Bizneset e mëdha në vend nuk kanë raportuar ndërprerje të energjisë elektrike nga KEK-u dhe nga KEDS, tha drejtori ekzekutiv i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, Kushtrim Ahmeti. Ai thekson se ka nis shpërndarja e faturave enorme të energjisë elektrike nga Korporata Energjetike e Kosovës për bizneset.
Kompanitë që nuk kanë arritur të lidhin kontratë me një furnizues, deri më 30 korrik, janë furnizuar nga KEK-u, si mundësi e fundit për sigurimin e rrymës, për një periudhë 60-ditore. Periudhë kjo që ka përfunduar sot. Faturat kanë qenë minimumi 100 për qind më të larta se në muajt paraprak.
Kushtrim Ahmeti bëri të ditur po ashtu se Dhoma e Tregtisë ka dërguar një letër-kërkesë edhe tek Presidentja e vendit Vjosa Osmani lidhur me kërkesën e bizneseve për shfuqiqizimin e ose shtyrjen e vendimit të ZRRE-së deri më 1 shkurt 2026.
Ahmeti tha se për situatën e krijuar nga ana e ZRRE-së, javën që shkoi kanë njoftuar edhe Qeverinë e Kosovës.
Megjithatë, pas vendimit të Gjykatës Komerciale për pezullimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për daljen në treg të hapur, bizneset presin që ZRRE të respektojë vendimin e Komerciales për daljen në treg të lirë.
Ndërsa, ende nuk ka një përgjigje nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) lidhur me këtë vendim, nëse do ta anulojë në tërësi njoftimin e datës 12 mars 2025, përmes të cilës janë njoftuar kompanitë për kalimin e detyrueshëm në tregun e hapur të energjisë elektrike.
Avokatja Blinera Osmani, ka thënë se vendimi i Gjykatës Komerciale është i zbatueshëm menjëherë dhe, siç thekson ajo, prodhon efekt të drejtpërdrejtë juridik.
“Kjo do të thotë se për të gjithë klientët që përfaqësohen nga ne, vendimi për daljen në treg të lirë nuk mund të zbatohet më. Ata duhet të rikthehen menjëherë në tregun universal, me furnizim të sigurt dhe me tarifa të rregulluara, ashtu siç ishin para datës 1 qershor 2025. Ne mbetemi të përkushtuar për të mbrojtur të drejtat e klientëve tanë dhe për të siguruar zbatim të plotë dhe të paanshëm të drejtësisë”, ka shkruar ajo në Facebook.
Ndërsa, sipas komunitetit të biznesit vendimi ZRRE-së rrezikon largimin masiv të mijëra punëtorëve, uljen e prodhimit dhe rritjen e importit.
Bizneset vazhdimisht kanë protestuar në Prishtinë për të kundërshtuar vendimin e ZRRE-së, që sipas tyre shkakton barrë të rëndë për kompanitë vendore dhe ekonominë e Kosovës. Në anën tjetë Qeveria e Kosovës nuk mori parasysh asnjë herë kërkesat e komunitetit të biznesit për shtyrje të vendimit.