Lajmet

REL: NATO-ja thotë se do ta zvogëlojë praninë në Kosovë, sheh përmirësim të situatës së sigurisë

Published

on

Komandanti Suprem i Forcave Aleate në Evropë, gjenerali i Forcave Ajrore amerikane, Alexus G. Grynkewich, tha se Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) gradualisht do të përshtatë forcën për mbështetjen e misionit të saj paqeruajtës në Kosovë, KFOR, gjatë vitit të ardhshëm, për shkak të, siç tha ai, përmirësimit të situatës së sigurisë në vend.

“NATO dhe KFOR-i janë të përkushtuar për sigurinë në Kosovë”, tha komandanti Grynkewich përmes një njoftimi më 12 qershor. “Është ky angazhim që ka çuar në rritjen e stabilitetit, teksa organizatat e sigurisë në Kosovë janë bërë më të afta. Kushtet aktuale ofrojnë mundësi për të optimizuar madhësinë dhe pozicionimin e KFOR-it”, shtoi ai.

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë është vendosur më 1999 në vend. Nga afër 50.000 trupa sa ishin dislokuar në atë vit, pas përfundimit të luftës, në Kosovë aktualisht janë rreth 4.600 trupa paqeruajtëse të KFOR-it nga shtete të ndryshme.

KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe Misionit për Sundim të Ligjit të Bashkimit Evropian, EULEX. Ky mision paqeruajtës po ashtu ka përgjegjësinë e sigurisë përgjatë kufirit të Kosovës me Serbinë.

Në njoftimin e NATO-s – që vjen në përvjetorin e 27-të të hyrjes së trupave të saj në Kosovë, pas fushatës ajrore të aleancës mbi caqet serbe – u tha se situata e sigurisë ka vazhduar që të përmirësohet në vitet e fundit. Për këtë arsye, në janar NATO-ja ndaloi dislokimin e forcave rezervë në KFOR pas pothuajse dy vjetësh të rotacionit të vazhdueshëm.

“Teksa situata e sigurisë në Kosovë mbetet përgjithësisht stabile, NATO do të optimizojë praninë e KFOR-it dhe gradualisht do të përshtatë forcën e tij aktuale gjatë vitit të ardhshëm”, u tha në njoftimin e aleancës ushtarake perëndimore.

Ndryshimet do të ndodhin gradualisht në përputhje me kushtet në terren dhe ato mund të zhbëhen, nëse është e nevojshme, tha NATO.

Aleanca ushtarake perëndimore kujtoi se kishte rritur numrin e dislokimeve për pothuajse 1.000 trupa shtesë pas tensioneve dhe dhunës më 2023, përfshirë edhe “sulmeve të pajustifikuara ndaj paqeruajtësve të KFOR-it në Zveçan”. Ky dislokim, sipas NATO-s, ishte më i madhi në mbi një dekadë.

Më 29 maj të vitit 2023, 93 pjesëtarë të KFOR-it kishin pësuar lëndime pas përleshjes me protestuesit serbë, të cilët po kundërshtonin marrjen e detyrës të kryetarëve shqiptarë në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe. Të lënduar nga kjo përplasje pati edhe në anën e protestuesve.

Deri më tani, për dhunën në Zveçan janë dënuar disa persona.

Përveç ofrimit të sigurisë në vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, KFOR-i ka edhe rol në ofrimin e sigurisë në pjesën veriore të Kosovës.

Përmes një zotimi të vitit 2013, Kosova nuk mund të dërgojë Forcën e Sigurisë së Kosovës – që është në proces të transformimit në ushtri – në veri, pa pëlqimin paraprak të misionit të KFOR-it.

Ky angazhim ishte dhënë përmes një letre  që ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i kishte drejtuar sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen. Ai mbetet në fuqi  sot e kësaj dite, pavarësisht ndryshimeve në mandatin e FSK-së.

NATO tha po ashtu se vazhdon të mbështesë dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë – që zhvillohet nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian – duke u bërë thirrje palëve që të zgjidhin mosmarrëveshjet dhe të arrijnë një zgjidhje që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve.

“Kjo është kyç për siguri afatgjatë në Kosovë dhe stabilitet në rajon”, u tha në njoftimin e KFOR-it.

Gjenerali Grynkewich po ashtu tha se NATO-ja është e përkushtuar për Ballkanin Perëndimor, të cilin e cilësoi si rajon me rëndësi strategjike për aleancën, siguria e të cilit, sipas tij, lidhet direkt me sigurinë e zonës euroatlantike, duke shtuar se NATO nuk do të lejojë që të ketë vakum të sigurisë”./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Koncert festiv “Liria na Bashkon” në Gjakovë për Ditën e Çlirimit

Published

on

Në shënim të Ditës së Çlirimit, tre ansamble kombëtare shqiptare do të bashkohen në koncertin festiv “Liria na Bashkon”, duke sjellë një mbrëmje me këngë, valle dhe interpretime nga kultura shqiptare.

Në këtë ngjarje do të marrin pjesë Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” nga Kosova, Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore nga Shqipëria, si dhe Ansambli Nacional i Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Koncerti do të mbahet në Shtëpinë e Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë, më 12 qershor 2026 në ora 19:00. /A.K/

Continue Reading

Lajmet

Maqedonci: UÇK hyri në Prishtinë dy ditë para NATO-s për të parandaluar masakrat serbe

Published

on

By

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka zbuluar detaje të panjohura nga ditët e çlirimit në Podcastin e Media Grupit të UBT-së. Ai tregoi se më 10 Qershor 1999, një pjesë e njësive të UÇK-së nga Zona Operative e Llapit morën urdhër të futeshin urgjentisht në kryeqytet. Ky mision synonte mbrojtjen e popullatës civile nga trupat serbe para tërheqjes së tyre.

Sipas ministrit, informacionet e kohës tregonin se forcat serbe në largim e sipër do të tentonin të bënin masakra të tjera dhe të plaçkitnin shtëpitë e shqiptarëve. Pjesë e këtij operacioni të rrezikshëm ishte edhe vetë Maqedonci. Ai kujton se ngritën flamujt në dy pika strategjike, në Kodrën e Trimave për të dhënë shenjën se UÇK-ja ishte në Prishtinë.

“Kemi ngritur flamujt si shenjë që Ushtria Çlirimtare e Kosovës është në Prishtinë. Ishim në uniforma dhe kishim vendosur pozicionet tona në mënyrë që të mos lejohej ndonjë masakër”, kujton ministri emocionet e asaj dite.

Gjatë intervistës, Maqedonci foli edhe për rrugëtimin e tij personal si 20 vjeçar, i cili nisi në vitin 1998, kur i’u bashkua UÇK-së nga Zvicra. Ai tregoi se stërvitjen teorike ushtarake në Shqipëri e kishte marrë nga Heroi i Kombit, Agim Ramadani. Pas një marshimi të vështirë 12-orësh nëpër borën e maleve të Pashtrikut, ai depërtoi në Kosovë për t’u angazhuar në zona të ndryshme operative.

“Ëndrra ime e parë ishte vetëm të kaloja kufirin, të prekja tokën e Kosovës, dhe çfarëdo që të ndodhte më pas nuk kishte rëndësi”, u shpreh Maqedonci për fillimet e tij në luftë.

Sot, si Ministër i Mbrojtjes, ai thotë se pasqyrimi i FSK-së është përmbushje e ëndrrës së dëshmorëve. Ai vuri në dukje investimet e mëdha prej 460 milionë eurosh në armatim gjatë katër viteve të fundit. Për Maqedoncin, modernizimi i ushtrisë sipas standardeve të NATO-s është garancia kryesore për të ruajtur paqen në vend.

“Kur përgatitesh për luftë, në fakt përgatitesh për ta shmangur luftën, sepse forca e dekurajon kundërshtarin”, potencoi në fund ministri Maqedonci. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Edmond Hajrizi: Liria e Kosovës, testament i sakrificës dhe unitetit

Published

on

By

Në 27-vjetorin e Ditës së Çlirimit të Kosovës, Presidenti i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ka vlerësuar rëndësinë historike të 12 Qershorit, duke e cilësuar këtë datë si një moment kyç në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë, paqes dhe ndërtimit të shtetit demokratik.
Sipas tij, kjo ditë përfaqëson kujtesën kolektive të sakrificës së popullit shqiptar për liri dhe njëkohësisht shërben si frymëzim për brezat e rinj që të kontribuojnë në zhvillimin dhe avancimin e vendit.
“12 Qershori mbetet një nga datat më të rëndësishme në historinë e Kosovës. Është dita kur kujtojmë me nderim të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë tonë dhe reflektojmë mbi përgjegjësinë që kemi për ta ndërtuar një të ardhme më të mirë për vendin”, theksoi Hajrizi.
Ai shprehu mirënjohje për kontributin dhe mbështetjen e aleatëve ndërkombëtarë, veçanërisht të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s dhe vendeve evropiane, të cilat luajtën rol të rëndësishëm në ditët më vendimtare për Kosovën.
Në këtë përvjetor, UBT rikujton rëndësinë e ruajtjes së vlerave të lirisë, demokracisë dhe arsimit, duke theksuar se investimi në dije, inovacion dhe zhvillim profesional mbetet rruga më e sigurt për përparimin e vendit.
Dita e Çlirimit të Kosovës shënohet çdo vit më 12 qershor, në kujtim të hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë në vitin 1999, një ngjarje që shënoi fundin e luftës dhe fillimin e një kapitulli të ri për qytetarët e vendit.

Continue Reading

Lajmet

Tensionet në Ngushticën e Hormuzit, SHBA rrëzon dronë iranianë

Published

on

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se lufta me Iranin ka përfunduar, megjithatë situata në rajon mbetet e tensionuar pas zhvillimeve të fundit në Ngushticën e Hormuzit.

Sipas Sky News, një zyrtar i lartë amerikan ka deklaruar se forcat e Shteteve të Bashkuara kanë rrëzuar dy dronë iranianë kamikazë, të cilët dyshohet se po synonin anije tregtare në këtë zonë strategjike. Sipas të njëjtit burim, trafiku detar në ngushticë po vazhdon normalisht.

Ndërkohë, mediat iraniane raportojnë për shpërthime pranë bregdetit në jug të vendit dhe për një incident me një tanker, i cili pas paralajmërimit nga marina e Gardës Revolucionare është ndalur dhe ka respektuar kufizimet e lundrimit.

Pavarësisht deklaratave optimiste nga Uashingtoni, zhvillimet e fundit tregojnë se tensionet mes SHBA-së dhe Iranit mbeten të larta, veçanërisht rreth kontrollit të lundrimit në një nga rrugët detare më të rëndësishme në botë./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara