Lajmet

REL: Keqllogaritja që mund ta destabilizojë Ballkanin

Published

on

Gara në armatim ekziston prej shekujsh, por pas Luftës së Dytë Botërore mori formë globale dhe sistematike, sidomos midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë.

Armët bërthamore, raketat balistike dhe avionët luftarakë transformuan mënyrën e konceptimit të fuqisë në vitet që pasuan.

Sot, në rajonin e Ballkanit Perëndimor, lëvizjet e Serbisë dërgojnë paralajmërime serioze.

Ky vend – partner i NATO-s dhe kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian – bleu raketa balistike supersonike nga Kina për forcën e tij ajrore. Kështu, u bë fuqia e parë në Evropë e pajisur me raketat ajër-tokë CM-400AKG, sipas presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

“E kemi bërë me sukses integrimin e raketave kineze në avionët rusë MiG-29 të gjeneratës së katërt. Këta janë sot ndër avionët më të mirë në Evropë – ndoshta edhe në botë. Raketat ajër-tokë nënkuptojnë goditjen e objektivave në tokë dhe kanë fuqi shkatërruese”, tha Vuçiq më 12 mars.

Reagimet ishin të shumta nga fqinjët që luftuan kundër Serbisë gjatë luftërave jugosllave të viteve 1990.

Kroacia – sot anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian – e konsideroi blerjen e raketave kineze si kërcënim për stabilitetin rajonal dhe shenjë të rritjes së garës së armatimit në Ballkan, ndërsa Kosova akuzoi Serbinë për tendenca hegjemoniste ndaj fqinjëve.

Këto dy vende, së bashku me Shqipërinë, nënshkruan në mars të vitit 2025 një marrëveshje për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, të cilën Vuçiq e sheh si kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e Serbisë – “nuk ekziston asnjë arsye tjetër për bashkimin e tyre, vetëm Serbia”.

“Ne po përgatitemi për sulmin e tyre. Ata nuk synojnë të mbrohen, por të sulmojnë. Po formojnë aleancë ushtarake për të na sulmuar”, tha Vuçiq teksa fliste për raketat kineze në Radio-Televizionin e Serbisë.

Ai nuk paraqiti asnjë provë për këto pretendime, të cilat Zagrebi, Prishtina dhe Tirana i hedhin vazhdimisht poshtë. Tha vetëm se forcat e armatosura serbe kanë në dispozicion edhe armë të tjera të sofistikuara, që nuk mund të bëhen publike.

Për njohësit e çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, këto mesazhe dërgojnë sinjale frike dhe pasigurie në rajon, rrisin perceptimin e kërcënimit dhe shtyjnë vendet fqinje drejt forcimit të kapaciteteve mbrojtëse. Kjo dinamikë, sipas tyre, mund të shndërrohet lehtësisht në një spirale të re armatimi, ku çdo veprim prodhon kundërveprim dhe tensionet vetëm se rriten.

Redion Qirjazi, ekspert i sigurisë në Shqipëri – vend anëtar i NATO-s, thotë se raketat kineze i japin Serbisë mundësi të reja për të projektuar fuqinë dhe ndryshojnë balancën e sigurisë në rajon; ato nuk janë thjesht mbrojtje – siç pretendon blerësi – por zgjasin kapacitetet ushtarake në distanca të largëta.

“Raketat kineze janë shumë precize. Një veçori shqetësuese e tyre është edhe shpejtësia e lartë – rreth Mach 4 deri Mach 5, ose deri në 6 mijë km/orë – që i fut në kategorinë e raketave të vështira për t’u interceptuar”, thotë Qirjazi për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Në Ballkan, Serbia mban tensione të hapura me Kosovën, ndaj së cilës ka pretendime territoriale, me Kroacinë dhe herë pas here me Malin e Zi. Marrëdhëniet e saj me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut janë më të qeta, ndërsa lidhja me Republikën Sërpska në Bosnje dhe Hercegovinë mbetet një rast i veçantë, që dallon nga pjesa tjetër e këtij shteti.

Blerjet e raketave kineze, sipas Kadri Kastratit, ekspert ushtarak nga Kosova, tregojnë qartë tendencën e Serbisë për t’u pozicionuar si aktori më i armatosur dhe më dominues në Ballkan dhe për ta mbajtur rajonin gjithmonë në teh të destabilizimit.

“Gjithë këtë armatim, Serbia është duke e blerë për të hyrë në garë, para së gjithash me Kroacinë. Pas furnizimit të Kroacisë me avionët Rafale nga Franca, Vuçiq bëri marrëveshje me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, për blerjen e avionëve të tillë. Pra, është një garë mes tyre”, thotë Kastrati për Exposenë.

Edhe pse pretendon neutralitet ushtarak, Serbia është ushtria më e shtrenjtë në Ballkanin Perëndimor. Vetëm në vitin 2024, shpenzoi 2.2 miliardë dollarë – rreth pesë herë më shumë se Shqipëria, anëtare e NATO-s dhe vendi i dytë në rajon për shpenzime ushtarake, sipas të dhënave të Institutit të Stokholmit për Kërkime mbi Paqen (SIPRI).

Serbia shpenzon dukshëm më shumë edhe se Kroacia, e cila gjithashtu është anëtare e NATO-s. Sipas SIPRI-t, dallimi në shpenzimet e mbrojtjes midis këtyre dy vendeve arrin në qindra miliona euro çdo vit.

Pas pushtimit rus të Ukrainës, Serbia i ndryshoi burimet e saj të armatimit, duke iu drejtuar Kinës për dronë luftarakë dhe sistemin raketor anti-ajror FK-3, por nuk ndaloi as blerjet nga Perëndimi, si Shtetet e Bashkuara dhe Franca.

Në deklaratat e tij, Vuçiq i kushton vëmendje të veçantë sidomos forcës ushtarake të Kroacisë. Në vitin 2024, kur Serbia bleu avionë luftarakë shumëfunksionalë, Rafale, nga Franca, ai ironizoi duke thënë se kur Kroacia bën të njëjtën gjë, është “lajm i mirë për rajonin”, ndërsa kur Serbia i blen, bëhet “tragjedi”.

“Ne nuk krijojmë probleme askund, as nuk i planifikojmë, as nuk i synojmë. Ky është një sinjal i madh i besimit mes Francës dhe Serbisë. Ne vetëm duam ta ruajmë vendin tonë”, tha Vuçiq.

Katarina Gjokiq, hulumtuese në Institutin e Stokholmit për Kërkime mbi Paqen, thotë se krahasimet mes Serbisë dhe Kroacisë duhet parë me kujdes. Kroacia, si anëtare e NATO-s, planifikon kapacitetet e saj ushtarake brenda aleancës dhe ndjek detyrat përkatëse, ndërsa Serbia vepron jashtë këtij mekanizmi.

Gjokiq thotë se ekziston një tendencë e elitave politike që të shikojnë përtej kufirit dhe ta përdorin armatimin e fqinjëve si alibi për të justifikuar zgjerimin e fuqisë së tyre.

“Ajo që është shqetësuese – kur bëhet fjalë për Serbinë, Kosovën dhe Kroacinë – është fjalori i papërgjegjshëm i elitave politike, që rrit tensionet, në vend se të shfrytëzohen mekanizmat ekzistues rajonalë ose të krijohen të rinj për komunikim dhe zgjidhje të problemeve. Thjesht, ekziston një prirje për të shkuar drejt rritjes së tensioneve – gjë që mund të jetë e rrezikshme, sepse edhe te qytetarët krijohet ndjenja e pasigurisë dhe frika se çfarë mund të ndodhë”, thotë Gjokiq për Exposenë.

Qirjazi paralajmëron se një klimë e tillë tensionesh dhe mosbesimi mund të çojë në interpretime të gabuara nga pala tjetër, duke nxitur reagime të shpejta dhe të pakontrolluara.

Kjo rrit rrezikun e përshkallëzimit edhe pa një qëllim të drejtpërdrejtë për konflikt – një situatë të cilën Qirjazi e përkufizon si “keqllogaritje”.

“Këtë e kemi parë edhe në konfliktin e fundit midis Iranit, Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara, ku argumenti ishte se kemi prova që Irani do të sulmonte i pari, ndaj ne goditëm. Apo – edhe në rastin e Irakut – u tha se Saddam Husseini do të krijonte armë bërthamore dhe do t’i përdorte kundër aleatëve në rajon, ndaj ne do të veprojmë. Kjo është ajo spiralja e sigurisë dhe përshkallëzimi”, shpjegon Qirjazi.

Në përgjigje të blerjes së raketave kineze, Bashkimi Evropian – ku Serbia synon të anëtarësohet – tha se vendi duhet të bëjë zgjedhje të qarta strategjike në rrugën e integrimit. Ndërkohë, NATO-ja, partnere e Serbisë, nuk iu përgjigj interesimit të Radios Evropa e Lirë për mënyrën se si e sheh bashkëpunimin e vazhdueshëm të Beogradit me Pekinin.

Në muajin maj, aleanca perëndimore do të mbajë stërvitje të përbashkëta ushtarake me Serbinë në poligonin Borovac, pranë kufirit me Kosovën.

Në një postim në rrjetet sociale, Komanda e Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli tha se stërvitja do të zhvillohet me ftesë të Serbisë. Sipas saj, ajo forcon bashkëpunimin praktik dhe mbështet stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Për Qirjazin, kjo dëshmon se Serbia ndjek strategjinë e “lojës me disa porta”. Nga njëra anë i hap derën Kinës për të rritur ndikimin në rajon, dhe nga ana tjetër bashkëpunon me Perëndimin për të krijuar një lloj varësie të ndërsjellë.

“Kjo strategji ka qenë karakteristike edhe e ish-Jugosllavisë me Titon, pasi mbante partneritete dhe aleanca me shumë aktorë të ndryshëm strategjikë, në mënyrë që të krijonte një varësi të këtyre superfuqive ndaj këtij vendi”, thotë Qirjazi.

Sipas tij, kjo qasje i jep Serbisë më shumë hapësirë manovrimi dhe i vendos aktorët ndërkombëtarë në një pozitë më të ndërlikuar në rast të konfliktit të mundshëm. Gjokiq pajtohet, por vë në pah edhe një aspekt tjetër:

“Një nga arsyet pse shumë vende sigurojnë armë nga Kina është se ato janë më të lira. Rasti i Serbisë është pak më specifik në aspektin gjeografik, sepse ajo ndodhet në Evropë dhe prej saj ka pritje të tjera”.

“Unë, për shembull, merrem me Afrikën Perëndimore dhe e di se atje ka shumë vende që kanë marrëdhënie të shkëlqyera me BE-në dhe, në të njëjtën kohë, sigurojnë armatim nga Kina, sepse është më i lirë”, thotë Gjokiq.

Vuçiq nuk zbuloi çmimin e raketave kineze CM-400AKG, të cilat mund të bartin deri në 200 kg material shpërthyes, por i përshkroi si “shumë të shtrenjta”.

Sipas raportit të fundit të SIPRI-t, blerjet e armëve në Evropë janë rritur ndjeshëm, duke e bërë kontinentin rajonin më të madh importues – me një rritje prej 210% midis periudhave 2016-2020 dhe 2021-2025.

Shtetet e Bashkuara, në anën tjetër, kanë rritur dominimin në eksportet e armëve – me Kosovën një prej klientëve të shumtë të tyre.

Zyrtarët kosovarë të Mbrojtjes theksojnë se blerjet e armëve bëhen ekskluzivisht nga aleatët e NATO-s. / REL/

Continue Reading

Lajmet

REL: A mund ta zhbllokojë debati për Specialen rrugën e Kosovës drejt Këshillit të Evropës?

Published

on

Konsultimet e Kosovës me Bashkimin Evropian për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara mund të shërbejnë si mundësi për ta rikthyer besimin e partnerëve evropianë dhe për t’i dhënë shtysë anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës – proces ky i bllokuar prej më shumë se dy vjetësh.

Disa njohës të çështjeve evropiane vlerësojnë se mënyra se si Kosova i trajton këto ndryshime, mund të dëshmojë përkushtimin e saj ndaj sundimit të ligjit dhe respektimit të detyrimeve ndërkombëtare – çështje me rëndësi për anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

Kosova ishte pranë anëtarësimit në këtë organizatë në vitin 2024, por procesi ngeci për shkak të kërkesave politike të disa shteteve anëtare, kryesisht lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Ndonëse konsultimet për Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe anëtarësimi në Këshillin e Evropës janë dy procese të ndara, njohësit vlerësojnë se ato janë të lidhura politikisht.

Ramadan Ilazi, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), thotë se shumë prej shteteve që vendosin për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, janë edhe ato që përcjellin nga afër përmbushjen e detyrimeve të saj ndërkombëtare.

Megjithatë, zgjidhja e mosmarrëveshjes me BE-në për ndryshimet ligjore nuk do të nënkuptonte automatikisht zhbllokimin e anëtarësimit.

Vendimi përfundimtar mbetet në duart e shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, ndërsa kërkesat e tyre politike, veçanërisht ato lidhur me Asociacionin, mbeten të pazgjidhura.

Një provë për marrëdhëniet me Evropën

Më 5 nëntor, komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, konfirmoi se Bashkimi Evropian po zhvillon bisedime me Qeverinë e Kosovës për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të njohura edhe si Gjykata Speciale.

Qeveria, megjithatë, nuk ka dhënë publikisht hollësi për këto bisedime dhe as nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për zhvillimin dhe përmbajtjen e tyre.

Kryeministri Albin Kurti, duke folur më 10 nëntor në Forumin e Paqes në Paris, nuk iu referua ndryshimeve ligjore, por tha se pakënaqësitë me aktgjykimin e Gjykatës Speciale duhet të adresohen përmes apelimit.

Ndryshimet në ligj, të iniciuara nga Partia Demokratike e Kosovës, u miratuan në Kuvend më 6 tetor, pas protestave kundër aktgjykimit dënues të shkallës së parë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më 16 shtator, Gjykata Speciale në Hagë dënoi për krime lufte ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarin Jakup Krasniqi me nga 25 vjet burgim, ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli me 18 vjet dhe ish-deputetin Rexhep Selimi me 13 vjet.

Ndryshimet ligjore synojnë, ndër të tjera, kufizimin e juridiksionit të Gjykatës Speciale dhe ndryshimin e disa dispozitave që lidhen me procedurat dhe dënimet.

BE-ja i kundërshtoi ato, duke paralajmëruar se bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës dhe mund të cenojnë pavarësinë e gjykatës.

Më 22 tetor, presidentja e Kosovës Justina Shiroka Pula e ktheu ligjin në Kuvend për rishqyrtim.

Sipas Rregullores së Kuvendit, komisioni përgjegjës ka katër javë afat nga pranimi i ligjit për ta përgatitur raportin për seancë plenare.

BE-ja e mirëpriti vendimin e presidentes dhe kërkoi të konsultohej për çdo ndryshim të mëtejshëm, në përputhje me shkëmbimin e letrave të vitit 2014 ndërmjet Kosovës dhe BE-së.

Në raportin e 4 nëntorit, edhe Komisioni Evropian paralajmëroi se ndryshimet e propozuara ngrenë shqetësime serioze për detyrimet ndërkombëtare të Kosovës, pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, si dhe llogaridhënien për krimet e luftës.

Engjëllushe Morina, hulumtuese e lartë për politika në Këshillin Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, me bazë në Berlin, paralajmëron se ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara mund të kthehen në pengesën e radhës për Kosovën në rrugën drejt Këshillit të Evropës.

Ajo vlerëson se tani, kur Kosova ka institucione të qëndrueshme, duhet ta intensifikojë bashkëpunimin me BE-në dhe angazhimin diplomatik për integrimin evropian.

“Kosova nuk ka më kohë për të humbur. Duke pasur parasysh kontekstin politik në Evropë, gjërat po lëvizin shumë shpejt dhe viti 2027, me zgjedhje nacionale në shumë vende anëtare, mund ta ndryshojë konstelacionin politik në BE. Kjo mund të na çojë në një situatë ku Kosova do të ketë edhe më pak përkrahje”, vlerëson Morina për Radion Evropa e Lirë.

Për Ilazin, ndërkaq, konsultimet me BE-në mund të jenë një mundësi për të dëshmuar se Kosova është e gatshme t’i trajtojë shqetësimet e partnerëve evropianë përmes dialogut dhe institucioneve.

“Nëse ndryshimet bëhen në mënyrë të njëanshme, rezervat ekzistuese vetëm sa do të forcohen. Nëse kalojnë përmes konsultimeve serioze, Kosova e forcon argumentin e saj” për anëtarësim në Këshillin e Evropës, thotë ai.

Ilazi vlerëson se shqetësimet për mënyrën se si Dhomat e Specializuara e kanë administruar procesin gjyqësor janë legjitime, por se duhet të adresohen përmes dialogut dhe mekanizmave institucionalë, e jo përmes ndryshimeve të njëanshme ligjore.

Ky qëndrim u pasqyrua edhe në një deklaratë të përbashkët, të publikuar më 1 nëntor, të cilën Ilazi e nënshkroi bashkë me 20 akademikë, aktivistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga Kosova dhe jashtë saj.

Në të, nënshkruesit kërkuan që shqetësimet lidhur me proceset gjyqësore në Hagë të trajtohen duke respektuar njëkohësisht të drejtat e të akuzuarve, drejtësinë për viktimat dhe detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.

Ilazi thotë se drejtësia për viktimat nuk duhet të krijojë përshtypjen se po gjykohet vetë lufta çlirimtare, ndërsa thekson se viktimat dhe familjet e tyre, nga të gjitha komunitetet, meritojnë të vërtetën dhe llogaridhënien.

“Këto parime duhet të respektohen së bashku dhe pa diskriminim. Ky është edhe mesazhi që Kosova duhet t’i dërgojë Këshillit të Evropës”, thotë ai.

Sipas tij, trajtimi i çështjeve të ndjeshme përmes institucioneve, ekspertizës dhe dialogut do të ishte një mesazh i rëndësishëm për Strasburgun dhe kryeqytetet evropiane.

Asociacioni, pengesa që mbetet

Përtej debatit për Gjykatën Speciale, një tjetër pengesë politike vazhdon ta mbajë pezull anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës: Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Më 16 prill 2024, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës rekomandoi pranimin e Kosovës, me 131 vota për, 29 kundër dhe 11 abstenime.

Por, një muaj më vonë, aplikimi i saj nuk u përfshi në rendin e ditës të takimit të Komitetit të Ministrave – organit që merr vendimin përfundimtar për anëtarësimin.

Disa shtete anëtare, përfshirë Gjermaninë dhe Francën, kërkuan që Kosova ta dërgonte për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin e Asociacionit, të përgatitur nga BE-ja, si dëshmi të përkushtimit ndaj marrëveshjeve të arritura në dialogun me Serbinë.

Qeveria e Kosovës fillimisht e kundërshtoi kërkesën. Më pas, ministrja e atëhershme e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, njoftoi se kishte dërguar një letër në Këshillin e Evropës, duke paralajmëruar dërgimin e draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të majit 2024.

Por, kjo nuk mjaftoi për ta zhbllokuar procesin.

Sipas Ilazit, kërkesa për Asociacionin nuk ishte kriter formal për anëtarësim, por kusht politik i disa shteteve anëtare.

Ai vlerëson se rekomandimi pozitiv i Asamblesë Parlamentare kishte dëshmuar se Kosova i plotësonte standardet kryesore për pranim.

“Pra, sot problemi nuk është se Kosova është e papërgatitur. Problemi është mungesa e besimit politik. Ky besim mund të ndërtohet, por kërkon punë të vazhdueshme dhe të koordinuar”, thotë Ilazi.

Nuk ka konfirmim publik se shtetet që e vendosën Asociacionin si kusht politik, kanë hequr dorë nga kjo kërkesë.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës për të pyetur nëse Asociacioni mbetet kusht për anëtarësim dhe çfarë hapash kërkohen për sigurimin e mbështetjes së shteteve anëtare. Nga Këshilli i Evropës ka kërkuar sqarime për kushtet e mbetura dhe mundësinë e shqyrtimit të aplikimit në takimin e ardhshëm ministror.

Asnjëri institucion nuk është përgjigjur deri në publikimin e artikullit.

Sipas Morinës, kushti i Asociacionit “është ende aty”, ndërsa mbetet të shihet se si do ta trajtojë Kosova këtë çështje në dialogun me Serbinë.

Edhe Ilazi thotë se për disa shtete evropiane, Asociacioni mbetet tregues i gatishmërisë së Kosovës për t’i përmbushur detyrimet e marra në dialog.

Ai vlerëson se dërgimi i draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese nuk duhet të shihet si lëshim politik, por si një mekanizëm për të garantuar përputhshmërinë e çdo zgjidhjeje me rendin kushtetues të Kosovës.

“Është procedurë kushtetuese që e mbron vetë Kosovën, sepse Gjykata garanton se çdo zgjidhje do të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe me karakterin unitar të shtetit. Kosova duhet ta bëjë këtë hap, por jo në heshtje dhe jo si veprim të izoluar”, thekson Ilazi.

Sipas tij, Kosova duhet të sigurojë paraprakisht garanci politike nga partnerët kryesorë evropianë dhe Shtetet e Bashkuara se një hap i tillë do t’i hapte rrugën shqyrtimit të aplikimit të saj.

A mund të jetë viti 2027 një mundësi e re?

Më 10 nëntor, Mali i Zi mori kryesimin gjashtëmujor të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, duke pasuar Monakon.

Kryesimi i tij do të përmbyllet më 12 maj 2027, kur është planifikuar të mbahet takimi i ardhshëm vjetor ministror në Mal të Zi.

Por, ende nuk ka konfirmim se aplikimi i Kosovës do të përfshihet në rendin e ditës së këtij takimi.

Për pranimin e një anëtari të ri, Komiteti i Ministrave duhet të sigurojë mbështetjen e dy të tretave të të gjithë përfaqësuesve që kanë të drejtë të marrin pjesë në këtë organ, sipas Statutit të Këshillit të Evropës.

Kjo do të thotë se, përveç përmbushjes së standardeve të kërkuara, Kosovës i nevojitet edhe mbështetje e gjerë politike nga shtetet anëtare.

Për Ilazin, përfshirja e aplikimit në agjendën e vitit 2027 kërkon angazhim të koordinuar diplomatik dhe hapa konkretë në raport me partnerët evropianë.

“Kjo kërkon tri gjëra: përmirësim të marrëdhënieve me BE-në, përfshirë një zgjidhje të konsultuar për ligjin e Dhomave të Specializuara, hapa të besueshëm në dialog dhe një fushatë diplomatike të koordinuar me shtetet që hezitojnë”, thotë ai.

Anëtarësimi në Këshillin e Evropës do t’i hapte Kosovës rrugën drejt sistemit evropian të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, përfshirë mundësinë që individët nën juridiksionin e saj t’i drejtoheshin Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

 

Continue Reading

Lajmet

Presidentja Shiroka Pula takon ambasadoren zvicerane, diskutojnë thellimin e bashkëpunimit

Published

on

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim ambasadoren e Zvicrës në Kosovë, Anne-Lise Cattin Hennin, me të cilën ka diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit.

Gjatë takimit, Shiroka Pula ka vlerësuar raportet e mira ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, duke e cilësuar këtë shtet si një nga partnerët e rëndësishëm të Kosovës në aspektin politik, ekonomik dhe zhvillimor.

Ajo ka shprehur mirënjohje për mbështetjen shumëvjeçare të Zvicrës në procesin e shtetndërtimit dhe në rrugëtimin evropian të Kosovës.

Presidentja ka theksuar gjithashtu rëndësinë e mërgatës shqiptare në Zvicër dhe kontributin e saj në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Në takim është diskutuar edhe për kontributin e Forcave të Armatosura të Zvicrës përmes kontingjentit Swisscoy, pjesë e misionit paqeruajtës të KFOR-it që nga viti 1999.

Shiroka Pula ka theksuar se bashkëpunimi me Zvicrën do të vazhdojë të thellohet dhe se ky shtet do të mbetet një nga partnerët e rëndësishëm të Kosovës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi i Kosovës mblidhet nesër në seancë të jashtëzakonshme për Raportin e Progresit

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës do të mbajë nesër një seancë të jashtëzakonshme, e cila është caktuar të nisë në orën 13:00.

Në qendër të këtij takimi të jashtëzakonshëm të deputetëve do të jetë debati parlamentar lidhur me Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, dokument ky që i është dorëzuar zyrtarisht institucioneve të Kosovës para pak ditësh.

Përfaqësuesit e popullit pritet të diskutojnë gjetjet kryesore, të arriturat dhe sfidat e evidentuara nga Bashkimi Evropian sa i përket përmbushjes së reformave dhe standardeve evropiane në vend. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Aktakuzë ndaj një personi për sulmet ndaj KFOR-it dhe Policisë në Zveçan më 29 maj 2023

Published

on

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet A.S., nën dyshimin për sulm ndaj personave zyrtarë dhe pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm, gjatë trazirave të 29 majit 2023 në Zveçan.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë ka marrë pjesë në sulmet pranë objektit të Komunës së Zveçanit, nga ora 06:00 deri në orët e mbrëmjes.

Në aktakuzë thuhet se A.S., në bashkëkryerje me persona të tjerë nga Kosova dhe Serbia, ka sulmuar pjesëtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, duke përdorur mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara dhe armë zjarri.

Si pasojë e sulmeve, janë lënduar disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe të paktën 30 pjesëtarë të KFOR-it, tre prej të cilëve kanë pësuar lëndime të rënda.

Gjatë trazirave, sipas Prokurorisë, janë sulmuar edhe automjetet e gazetarëve që po raportonin nga vendi i ngjarjes.

Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se po vazhdon të ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të sulmeve ndaj Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe gazetarëve më 29 maj 2023./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara