Lajmet
DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 22 mars, në vitet nëntëdhjetë
Published
8 months agoon
By
UBTNews22 mars 1993
Lajmet kryesore:
Urim i dr.Ibrahim Rugovës për Ditën e Bajramit;
Kryetari Rugova bisedoi me delegacionin e PDP-së;
SHBA- të do të nisin me shpërndarjen e 6,5 milionë dollarë ndihma Kosovës;
Edhe një Rezolutë për Kosovën;
Dr.Shaqir Shaqiri – kryetar i Komitetit Olimpik të Republikës së Kosovës;
Kush po përgatit emigrimin masiv të mjekëve në Libi?;
Kumtesë e asociacioneve të Mjekësisë së Kosovës;
Reduktim i shëndetësisë në Kosovë;
Koncert për ta ndihmuar Kosovën;
Në Liezh u formua klubi “Faik Konica”;
Jusuf Zejnullahu u kthye në Kosovë;
Të dhëna të reja për bastisjet e familjeve Ilazi nga Torina e Lipjanit;
Të rinjtë shqiptarë dërgohen me dhunë në shërbim ushtarak;
Dyshim për helmimin e një burimi të ujit në Kçiç të Madh;
NATO-ja do ta ndihmojë ushtarakisht Shqipërinë.
Edhe një përpjekje për të mbyllur gjimnazin “Sami Frashëri”
Autoritet serbe bënë edhe një përpjekje për të mbyllur gjimnazin “Sami Frashëri” të Prishtinës, i cili veprimtarinë mësimore e organizon në shtëpinë e Agim Aliut. Pasi është kërcënuar disa herë familja Aliu, “punëtorët” e “Elektrokosovës” sollën faturën për “punën e shkollës private” në një shumë rreth 4 mijë marka gjermane. Policët dhe “punëtorët” të premtën e kaluar kontrolluan lokalin, ku nxënësit po mbanin mësim.
22 mars 1994
Lajmet kryesore:
Kryetari Rugova priti delegacionin e SHF “Pandeli Sotiri” të Obiliqit;
Konferencë e kryeministrit të Republikës së Kosovës dr.Bujar Bukoshi në OKB;
Dr.Bujar Bukoshi u takua me ambasadorin Marero në OKB;
Të shtëna të policisë gjatë një ekspedite në fshatin Mirofc të Podujevës;
Ish-eprorët ushtarakë shqiptarë torturohen në Burgun e Mitrovicës;
Represioni i policisë serbe në Kosovë;
Dy të rinjve nga Mitrovica iu vazhdua paraburgimi edhe për një muaj;
Bashkim Ismaili nga Millosheva u dërgua në burgun e Nishit;
Komunikatë për shtyp e Komitetit të Helsinkit për Norvegji;
Jehona e protestës së shqiptarëve në Bruksel në mediumet belge;
Amerikanët po ndërtojnë baza në Shqipëri.
Keqtrajtohen të burgosurit shqiptarë në Dubravë të Istogut
Eprorët serbë dhe disa të burgosur shqiptarë në Burgun e Dubravës në Istog po keqtrajtojnë në çdo rast të burgosurit e shumtë shqiptarë.
Disa persona që i kanë të afërmit e tyre në këtë burg dhe dëshmitarë të tjerë i thanë QIK-ut se ndaj të burgosurve po sillen keq sidomos dy komandirë serbë: njëri është Dragan Millunoviq, ndërsa tjetri quhet Lubisha.
Vetëm në javët e fundit këta komandirë kanë rrahur Nazmi Bajramin, Deli Haxhosajn, Xhafer Zenën e të tjerë.
Janë keqtrajtuar dhe ndëshkuar në mënyra të ndryshme të burgosurit që kanë reaguar ndaj plaçkitjes së ushqimit në restorantin e burgut. Thuhet se eprorët serbë, duke e plaçkitur ushqimin, kanë ndikuar që të burgosurit të ushqehen shumë dobët.
Të burgosurit që kanë reaguar ndaj këtyre veprimeve janë ndëshkuar. Për këtë shkak Xhevat Makolli është ndëshkuar me 15 ditë vetmi.
Në mesin e atyre që sillen shumë keq dhe që ndikojnë që t’u rëndohet jeta të burgosurve shqiptarë, përmendet edhe Abdyl Ndrecaj, i dënuar për shkak të një vrasjeje.
22 mars 1995
Kryetari Rugova priti të ngarkuarin me punë në Ambasadën e Italisë në Beograd;
Kryetari Rugova fton shqiptarët që të marrin pjesë masovisht në tubimet në Evropë, SHBA e Australi;
Presidenti Berisha amnistoi 40 të dënuar;
Alfred Serreçi përkrahu paktin për stabilitet në Evropë;
Përfundoi stërvitja ushtarake shqiptaro-amerikane;
Ministri hungarez i Mbrojtjes në Tiranë;
Në Bari të Italisë seminar kushtuar çështjeve sociale;
Sigurimi serb mori në pyetje anëtarin e Kryesisë së LDK-së Naip Zekën;
Policia arrestoi Dekanin e Fakultetit Xehetaro-Metalurgjik të Mitrovicës;
Represion i shtuar i policisë serbe në lagjen Kodra e Trimave me rrethinë;
Thirrje për stërvitje ushtarake në Obiliq;
Java evropiane e aksionit kundër racizmit;
Seminar ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Bruksel;
Në kufirin hungarezo – sllovak vdiq Shemsi Topalli;
Nevzat Halilit i vazhdohet paraburgimi;
Persona të maskuar me uniformë ushtarake plaçkitën familjen Maloku në Ferizaj;
Dhuna e përditshme në Kosovë;
Arkani në krye të listës së kriminelëve të kërkuar nga Interpoli;
AT “Korabi” nga Vushtrria mashtroi 600 persona duke u premtuar punë në Libi;
Beogradi në letrën dërguar Galit mohon ekzistimin e çështjes shqiptare;
Administrata serbe e Prishtinës nxori vendimin për pagimin e taksës për ujë prej 300 dinarësh;
Serbët e pranojnë se ndërtimtaria në Kosovë është buzë shkatërrimit;
Raporti i qeverisë serbe për arrestimet dhe dënimet e shqiptarëve ;
Në secilin konflikt mes serbëve pësojnë shqiptarët;
Serbët në Maqedoni kërkojnë ushtrinë ruse.
Zvogëlim i numrit të nxënësve në Kosovë
Edukimi dhe arsimi fillor brenda këtyre 4 vjetëve shkollorë, karakterizohet me zvogëlimin e numrit të nxënësve, duke filluar prej klasës I e deri në klasën VIII. Mirëpo, krahasuar me vitin shkollor 1993-1994 numri i nxënësve në edukmin dhe arsimin fillor është shtuar për 158 nxënës. Në vitin shkollor 1988-1989 në edukimin dhe arsimin fillor ishin të përfshirë 305.439 nxënës, ndërsa në vitin shkollor 1994-1995 janë regjistruar gjithsej 273.187 nxënës ose 32.252 nxënës më pak.
Në vitin shkollor 1988-1989 ka qenë numri rekord i nxënësve shqiptarë të përfshirë në edukimin dhe arsimin fillor. Prej këtij viti shkollor mes tendenca e rënies së numrit të nxënësve për të arritur shkallën më të ulët të përfshirjes së nxënësve në vitin shkollor 1993-1994, njofton sot “Bujku”.
22 mars 1997
Plagosja e pasqaruar e një polici, pretekst për fushatë represioni në Podujevë
Mbrëmë, rreth orës 20 në një lokal tombolle në udhëkryqin që shpie nga Podujeva në drejtim të Kërpimehut është plagosur me armë zjarri një pjesëtar i policisë serbe.
Komisioni për Informim i Degës së LDK-së njofton se gjysmë ore pas të shtënave me armë, forcat e policisë e kanë bllokuar atë pjesë e qytetit. Është kontrolluar lokali, kalimtarët e rastit dhe veturat, ndërsa janë keqtrajtuar rëndë Muhamet Bllaca, pronar i lokalit “Bingo”, djali i tij Albani, Dardan Gërguri e Hamdi Lushaku.
U keqtrajtuan edhe Hamdi Rexhepi e i biri Bekimi, kryetar i Nëndegës së dytë të FR të LDK-së. Në shtëpinë e Hamdiut hynë 11 policë serbë dhe pasi e kontrolluan shtëpinë, i keqtrajtuan në prani të anëtarëve të familjes babë e bir dhe pastaj i dërguan në stacionin e policisë, ku janë mbajtur deri në orën O1 pas mesnate.
Dëshmitarët nga Podujeva thonë se gjatë natës ka pasur lëvizje të forcave serbe nëpër qytet. Sot më 22 mars, në orët e mëngjesit, u morën në polici në bisedë informative punëtorët e lokalit të tombollës Hamdi Lushaku, Muzafer Lushaku, Bujar Lushaku, Isak Mehmeti nga Podujeva dhe Burbuqe e Shkurte Musliu nga Prishtina.
Thuhet se te postblloku i policisë afër motelit “Besiana” në Podujevë janë ndaluar dhe keqtrajtuar disa kalimtarë të rastit.
Policia serbe ka maltretuar në kuadër të kësaj fushate të gjerë represive edhe Shaban Mehmetin me familje, Nuhi Ymerin, Isa Ymerin e Beshir Begollin.
Për plagosjen e një polici serb njoftojnë edhe radiostacionet serbe. Në emisionin e Radio Prishtinës thuhet se mbrëmë pas orës 20:00 një person i panjohur plagos me armë zjarri policin serb Branislav Milovanoviq. Duke iu referuar burimeve të policisë serbe në njoftim thuhej se në policin Milovanoviq ishin shkrepur pesë plumba nga revolveri 3,57 magnum derisa ai po qëndronte i ulur në një restorant.
Milovanoviqi u dërgua në klinikën e spitalit të Prishtinës me plagë të rënda në stomak, thuhej në njoftim.
Burimet e LDK-së në Podujevë thonë se gjendja në qytet e rrethinë është e rëndë dhe e tensionuar për shkak të kësaj fushate të represionit serb. Vetëm gjatë dy muajëve të parë të këtij viti 3 të rinj të kësaj komune u vranë ose u mbytën nga policia serbe. Ka drojë se për shkak të krizës në Shqipëri, regjimi serb mund të inicojë fushata të gjera represioni me qëllim të provokimit të konfrontimeve.
U ngrit aktpadia kundër 18 shqiptarëve
Gjykata serbe e qarkut në Prishtinë, të cilën e prezenton zëvendësprokurori i qarkut Jovica Jovanoviq, ka ngritur aktpadinë kundër 18 anëtarëve, siç thuhet, të ‘organizatës armiqësore ilegale shqiptare’ të cilën kjo prokurori e pagëzon me “Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës”, e cila ngarkohet për “vepër armiqësore kundër shkatërrimit të Serbisë dhe Jugosllavisë”, por edhe për, siç thuhet për “veprimtari terroriste”.
Aktpadia është ngritur kundër këtyre të paraburgosurve: Avni Klinaku, Mujë Prokupni, Liburn Aliu, Dylber Beka, Gani Baliu, Nebih Tahiri, Shaban Beka, Hajzer Bejtullahu, Enver Dugolli, Emin Salihu, Shukrie Rexha, Naser Tahiri, Dulah Salihu, Ragip Berisha, Burhan Hasani e Majlindë Sinani dhe kundër Agim Kuletës e Fatmir Humollit, të cilët gjendet në arrati.
Në një njoftim të botuar sot në gazetën serbe “Dnevni telegraf” theksohet se organet e instaluara serbe në Kosovë së shpejti do të ngrisin aktapadi edhe kundër 20 anëtarëve të tjerë të, siç thuhet, Organizatës terroriste “Ushtria për Çlirimin e Kosovës” të cilët po ashtu gjenden në paraburgim.
I njëjti burim konstatonte se kinse udhëheqja e kësaj organizate ilegale, e udhëhequr nga Avni Klinaku, paska formuar në Prishtinë njësinë guerile terroriste të ashtuquajtur “Njësia guerile e Prishtinës – Rexhep Mala”, të cilën e përbëjnë pesë njerëz: Liburn Aliu, Agron Rrahmani, Dilber Beka, Agim Kuleta e Njazi Gashi. Në fund të këtij shkrimi thuhej se ata janë përpjekur t’i kryejnë dy aksione terroriste në Prishtinë, ndërsa aksionin e tretë të planifikuar as që e kanë filluar.
Megjithëse i cilëson të arrestuarit si pjesëtarë të grupeve terroriste, shtypi serb sjell si argment për këtë vetëm gjetjen e disa numrave të revistës “Çlirimi”, e cila shpërndahet ilegalisht në Kosovë.
Partitë politike dhe institucionet e Kosovës, si edhe shumë organizata joqeveritare të vendeve ët ndryshme, e kanë dënuar fushatën më të re të arrestimeve të dhjetëra të rinjëve shqiptarë në fillim të këtij viti, e cila nën pretekst të gjurmimit të anëtarëve të organizatave ilagele përgjegjëse për disa incidente të pasqaruara në Kosovë, shkaktoi katër shqiptarë të vrarë. Gjatë hetuesisë kundër të arrestuarëve janë përdorur torturat më të egra, duke shkaktuar vdekjen e Besnik Restelicës nga Podujeva dhe lëndimin e shumë të tjerëve. Torturimi është bërë me qëllim të nxjerrjes së deklaratave vetakuzuese nga të arrestuarit dhe të konstruktimit të një procesi të ri të montuar politik.
Lajmet e tjera:
Kryetari Rugova priti diplomatë amerikanë;
Kriza në Shqipëri nuk imponon ndërrime në lëvizjen në Kosovë;
“AP” për Kosovën në kontekst të gjendjes në Shqipëri;
Gazeta “The Christian Science Monitor” për Shqipërinë dhe Kosovën;
Bon: Shqipëria – nga subjekti politik ballkanik në objekt humanitar;
Qarqet serbe konstatojnë dobësimin e pozicionit të Kosovës pas anarkisë në Shqipëri;
Berisha u takua me ambasadorin e Gjermanisë;
Pjetër Arbnori priti ambasadoren e SHBA-ve;
Italia përgatit trupa për në Shqipëri;
Italia vendos të dërgojë ndihma humanitare në Shqipëri;
Tiranë: 40 fëmijë të plagosur nga lëndë djegëse e shpërthyese;
Saranda jashtë kontrollit të policisë;
Gjendje e tensionuar në Berat;
Fier: Përpjekje për stabilizimin e situatës;
Turqia do ta mbrojë me forcë integritetin territorial të Shqipërisë;
Përmirësim i gjendjes së nxënëseve të lënduara nga shpërthimi te FF;
Në Vushtrri mbahen takimet e poeteshave shqiptare.
22 mars 1999
Edicioni i orës 11:00:
Mbrëmë në Prishtinë u vranë katër policë serbë
Prishtinë, 22 mars (QIK) – Mbrëmë rreth orës 18:00 në Prishtinë, në rrugën Milladin Popoviq e cila shpie për në Gërmi, u vranë katër policë serbë, ndërsa një u plagos.
Siç njoftojnë mediat serbe janë vrarë këta policë: Vlladimir Jeftiq, Dejan Ivkoviq, Aleksandar Millojkoviq dhe Milovoje Niqiq.
Ndërsa lehtë është plagosur polici Nexhat Osmani.
Njoftohet se kundër një patrulle të policisë është hapur zjarr me armë automatike nga një veturë.
Policia serbe mbrëmë, pas kësaj ngjarjeje, bllokoi këtë pjesë të qytetit dhe keqtrajtoi fizikisht këndo që gjeti nëpër rrugë.
Lajmet e tjera:
Mbi 15 mijë të zhvendosur në fshatin Qirez – pa mbulojë, pa ushqim dhe pa ilaçe
Granatohen fshatrat Peçan e Sllapuzhan të Suharekës
Vazhdojnë të shtënat në fshatrat rrëzë Qyqavicës
Shkrehje armësh në Sllatinë dhe keqtrajtime të shumta në Fushë Kosovë
Në disa fshatra të Suharekës ndërpritet mësimi përkohësisht
Edicioni i orës 13:00:
NKMLDNJ në Skënderaj: Deri tash dihet për 16 të vrarë, dyshohet të jenë më shumë;
Vazhdojnë sulmet dhe djegiet e shtëpive në disa fshatra të Drenicës;
Të shtëna në fshatrat rrëzë Qyqavicës;
Rifilluan granatimet e disa fshatrave të komunës së Podujevës;
Të shtëna dhe djegie shtëpishë në Malishevë;
Forca të reja policore serbe erdhën nga Serbia në Kosovë;
Policët serbë keqtrajtuan dy punëtorë të Presidencës së Kosovës;
Persona të panjohur vranë Islam Gashin në Prishtinë;
Vushtrri: Tre persona të maskuar shtinë me armë në shtëpinë e Bedri Kostanicës;
Deçan: Fushatë e egër kundër popullatës shqiptare në Strellc të Poshtëm dhe në Isniq;
Janë përshpejtuar përgatitjet për sulmet ajrore të NATO-s mbi objektivat ushtarake në Serbi;
UNHCR do të vazhdojë me aktivitete në Kosovë;
Kuvendi i Serbisë nesër debaton për raportin e delegacionit serb në Rambuje e Paris;
V.Drashkoviq: Serbët në një luftë të pabarabartë me NATO-n do ta humbasin Kosovën.
Edicioni i orës 13:30:
Suharekë: Gjatë natës u granatuan fshatrat: Studençan, Peqan e Sllapuzhan;
Podujevë: Granata qëlloi dy shtëpi në Sfeçël;
Forcat serbe plaçkisin shtëpitë në disa fshatra të Hanit të Elezit;
Prishtinë: Ndërpritet mësimi në shkollat fillore e të mesme të komunës, deri me 31 mars;
Vazhdon fushata kundër gazetave shqipe;
Shaban Zeqiri vdiq në spitalin e Prishtinës;
KQS i LDK-së bën apel për strehimin e të ikurve nga lufta;
Hollbruk pritet të takohet sot me Millosheviqin;
Hill, Petriç e Majorski shkojnë sot në Beograd;
Petriç: “Nënshkrimi i marrëveshjes – e vetmja dalje nga kriza”;
Shrëder: “Vetëm Millosheviqi mund ta ndalë luftën”;
Kuk: “Kërcënimi NATO-s është i njëmendët”.
Edicioni i orës 14:30:
Në Paris u botua një libër për Ibrahim Rugovën;
Edita Tahiri: NATO duhet të veprojë tash;
KMDLNJ: Një i vrarë në Tërstenik të Gllogocit;
Në Reshtan të Suharekës është djegur shtëpia ku ishte i vendosur Misioni i OSBE-së;
Detonime të fuqishme në Rahovec;
Policia arrestoi një shqiptar nga Lugu i Baranit;
SHHB “Nëna Tereze” bën apel për strehimin e të ikurve;
Kaçanik: Policia serbe konfiskoi një sasi ndihmash të SHHB “Nëna Tereze”.
Edicioni i orës 15:00:
Në Kosovë mësimi në të gjitha nivelet ndërpritet deri më 31 mars;
Në Kabash të Prizrenit u gjet edhe i vrari i tretë të shtunën e kaluar
Vazhdojnë sulmet kundër fshatrave të Llapit.
You may like
Kujtesë
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 7 nëntor 1992-1998?
Published
7 hours agoon
November 7, 2026By
UBTNews
Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998.
7 nëntor 1992
Katër të vrarë e shumë të plagosur nga policia maqedonase
Bilanci tragjik i ndërhyrjes së policisë maqedonase në lagjen e banuar me shqiptarë Bit Bazar të Shkupit, është së paku dy persona të vrarë e me dhjetëra të plagosur.
Shërbimi për Informim i Partisë për Prosperitet Demokratik na njoftoi se dje pasdite, rreth orës l6, policia maqedonase ndërhyri kundër qytetarëve shqiptarë në Bit Pazar, që është qendër tregtare e shqiptarëve. Me këtë rast, policia maqedonase rrahu brutalisht një fëmijë, rreth 14 vjeç.
Ky veprim shkaktoi indinjatë, dhe pastaj reagime të shqiptarëve. Në mesin e qytetarëve të tubuar në Bit Pazar, u përhapën fjalë se fëmiu shqiptar kishte vdekur në spital. Duket se kjo u bë me qëllim që të rritet zemërimi i qytetarëve shqiptarë, të cilët kërkonin informata të sakta për gjendjen e fëmiut të rrahur dhe sqarime nga autoritetet maqedonase.
Ndërkohë, rreth orës 20, pa kurrfarë paralajmërimi policia maqedonase e cila kishte vënë gjendje të plotë shtetrrethimi në këtë lagje të banuar kryesisht me shqiptarë, ndërhyri egërsisht, duke përdorur bomba lotsjellësi, shkopinj gome, e, edhe armët e zjarrit. Sipas disa mjeteve të informimit, policia kishte për qëllim shpërndarjen e masës së madhe në grupe të vogla. Siç informojnë zyrtarët e Partisë për Prosperitet Demokratik, nga të shtënat e policisë u vra Safet Sejfullahu, 25 vjeçar. Mjetet e informimit pohojnë se janë vrarë dy persona. Me dhjetëra janë të plagosur nga armët e zjarrit, ose të lënduar nga intervenimi brutal i policisë. Mbi 85 qytetarë shqiptarë janë arrestuar mbrëmë dhe po mbahen ende në polici. Bëhet me dije se janë demoluar vetura e lokale të shumta në këtë lagje.
Ndërkaq, sot RadioShkupi, në emisionet e veta informative në gjuhën maqedonase, duke u mbështetur në informatat zyrtare, njofton se gjatë mbrëmë në Bit Pazar, janë vrarë dy shqiptarë, një grua maqedonase dhe një person i paidentifikuar ende.
Informata të hollësishme për këtë intervenim të policisë kundër popullësisë shqiptare nuk dhanë as organet zyrtare të Maqedonisë, e as partitë politike shqiptare në Maqedoni, ose degët e tyre në Shkup.
Gjatë natës të gjitha lidhjet telefonike me Shkupin ishin të bllokuara.
Kryetari i Partisë për Prosperitet Demokratik, Nevzat Halili, i deklaroi Qendrës për Informim se tërë kjo që ndodhi në orët e pasditës dhe të mbrëmjes në Bit Pazar ishte një skenar për destabilizimin e gjendjes në Maqedoni, përkatësisht në territoret ku jetojnë shqiptarët.Me këtë akt, policia maqedonase deshi të provokonte pakënaqësinë e grumbulluar për shkak të gjendjes së rëndë politike, ekonomike, kulturore në mesin e popullatës shqiptare. Ne do të insistojmë, tha ai më tutje, që e vërteta për tërë ngjarjen të dalë në shesh dhe që shkaktarët të mirren në përgjegjësi. Ai theksoi se momentalisht situata nuk është dramatike si mbrëmë. Veprimtarët e kësaj partie janë në kontakt me qytetarët shqiptarë dhe po bëjnë përpjekje që të ndërprerjnë daljen e situatës nga kontrolli. Gjendja e të plagosurve dhe e të lënduarëve nuk është në rrezik. Z. Halili shpreson se do të lirohen së shpejti të arrestuarit.
Nga burime të ndryshme, sidomos nga qytetarët shqiptarë që udhëtuan mbrëmë e sot nga Shkupi për në Kosovë, mirret vesh se policia maqedonase po bën një kontroll shumë të rreptë, sidomos në Shkup.
Brenda ditës së sotme pritet që me vlerësime e qëndrime zyrtare të dalin partitë politike shqiptare dhe organet maqedonase.
Qeveria e Maqedonisë, në të cilën shqiptarët kanë pesë ministra, dhe përfaqësuesit e popullit shqiptar në Maqedoni, që përbën rreth 40% të popullsisë, deri më tash nuk kanë arritur marrëveshje për rregullimin e shtetit maqedon dhe statusin e shqiptarëve. Në janar të vitit l992 shqiptarët organizuan një referendum, në të cilin u deklaruan par autonomi politikoterritoriale. Në bisedimet e drejtëpërdrejta me autoritetet maqedonase, si edhe në bisedimet që janë bërë me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të Konferencës së Hagës e të Gjenevës, përfaqësuesit e shqiptarëve kanë kërkuar për shqiptarët statusin e kombit shtetformues. Mirëpo, deri më tash këto kërkesa nuk janë përfillur dhe bisedimet nuk kanë dhënë rezultat. Incidenti i djeshëm mund t’ i rëndojë këto marrëdhënie.
7 nëntor 1994
Represioni gjatë nëntë muajve në Istog
Gjatë nëntë muajve të kaluar në komunën e Istogut u bastisën 77 familje, u bënë pesë intervenime në institucionet legale, u morën në pyetje 96 shqiptarë, u shënuan dy raste plaçkitjeje ndërsa katër personave u janë marrë pasaportat.
Në raportin periodik të Komisionit për Informim të Degës së LDK-së në Istog thuhet se janë maltretuar 54 persona, 10 të tjerë janë mbajtur në stacionet e policisë deri në 3 ditë, procedura për ndëshkim është inicuar kundër 7 personave, 71 janë rrahur, 2 shqiptarë janë dënuar, ndërsa jtanë kthyer 13 refugjatë.
7 nëntor 1995
Në qendër të Prishtinës u dogjën disa lokale
Dje në qendër të Prishtinës në një ndërtesë dykatëshe shpërtheu një zjarr, i cili u lokalizua pas tri orëve, por stihia e zjarrit dogji tri lokalet e një ndërmarrjeje private. Pas intervenimit të zjarrfikësve u pengua përhapja e zjarrit, i cili kishte përfshirë edhe lokalet e tjera përdhese dhe katin e sipërm të ndërtesës, ku banojnë familje. Sipas njoftimeve të shtypit serb, zjarri shpërtheu për shkak të instalimeve të dobëta të rrymës.
7 nëntor 1996
Dhuna e përditshme në Kosovë
Viti: – Dje, rreth orës 6:00 të mëngjesit, policia serbe ia la thirrjen Musa Misinit, anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së në Viti që të paraqitet në stacionin e policisë serbe në Viti.
- Misini u paraqit në polici, kur për rreth gjashtë orë u mor në pyetje për aktivitetin e tij politik.
Kamenicë: – Më 4 nëntor, policia serbe me pretekst të dorëzimit të armëve, thirri Muharrem Avdylin (66) nga Kromenata, i cili edhe u keqtrajtua fizikisht. Ai u urdhërua që të paraqitet sërish dje në polici, ndërsa bëhet e ditur se nga keqtrajtimi fizik i është lënduar syri.
7 nëntor 1997
Mitrovicë: Policia mori në pyetje dhe plaçkiti një të ri shqiptar
Dje, rreth orës 12:00 në afërsi të tregut të pemëve në Mitrovicë, policia serbe mori Berat R. Rrahmanin (18) nga Mitrovica, i cili u dërgua në stacionin e policisë serbe në Mitrovicë, njofton KI i Degës së LDK-së në Mitrovicë.
Njoftohet se Berat Rrahmani merret me shitjen e cigareve dhe ai gjatë një ore sa u mbajt në polici, u pyet se kush ka armë në lagjen e tij në “Tavnik”, ndërsa policët edhe i plaçkitën cigare në vlerë prej 320 dinarësh.
Sot, nga ora 8:00 deri në orën 12:00, policia serbe në afërsi të tregut të pemëve në Mitrovicë, legjitimuan dhjetëra të rinj shqiptarë.
7 nëntor 1998
Njoftohen emrat e 5 shqiptarëve të vrarë dje në Opterushë të Rahovecit
Nënkëshilli i KMDLNJ-së në Prizren bëti sot të ditur emrat e pesë të rinjve shqiptarë, të vrarë dje nga forcat serbe në Opterushë të Rahovecit.
Të vrarit janë Xhelal Hajda (31) e Selajdin Mullaabazi (30) nga Rahoveci, Bektesh Halili nga Gllavatini i Vushtrrisë, Hamdi Hajrizi nga Strofci i po kësaj komune dhe Nezir Ymeri nga Jezerci i Ferizajt, të gjithë pjesëtarë të UÇK-së.
Foto: Shkupi
Vendi
Ekspertja e Hollywood-it ligjëron para studentëve të studimeve të sigurisë në UBT
Published
1 day agoon
November 6, 2026By
UBTNews
Fakulteti i Studimeve të Sigurisë në UBT ka organizuar një ligjëratë tematike me një eksperte të industrisë së filmit në Hollywood, producente dhe skenariste, e njohur për kontributin e saj në realizimin e serialit të suksesshëm kriminal Mindhunter.
Ligjërata u zhvillua në kuadër të lëndës Kriminologji, nën udhëheqjen e profesorit Arian Kadriu, ku studentët patën mundësinë të ndërthurin njohuritë akademike me perspektivën praktike të analizës së krimit dhe profilizimit kriminal.
Gjatë këtij aktiviteti, studentët prezantuan projektet e tyre grupore me temën “To Create a Monster”, përmes të cilave krijuan profile të vrasësve serialë, duke analizuar karakteristikat e tyre psikologjike dhe sjellore, motivet, arsyet dhe rrethanat që ndikojnë në formimin e personaliteteve kriminale.
Projektet u prezantuan para ekspertes, e cila ndau vlerësime dhe komente profesionale, duke u ofruar studentëve një perspektivë nga përvoja e saj në trajtimin e personazheve dhe ngjarjeve kriminale përmes skenaristikës dhe produksionit filmik.
Ky aktivitet përfaqëson një mundësi të veçantë për studentët e Fakultetit të Studimeve të Sigurisë në UBT që të zgjerojnë njohuritë e tyre përtej teorisë, të zhvillojnë aftësitë analitike dhe të kuptojnë më thellë mënyrën se si krimi, motivet dhe sjelljet kriminale trajtohen edhe në industrinë ndërkombëtare të filmit dhe televizionit.


Lajmet
Ngrihet aktakuzë ndaj dy personave në Prizren, synonin marrjen e pasurisë prej 1 milion eurosh
Published
1 day agoon
November 6, 2026By
UBTNews
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit E.K. për veprat penale “Fajdeja” dhe “Detyrimi”, si dhe ndaj të pandehurit A.K., i cili akuzohet për fajde në bashkëkryerje.
Sipas aktakuzës, nga viti 2021 e tutje, i pandehuri E.K. ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimës B.Ç., duke i dhënë para me kamata dukshëm jo proporcionale. Përmes kësaj skeme, vetëm në emër të kamatave, i pandehuri ka përfituar mbi 400,000 euro nga viktima.
Për më tepër, E.K. e ka detyruar viktimën të paguajë kamatat dhe të mos e denoncojë rastin në polici përmes kanosjeve serioze me vrasje ndaj tij dhe familjes së tij, duke i shkaktuar frikë dhe pasiguri të vazhdueshme.
Në pamundësi për të shlyer borxhin, në këtë marrëdhënie është përfshirë edhe viktima e dytë B.B., nga i cili të pandehurit E.K. dhe A.K. kanë kërkuar shumën prej 550,000 eurosh shkak të grumbullimit të kamatave.
Përpjekja për marrjen e pronave: I pandehuri i ka kërkuar viktimës t’i kalojë në pronësi lokale afariste dhe një shtëpi me vlerë prej rreth 1 milion eurosh për mbulimin e kamatave.
Arrestimi nga Policia: Më 11 mars 2026, gjatë kohës kur të pandehurit po shoqëronin viktimën te përmbaruesi privat dhe noteri për kalimin e pronave, Policia e Kosovës ka ndërhyrë përmes masave të veçanta hetimore dhe i ka arrestuar ata në vendngjarje.
Lidhur me rastin, Prokuroria ka zgjeruar hetimet edhe për “Pastrim të parave”, ka ngrirë disa patundshmëri, si dhe ka propozuar konfiskimin e parave të gatshme, dy automjeteve dhe dokumenteve noteriale. Prokurori i çështjes i ka kërkuar gjykatës shpalljen fajtore të të pandehurve dhe dënimin e tyre sipas ligjit. /E.A/
Lajmet
BE me udhëzime të reja për krizat: Familjet të sigurojnë rezerva ushqimore dhe ujë për të paktën 72 orë
Published
1 day agoon
November 6, 2026By
UBTNews
Komisioni Evropian ka publikuar një sërë udhëzimesh të reja për qytetarët e Bashkimit Evropian, duke u bërë thirrje që të përgatiten më mirë për situata emergjente dhe fatkeqësi të ndryshme, si ndërprerjet e energjisë elektrike, sulmet kibernetike apo krizat e tjera të mundshme.
Udhëzimet u prezantuan në Forumin Evropian për Mbrojtjen Civile në Bruksel nga komisionerja evropiane për gatishmëri dhe menaxhimin e krizave, Hadja Lahbib, e cila theksoi se orët e para të një emergjence janë vendimtare për mbrojtjen e familjeve dhe komunitetit.
Sipas rekomandimeve kryesore, çdo familje duhet të sigurojë rezerva ushqimore, ujë dhe artikuj bazë për të paktën 72 orët e para të një krize, si dhe të ketë të përgatitur një çantë emergjente për evakuim të shpejtë.
- Edukimi dhe mbrojtja: Rekomandohet përfshirja e edukimit për krizat në kopshte e shkolla me aktivitete të përshtatura për fëmijët, si dhe masa të veçanta për mbrojtjen e personave me aftësi të kufizuara.
- Dita Evropiane e Gatishmërisë: Është propozuar që 23 tetori – data e themelimit të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile në vitin 2001 – të shpallet Dita Evropiane e Gatishmërisë duke filluar nga viti 2027.
- Testimet e mbrojtjes civile: Shteteve anëtare u kërkohet të zhvillojnë teste të rregullta gatishmërie dhe të garantojnë që qendrat kombëtare të mbrojtjes civile të funksionojnë 24 orë në ditë, edhe gjatë rënies së rrjeteve apo sulmeve kibernetike.
Strategjia mbështetet në raportin e ish-presidentit finlandez Sauli Niinistö, i cili bën thirrje për ndërtimin e një me këtë kulturë gatishmërie për shkak të fatkeqësive klimatike dhe kërcënimeve gjeopolitike në Evropë. /E.A/
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 7 nëntor 1992-1998?
Ekspertja e Hollywood-it ligjëron para studentëve të studimeve të sigurisë në UBT
Ngrihet aktakuzë ndaj dy personave në Prizren, synonin marrjen e pasurisë prej 1 milion eurosh
BE me udhëzime të reja për krizat: Familjet të sigurojnë rezerva ushqimore dhe ujë për të paktën 72 orë
Jobe Bellingham ftohet për herë të parë te Kombëtarja e Anglisë
Franco Foda publikon listën për sfidat e nëntorit: Tre emra të rinj dhe rikthimi i Elvis Rexhbeçajt te Kosova
Alarm pasigurie në Evropë: Kërcënime për bomba në katër shtete shtyjnë autoritetet të rrisin masat e sigurisë
Prokuroria e Pejës udhëheq takimin ndërinstitucional për dhunën në familje
MINT-i dhe Banka Botërore nënshkruajnë marrëveshjen për Eko-Parqet Industriale
Të kërkuara
-
Sport3 months agoTrumpi mbron Infantinon: “Do të ishte gabim i tmerrshëm nëse FIFA e zëvendëson”
-
Aktualitet3 months agoTrump konfirmon ndërrimin e fshehtë të avionit në Turqi pas kërcënimit nga SHBA-ja
-
Sport3 months agoTronditet pozita e Infantinos, shumica e federatave kundër mandatit të katërt
-
Lajmet2 months agoThaçi dënohet me 25 vjet burgim për krime lufte
