Lajmet nga UBT

Rektori Hajrizi mori pjesë në Kongresin Kombëtar të Arsimit në Shqipëri

Në këtë kongres, morën pjesë edhe shumë personalitete të njohura të arsimit dhe politikës.

Published

on

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi mori pjesë në Kongresin Kombëtar të Arsimit, me temën: “Sfidat e arsimit cilësor dhe gjithëpërfshirës drejt integrimit evropian”, i cili është organizuar në Pallatin e Kongreseve, në Tiranë.

Në panelin e katërt në të cilin është diskutuar rreth temës: “Digjitalizimi në Arsimin e Lartë, sfidë dhe mundësi për Institucionet e Arsimit të Lartë”, rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi ka prezantuar idetë, instumentat dhe teknikat rreth transformimit të arsimit të lartë nëpërmjet digjitalizimit.

“Të gjitha praktikat tregojnë se në ato vende ku ka pasur një bashkëpunim të mirë midis lidershipit të qytetit me universitetin, ka pasur zhvillim të mirë inovativ dhe gjenerime të reja. Gjithashtu, në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm, duhet edhe ne si universitet të kemi rolin tonë dhe ta kemi si pjesë kryesore të strategjisë”, ka thënë rektori Hajrizi.

Rektori Hajrizi duke treguar se në UBT tashmë janë 150 fusha të jetës si studime, duke krijuar një ekosistem inovativ, si dhe zhvillimi i rreth 200 laboratorëve të ndryshëm për hulumtime, ka thënë se është e nevojshme që universitetet të krijojnë një ekosistem edhe në aspektin fizik, që nënkupton ndërlidhjen me industrinë dhe funksione të tjera.

“Përveç kësaj, natyrisht që universiteti kërkohet të jetë edhe një ekosistem në aspektin fizik, do të thotë që përveç pjesës së edukimit dhe shkencës, në fakt sot është e nevojshme që ta ndërlidhim edhe me funksione të tjera, sikurse ai industrial, funksionet e shërbimeve të ndryshme, si dhe studimet para-universitare”, ka shtuar rektori Hajrizi.

Në këtë kongres, morën pjesë edhe shumë personalitete të njohura të arsimit dhe politikës, sikurse kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ministrja e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në Shqipëri, Evis Kushi, si dhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim.

Qëllimi i këtij Kongresi është të bashkojë në një hapësirë diskutimi shumë aktorë në fushën e arsimit, përfshirë arsimin para-universitar, arsimin e lartë, kërkimin shkencor, agjencitë, partnerët në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, përfaqësues të shoqërisë civile dhe donatorët e projekteve në fushën e arsimit.

Lajmet

Profesori i UBT-së, Milaim Berisha, publikon studim shkencor në revistën “Journal of Human Sport and Exercise”

Published

on

By

Profesori Milaim Berisha nga UBT, në bashkëpunim me studiuesin Pablo Prieto-González, ka publikuar një studim të ri shkencor në revistën ndërkombëtare “Journal of Human Sport and Exercise” (JHSE), të fokusuar në analizën e aftësive motorike në gjimnastikën artistike.

Studimi sasior përshkrues analizon 239 teknika të përcaktuara në udhëzuesin teknik të Federatës Ndërkombëtare të Gjimnastikës (FIG) për të dyja gjinitë. Hulumtimi ka identifikuar praninë dhe rëndësinë e komponentëve kryesorë motorikë, si koordinimi, fuqia, shpejtësia, lëvizshmëria, fleksibiliteti, ekuilibri, qëndrueshmëria dhe shkathtësia në secilin aparat.

Gjetjet e studimit tregojnë se, ndonëse disiplinat e gjimnastikës artistike ndajnë aftësi të përbashkëta, secila prej tyre ka kërkesa specifike që ndryshojnë në bazë të nivelit të vështirësisë së lëvizjeve.

Autorët përfundojnë se me evoluimin e teknikave dhe integrimin e teknologjive të reja në këtë sport, programet e stërvitjes duhet të përditësohen në mënyrë të vazhdueshme për t’iu përshtatur kërkesave bashkëkohore. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Publikohet në revistën ndërkombëtare “Pharmacoepidemiology” studimi i profesorëve të UBT-së për sigurinë e barnave të hipertensionit

Published

on

By

Një studim i ri farmakoepidemiologjik i realizuar nga profesorët e UBT-së, Arieta Hasani Alidema dhe Fitim Alidema, ka sjellë të dhëna me rëndësi mbi përdorimin, sigurinë dhe rivlerësimin e hershëm klinik të terapisë antihipertensive në kujdesin parësor shëndetësor.

Hulumtimi shkencor, i publikuar në revistën ndërkombëtare “Pharmacoepidemiology“, bazohet në analizën e 1,212 pacientëve të rritur me hipertension arterial, të trajtuar në kujdesin parësor gjatë periudhës janar 2024 – korrik 2026. Mosha mesatare e pacientëve të përfshirë në studim ishte 63.4 vjeç, ku 60.8% e tyre ishin gra dhe 80.1% banorë të zonave rurale, ndërsa mbi 82% e tyre vuanin nga hipertensioni i shkallës së dytë dhe të tretë.

Sipas gjetjeve të studimit, bari më i përshkruar nga mjekët ishte Losartani 40 mg në 56.4% të rasteve, i ndjekur nga Lisinoprili 5 mg me 25.7%. Reaksionet e padëshiruara nga barnat u dokumentuan te 25.2% e pacientëve, duke treguar dallime të ndjeshme statistikore ndërmjet klasave të ndryshme të antihipertensivëve. Në veçanti, analizat treguan se bllokuesit e kanaleve të kalciumit shoqëroheshin me mundësi më të larta për shfaqjen e efekteve anësore, ndërsa përdorimi i statinave dhe trajtimi kronik i rregullt lidheshin me një shkallë më të ulët të këtyre reaksioneve.

Gjithashtu, studimi nxori në pah se rivlerësimi i hershëm klinik brenda 7 deri në 30 ditë u realizua te 96.9% e pacientëve me përcjellje të dokumentuar, çka dëshmon rëndësinë e monitorimit të afërt. Përmes këtij hulumtimi, profesorët e UBT-së nënvizojnë nevojën për një qasje të individualizuar dhe ndjekje të strukturuar të pacientëve në mjekësinë familjare, me qëllim optimizimin e trajtimit dhe rritjen e sigurisë shëndetësore.

Continue Reading

Lajmet

15 profesorë të UBT-së renditen të parët në Kosovë në Scholarly Index 2026

Published

on

By

UBT ka shënuar rezultate të rëndësishme në Scholarly Index Top1000 Scholar 2026, ku 15 profesorë të universitetit janë renditur në vendin e parë në Kosovë në të paktën një temë kërkimore.

Në mesin e tyre janë:

Alban Kuriqi, Hyrije Koraqi, Ridvan Peshkopia, Visar Krelani, Gazmend Temaj, Pajtim Bytyçi, Burhan Reshat Rexhepi, Milaim Berisha, Kujtim Lepaja, Demokrat Nuha, Xhevahire Millaku, Liridon Kryeziu, Alfred Marleku, Nuredin Lutfiu dhe Kristina Perkola.

Këto renditje mbulojnë fusha të ndryshme të kërkimit, përfshirë inxhinierinë, ujërat dhe mjedisin, biznesin, shkencat sociale, shkencat ushqimore, arsimin, gjuhësinë dhe fusha të tjera.

Në nivel ndërkombëtar, profesorët e UBT-së kanë arritur gjithashtu pozita të larta. Prof. Dr. Alban Kuriqi ka shënuar pozitën më të lartë globale në mesin e profesorëve të UBT-së të paraqitur në këto renditje, duke u renditur i 8-ti në botë në temën “Hydrology and Sediment Transport Processes” për periudhën 2021–2025.

Po ashtu, Kristina Perkola është renditur #71 në botë, ndërsa Burhan Reshat Rexhepi #81, në temat e tyre përkatëse.

Këto rezultate tregojnë një prani të fortë të profesorëve të UBT-së si në nivel kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar, dhe përforcojnë dukshmërinë e universitetit në kërkimin shkencor.

 

Continue Reading

Lajmet

UBT zhvillon sesion informues për Kualifikimin Profesional Zhvillues i Aplikacioneve me Integrimin e AI-së

Published

on

By

Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së është mbajtur dje një sesion informues për Kualifikimin Profesional Zhvillues i Aplikacioneve me Integrimin e Inteligjencës Artificiale, ku studentë dhe të interesuar të tjerë u njohën nga afër me programin, mundësitë profesionale dhe infrastrukturën moderne që ofron UBT.

Studentët u mirëpritën nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, si dhe Drejtori i Departamentit për Edukim dhe Zhvillim Profesional në UBT, Prof. Dr. Besnik Skenderi, dhe Drejtori i Infrastrukturës, Murat Retkoceri, ku prezantuan programin dhe mundësitë që ai ofron, ndërsa pjesëmarrësit vizituan ambientet e laboratorëve dhe u njohën nga afër me pajisjet dhe teknologjitë moderne që do të përdoren gjatë ligjëratave, ushtrimeve dhe punës praktike.

Programi i mbështetur nga Regional Challenge Fund, synon zhvillimin e aftësive profesionale në fushën e zhvillimit të aplikacioneve, duke e integruar Inteligjencën Artificiale në procesin e të nxënit dhe praktikës profesionale. Kualifikimi Profesional Zhvillues i Aplikacioneve është e orientuar drejt përgatitjes së profesionistëve për role në industrinë e teknologjisë së informacionit dhe zhvillohet në katër semestra.

Përmes këtij programi, studentët do të kenë mundësi të zhvillojnë aftësi praktike në teknologji, programim dhe Inteligjencë Artificiale, krahas studimeve të tyre, në një mjedis të pajisur me infrastrukturë moderne dhe teknologji bashkëkohore.

Continue Reading

Të kërkuara