Rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi, ka marrë pjesë në Samitin e Arsimit dhe Aftësimit Profesional – VET Samiti, ku ka prezantuar formulën e financimit të arsimit profesional dhe për mënyrën e ndërlidhjes së arsimit profesional me sektorin privat, formulë kjo e zhvilluar nga UBT për programin ALLED2, financuar nga Komisioni Evropian dhe Agjencia Austriake për Zhvillim.
Përgjatë prezantimit, rektori Hajrizi theksoi se formula financiare për sistemin arsimor vjen si nevojë e sistemit, dhe se planifikimi financiar duhet bazuar në indikatorë që përfaqësojnë nevojat për shkollat, ndaj sipas rektorit Hajrizi kjo shërben edhe si një mjet simulimi për skenarë të ndryshëm të financimit.
“Propozimi për formulën financiare për arsimin profesional në Kosovë del si nevojë e akceptimit pak më ndryshe të arsimit profesional sepse i ka disa karakteristika më specifike të cilat duhet të trajtohen. Ne jemi munduar ta ndjekim tërë zingjirin e furnizimit, nga klasa e deri te praktika, përfshirë këtu edhe të gjitha komponentët e nevojshme duke i definuar ato, dhe në bazë të kësaj kemi parë se një formulë e tillë e financimit me një ristrukturim pak më ndryshe dhe adaptim më ndryshe, mund të mbetet prapë në ngjyrën e njëjtë të ligjeve dhe rregulloreve pa ndryshuar dhe komplikuar konceptin legal”, ka thënë rektori Hajrizi.
Dokumenti i quajtur “Planifikimi Financiar për Sistemin e AAP-së në Kosovë – Propozim për Përmirësim”, publikuar nga programi ALLED2 dhe prezantuar nga rektori Hajrizi shtjellon në detaje skenarët të cilët duhet ndjekur për një zgjidhje efektive, duke sjellë analiza dhe rekomandime të opsioneve të ndryshme të mundshme rreth financimit të AAP-së në Kosovë, brenda kornizës legjislative ekzistuese.
Rektori Hajrizi ka thënë se UBT shquhet për kontributin e dhënë për arsimin dhe edukimin profesional, sidomos në fushën që lidhet me STEAM, në ngritjen e infrastrukturës moderne për këtë lloj arsimi, si dhe për sjelljen e praktikave më të mira austriake, gjermane, zvicerane, e të shteteve të tjera të botës.
“Arsimi profesional zë një vend të merituar në ekosistemin inovativ që ne po e ndërtojmë në Parkun Shkencor Inovativ, por edhe në qendrat e tjera nëpër regjionet e Kosovës dhe Shqipërisë. Mekatronika, energjia, robotika, ICT, ndërmarrësia, ndërtimi, arkitektura, dizajni industrial, shëndetësia, ushqimi, turizmi, menaxhimi i projekteve e shumë programe të tjera, për herë të parë në Kosovë janë zhvilluar në UBT”, ka thënë rektori Hajrizi.
Ky samit është duke u mbajtur për herë të parë në Kosovë, me qëllim diskutimin mbi rolin kyç të arsimit dhe aftësimit profesional në rritjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës, organizuar nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës së bashku me Fondacionin BESA.
Qendrat e Trajnimeve në kuadër të UBT-së kanë organizuar një trajnim të specializuar për stafin udhëheqës të KEDS-it, me fokus në zhvillimin e aftësive të lidershipit, menaxhimin efektiv të ekipeve dhe avancimin e kompetencave profesionale.
Trajnimi ka përfshirë një program të strukturuar me tema të rëndësishme për udhëheqjen bashkëkohore, duke filluar nga lidershipi dhe ekselenca organizative, kalimi nga roli i ekspertit në atë të liderit, përgjegjësia dhe vendimmarrja, deri te menaxhimi i prioriteteve, delegimi i detyrave dhe rritja e performancës së ekipeve.
Në kuadër të programit, vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe inteligjencës emocionale në lidership, komunikimit efektiv, ndërtimit të besimit, menaxhimit të konflikteve dhe dinamikës së ekipeve.
Trajnimi është udhëhequr nga ekspertë të UBT-së: Rektori, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, Dr. Besnik Skenderi dhe Dr. Denis Çelçima, të cilët kanë ndarë njohuritë dhe përvojat e tyre profesionale përmes ligjërimeve, diskutimeve dhe ushtrimeve praktike.
Pjesë e programit kanë qenë edhe simulimet e situatave reale të lidershipit, komunikimi me punonjësit, menaxhimi i performancës dhe hartimi i planeve individuale të veprimit për periudhën 30, 60 dhe 90 ditë.
Përmes këtij organizimi, UBT vazhdon të dëshmojë përkushtimin në ofrimin e programeve të specializuara të trajnimit për institucione dhe kompani, duke kontribuar në zhvillimin e liderëve dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale në sektorin privat.
Klarinetisti dhe profesori amerikan Jeremy Reynolds ka zhvilluar një masterklasë me studentët e drejtimit të klarinetës në programin Muzikë Moderne, Prodhim Digjital dhe Menaxhim Muzikor në UBT.
Aktiviteti u organizua me iniciativën e profesorit Blerim Emerllahu, ndërsa u përqendrua në teknikat bashkëkohore të interpretimit në klarinetë dhe zhvillimin teknik e artistik të instrumentistëve.
Gjatë punës së drejtpërdrejtë me studentët, Reynolds prezantoi qasje të ndryshme interpretimi, duke u ndalur te pasurimi i mjeteve shprehëse, kontrolli teknik dhe zgjerimi i potencialit artistik të instrumentit në muzikën bashkëkohore.
Ai prezantoi gjithashtu Lamont School of Music të Universitetit të Denverit, ku është profesor i klarinetës, duke i njoftuar studentët dhe stafin akademik të UBT-së me programet, veprimtarinë dhe mundësitë akademike e artistike të këtij institucioni.
Jeremy Reynolds është zëvendësklarinetist kryesor në Orkestrën Filarmonike të Colorado Springs dhe profesor në Lamont School of Music të Universitetit të Denverit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjatë karrierës së tij ka interpretuar në gjashtë kontinente si solist dhe muzikant i muzikës kamertale, ndërsa në vitin 2015 debutoi në Carnegie Hall me ansamblin Waldland.
Përvoja e tij pedagogjike përfshin institucione të njohura ndërkombëtare, përfshirë Akademinë e Muzikës dhe Teatrit në Estoni, Akademinë e Muzikës Grieg, Akademinë e Arteve Performuese në Pragë, Universitetin Kombëtar të Seulit, Konservatorin e Versajës dhe Konservatorin e Muzikës në Sidnei.
Sipas UBT-së, organizimi i këtij masterklasi synon të krijojë mundësi bashkëpunimi me artistë dhe pedagogë ndërkombëtarë, duke pasuruar përvojën akademike dhe profesionale të studentëve përmes shkëmbimit të njohurive dhe praktikave bashkëkohore në fushën e muzikës./A.K/
Rektori i UBT-së Prof. Dr. Edmond Hajrizi, mori pjesë në Asamblenë e Përgjithshme Vjetore të Asociacionit të Universiteteve të Ballkanit (BAUNAS), e cila u mbajt sot në Prizren, duke riafirmuar angazhimin e UBT-së në bashkëpunimin dhe ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë në rajon dhe më gjerë.
Gjatë punimeve të Asamblesë u diskutuan dhe u miratuan çështje me rëndësi për funksionimin dhe zhvillimin e asociacionit, përfshirë pranimin e anëtarëve të rinj dhe votimin e rregullores së re. Takimi shërbeu gjithashtu si një mundësi e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet universiteteve anëtare.
Në kuadër të këtij aktiviteti, rektori Hajrizi zhvilloi takime me përfaqësues të universiteteve të ndryshme anëtare, përfshirë rektorin dhe sekretarin e përgjithshëm të Universitetit Trakya, si dhe përfaqësues të tjerë akademikë. Gjatë këtyre takimeve u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit në fusha të ndryshme akademike, zhvillimi i projekteve të përbashkëta, shkëmbimi i stafit dhe studentëve, si dhe krijimi i partneriteteve të reja ndërinstitucionale.
UBT është anëtar i rregullt i Asociacionit të Universiteteve të Ballkanit prej disa vitesh dhe merr pjesë aktive në aktivitetet dhe iniciativat e tij. Përveç këtij asociacioni, UBT është pjesë edhe e rrjeteve dhe organizatave të rëndësishme ndërkombëtare të arsimit të lartë, përfshirë Asociacionin e Universiteteve Evropiane (EUA), Magna Charta Universitatum dhe UNIMED-in.
Pjesëmarrja e UBT-së në këto platforma ndërkombëtare dëshmon angazhimin e vazhdueshëm të institucionit për zgjerimin e bashkëpunimit akademik, shkëmbimin e njohurive dhe përvojave, si dhe krijimin e mundësive të reja për studentët dhe stafin akademik.
Përmes pjesëmarrjes aktive në asociacione dhe rrjete ndërkombëtare, UBT vazhdon të kontribuojë në avancimin e arsimit të lartë, forcimin e lidhjeve akademike rajonale dhe ndërkombëtare dhe zhvillimin e partneriteteve strategjike me universitete nga vende të ndryshme.
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, u takua me profesorin e njohur amerikan Daniel Serwer, me rastin e vizitës së tij në Kosovë. Prof. Serwer është nderuar më parë nga UBT me çmimin “Honorary Degree – Excellence in Leadership”, në vlerësim të kontributit të tij të veçantë.
Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet e përgjithshme në Kosovë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në nivel global, me theks të veçantë në mundësitë e bashkëpunimit akademik dhe zhvillimin e programeve të reja që UBT synon t’i avancojë në kuadër të strategjisë së saj të bashkëpunimit me SHBA-në.
Rektori Hajrizi e falënderoi Prof. Serwer për takimin dhe shkëmbimin e ideve, duke i bërë një ftesë të veçantë për një vizitë të radhës në UBT, në kuadër të aktiviteteve akademike ndërkombëtare.
Takimi rikonfirmoi rëndësinë e dialogut akademik ndërkombëtar dhe të partneriteteve strategjike në avancimin e arsimit të lartë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.