Lajmet

Rasti në çerdhen e Fushë Kosovës, edukatoret shoqërohen në polici

Ai shtoi se janë duke u marrë me rastin dhe do të veprojnë konform ligjeve.

Published

on

Drejtori i Arsimit në Fushë Kosovë, Fatlum Berisha është deklaruar lidhur me rastin e një video të publikuar, ku pretendohet se është ushtruar dhunë ndaj një fëmije trevjeçar nga dy edukatore dhe kuzhinierja e kopshtit.

Berisha derisa foli për rastin, tha se ende nuk mund të vlerësohet nëse fëmija ka pësuar dhunë.

Ai shtoi se janë duke u marrë me rastin dhe do të veprojnë konform ligjeve.

“Sot në mëngjes DKA është informuar nga drejtoresha e çerdhes për një situatë e cila e ka bërtitura përmes rrjeteve sociale që është bërë një publikim dje nga një familjar, ku sipas pretendimeve të një fëmijë, i cili është përdorur dhunë ndaj tij, dhe unë kam qenë këtu bashkë me Policinë e Kosovë, me drejtoreshën dhe Inspektoratin e Arsimit dhe për hapat në vazhdim do të jemi në bashkëpunim të plotë me të gjitha organet kompetente të cilat merren me këtë çështje”, tha Berisha.

Berisha tha se të njëjtit persona që pretendohet të jenë përfshirë në rast, janë duke u intervistuar në Polici.

“Policia e Kosovë ka bërë ftesën më drejtim të edukatorëve të cilat pretendohet se janë të përfshira në rastin dhe këto momente veçse janë në stacionin e Policisë, duke u intervistuar të gjithë akteret se pretendohet se janë në rast dhe Policia ishte këtu prezent. Ne i ndihmuam në çdo moment, kanë sekuestruar edhe pajisjet e kamerave, kështu për hapat në vazhdim do të jemi në kordinim të plotë me Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin e Ministrisë së Arsimit…Ligji është i barabartë për të gjithë, pavarësisht se kush është i përfshirë, në momentin që ne kemi vendim final dhe cilësohet si fajtor, masat do të jenë konform ligjit”, shtoi Berisha.

I pyetur nëse ka pas ankesa nga familjarë të tjera për raste të ngjashme, i njëjti ka mohuar këtë.

“Nuk ka pas raste të tjera, besoj se po pretendohet se është dhunë por nuk kisha me quajt dhunë deri në momentin vërtetohet prej eksperteve. Cilën video ke parë të rrah fëmijën? Nuk jam ekspert të vlerësojë, presim organet kompetente dalin me vendimin final. DKA do të merr të gjitha masat konform ligjit…Janë organet kompetente që do të vendosin dhe ne do të qëndrojmë prapa. Nuk i kemi pezulluar në këto momente sepse janë duke u intervistuar në Polici, do të respektojmë ligjin, s’ka alternativë tjetër”, përfundoi Berisha.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti i ka thënë KosovaPress-it, se policia në koordinim me prokurorinë, qendrën për punë sociale janë duke u marrë me rastin dhe ende është faza fillestare e hetimit.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se gjatë ditës pret raportet dhe se inspektorët e arsimit janë në çerdhen ku është ushtruar dhunë ndaj një fëmijës 3-vjeçar.

“Inspektorët e arsimit tashmë janë aty. Pres që të merren të gjitha masat. Jam tejet e shqetësuar, duket se ky nuk është rast i izoluar. Shihet se janë më shumë se një person që kanë qëndruar indiferent ndaj rastit”, deklaroi ajo.

Lajmet

ATK tregon afatin për ankesat e refuzuara për subvencionin prej 100 eurosh

Published

on

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar se qytetarët të cilëve u është refuzuar aplikimi për mbështetjen prej 100 eurosh nga Pakoja për Përballje me Inflacionin 2.0 kanë të drejtë ankese.

Sipas njoftimit, ankesa mund t’i drejtohet Komisionit të Ankesave në Ministrinë e Financave brenda 30 ditëve nga data e pranimit të vendimit për refuzim.

ATK ka bërë të ditur se formulari për parashtrimin e ankesës mund të plotësohet përmes platformës së dedikuar për ankesa.

Institucioni u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë afatin ligjor për ushtrimin e së drejtës së ankesës në rast se konsiderojnë se aplikimi i tyre është refuzuar padrejtësisht.

Në këtë LINK mund të paraqisni ankesën.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet në Gjakovë i dyshuari për shtatë raste të vjedhjeve

Published

on

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për përfshirje në shtatë raste të veprave penale kundër pasurisë në komunën e Gjakovës.

Sipas policisë, i dyshuari me inicialet B.K. dyshohet se është i përfshirë në pesë raste të veprës penale “Vjedhje e rëndë” dhe dy raste të veprës penale “Vjedhje”.

Hetimet kanë siguruar prova që e lidhin të dyshuarin me rastet e raportuara, të cilat kryesisht kanë të bëjnë me thyerje dhe hyrje me forcë në lokale afariste në lokacione të ndryshme të qytetit të Gjakovës. Objekt i vjedhjeve kanë qenë kryesisht paratë e gatshme.

Pas arrestimit, i dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe, sipas policisë, ka pranuar përgjegjësinë për disa nga veprat penale për të cilat dyshohet.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, ai është ndaluar për 48 orë.

Policia e Kosovës ka theksuar se do të vazhdojë angazhimin në parandalimin dhe luftimin e kriminalitetit, si dhe në zbardhjen e rasteve penale me qëllim garantimin e sigurisë publike.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

17 shtete mirëpresin marrëveshjen SHBA-Iran, bëjnë thirrje për zbatim të shpejtë

Published

on

Një grup prej 17 shtetesh ka mirëpritur memorandumin e mirëkuptimit të shpallur ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, duke e cilësuar atë si një mundësi për rikthimin e stabilitetit rajonal dhe mbështetjen e ekonomisë globale.

Në një deklaratë të përbashkët, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Italia, së bashku me 13 shtete të tjera, përgëzuan SHBA-në, Iranin dhe ndërmjetësuesit, përfshirë Pakistanin dhe Katarin, për arritjen e këtij përparimi diplomatik.

Udhëheqësit theksuan se negociatat duhet të përfundojnë sa më shpejt dhe marrëveshja të zbatohet në mënyrë gjithëpërfshirëse, duke shprehur gatishmërinë për të mbështetur procesin.

Në deklaratë u bë thirrje edhe për rihapjen urgjente të Ngushticës së Hormuzit dhe rikthimin e lirisë së plotë të lundrimit, duke e konsideruar këtë një hap të rëndësishëm për stabilitetin ekonomik dhe tregtar.

Shtetet nënshkruese ritheksuan se Irani nuk duhet të zotërojë armë bërthamore dhe shprehën gatishmërinë për të bashkëpunuar me SHBA-në, Iranin dhe Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) për garantimin e këtij objektivi.

Po ashtu, ato deklaruan se janë të gatshme të shqyrtojnë heqjen e sanksioneve përkatëse nëse Irani ndërmerr hapa të qartë dhe të verifikueshëm lidhur me programin e tij bërthamor.

Nënshkruesit u zotuan të punojnë ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe rajonalë për të ruajtur vrullin diplomatik dhe për të arritur një zgjidhje afatgjatë të konfliktit.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Këmbësori goditet nga vetura pranë shkollës “Ismail Qemali” në Prishtinë

Published

on

Një person ka pësuar lëndime trupore pasi është goditur nga një veturë të martën paradite në Prishtinë.

Sipas Policisë, aksidenti ka ndodhur rreth orës 11:30 në rrugën “Enver Maloku”, pranë shkollës “Ismail Qemali”.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, ka bërë të ditur se në aksident janë përfshirë një veturë dhe një këmbësor.

“Rreth orës 11:30 kemi pranuar informatën për një aksident trafiku me lëndime në rrugën Enver Maloku në Prishtinë. Në aksident janë përfshirë një veturë dhe një këmbësor. Sipas informatave fillestare, lëndime ka pësuar një person, i cili ka pranuar tretman mjekësor”, ka deklaruar Pllana.

Policia ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e aksidentit.

/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara