Qendra e Karrierës në UBT ka organizuar një sërë sesionesh informuese me institucione financiare dhe kompani të ndryshme, duke ofruar mundësi të shkëlqyera për studentët për tu informuar dhe kuptuar mundësitë e karrierës. Këto aktivitete përbëjnë një pjesë të rëndësishme të përpjekjeve të Qendrës për të lidhur akademinë me industrinë dhe tregun e punës, duke e bërë atë një nga departamentet më të rëndësishme në UBT.
E para në këtë seri ishte një takim me Bankën për Biznes, që u organizua për studentët e Fakultetit të Menaxhmentit, Biznesit dhe Ekonomisë (MBE). Gjatë këtij sesioni, ata patën mundësinë të dëgjojnë nga ekspertë të njohur të sektorit financiar, të cilët ndanë informacion të vlefshëm mbi procedurat e aplikimit për punë dhe mundësitë që ofron banka. Ky takim ndihmoi studentët të kuptonin më mirë se si të përgatiten për një karrierë të suksesshme në sektorin financiar.
Pas takimit me Bankën për Biznes, Qendra e Karrierës organizoi një tjetër sesion informues me kompaninë Meister Training Center, të cilin e ndoqën studentët e programit të Mekatronikës. Ky takim theksoi rëndësinë e formimit profesional dhe ofroi informacion mbi kurset dhe mundësitë e zhvillimit të aftësive që ofron kompania. Studentët u inkurajuan të shfrytëzojnë këto mundësi për t’u përgatitur më mirë për kërkesat e tregut të punës.
Sot, u zhvillua një tjetër sesion informues me kompaninë Talent Bridge, për studentët e Fakultetit të Menaxhmentit, Biznesit dhe Ekonomisë (MBE). Ky takim u fokusua në mënyrat e aplikimit për pozita pune dhe rëndësinë e krijimit të një profili të fortë profesional. Ekspertët e kompanisë ndanë këshilla praktike për studentët, duke theksuar se si një CV e mirë përgatitur dhe një letër motivimi e qëllimshme mund të bëjnë diferencën në procesin e punësimit.
Gjatë këtyre sesioneve, studentët kanë pasur mundësinë të informohen dhe të udhëzohen mbi procesin e aplikimit për punë. Këto iniciativa kanë sjellë rezultate të dukshme, duke rezultuar në punësimin e dhjetra studentëve aktivë dhe të diplomuar, të cilët vazhdojnë të punojnë në kompanitë e përfshira.
Qendra e Karrierës vazhdon të jetë një lidhje jetike për studentët, duke u ofruar atyre mjete dhe burime për të arritur suksesin në karrierë dhe për t’i përgatitur ata për sfidat e tregut të punës. Me angazhimin e saj për të mbështetur zhvillimin profesional të studentëve, Qendra e Karrierës në UBT kontribuon në ndërtimin e një të ardhmeje më të ndritur për të rinjtë e Kosovës./UBTNews/