Lajmet

Reagon ashpër KMDLNj: Shtrenjtimi galopant i energjisë elektrike shkatërruese për ekonomitë familjare

KMDLNj –ë ka kërkuar që inkasimi i faturave për energjinë e shpenzuar të bëhet pa i diskriminuar konsumatorët në baza etnike.

Published

on

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) kohë më parë ka paralajmëruar rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe i ka bërë thirrje qeverisë së Kosovës që kjo rritje të bëhet në përputhje me mundësitë ekonomike të pjesës dërrmuese të qytetarëve të Kosovës në mënyrë që ekonomitë familjare të përballojnë këtë rritje duke i mënjanuar protestat që , në rrethana të reja thuaja janë të pashmangshme. 

KMDLNj –ë ka kërkuar që inkasimi i faturave për energjinë e shpenzuar të bëhet pa i diskriminuar konsumatorët në baza etnike sikur që të bëhet subvencionimi i faturave për kategoritë sociale , si kriter i vetëm i përkrahjes së kategorive të rrezikuara. KMDLNj ka kërkuar që urgjentisht të ndërpritet pagesa e faturave për serbët në veri të Kosovës gjë që jo se nuk është bërë por ZRRE –e ka kërkuar nga qeveria e Kosovës afërsisht 30 milionë euro për të paguar rrymën për serbët e veriut të Kosovës , për vetëm tre muaj. Me këtë diskriminimi i konsumatorëve në baza etnike jo se nuk është ndërprerë por vetëm se është bërë më i qëndrueshëm dhe se nuk ka shenja se do të ndërprehet.  Kosova është në situatë shumë të rënduar energjetike si pasojë e krizës globale dhe ngritjeve të mëdha të çmimeve të energjisë elektrike në tregun botëror andaj ka qenë e pritshme që edhe këtu të ketë rritje të çmimit për ta ruajtur qëndrueshmërinë e furnizimit , pasi filluan reduktime të mëdha . Tash , pasi KEDS –i ka kërkuar të shqyrtojë një rritje të çmimeve të energjisë elektrike , ZRRE  , një rregullator që i është bindur urdhërave politik për diskriminim në baza etnike duke diskriminuar shqiptarët dhe joserbët , pagues të rregullt të faturave dhe duke mos kërkuar fare serbëve të veriut të Kosovës të paguajnë për rrymën e shpenzuar , pavarësisht se sa kanë shpenzuar, jo që e miraton kërkesën e një operatori rrjepës siç është KEDS –i por shkon përtej saj duke rritur në mënyrë enorme këto çmime dhe duke e vazhduar diskriminimin e konsumatorëve ekskluzivisht në baza etnike që është kundër të drejtave të njeriut dhe në kundërshtim me të gjitha ligjet e zbatueshme në Kosovë që garantojnë trajtim të barabartë dhe jodiskriminues të të gjithë qytetarëve të Kosovës . Me futjen në lojë të tarifave diskriminimi i qytetarëve thellohet edhe më shumë sikur që e humbë kuptimin zbatimi i çdo ligji që garanton barazi duke ndarë qytetarë në grupe , ata që shpenzojnë deri në 600 kW , ata që shpenzojnë deri në 800 kW , ata deri në 1000 kW dhe shpenzuesit tjerë . Për këta që shpenzojnë deri në 600 kW ka subvencionim kurse qytetarët e dorës së dytë dhe të tretë sipas ZRRE –së dhe qeverisë së Kosovës e që shpenzojnë 800 , 1000 e më shumë kW përveç çmimeve të kripura do të ketë edhe shtesa ndëshkuese që , përveçse është e kundërligjshme , është e pamoralshme dhe në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut. Këto veprime dhe kërkesa përtej çdo mundësie reale për t’i përballuar , deputetët e Kuvendit të Kosovës , pavarësisht partisë politike që i takojnë , si përfaqësues dhe mbrojtës të interesit të qytetarëve duhet t’i kundërshtojnë duke kërkuar nga qeveria e Kosovës që të gjejë një rrugë ku , edhe do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike por që do të ishte e përballueshme për qytetarët e Kosovës . Në kohën kur nuk ka asnjë rritje të pagave , kur ndihmat sociale të kamufluara si pensione kanë një rritje turpëruese , kur të gjithë artikujt ushqimorë , higjienikë dhe të tjera sikur edhe të gjitha shërbimet janë rritur shumë dhe në mënyrë të pakontrolluar vazhdojnë të rriten , të propozosh , të pranosh dhe ta zbatosh rritjen e çmendur të çmimit të energjisë elektrike nuk është asgjë përveçse ftesës së provokuar për protesta të mëdha sociale e që , pa asnjë dyshim do të instrumentalizohen politikisht e që nënkupton një krizë të madhe politike dhe pasiguri të përgjithshme që nuk do të mbahet nën kontrollë . Duhet ta kemi të qartë se rritja e propozuar e çmimit të rrymës pashmangshëm dhe në mënyrë automatike do të prodhojë rritjen e çmimeve për të gjithë artikujt ushqimorë dhe të gjitha shërbimeve .

Qytetarët e Kosovës që për një periudhë 15 vjeçare janë plaçkitur nga KEDS –i , ZRRE – e me pëlqimin e qeverive paraprake dhe kësaj aktuale duke u detyruar të paguajnë rrymën për serbët e veriut të Kosovës , përmes vjedhjes me ndihmën e faturave të fryera duhet të kompensohen kurse të gjithë ata që kanë kontribuar për këtë dhe po kontribuojnë  ende duhet të përballen me ligjin. Ç’kuptim ka atëherë ligji kur një pensionisti apo qytetari të Kosovës , shqiptarë apo joserb , për mosapagim të faturave të energjisë  elektrike iu ndërprehet furnizimi kurse për shërbimet si furnizimi me ujë , bartja e plehrave dhe shërbimet tjera ekzekutimi bëhet përmes përmbaruesve , në mënyrë të dhunshme duke ua bllokuar llogaritë kurse po për të njëjtat detyrime nuk ndërmarrin asnjë veprim ndaj serbëve të veriut të Kosovës !? Ku është këtu ligji dhe barazia e qytetarëve para ligjit ?

KMDLNj –ë thërret deputetët e Kuvendit të Kosovës që të kundërshtojnë fuqishëm legalizimin e plaçkitjes së qytetarëve të Kosovës nga KEDS –i dhe ZRRE sikur edhe diskriminimin flagrant në baza etnike kurse , nga qeveria e Kosovës kërkon ta tërheq kërkesën e ZRRE –ë për rritje të çmimit të propozuar të energjisës elektrike duke lejuar një çmim të arsyeshëm dhe të përballueshëm sikur edhe ta ndërprejnë urgjentisht pagesën për rrymën e shpenzuar për serbët e veriut të Kosovës dhe të shërbimeve tjera sepse nuk kanë bazë ligjore për këtë dhe po diskriminojnë në baza etnike dhe raciste mbi 93 % të qytetarëve të Kosovës. Është skajshmërisht e pamoralshme dhe joprofesionale loja e KEDS-it me shifra të rritjes së çmimeve të rrymës duke manipuluar me to kur shumica e qytetarëve të Kosovës nuk i kuptojnë ato . KEDS-i po shet mjegull , ZRRE po e legalizon këtë kontrabandë të kushtueshme për qytetarët e Kosovës kurse qeveria e Kosovës , në vend se të kujdeset për sigurimin e mirëqenies sociale dhe ekonomike për qytetarët e saj , po e vulosë një plaçkitje ordinere nga KEDS –i , një pjesëmarrje në plaçkitje dhe vazhdim të diskriminimit në baza etnike nga ZRRE duke krijuar situata të paqëndrueshme dhe eskalim të situatës , për pasojat e së cilës përgjegjësi ekskluzive do ta ketë qeveria e Kosovës !

Continue Reading

lajme

Gjykata Supreme vendos: Policia nuk mund t’jua mbajë patentë-shoferin më shumë se 8 ditë

Published

on

By

Gjykata Supreme e Kosovës ka shfuqizuar rregullin e Ministrisë së Punëve të Brendshme që lejonte Policinë e Kosovës t’ju mbante patentë-shoferin shoferëve gjatë të gjithë kohës sa zgjaste masa mbrojtëse (3, 6 apo 12 muaj).

Sipas vendimit të Gjykatës Supreme, marrja e përkohshme e patentë-shoferit nga policia në vendin e ngjarjes nuk mund të zgjasë më shumë se 8 ditë. Kushtëzimi i kthimit të dokumentit me përfundimin e plotë të dënimit ishte i paligjshëm, pasi Udhëzimi Administrativ i MPB-së kishte vendosur kufizime shtesë që nuk parashiheshin me ligjin bazë të trafikun rrugor.

Vendimi erdhi pas padisë së ngritur nga 28 qytetarë kundër MPB-së dhe Policisë së Kosovës. Gjykata sqaroi se heqja e së drejtës për të ngasur makinën (masa mbrojtëse) është diçka tjetër, ndërsa mbajtja fizike e dokumentit të patentë-shoferit nga policia nuk lejohet të kalojë afatin 8-ditor. /E.A/

Continue Reading

Kujtesë

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 30 tetor 1993-1998

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

30 tetor 1993

Minir Azemi u dërgua me dhunë për të tretën herë në shërbim ushtarak

Më 27 tetor të këtij viti, rreth orës 11 në Mitrovicë, pesë policë dhe dy ushtarë serbë, hynë në shtëpinë e Ragip Azemit dhe arrestuan djalin e tij, Minir Azemin (20), të cilin e dërguan me dhunë për ta kryer shërbimin ushtarak në një kazermë ushtarake në Nish.

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Mitrovicë, njofton se Minir Azemi deri tani është dërguar dy herë në shërbim ushtarak dhe ka dezertuar, ndërsa kësaj radhe, siç theksoi babai i tij, Miniri gjendet në paraburgim në një burg ushtarak të Nishit.

 

30 tetor 1995

Internacionalja e Arsimit dënon dhunën serbe ndaj mësuesve shqiptarë

Education International, (Internacionalja e Arsimit) javën që shkoi iu drejtua Sekretarit të përgjitshëm të OKB-së, Butros Butros Galit, drejtorit të përgjitshëm të UNESKO-s, Federiko Majorit, Unionit Evropian, si dhe të gjitha organizatave të arsimit anëtare të kësaj organizate botërore, me një apel në të cilin thuhet: “Gjatë katër vjetëve të fundit, Internacionalja e Arsimit ka përcjellur vazhdimisht situatën në fushën e arsimit në Kosovë si dhe persekutimin, torturimin dhe burgosjen e mësuesve shqiptarë vetëm për arsye se japin mësim në gjuhën shqipe” dhe shton se vetëm gjatë javës së tretë të tetorit, autoritetet e instaluara serbe kanë arrestuar 16 mësues në shkollën “Muharrem Bekteshi” në Vushtrri, si dhe i ka dënuar ata me nga 15 ditë burg. Në këtë apel thuhet gjithashtu se: “qëllimi i dhunës së këtyre ditëve nga autoritetet serbe është që ta shkatërrojnë komplet arsimin e mesëm, si dhe ndërrimin e strukturës etnike në rajon duke vendosur mijëra refugjatë serbë nga Kroacia në Kosovë, duke u dhënë atyre pronat e marrura nga shqiptarët.”

Në letër kërkohet nga të gjitha organizatat nacionale të arsimit, anëtare të Internacionales së Arsimit që të protestojnë ndaj keqtrajtimit të mësuesve shqiptarë duke iu shkruar kombeve të bashkuara, si dhe ministrive të jashtme të sheteve të tyre.

Në letrën që Internacionalja e Arsimit u dërgon sindikatave të bashkuara të arsimit të Kosovës, thuhet se kjo organizatë qëndron prapa përpjekjeve të mësuesve shqiptarë në normalizimin e arsimit shqip në Kosovë.

 

 30 tetor 1997 

Eliot Engël: Ka kohë që mbështes Republikën e Kosovës

Kongresmeni i njohur amerikan Eliot Engël, bashkëkryetar i Këshillit për Çështjen Shqiptare, tha në një intervistë për gazetën “Koha Ditore” se ka kërkuar nga administrata amerikane një përfaqësues të veçantë për Kosovën. Në këtë mënyrë do të ngritej çështja e Kosovës në një nivel më të lartë dhe do ta detyronte Qeverinë amerikane që t’i kushtojë rëndësi Kosovës në mënyrë të ngjashme me rastin e Qipros. Është shumë me rëndësi dhe duhet ta realizojmë.

  1. Engël tha se Qeveria amerikane duhet t’ia bëjë të qartë Milosheviqit se ne presim që ai ta zbatojë marrëveshjen e arsimit dhe ta përfshijë Universitetin. Për mua është e tmerrshme të imagjinosh që të arrihet një marrëveshje, dhe të mos përfshijë studentët e Universitetit. Nuk do të ekzistonte asnjë arsye që dr. Rugova ose kushdo tjetër që i përfaqëson shqiptarët të bisedojnë për një marrëveshje që nuk përfshin universitetin.

Pra, për autoritetet serbe, që thonë se kjo marrëveshje nuk paska përfshirë universitetin, është qesharake.

Ai tha se SHBA-të dhe administrata amerikane duhet t’ia bëjnë shumë të qartë Milosheviqit se duhet të zbatohet marrëveshja që e ka firmosur.

  1. Engël theksoi se Perëndimi nuk duhet të jetë më i butë me Millosheviqin pasi që një nacionalist si Shesheli mund të fitojë zgjedhjet. Duhet t’i bëjmë sa më shumë presion dhe duhet që ai të kuptojë se nuk mjafton të jesh më pak i keq nga dy të këqij, por se duhet ta ketë një politikë më të mirë në Kosovë dhe se duhet t’i zbatojë në përpikmëri marrëveshjet që i ka nënshkruar, në veçanti marrëveshjen e arsimit.

Kongresmeni Engël tha se nënsekretari Gelbart do të shkojë në Kosovë javët e ardhshme. Unë u takova me të në Romë dhe jam i bindur që ai i kupton dhe i njeh në hollësi çështjet. Ai po bën atë që duhet ta bëjë duke i bërë presion Milosheviqit. Administrata i ka thënë qartë Milosheviqit se nuk do të hiqet muri i jashtëm i sanksioneve derisa të zgjidhet çështja e të drejtave të njeriut në Kosovë dhe unë mendoj se është bërë punë e mirë. Pastaj nuk duhet harruar se kjo administratë e hapi zyrën e USIA-s në Prishtinë, në hapjen e së cilës mora pjesë vitin e kaluar.

  1. Engël shfaqi mendimin se administrata e tashme amerikane ka një politikë të mirë. Megjithatë, njerëz si unë duhet vazhdimisht t’i shtyjmë që të sigurojmë se po ecin në drejtim të duhur. Duhet t’i kujtojmë vazhdimisht për gjërat që mendoj se duhen ndërmarrë me shpresë se do t’i bëjnë.

Ai tha se javën e ardhshme do ta kemi një dëshmi në Grupin për Çështjen shqiptare në Kongres ku janë ftuar si dëshmitarë ambasadori Gelbart dhe zonja Eileen Malloy (koordinatore për Ballkanin në Departamentin e Shtetit).

Kongresmeni Engel përkujtoi se para disa kohësh ka kërkuar vetëpërcaktim për popullin e Kosovës. Kam thënë ka kohë që mbështes Republikën e Kosovës, sepse besoj se shqiptarët dhe të tjerët që jetojnë në Kosovë kanë të drejtë për vetëpërcaktim. Është e drejta e tyre të vendosin nëse duan të jenë një komb i pavarur, ose duan të bashkohen me Shqipërinë, ose nëse duan të mbetën në kuadër të federatës së re jugosllave si partner i barabartë. Unë mbështes atë që do populli i Kosovës për ardhmërinë e kmobit të tyre. Administrata dhe Departamenti i Shtetit nuk kanë ardhur në këtë përfundim ende, dhe flasin ende për autonomi. Unë mendoj se koha për autonomi ka kaluar, me përjashtim, nëse është një hap drejt vetëpërcaktimit. Siç kam thënë gjithmonë, autonomia nuk pati sukses kur Jugosllavia ishte e plotë dhe kur ekzistonte kundërbalanci i sllovenëve, kroatëve, boshnjakëve. Njerëzve të Kosovës iu hoq autonomia pa i pyetur fare. Asnjë komb dhe asnjë popull nuk do që t’i përsëritet kjo. Tani Jugosllavia është Serbia dhe Mali Zi, ku serbët dominojnë. Kur një autonomi nuk ishte e qëndrueshme për shqiptarët më parë, tani do të ishte edhe më pak e qëndrueshme. Serbët duan të dominojnë me çdo gjë dhe kjo u pa shumë qartë gjatë zgjedhjeve në Mal të Zi. Nëse populli i Malit të Zi dëshiron pavarësi, unë e mbështes vullnetin e popullit dhe e kërkoj të njëjtën edhe për shqiptarët në Kosovë të cilët e përbëjnë shumicën, tha mes tjerash në këtë intervistë kongresmeni Eliot Engël.

 

30 tetor 1998

NATO: Rreth 2000 ushtarë të armatosur vendosen afër Kosovës

Këshilli i NATO-s do të debatojë rreth mënyrës së si të mbrojë vëzhguesit e paarmatosur në Kosovë. Strategët ushtarakë të NATO-s po punojnë me shpejtësi, pasi tashmë në Kosovë ndodhën më shumë se 150 vëzhgues, shumica diplomatë, njoftoi “Zëri i Amerikës”.

Burimet e NATO-s bëjnë të ditur se ka të ngjarë që forca mbrojtëse të përbëhet nga rreth 2000 ushtarë. Pentagoni njofton se në këtë forcë që do të vendoset diku në afërsi të Kosovës, nuk do të ketë ushtarë amerikanë, mirëpo Uashingtoni mund të ofrojë ndihmë në aspekte të tjera.

Zyrtarë të lartë amerikanë kanë deklaruar se forca mbrojtëse ka mundësi të vendoset në Maqedoni. Mirëpo një zëdhënës i Ministrisë maqedonase të mbrojtjes thotë se ende nuk është arritur një marrëveshje e tillë. Strategët ushtarakë të NATO-s ende nuk kanë përfunduar shumicën e hollësive përfshirë përmasat e forcës, mjetet dhe pajimet e nevojshme dhe cilat vende do të japin trupa. Aleanca njofton se po shqyrton mundësinë e vendosjes së këtyre trupave në Shqipëri, Maqedoni ose në det nëpër anije, por ende nuk është marrë një vendim përfundimtar. Planifikuesit po punojnë me shpejtësi pasi më shumë se 115 vëzhgues, shumica diplomatë tashmë ndodhen në Kosovë dhe pritet që ky numër të dyfishohet shumë shpejt.

Foto: Eliot Engël

Continue Reading

Kujtesë

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 29 tetor 1993-1998

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

29 tetor 1993

Përgjegjësit për vdekjen nën torturë të Mikel Markut nuk u morën fare në përgjegjësi

Më 30 tetor mbushen dy vjet nga dita e mbytjes me torturë të avokatit Mikel Marku (62) nga Peja. Vdekjen nën torturë siç dihet e patën konstatuar edhe mjekët, duke përfshirë edhe atë të Klinikës Kirurgjike të Prishtinës.

Në një informatë të nënshkruar nga sekretari i KMDLNJ-së, Zenun Çelaj, thuhet se përkundër aktpadive që i kanë bërë familja dhe avokatët, dhe përkundër dokumenteve e dëshmive që vërtetojnë se Mikel Marku u mbyt me torturë nga policët serbë, ndër të cilët janë identifikuar Jagosh Shimun nga Peja dhe Miroslav Vraniq nga Uzhica, prokurori i instaluar serb në Gjyqin e Qarkut të Pejës, Miladin Popoviq nuk ka ndërmarrë asgjë lidhur me shqyrtimin e këtij rasti dhe dënimin e fajtorëve.

29 tetor 1994

Pas rrahjes në polici – humbi funksionimin e veshkave

Istref Elshani nga Gllogoci më 12 rtetor u dërgua, në përcjellje të policisë, në Klinikën interne të Prishtinës, ku iu ofrua ndihma e parë, e prej nga u kthye në burgun e Prishtinës Për shkak të keqësimit të gjendjes ai u soll në klinikë sërish të nesërmen më 13 tetor të këtij viti dhe u shtrua në repartin e nefrologjisë të klinikës interne. Lëndimet e rënda qenë shkak që Istrefi humbi funksionin e veshkëve, prandaj edhe dializa ishte e pashmangshme. Ai u dializua deri më 24 tetor. Tash gjendja shëndetësore e Istrefit është më e mirë, kurse analizat tregojnë parametra në kufij të normales.

Në klinikë Istrefi edhe më tej në vazhdimësi ruhet nga policia, e cila kontrollon rigorozisht edhe kontaktet me anëtarët e familjes.

 

29 tetor 1997

Ndërhyrje të policisë në Pejë

Njoftohet se gjendja në Kosovë sot ka qenë përgjithësisht e tensionuar nga prania e madhe e forcave serbe dhe nga ndërhyrja e tyre në shumë vende.

Intervenimi më brutal i forcave serbe ishte në qytetin e Pejës, ku forca të mëdha të policisë patrullonin nëpër qytet nga orët e hershme të mëngjesit. Policia ka kontrolluar të rinjtë e qytetarët dhe ka arrestuar shumë njerëz.

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Pejë njofton se policët kishin dalë para institucioneve të administratës okupuese dhe objekteve të tjera publike, ku punojnë serbët e instaluar. Ndërsa në vendin ku ishte caktuar të mbahej protesta ishin stacionuar forca të mëdha të policisë. Ende pa filluar protesta, policia mori personelin mësimor dhe një grup studentësh dhe i dërgoi në qendrën e policisë. Në mesin e të arestuarve ishte edhe profesori Ali Syça.

Në ora 9,00, në lokalin policia hyri në gjelltoren “Prizreni” dhe mori të gjithë të rinjët që ishin aty duke u ushqyer dhe i dërguan në stacionin e policisë.

Policia hyri edhe në lokalin ku ishin studentët te Ndihma e Parë. Të rinjët u dërguan në stacion dhe i rrahën.

Dëshmitarët thonë se automjetet e policisë kanë bartuar shumë të arrestuar nga pikat e ndryshme të qytetit. Stacioni i policisë qe mbushur me të burgosur.

 

29 tetor 1998

Malishevë: U gjetën edhe 5 shqiptarë të vrarë e të masakruar

Dje në Tërpezë të Poshtme të Malishevës u varros Jashar Krasniqi (53), mësimdhënës, i cili u gjet i masakruar pas tre muajsh që konsiderohej i zhdukur, njofton KI i Degës së LDK-së në Malishevë.

Disa banorë të Tërpezës, të cilët u kthyen në vendbanimet e veta, gjetën edhe kufomat e tre bashkëfshatarëve të tyre: Demush Krasniqit (63), Ajet Rifat Krasniqit (85) dhe Rasim Daut Krasniqit (87). Trupi i Demushit ishte i mbuluar me baltë, ndërsa trupat e dy viktimave të tjera të forcave serbe ishin të karbonizuara.

Po ky burim bën të ditur se dje në fshatin Carrallukë, në odën e shtëpisë së tij, u gjet edhe kufoma e Ramadan Selman Hotit (rreth 80 vjeç), i cili ishte vrarë gjatë ofensivës së forcave ushtarake e policore serbe në fund të muajit korrik.

Bëhet e ditur se edhe në Malishevë, Bubavec e Llazicë ka kufoma të civilëve shqiptarë të masakruar dhe të ekzekutuar nga forcat serbe.

 

Gjakovë: U gjetën edhe dy shqiptarë të vrarë

Edhe në fshatrat e komunës së Gjakovës, nga të cilat janë larguar forcat e ushtrisë e policisë serbe, po vazhdon gjetja e kufomave të shqiptarëve të vrarë.

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Gjakovë bën të ditur se të martën në fshatin Jabllanicë është gjetur trupi pa jetë i Tunë Gjukës (42) nga fshati Bardhaniq, ndërsa të mërkuren në fshatin Firzë është gjetur i vrarë Zef Dreni (65). Pranë trupit të pa jetë të Zefit familjarët gjetën edhe gëzhoja të armës së tipit “Zastava”.

Njoftimet nga Firza, Vogova e fshatrat tjera që lidhen më brezin e kufitit me Shqipërinë tregojnë se nga kjo anë nuk ka pasur tërheqje të forcave serbe. Përkundrazi, në këtë anë ka çdo ditë përforcime dhe pozicionime të reja. Ndërsa në Gjakovë forcat e ushtrisë serbe janë vendosur në komplekset industriale të “Modelit” e “Virgjinisë” dhe në fabrikën e tjegullave.

I njëjti burim njofton se sot ka pasur lëvizje të forcave policore e ushtarke në qytet, ndërsa në fshatrat e Dushkajës, te diga e liqenit të Radoniqit dhe në kodrën e fshatit Zhdrellë forcat policore serbe po vazhdojnë ndalimin e legjitimimin e kalimtarëve të rastit.

Në Likoc u gjet i vrarë Hazir Hoti

Dje në Likoc të Skënderajt u gjet i vrarë Hazir Jashar Hoti (82) nga Likoci.

Nënkëshilli i KMDLNJ-së në Skënderaj njofton se ai u gjet i vrarë në afërsi të shtëpisë së tij, ndërsa supozihet të jetë vrarë në fillim të këtij muaji.

Foto: Malisheva

Continue Reading

Lajmet

Raportohet një rast i sulmit seksual në Veri të Mitrovicës, i dyshuari në arrati

Published

on

By

Një rast i sulmit seksual është raportuar pasditën e së enjtes në Veri të Mitrovicës.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, viktima grua ka denoncuar se është sulmuar seksualisht nga një person deri më tani i panjohur për organet e rendit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:32.

Lidhur me rastin është njoftuar menjëherë prokurori i kujdestar, ndërsa njësitet kompetente policore kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit.

Rasti vazhdon të trajtohet nga Policia e Kosovës. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara