyetimin se vendimi i Presidentes për shpërndarjen e Kuvendit është kundër rendit kushtetues, duke paralajmëruar se për këtë çështje do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka cilësuar mospjesëmarrjen e LVV-së si një fyerje të rëndë për shtetin.

Ai u shpreh: “Është e pakuptimtë mospjesëmarrja e LVV-së me partnerët e saj të koalicionit dhe mungesa e Listës Serbe. Ne si opozitë, edhe kur nuk jemi pajtuar me shumë vendime të Presidentes dhe Qeverisë, prapë kemi marrë pjesë në takime të partive politike. Mosardhja e tyre, qoftë edhe me mendime të kundërta, për të mos u ballafaquar në këtë takim i cili është i nivelit më të lartë të mundshëm, është një lloj fyerje për vendin, shtetin dhe institucionet. Edhe adresimi në Gjykatën Kushtetuese është një fyerje në vete, një tallje-hajgare me proceset.”

Nga ana tjetër, Bedri Hamza nga PDK-ja theksoi rëndësinë e respektimit të ftesës së institucionit të presidencës, por shprehu keqardhje për rrugën që ka ndjekur politika deri më tani.

Hamza deklaroi “Në respektim të ftesës së Presidentes së Kosovës, ne ishim në takim ku u diskutua edhe për mundësinë e datës së organizimit të zgjedhjeve. Shpreh keqardhje që kemi ardhur deri këtu, pasi ka pasur më shumë se një alternativë dhe përgjegjësia më e madhe i bie partisë fituese.”

Në fund, Hamza sqaroi edhe qëndrimin e tij rreth bashkëpunimeve të mundshme politike, duke treguar se nuk është treguar refuzues ndaj proceseve.

“Unë nuk kam vendosur vija të kuqe me asnjë subjekt politik. Kam folur që ka mundësi për marrëveshje politike edhe para se të krijohej Qeveria; nuk e kemi pritur askënd tek dera për të na ftuar, mirëpo nuk kemi qenë refuzues as për këtë çështje”, tha ai.

Ndërsa, Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku pas takimit me presidenten Vjosa Osmani tha se nuk është caktuar datë zyrtare për zgjedhjet, megjithatë deklaroi se LDK-ja është e gatshme.

“Patëm diskutime zyrtare për datën e zgjedhjeve. Kurdo që Presidentja e vlerëson, në afatin kushtetues të rregullt brenda parashikimeve kushtetuese”, tha Abdixhiku, raportoi EO.

 

 

Continue Reading

Të kërkuara