Lajmet

Refuzohet mocioni i mbrojtjes së Thaçit për mundësi hetimore unike për 8 diplomatët

Kjo”sepse masave të kërkuara u mungon baza ligjore dhe arsyetimi adekuat”, tha gjykata.

Published

on

Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, ka marrë vendim përmes së cilit ka refuzuar mocionin e mbrojtjes së Hashim Thaçit, me anë të së cilit kishte kërkuar mundësi hetimore për dëshmitarët ndërkombëtar, pasi kishte vlerësuar se dëshmitë e tyre janë të rëndësishme për çështjen.

Dëshmitarët për të cilët mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi ka kërkuar mundësi hetimore unike janë: Wesley Clark, Steve Bennet, Bernard Kouchner, Jock Dovey, Michael Durkee, Daan W. Everts, Wiilliam Walker dhe një diplomat tjetër që i është redaktuar emri.

“SPO përgjigjet se mocioni dhe shtojca duhet të refuzohen, sepse masave të kërkuara u mungon baza ligjore dhe arsyetimi adekuat”, është bërë e ditur në vendimin e Gjykatës.

Gjykata ka potencuar se shëndeti i dëshmitarëve s’është aktualisht një factor kyç në këtë rast.

“Në lidhje me argumentet e mbrojtjes së Thaçit lidhur me Dëshmitarët (“mosha e shtyrë” dhe “shkalla e ndryshme e shëndetit”), gjyqtari i procedurës paraprake vëren se Dëshmitarët janë ndërmjet moshës 77 dhe 87 vjeç. Megjithatë, asgjë në Mocion apo Shtojcë nuk tregon se gjendja shëndetësore e Dëshmitarëve është, aktualisht, një shqetësim serioz që do të garantonte ruajtjen e menjëhershme të provave të tyre. Përkundrazi, gjyqtari i procedurës paraprake vëren se Mbrojtja e Thaҫit pranon se shëndeti i dobët i Dëshmitarëve “nuk është aktualisht një faktor në këtë rast”. Siç ka pranuar Mbrojtja e Thaҫit, vetëm mosha është një arsye e pamjaftueshme për të besuar se provat e një dëshmitari mund të bëhen të padisponueshme”, është shkruar në vendim.

Në lidhje me kohëzgjatjen e parashikuar përpara se të fillojë çështja e mbrojtjes, gjyqtari i procedurës paraprake, është shkruar se kujton se ai do t’ia transmetojë çështjen trupit gjykues deri në fund të vitit 2022.

“Nga kjo rrjedhë se trupi gjykues, në çdo rast, do të merret me procedurat në këtë çështje shumë më herët se Masa e Parë e parashikuar nga Mbrojtja e Thaҫit në shkurt të vitit 2023 mund të zbatohet realisht, nëse jepet Masa e Parë. Prandaj, duke marrë parasysh kalimin e pashmangshëm të çështjes në gjykim dhe caktimin e mëvonshëm të një trupi gjykues, gjyqtari i procedurës paraprake është i mendimit se vlerësimi i besueshmërisë, rëndësisë, domosdoshmërisë dhe planifikimit të dëshmisë së Dëshmitarëve është një çështje që vendoset më së miri nga trupi gjykues që do të caktohet për të shqyrtuar çështjen”, është shkruar tutje në vendim.

Rrjedhimisht, siç është shtuar tutje në vendim, gjyqtari i procedurës paraprake konstaton se Mbrojtja e Thaҫit nuk ka arritur të vërtetojë kërkesën e saj për një mundësi unike hetimore dhe e refuzon kërkesën për masën e parë.

Vendimin e plotë mund ta gjeni duke klikuar këtu.

Aktakuza ndaj Thaçit dhe të tjerëve lidhur me pretendimin për krime lufte, është konfirmuar më 26 tetor të vitit 2020, ndërsa në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë, ata janë deklaruar të pafajshëm.

Ata po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendon se të akuzuarit kanë kryer krime lufte në Gjilan, Budakovë e Semetisht.

lajme

Protestat vazhdojnë në Prishtinë: Kërkohet që vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare

Published

on

By

Protesta kundër vrasjes së Arlinda Zekajt ka vazhduar edhe sot në Prishtinë, ku qytetarët janë mbledhur për të tretën ditë radhazi në sheshin e kryeqytetit për të kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi institucionale.

Gjatë ditës së sotme, protestuesit janë ndalur edhe para objektit të Qeverisë së Kosovës, duke shprehur pakënaqësi të thellë ndaj mënyrës se si po menaxhohen e trajtohen rastet e dhunës ndaj grave nga organet kompetente.

Këto aksione po organizohen nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, nën moton kryesore “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”.

Continue Reading

Lajmet

Akil Gjakova mbyll garën pa medalje në Abu Dhabi

Published

on

By

Xhudisti kosovar Akil Gjakova e ka mbyllur pa medalje paraqitjen e tij në Grand Slam-in e Abu Dhabit, pasi u mposht në përballjen e drejtpërdrejtë për vendin e tretë.

Në kategorinë deri në 73 kilogramë, Gjakova u ndal në luftën për medaljen e bronztë nga xhudisti rus Karen Galstian. Pejani e nisi garën i lirë në xhiron e parë, ndërsa në të dytën mposhti me Ippon izraelitin Ohad Moritz. Suksesin më të madh e shënoi në raundin e tretë ku eliminoi nënkampionin e botës, Makhmadbek Makhmadbekov, po ashtu me Ippon në kohën shtesë.

Pasi u mposht në çerekfinale nga azerbajxhanasi Hidayat Heydarov, Gjakova kërkoi suksesin përmes repesazhit, por nuk arriti të ngjitej në podiumin e fituesve. /E.A/

Continue Reading

lajme

Nën hetim për projektin e kryeqytetit: Përparim Rama paraqitet në Prokurorinë Speciale

Published

on

By

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, është paraqitur sot në Prokurorinë Speciale ku po intervistohet në cilësinë e të dyshuarit lidhur me projektin “Arkitekti i Kryeqytetit”.

Rama arriti në prokurori i shoqëruar nga avokati Artan Çerkini, teksa para hyrjes deklaroi shkurtimisht se detyra e tij është ndërtimi i kryeqytetit, ndërsa e organit të ndjekjes është të sigurohet që gjithçka bëhet në përputhje me ligjin. Hetimet për këtë projekt ndërlidhen me procedurat e prokurimit publik, vlerën prej 12 milionë eurosh, si dhe me dyshimet për manipulim të stafit e konflikt interesi.

Intervistimi i kryetarit të Prishtinës vjen pas tensioneve publike dhe paralajmërimeve nga zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje për arrestimin e tij të mundshëm, reagime këto që pasuan ndryshimet e fundit në udhëheqjen e Prokurorisë Speciale, ku pas shkarkimit të Blerim Isufajt, detyra i është besuar prokurorit Dren Paca.

Ndaj deklaratave të përfaqësuesve të pushtetit, Rama u ka bërë thirrje publike organeve të drejtësisë që të merren me ato që i ka cilësuar si kërcënime direkte ndaj tij. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Laura Fazliu fiton të bronztën në Grand Slam

Published

on

By

Laura Fazliu ka fituar medalje të bronztë në Grand Slamin e xhudos në Abu Dabi.

Në luftë për medalje të bronztë, Laura e mposhti bartësen e parë, kroaten Iva Oberan.

Lufta ishte e barabartë, ndërsa në kohën shtesë Laura realizoi hedhje të bukur për fitore me “Ippon”.

Laura fitoi 500 pikë në renditjen botërore. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara