Sport

Raul debuton si analist dhe përplaset me Mourinhon pas fitores së Real Madridit

Published

on

Legjenda e Real Madridit, Raul Gonzalez, nuk do ta harrojë lehtë debutimin e tij si analist në “Movistar”.

Ish-sulmuesi ikonë i klubit madrilen komentoi fitoren e vështirë të Real Madridit ndaj Interit, me rezultat 2:1, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e parë të fazës së ligës në Ligën e Kampionëve.

Në analizën e tij pas ndeshjes, Raul u tregua i drejtpërdrejtë, duke thënë: “Gjëja më e mirë është që i fituam tri pikët.”

49-vjeçari vlerësoi paraqitjen e Interit, veçanërisht organizimin e lojës, të cilin e cilësoi si shumë të mirë. Sipas tij, Real Madridi përfitoi nga gabimet e skuadrës italiane gjatë ndërtimit të aksioneve, ndërsa edhe goli i pranuar nga madrilenët tregoi disa paqartësi në mbrojtje.

Këto komente nuk i kaluan pa përgjigje trajnerit të Real Madridit, Jose Mourinho, i cili pati një këndvështrim tjetër për ndeshjen.

“Më shumë do të thosha se ishte një ndeshje e çmendur. Shpesh ka kritika kur loja është e mërzitshme, por sonte ishte e çmendur. Lehtë ka mundur të përfundojë 7:6”, deklaroi Mourinho.

Trajneri madrilen vlerësoi lart paraqitjen e ekipit të tij, sidomos duke pasur parasysh mungesat në mesfushë. Mourinho theksoi se Real Madridi pati mundësi të krijonte epërsi të madhe që në pjesën e parë.

“Pajtohem me Raulin që golat erdhën në momentet kur kundërshtari bëri gabime. Megjithatë, dua t’u jap merita lojtarëve të mi, sepse ushtrimi i presionit është diçka që mund të stërvitet. Goli i Valverdes është rezultat i punës së palodhur”, shtoi ai.

Mourinho madje i dha edhe një këshillë Raulit për rolin e tij të ri si analist:

“Jo vetëm kritika, por edhe diçka pozitive për ne.”

Në anën tjetër, edhe te Interi mbetën të kënaqur me mënyrën se si skuadra u paraqit në “Santiago Bernabeu”, pavarësisht humbjes.

Trajneri Cristian Chivu vlerësoi karakterin dhe personalitetin e skuadrës së tij.

“Pashë një ekip me personalitet. Po ndërtojmë diçka të mirë. Shpesh kemi arritur në zonën e rrezikshme të Real Madridit. E di që njerëzit thonë se ndeshjet vendosen nga momentet e mëdha dhe golat, por më pëlqen mënyra se si ekipi është munduar të paraqitet”, tha Chivu.

Portieri i Interit, Josep Martinez, bëri një gabim që i parapriu golit të dytë të Real Madridit, ndërsa edhe goli i parë erdhi pas një pasigurie në mbrojtjen e skuadrës italiane.

Megjithatë, Chivu e mbrojti portierin e tij dhe vlerësoi reagimin pas gabimit.

“Më pëlqeu mënyra se si portieri ynë u përgjigj pas golit të dytë. Nuk është asnjëherë e lehtë të rikthehesh pas një momenti të tillë, por mendoj se ai bëri punë shumë të mirë. Tani duhet të vazhdojmë të gjithë me këtë mendësi dhe këtë angazhim për t’u përballur me vështirësitë”, përfundoi trajneri i Interit.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Real Madridi triumfon sërish në fund ndaj AEK-ut të Athinës me golin e Valverdes

Published

on

By

Real Madridi ka regjistruar një tjetër fitore dramatike në minutat e fundit, duke triumfuar si mysafir me rezultatin 2-3 përballë AEK-ut të Athinës në kuadër të Ligës së Kampionëve.

Skuadra greke shkaktoi befasi në pjesën e parë duke kaluar në epërsi përmes një supergoli nga distanca të shënuar nga Koita (12′). Përgjigja e madrilenëve erdhi në minutën e 32-të, kur Jude Bellingham barazoi shifrat me një gol fantastik me thembër, pas një asistimi nga Cucurella.

Megjithëse Reali pati disa raste të mirëfillta për të kaluar në avantazh gjatë pjesës së dërguar, ishte AEK-u që gjeti sërish golin me anë të Stavros Pilo (75′) nga afërsia. Gëzimi i vendësve megjithatë zgjati vetëm tre minuta, pasi Kylian Mbappe u tregua i saktë në minutën e 78-të për të barazuar sërish rezultatin, pas një asistimi të Dumfries.

Kur ndeshja po shkonte drejt fundit, në skenë doli Federico Valverde (90+2′), i cili me një goditje të fuqishme dhe precize nga distanca mposhti portierin vendas, duke siguruar tri pikët e arta për “Los Blancos”.

Me këtë fitore të re, Real Madridi ngjitet në kuotën e 12 pikëve në tabelë, ndërsa AEK-u mbetet me tri pikë të grumbulluara. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Zemra rrah për Kosovën: Florent Hajdini refuzon Austrinë dhe zgjedh “Dardanët”

Published

on

By

Talenti i futbollit Florent Hajdini ka marrë vendimin përfundimtar rreth së ardhmes së tij ndërkombëtare, duke zgjedhur që të përfaqësojë ngjyrat e Kosovës dhe duke refuzuar ofertën nga Përfaqësuesja e Austrisë.

Duke dëshmuar lidhjen e fortë emocionale me vendin e origjinës, futbollisti ka përcjellë një mesazh të qartë për vendimin e tij: “Faleminderit për gjithçka, por zemra rrah për Kosovën”.

Me këtë zgjedhje, Hajdini i bashkohet listës së talentëve të shquar diasporikë që i përgjigjen pozitivisht thirrjes së “Dardanëve”, duke shtuar opsione të rëndësishme për strukturat e ardhshme të Përfaqësueses së Kosovës në arenën ndërkombëtare. /Telegrafi/

Continue Reading

Lajmet

Muriqi pas fitores ndaj Liverpoolit: I treguam Evropës sa e madhe është Fenerbahçe

Published

on

By

Sulmuesi kosovar Vedat Muriqi ka vlerësuar lart fitoren me përmbysje të Fenerbahçes ndaj Liverpoolit me rezultat 3-2, duke deklaruar se ky triumf i tregoi mbarë Evropës madhështinë e gjigantit turk.

Prizrenasi u fut në lojë në pjesën e dytë si zëvendësues i Romelu Lukakut dhe pas vetëm pak minutash realizoi golin e fitores. Përveç golit vendimtar, paraqitja e tij u vlerësua lart nga platforma e specializuar Sofascore, e cila i dha notën 7.5 – ndër më të lartat e ndeshjes.

“Jam shumë i lumtur. Ky gol është një dhuratë për tifozët tanë. Po kalojmë disa kohë të vështira, por sot i treguam të gjithëve se sa e madhe është Fenerbahçe,” tha Muriqi pas takimit.

Ai shtoi se skuadra e nisi ndeshjen mjaft mirë dhe tregoi karakter për t’u rikthyer nga disavantazhi 1-2: “Të gjithë e ndjenë këtë energji. E nisëm mirë, goditëm shtyllën dhe pësuam një gol të pafat, por ia dolëm të riktheheshim. Kjo është madhështia e këtij klubi. Shpresoj me shpirt që ky triumf të shërbejë si pikë kthese për ne.”

Sulmuesi shtatlartë do të paraqitet me Fenerbahçen edhe në ndeshjen e këtij vikendi në kampionat, përpara se të udhëtojë drejt Kosovës për t’u grumbulluar me kombëtaren për dy sfidat e muajit nëntor ndaj Izraelit dhe Irlandës. /E.A/

Continue Reading

Sport

William Baeten ndër futbollistët më të paguar në Kosovë, zbulohet paga mujore te Drita

Published

on

By

William Baeten është njëri prej futbollistëve më të paguar në futbollin kosovar, të paktën sipas shifrave të publikuara nga mediumi rumun ProSport.

Futbollisti belg, i cili iu bashkua Dritës në verën e vitit 2026, raportohet se përfiton rreth 12 mijë e 500 euro në muaj.

Nëse kjo shifër është e saktë, Baeten përfiton rreth 150 mijë euro në vit vetëm nga paga bazë, pa përfshirë bonuset dhe përfitimet e tjera që mund të jenë pjesë e marrëveshjes me klubin gjilanas.

Belgu 29-vjeçar iu bashkua Dritës pas një karriere me disa ndalesa, fillimisht në futbollin rumun e më pas në atë shqiptar.

Ai ishte transferuar te FCSB nga FCU Craiova për rreth 300 mijë euro, por nuk arriti të sigurojë një rol të rëndësishëm në skuadrën rumune dhe u largua pas vetëm një viti, pa kompensim transferimi.

Pas aventurës në Rumani, Baeten nënshkroi me Flamurtarin në Shqipëri, por qëndrimi i tij zgjati vetëm rreth gjashtë muaj. Në fillim të vitit 2026, ai u largua nga klubi shqiptar për të vazhduar karrierën në Kosovë, ku iu bashkua Dritës.

Emri i mesfushorit belg ishte përmendur edhe në mediat rumune për shkak të një kontesti financiar me ish-klubin FCSB dhe pronarin e tij, Gigi Becali.

Më 23 shtator 2026, FIFA i kishte shqiptuar klubit rumun ndalesë për regjistrimin e futbollistëve në tri afatet e ardhshme kalimtare, për shkak të një borxhi prej rreth 50 mijë eurosh ndaj Baetenit.

Megjithatë, FCSB më pas e shlyeu detyrimin financiar ndaj futbollistit, duke e zgjidhur çështjen që kishte sjellë sanksionin. Kështu, Baeten arriti të marrë shumën që i takonte nga ish-klubi.

Ndërkohë, aventura e tij te Drita është shoqëruar edhe me vështirësi. Pasi kishte nisur të luante rregullisht, belgu pësoi një dëmtim muskulor që e mbajti jashtë fushave për rreth dy muaj.

Ai mungoi në pesë ndeshje, ndërsa në dy përballjet e fundit ishte në bankën rezervë, por nuk u aktivizua.

Deri më tani, Baeten ka regjistruar 11 paraqitje me Dritën në të gjitha garat, duke kontribuar me dy asistime.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara