Lajmet

Rektori i UBT-së, Hajrizi: Krijimi i Fakultetit të Inxhinierisë së Energjisë në UBT, një hap i rëndësishëm për zhvillimin e sektorit energjetik të Kosovës

Published

on

Gjatë simpoziumit të II-të të CIGRE për Tranzicionin e Energjisë, Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, ka theksuar rëndësinë që ka sektori i energjisë për zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës dhe përgatitjen e brezave të ardhshëm për sfidat e tranzicionit energjetik. Ai ka njoftuar gjithashtu se kur për herë të parë UBT ka krijuar Fakultetin e Inxhinierisë së Energjisë, ka bërë një hap të rëndësishëm në përpjekjet për të zhvilluar kuadro të kualifikuara që kontribuojnë në modernizimin dhe transformimin e sektorit energjetik të Kosovës.

Hajrizi ka theksuar se, duke marrë parasysh rolin kyç që ka energjia elektrike për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Kosovës, UBT ka bërë një hap të rëndësishëm për të adresuar nevojën për specialistë të fushës.

Fakulteti i Inxhinierisë së Energjisë në UBT është i pari i llojit të tij në Kosovë dhe synon të përgatisë inxhinierë të kualifikuar për të kontribuar në zhvillimin e sektorit energjetik dhe për të mbështetur tranzicionin energjetik.

“Duke marrë parasysh që tranzicioni energjetik nënkupton një transformim të sistemit energjetik nga një ekzistues në një tjetër, kjo kërkon një qasje sistemore të gjenerimit, të ruajtjes, të përdorimit dhe të shpërndarjes. Në UBT e kemi futur strategjikisht energjinë, duke marrë parasysh si sektor me rëndësi për Kosovën në pjesën prioritare tonë dhe i qasemi nga këndvështrime të ndryshme. Qysh në fillim kemi themeluar për herë të parë Fakultetin e Inxhinierisë së Energjisë, për t’i dhënë peshë dhe për ta shty mesazhin që energjia është dhe do të jetë diçka shumë e rëndësishme, që është e nevojshme dhe duhet ta mbrojmë. Kemi filluar me programin bachelor dhe kemi vazhduar me programin master në pjesën e energjisë së ripërtërishme dhe tregut të energjisë, tani e kemi kthyer në konceptin e ri,” ka thënë ai.

Rektori Hajrizi shtoi se UBT ka përqendruar prioritetet e saj në sektorin e energjisë, duke e konsideruar atë si një nga sektorët më të rëndësishëm për zhvillimin e Kosovës. Ai theksoi se krijimi i Fakultetit të Inxhinierisë së Energjisë ka si qëllim të përgatisë kuadro të aftë dhe të kualifikuar që mund të kontribuojnë në realizimin e strategjive afatgjata të tranzicionit energjetik.

Kjo iniciativë është pjesë e një qasjeje më të gjerë strategjike që ka për qëllim të sigurojë një bazë të qëndrueshme arsimore dhe profesionale për sektorin energjetik në Kosovë. Hajrizi shpjegoi se UBT ka krijuar një kurrikulum të avancuar që ofron programe studimi në nivelin bachelor dhe master për fushat si energji e rinovueshme, menaxhim i energjisë, dhe tregu i energjisë.

Angazhimi i UBT-së për zhvillimin e sektorit të energjisë

Rektori Hajrizi ka përmendur gjithashtu se përmes krijimit të Fakultetit të Inxhinierisë së Energjisë, UBT dëshiron të ofrojë një kontribut të drejtpërdrejtë në zhvillimin e politikave energjetike dhe në mbështetje të agjendës kombëtare për të arritur qëllimet e tranzicionit energjetik. Sipas tij, edukimi dhe formimi i specialistëve të rinj në këtë fushë është thelbësor për të garantuar që Kosova të jetë e aftë të përballojë sfidat që do të sjellë kalimi në burime të rinovueshme dhe teknologji të reja energjetike.

Përmes këtyre nismave, UBT ka vendosur një gur themeli për një të ardhme energjetike të qëndrueshme për Kosovën. Fakulteti i Inxhinierisë së Energjisë jo vetëm që do të sigurojë profesionistë të kualifikuar për të adresuar sfidat e tranzicionit energjetik, por gjithashtu do të luajë një rol të rëndësishëm në promovimin e kërkimeve dhe zhvillimit të teknologjive të reja, që janë jetike për përmirësimin e sistemeve energjetike në vend./UBTNews/D.E./

Vendi

Arrestohen pesë persona pas një përleshjeje fizike në Ferizaj, një i lënduar dërgohet në QKUK

Published

on

By

Pesë persona janë arrestuar dhe janë ndaluar për 48 orë pas një përleshjeje fizike që ka ndodhur pas mesnatës në rrugën “12 Qershori” në Ferizaj, në afërsi të dy lokaleve.

Si pasojë e incidentit, tre persona kanë pësuar lëndime trupore. Njëri prej tyre, 33-vjeçari me inicialet SH.A., për shkak të natyrës së lëndimeve është transferuar për trajtim të mëtejmë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, ku do të intervistohet nga policia posa t’i stabilizohet gjendja shëndetësore.

Sipas Policisë së Kosovës, gjatë intervistimit njëri nga të dyshuarit ka pranuar se ka përdorur një kaçavidë gjatë përleshjes, me të cilën dyshohet se e ka goditur viktimën. Policia ka sekuestruar kaçavidën në cilësinë e provës materiale, si dhe ka siguruar një incizim të ngjarjes që do t’i dorëzohet prokurorisë.

Të arrestuarit për këtë rast janë: D.A. (21 vjeç), E.A. (22 vjeç), A.N. (39 vjeç), O.A. (18 vjeç), A.A. (22 vjeç)

Me udhëzim të Prokurorit të Shtetit, ndaj të dyshuarve janë iniciuar raste për veprat penale “Vrasje e mbetur në tentativë” dhe “Pjesëmarrje në rrahje”. Hetimet po vazhdojnë për të identifikuar persona të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë incident. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Përfshihet nga zjarri një deponi me goma të vjetra në Sllatinë

Published

on

By

Një deponi për grumbullimin e gomave të vjetra në Sllatinë është përfshirë nga zjarri, duke shkaktuar tym të zi dhe të dendur që është përhapur në zonën përreth. Deponia ndodhet në afërsi të rrugës kryesore.

Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve për zonën e Prishtinës, Abdusamed Shkodra, ka konfirmuar për mediat se ekipet janë nisur menjëherë drejt vendit të ngjarjes për të lokalizuar dhe shuar flakët.

Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar apo dëme të tjera materiale, ndërsa zjarrfikësit po vazhdojnë punën në terren. /Ekonomia online/

Continue Reading

Rajoni

Ministri i Shqipërisë Hoxha i përgjigjet Gjuriqit: Lumenjtë duhet të bartin ujë, jo kërcënime

Published

on

By

Pas reagimit të kryeministrit Edi Rama, nuk ka munguar as ai i Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha. Kryediploti shqiptar i është përgjigjur deklaratave të ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, duke theksuar se e ardhmja e rajonit qëndron te dialogu, besimi dhe bashkëpunimi pragmatik, e jo te kërcënimet apo akuzat.

Përmes një reagimi lidhur me debatin për lumin Ibër, kryediploti shqiptar bëri të ditur se uji nuk duhet të përdoret si instrument ndëshkimi. Ndonëse Ibri nuk rrjedh përmes Shqipërisë, Hoxha nënvizoi se çfarëdo kërcënimi për ndërprerjen e ujit dëmton bashkëjetesën paqësore në të gjithë rajonin.

“Lumenjtë duhet të bartin ujë, jo kërcënime, ndërsa kufijtë duhet të përcaktojnë juridiksione, jo të ndajnë përgjegjësinë tonë për paqen”, ka deklaruar Hoxha.

Më tej, ai hodhi poshtë pretendimet për projekte të mëdha territoriale, duke potencuar se i vetmi projekt që e intereson Shqipërinë është një “Bashkim Evropian më i Madh”, që përfshin Kosovën, Serbinë, Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit.

Kryediploti i Shqipërisë shprehu gatishmërinë e plotë për dialog dhe bashkëpunim konkret mes shqiptarëve dhe serbëve, duke bërë thirrje për më shumë fokus drejt së ardhmes evropiane dhe më pak drejt mitologjive të së kaluarës. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

BE-ja: Deklaratat për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit duhet të shmangen

Published

on

By

Bashkimi Evropian ka thënë se deklaratat për ndryshimin e mundshëm të rrjedhës së lumit Ibër, si dhe veprimet që nuk i shërbejnë normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet të shmangen.

“Përparimi në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet vetëm përmes dialogut”, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian më 11 gusht.

“Deklaratat, përfshirë ato për ndryshime të mundshme të rrjedhës së lumit, dhe veprimet që nuk e mbështesin këtë synim duhet të shmangen”, thuhet në përgjigjen e Komisionit Evropian për Radion Evropa e Lirë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi më 9 gusht se autoritetet serbe po shqyrtojnë me ekspertë mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit, duke e lidhur këtë me rrënimin e shtëpive dhe vilave të serbëve pranë Liqenit të Ujmanit, në veri të Kosovës.

Deklarata e tij nxiti reagime të ashpra nga zyrtarët në Kosovë dhe u pasua edhe nga një përplasje publike ndërmjet zyrtarëve të Shqipërisë dhe Serbisë.

Komisioni Evropian rikujtoi gjithashtu se përparimi në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është parakusht që të dyja palët të avancojnë në rrugën e tyre evropiane.

BE-ja komentoi edhe rrënimet e fundit në zonën e Liqenit të Ujmanit, me të cilat presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e kishte lidhur deklaratën e tij për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit.

“Sa i përket situatës në liqenin e Gazivodës/Ujmanit, ne tashmë kemi shprehur shqetësimet tona lidhur me rrënimet e fundit”, thuhet në përgjigje.

Sipas Komisionit Evropian, çdo masë zbatuese me pasoja të pakthyeshme duhet të respektojë procesin e rregullt ligjor.

“Personave të prekur duhet t’u jepet mundësi efektive për të kërkuar mbrojtje ligjore dhe, kur është e zbatueshme, mbrojtje të përkohshme gjyqësore para se masa të zbatohet”, thuhet në përgjigje.

Lumi Ibër, rreth 270 kilometra i gjatë, buron në Mal të Zi, kalon nëpër Serbi dhe më pas hyn në Kosovë, ku furnizon liqenin artificial të Ujmanit.

Rreth dy të tretat e këtij liqeni ndodhen në territorin e Kosovës.

Uji nga sistemi i Ujmanit dhe Ibër-Lepencit furnizon shtatë komuna, përdoret për ujitje dhe për ftohjen e termocentraleve në Obiliq, të cilat prodhojnë pjesën më të madhe të energjisë elektrike në Kosovë.

Ekspertët që kanë folur më herët për Radion Evropa e Lirë kanë thënë se devijimi i rrjedhës së Ibrit është teknikisht i mundshëm, por do të ishte jashtëzakonisht i kushtueshëm dhe, nëse do t’i shkaktonte dëme Kosovës, do të binte ndesh me parimet e së drejtës ndërkombëtare për ujërat ndërkufitare.

Serbia është nënshkruese e Konventës së Kombeve të Bashkuara të vitit 1997 për përdorimin e rrjedhave ujore ndërkombëtare për qëllime të tjera përveç lundrimit.

Kjo konventë përcakton, mes të tjerash, parimin e shfrytëzimit të drejtë dhe të arsyeshëm të ujërave ndërkufitare, si dhe detyrimin për të mos u shkaktuar dëme të konsiderueshme shteteve të tjera.

Kosova nuk është palë në këtë konventë, pasi nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara. /REL/

 

 

Continue Reading

Të kërkuara