Lajmet

REL: Emri i shefit të ri të Zyrës ruse në Kosovë figuron në një databazë që e lidh me inteligjencën ruse

Published

on

Radio Evropa e Lirë ka gjetur se emri i Ilia Uvarovit, shefit të ri të Zyrës Ndërlidhëse të Rusisë në Prishtinë, figuron në një databazë të publikuar nga organizata ukrainase Molfar, ku përfshihen persona që dyshohet se kanë lidhje me shërbimet sekrete ruse. REL-i nuk ka mundur ta verifikojë në mënyrë të pavarur pretendimin për rolin e saktë të tij.

Në një zyrë që prej vitesh operon pothuajse në heshtje në Prishtinë, Rusia emëroi shef të ri.

Në gusht të vitit 2025, përmes një njoftimi të shkurtër, misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) bëri të ditur se përfaqësuesja e atëhershme speciale e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së kishte pritur shefin e ri të Zyrës Ndërlidhëse të Rusisë në Prishtinë, Ilia Uvarov.

Takimi u përshkrua si “diskutim i përgjithshëm dhe konstruktiv”.

Përtej këtij njoftimi formal, Uvarov mbeti figurë pak e njohur për publikun në Kosovë.

Madje, në ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, ku janë të listuara misionet e huaja diplomatike në vend, ai ende nuk figuron si drejtues i kësaj zyre. Aty vazhdon të jetë i listuar paraardhësi i tij, Andrei Shugurov.

Ndërkohë, emri i Uvarovit, si i emëruar për Kosovën, përmendet në listën e përditësuar të misioneve të huaja në Serbi – një praktikë që lidhet me faktin se Serbia e konsideron Kosovën pjesë të territorit të saj, ndërsa shtetet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, shpesh i menaxhojnë marrëdhëniet diplomatike përmes Beogradit.

Ajo që e vendos emrin e Uvarovit në një kontekst më të gjerë, është një databazë e publikuar nga Molfar Intelligence Institute – një organizatë ukrainase që merret me analiza të burimeve të hapura dhe, në disa raste, edhe me dokumente të rrjedhura nga Rusia.

Në këtë databazë, Ilia (Ilya) Uvarov përshkruhet si “oficer i departamentit RT (Zbulim nga territori) të Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR)”.

Sipas organizatës, databaza është ndërtuar mbi materiale të siguruara nga një burim i brendshëm në një kompani teknologjike në Moskë dhe përmban emra diplomatësh dhe punonjësish të inteligjencës.

Një pjesë e të dhënave, sipas saj, është verifikuar përmes krahasimit me regjistra shtetërorë, por vetë organizata thekson se konfirmimi i plotë i roleve specifike mbetet i vështirë.

Instituti Molfar i tha REL-it se Departamenti RT “lidhet me operacione të inteligjencës që zhvillohen nga territori rus dhe që shpesh përdorin mbulesa diplomatike apo institucionale për të krijuar kontakte me zyrtarë të huaj, biznesmenë e të tjerë”.

REL-i nuk ka mundur të kontaktojë drejtpërdrejt me Ilia Uvarovin për të marrë një qëndrim lidhur me këto të dhëna.

Zyra Ndërlidhëse e Rusisë në Prishtinë nuk iu përgjigj pyetjeve të dërguara në adresën e saj zyrtare të emailit, e as Ambasada ruse në Beograd.

Ngjashëm, as Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it nëse ka informacione që Uvarov mund të jetë i lidhur me inteligjencën ruse.

Kush është Uvarov?

Karriera diplomatike e Uvarovit, që besohet të ketë nisur qysh në vitin 2000, përfshin disa poste në vende të ndryshme.

Në dokumente zyrtare, ai shfaqet fillimisht në vitin 2011 si pjesë e stafit diplomatik rus në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Megjithatë, të dhënat më të dukshme për aktivitetin e tij lidhen me misionin diplomatik në Moldavi.

Atje, ai ka shërbyer si konsull në Ambasadën ruse në Moldavi.

Rol të rëndësishëm ka pasur edhe në strukturat e territorit të shkëputur moldavian – kryesisht rusishtfolës dhe prorus – të quajtur Transnitri, që Moldavia e konsideron pjesë të saj.

Në këtë territor ekziston Komisioni i Përbashkët i Kontrollit, i cili mbikëqyr zonën e sigurisë në Transnistri dhe përbëhet nga përfaqësues të Rusisë, Moldavisë dhe Transnistrisë.

Në vitin 2017, Uvarov u zgjodh bashkëkryesues i këtij komisioni si përfaqësues i Rusisë. Këtë post e mbajti deri në vitin 2019.

Komisioni është përgjegjës për monitorimin e zonës së sigurisë përgjatë lumit Dniestër (Nistru) që pas luftës së vitit 1992.

Sipas të dhënave që ka grumbulluar Shërbimi i Moldavisë i Radios Evropa e Lirë, në nëntor të vitit 2017, Uvarov mbështeti rihapjen e një ure mbi Dniestër, pavarësisht kundërshtimit të administratës separatiste të Transnistrisë.

Ura ishte rindërtuar me fonde të Bashkimit Evropian.

Sipas një ish-zyrtari të Qeverisë së Moldavisë, Uvarov është kthyer më vonë në Moskë pikërisht për faktin se ka mbështetur rihapjen e urës dhe mbajtjen e saj të hapur.

Përveç kësaj, sipas mediave në rajonin e Transnistrisë, Uvarov ka punuar më herët edhe në vende të tjera ish-sovjetike, si dhe në Shtetet e Bashkuara.

Çfarë ndodh kur një zyrtar i inteligjencës vepron nën mbulim diplomatik?

Ekspertët ndërkombëtarë të sigurisë thonë se përdorimi i mbulesës diplomatike për aktivitete të inteligjencës, është praktikë e njohur, por se në rastin e Rusisë ajo është “më e përhapur dhe më intensive”.

“Pothuajse nuk ka ambasadë në botë që të mos ketë një rol të caktuar të inteligjencës”, thotë Mark Galeotti, profesor britanik në University College London (UCL) dhe ekspert për krimin transnacional dhe çështjet e sigurisë ruse.

Ai thekson se, shpesh, është e vështirë të bëhet dallimi mes një diplomati dhe një oficeri të inteligjencës, por se karriera mund të japë indikacione.

“Nëse një diplomat ka një numër të madh postesh jashtë vendit, kjo ndonjëherë mund të japë indikacione për një rol në inteligjencë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Sipas Galeottit, një mision si ai në Kosovë “duket si një bazë e përsosur për oficerë të inteligjencës, që më pas mund të udhëtojnë nëpër rajon”.

Ai shton se rëndësia e këtij misioni lidhet me kontekstin më të gjerë gjeopolitik.

“Ka rëndësi se çfarë ndodh në Kosovë. Kosova ka marrëdhënie relativisht të mira me Perëndimin… nuk ka të bëjë aq shumë me vetë Kosovën. Ka të bëjë me përdorimin e Kosovës si bazë, për të parë se çfarë mund të zbulohet rreth asaj që NATO-ja dhe vendet e tjera perëndimore po bëjnë dhe po mendojnë”, thotë Galeotti.

Ai paralajmëron edhe për ndryshimet në mënyrën e operimit të shërbimeve ruse pas dëbimit të qindra diplomatëve nga Evropa, pas nisjes së luftës së Rusisë kundër Ukrainës më 2022.

“Ata po mbështeten gjithnjë e më shumë te ndërmjetësit… njerëz që rekrutohen për të kryer detyra të caktuara, shpesh pa e ditur për kë punojnë”, thotë ai.

Në të njëjtën linjë, eksperti britanik për Rusinë, Keir Giles, thotë se praktika e përdorimit të zyrtarëve të inteligjencës nën mbulim diplomatik, është e përhapur globalisht, por se Rusia dallohet për shkallën e saj.

“Shumë vende vendosin oficerë inteligjence nën mbulesë diplomatike… por në rastin e Rusisë, një përqindje e madhe e diplomatëve janë në fakt oficerë inteligjence”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se vendet përballen me një dilemë kur i identifikojnë këta persona: t’i dëbojnë apo t’i mbajnë nën vëzhgim.

Keir Giles.

“Ka rrethana të caktuara, në të cilat agjencitë vendase të kundërzbulimit do të jenë në dijeni të identitetit të një oficeri të inteligjencës nën mbulesë diplomatike, por do të vendosin të mos veprojnë kundër tij përtej vëzhgimit të aktiviteteve të tij”, thotë Giles.

Sipas tij, në raste si Kosova, ku kontrolli institucional mbi këtë mision diplomatik është i kufizuar, situata bëhet edhe më komplekse.

“Kur një vend nuk kontrollon kush hyn në territorin e tij… kjo paraqet një cenueshmëri potenciale”, thotë ai.

Ndërkohë, në anketat e vazhdueshme në Kosovë, për shumicën e popullatës, Rusia vazhdon të shihet si një faktor me rrezik për vendin.

Një raport i vitit 2024 i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (KCSS), që analizon narrativin e politikës së jashtme ruse kundrejt Kosovës, thotë se Moska e sheh Kosovën njëkohësisht si simbol të ndërhyrjes perëndimore, si çështje sigurie për Serbinë dhe si precedent në të drejtën ndërkombëtare.

“Në thelb, pozicioni i Rusisë ndaj Kosovës pasqyron rivalitetin e saj gjeopolitik me Perëndimin, i cili nën udhëheqjen e presidentit [Vladimir] Putin është thelluar ndjeshëm, veçanërisht përmes përpjekjeve për të forcuar ndikimin në Ballkanin Perëndimor, duke qëndruar në solidaritet me Serbinë”, thuhej në atë raport.

Edhe raporti “Vlerësimi Vjetor i Kërcënimeve 2026”, i publikuar nga Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtar të Shteteve të Bashkuara javën e kaluar, vlerësoi se Rusia “nxit paqëndrueshmëri midis Serbisë, të cilën e favorizon, dhe Kosovës”, por gjithashtu “mbështet ndarjen e entitetit serb, Republika Sërspka, nga Bosnja dhe Hercegovina”.

Çfarë bën Zyra ruse në Kosovë?

Në Kosovë, Uvarov drejton një mision që funksionon në një kornizë të pazakontë diplomatike.

Zyra Ndërlidhëse e Rusisë është themeluar në vitin 2005, në kohën kur Kosova administrohej nga OKB-ja.

Ajo funksionon nën ombrellën e UNMIK-ut dhe nuk i nënshtrohet kontrollit të drejtpërdrejtë të institucioneve të Kosovës.

Stafi i saj nuk ka nevojë për viza, ka të drejtë hyrjeje dhe daljeje pa kufizime dhe gëzon imunitet nga juridiksioni penal, civil dhe administrativ.

Edhe ambientet e saj janë të paprekshme nga autoritetet lokale.

Kjo e bën këtë mision një nga më pak transparentët në Kosovë.

Për vite me radhë, aktivitetet e kësaj zyre kanë qenë kryesisht të padukshme për publikun. Informacionet e pakta që ekzistojnë, lidhen kryesisht me takime me misione ndërkombëtare.

Megjithatë, në vitin 2021, autoritetet e Kosovës shpallën “non grata” dhe dëbuan dy diplomatë rusë të lidhur me këtë zyrë, duke thënë se kishin “cenuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues”.

Sipas informacioneve jozyrtare të Radios Evropa e Lirë, përfaqësuesit e Zyrës së Rusisë në Kosovë mbajnë lidhje me Kishën Ortodokse Serbe.

Vetë Kisha Ortodokse Serbe thotë se përfaqësuesit e saj në Kosovë kanë kontakte të rregullta me misionet ndërkombëtare, si KFOR-i, OKB-ja, OSBE-ja, BE-ja dhe vendet e Quint-it, por se këto kontakte lidhen me çështje të sigurisë, jetës së përditshme dhe funksionimit të institucioneve kishtare, e jo me politikë.

Sa i përket Zyrës Ndërlidhëse të Rusisë në Prishtinë, Kisha tha për REL-in se, viteve të fundit, nuk ka pasur vizita formale, por vetëm vizita të herëpashershme të stafit të saj në objekte fetare, së bashku me familjarë, kryesisht për shërbesa dhe vizita fetare.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it as nëse ka komunikim me këtë zyrë dhe diplomatët e saj, as për mënyrën se si funksionon ky mision diplomatik.

Për rolin e saktë të kësaj zyre në Kosovë, nuk foli as UNMIK-u.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, OKB-ja tha se “nuk komenton për përbërjen apo aktivitetet e misioneve diplomatike të shteteve anëtare”. /REL/

 

Continue Reading

Vendi

Koncert artistik në UBT: Studentët demonstrojnë aftësitë e tyre në kitarë, vokal dhe audioproduksion

Published

on

By

Në kuadër të aktiviteteve të organizuara gjatë Ditëve të Artit dhe Dizajnit në UBT, Fakulteti i Muzikës Moderne, Prodhimit Digjital dhe Menaxhmentit realizoi një koncert të veçantë artistik në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, duke sjellë para publikut talentin dhe kreativitetin e studentëve.

Nën udhëheqjen e profesorit Urim Maliqi, studentët e klasës së kitarës prezantuan një program të larmishëm muzikor, i cili përfshinte interpretime të njohura pop, si dhe vepra instrumentale të zhanreve jazz dhe blues. Koncerti u karakterizua nga një atmosferë dinamike dhe interpretim profesional, duke reflektuar përkushtimin e studentëve ndaj zhvillimit të aftësive artistike dhe performuese.

Një dimension i veçantë i këtij aktiviteti ishte bashkëpunimi ndërdisiplinor mes studentëve të programeve të ndryshme të fakultetit. Në koncert morën pjesë edhe studentët e Audioproduksionit dhe Performancës Vokale, të cilët ndjekin kitarën si lëndë zgjedhore, duke krijuar një sinergji artistike që pasqyron qasjen moderne të UBT-së në edukimin muzikor.

Përmes performancave live, studentët patën mundësinë të prezantojnë njohuritë dhe aftësitë e fituara gjatë studimeve, duke fituar njëkohësisht përvojë të rëndësishme skenike dhe profesionale. Kjo përvojë kontribuon në përgatitjen e tyre për sfidat e industrisë së muzikës dhe arteve performuese.

Aktivitete të tilla dëshmojnë përkushtimin e UBT-së për të krijuar hapësira ku studentët mund të shprehin talentin e tyre, të zhvillojnë kreativitetin dhe të ndërtojnë përvoja praktike që plotësojnë procesin akademik.

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Studentët e UBT-së zbulojnë dimensionin e ri të muzeve në epokën digjitale

Published

on

By

Në kuadër të aktiviteteve të organizuara gjatë Ditëve të Artit dhe Dizajnit në UBT, studentët e programit Art dhe Media Digjitale po vazhdojnë të përfitojnë nga përvoja të drejtpërdrejta profesionale, të cilat ndërlidhin teorinë akademike me praktikën dhe zhvillimet bashkëkohore në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë.

Në këtë frymë, në kuadër të lëndës “Praktika në Studio 4”, me profesorin Gazmend Ejupi, studentët morën pjesë në një diskutim të organizuar në Muzeun Etnologjik “Emin Gjiku”, me ftesë të drejtoreshës së Muzeut Kombëtar të Kosovës, Vjollca Aliu, në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Muzeve.

Diskutimi u përqendrua në rolin që muzetë luajnë në ndërtimin e paqes, nxitjen e dialogut kulturor dhe reflektimin publik, si dhe në sfidat dhe mundësitë që sjellin konceptet e reja kuratoriale në Kosovë. Për studentët e UBT-së, kjo përvojë përbënte një mundësi të vlefshme për të kuptuar muzeun jo vetëm si institucion që ruan trashëgiminë kulturore, por edhe si një hapësirë dinamike edukative, kreative dhe bashkëkohore.

Gjatë diskutimit u trajtuan edhe çështje që lidhen me zhvillimin e sektorit muzeal në Kosovë, përfshirë qasjet inovative kuratoriale, përmirësimin e infrastrukturës, aktivizimin e koleksioneve dhe përfshirjen më të madhe të brezave të rinj në jetën kulturore. Po ashtu, u prezantuan investimet dhe projektet që po realizohen në kuadër të Programit Kombëtar të Muzeve, në institucione të rëndësishme si Muzeu i Burgut të Idealit në Prishtinë, Kullat e Isë Boletinit dhe Muzeu Etnologjik “Emin Gjiku”.

Pjesëmarrja në aktivitete të tilla pasqyron qasjen e UBT-së për të krijuar ura bashkëpunimi ndërmjet studentëve dhe institucioneve profesionale, duke u mundësuar atyre të njihen nga afër me praktikat më të mira të sektorit dhe me sfidat reale të profesionit.

Për studentët e programit Art dhe Media Digjitale, diskutime të këtij karakteri janë veçanërisht të rëndësishme, pasi hapin perspektiva të reja për mënyrën se si arti bashkëkohor, mediat digjitale, dizajni ekspozues, arkivat digjitale dhe format inovative të dokumentimit mund të kontribuojnë në transformimin e muzeve në hapësira interaktive dhe gjithëpërfshirëse për publikun.

Përmes organizimit të aktiviteteve të tilla, UBT vazhdon të dëshmojë përkushtimin e tij në ofrimin e një edukimi modern, të ndërlidhur ngushtë me praktikën profesionale dhe zhvillimet aktuale në fushat e artit, kulturës dhe teknologjisë.

Continue Reading

Vendi

Studentët e UBT-së prezantojnë kreativitetin e tyre në ekspozitën “Whatever is Found Online, Do Not Look For Here”

Published

on

By

Në kuadër të Ditëve të Artit dhe Dizajnit në UBT, është hapur ekspozita artistike “Whatever is Found Online, Do Not Look For Here”, një aktivitet që solli para publikut kreativitetin, imagjinatën dhe qasjen bashkëkohore të studentëve të Fakultetit të Artit dhe Medias Digjitale.

Ekspozita u hap në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së në Lipjan, duke mbledhur studentë, profesorë, artistë dhe vizitorë të shumtë të interesuar për artin dhe dizajnin bashkëkohor.

Punimet e ekspozuara janë realizuar nga studentët në kuadër të lëndëve “Moduli i Pikturës” dhe “Vizatim Kreativ”, nën mentorimin e ligjëruesit Fatmir Mustafa, i cili ka udhëhequr studentët në zhvillimin e koncepteve artistike dhe eksplorimin e formave të reja të shprehjes vizuale.

Ekspozita është një gamë e gjerë punimesh artistike, të cilat trajtojnë perceptimin e realitetit digjital, ndikimin e internetit në kulturën vizuale dhe raportin mes hapësirës virtuale dhe asaj reale. Përmes qasjeve kreative dhe eksperimentale, studentët sollën interpretime unike artistike, duke reflektuar mbi mënyrën se si informacioni dhe imazhet online ndikojnë në përditshmërinë dhe identitetin modern.

Ky aktivitet u realizua në kuadër të Ditëve të Artit dhe Dizajnit në UBT, një platformë që synon promovimin e talenteve të reja, zhvillimin e mendimit kritik artistik dhe krijimin e hapësirave për prezantimin e punës së studentëve para publikut.

Continue Reading

Lajmet

Studentët e Dizajnit të Modës në UBT prezantojnë krijimtarinë e tyre në Ditët e Artit dhe të Dizajnit

Published

on

By

Në kuadër të aktivitetit Ditët e Artit & Dizajnit 2026, në ambientet e Parkut Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së u hap ekspozita me punë të përzgjedhura të studentëve të vitit të parë të Dizajnit të Modës.

Punimet janë realizuar në kuadër të lëndëve “Dizajn Studio 1: Bazat e Dizajnit të Modës” dhe “Dizajn Studio 2: Zhvillimi i Modës”, nën mentorimin e profesoreshës Hana Zeqa.

Kjo ekspozita sjell procesin krijues të punës se studentëve, duke nisur nga eksplorimet fillestare të formës, kompozimit dhe kërkimit vizual, e deri te zhvillimi i koncepteve të strukturuara të modës.

Projektet e semestrit të parë trajtojnë tema individuale dhe qasje personale të studentëve, ndërsa punimet e semestrit të dytë janë zhvilluar rreth temës “Liza në Botën e Çudirave”, duke interpretuar universin fantastik përmes qasjeve bashkëkohore në modë, ilustrim dhe zhvillim konceptual.

Përmes skicave, hulumtimeve, referencave vizuale, eksperimenteve me materiale dhe prezantimeve kreative, ekspozita synon të shfaqë jo vetëm rezultatet finale, por edhe rrugëtimin artistik dhe evolucionin e mendimit kreativ të studentëve gjatë dy semestrave të studimit.

Continue Reading

Të kërkuara