Magazinë

Raportohet se Taylor Swift dhe Travis Kelce janë martuar në fshehtësi

Published

on

Taylor Swift dhe Travis Kelce raportohet se i kanë dhënë fund beqarisë në një ceremoni private, disa ditë përpara festës madhështore që pritet të mbahet në Madison Square Garden në New York.

Sipas Page Six, superylli i muzikës dhe lojtari i Kansas City Chiefs kanë shkëmbyer betimet martesore në praninë e një rrethi shumë të ngushtë familjarësh dhe miqsh, ndërsa festa zyrtare me mbi 1,000 të ftuar do të zhvillohet të premten, pas një darke provë me rreth 100 të ftuar.

“Ata janë tashmë të martuar”, ka deklaruar një burim i afërt me çiftin, ndërsa burime nga industria muzikore në Nashville pretendojnë se Swift dhe Kelce janë kurorëzuar edhe ligjërisht.

Megjithatë, deri më tani nuk ka konfirmim zyrtar. Sipas Page Six, në Zyrën e Gjendjes Civile në Manhattan nuk rezulton të jetë lëshuar ndonjë licencë martese në emrin e Taylor Swift, ndërsa licencat e martesës në shtetin e New York-ut nuk janë publike.

Raportimet sugjerojnë se ceremonia private mund të jetë zhvilluar në Tennessee, shteti ku Taylor Swift u shpërngul në adoleshencë për të ndjekur karrierën muzikore.

Spekulimet u shtuan edhe më shumë pasi, sipas New York Post, avioni privat i këngëtares bëri ndalesa në disa qytete ku jetojnë familjarët më të afërt të çiftit, përfshirë Philadelphia, Tampa dhe Nashville, pak para se të mbërrinte në New York.

Ndërkohë, sipas raportimeve të mëhershme, çifti kishte dhuruar 26 milionë dollarë për bamirësi përpara festimeve të dasmës. Deri tani, as Taylor Swift dhe as Travis Kelce nuk kanë reaguar ndaj zërave për martesën./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Rita Ora mahnit në tapetin e kuq në Londër me stil gotik

Published

on

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, ka tërhequr vëmendjen në tapetin e kuq të Festivalit të 70-të të Filmit në Londër, me një paraqitje elegante në stilin gotik.

Artistja mori pjesë në premierën e filmit të ri “Klara and the Sun”, me regji të bashkëshortit të saj, Taika Waititi. Çifti pozoi së bashku para fotografëve, duke shkëmbyer momente afërsie.

Rita zgjodhi një fustan të zi, të ngushtë pas trupit dhe të mbuluar me dantellë. Fundi i strukturuar në formë rrethi i jepte veshjes një siluetë të veçantë, ndërsa aksesorët në kokë, me forma që ngjanin me brirë dhe spirale, e plotësonin stilin e saj gotik.

Pamjen e kombinoi me grim me nuanca të argjendta dhe shkëlqim, flokë të mbledhur lart dhe këpucë të zeza me taka të larta, të lidhura përpara në stilin e korseit.

Ndërkohë, regjisori Taika Waititi u paraqit me një kostum klasik të errët dhe kravatë, duke plotësuar paraqitjen elegante të çiftit në tapetin e kuq./A.K/

Continue Reading

Lajmet

“Netflix” synon të ulë kostot, shkurton rreth 1000 vende pune

Published

on

Gjiganti i transmetimit të filmave dhe serialeve, Netflix, planifikon të shkurtojë rreth 6 për qind të vendeve të punës, në një kohë kur po përballet me ngadalësimin e rritjes së biznesit, raporton revista “Variety”.

Lajmi u bë i ditur nga bashkëdrejtuesit ekzekutivë të kompanisë, Greg Peters dhe Ted Sarandos.

Në fund të vitit të kaluar, Netflix kishte rreth 16 mijë punonjës, çka do të thotë se shkurtimet mund të prekin afërsisht 1.000 vende pune. Sipas raportimeve, masat do të përfshijnë disa sektorë, mes tyre burimet njerëzore, shërbimet ligjore dhe teknologjinë.

Disa javë më parë, Sarandos kishte pranuar se kompania po rritej më ngadalë sesa do të dëshironte.

Megjithatë, Netflix vazhdon të jetë një nga platformat kryesore globale të transmetimit. Sipas të dhënave të kompanisë, në fund të vitit 2025 shërbimi kishte më shumë se 325 milionë familje abonente.

Ndërkohë, gara në industrinë e transmetimit po intensifikohet. Pasi oferta e Netflix për të blerë aktivitetet e prodhimit të filmave dhe serialeve të Warner Bros u tejkalua nga Skydance, kjo e fundit synon të bashkojë platformën Paramount+ me HBO Max, duke krijuar një konkurrent më të fuqishëm në treg.

Pavarësisht shkurtimeve të planifikuara, drejtuesit e Netflix kanë theksuar se kompania do të vazhdojë të investojë në fushat me potencial të lartë rritjeje. Rezultatet e ardhshme financiare tremujore pritet të japin më shumë detaje për ecurinë e biznesit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Vrasja e Tupac Shakur: Duane “Keffe D” Davis pritet të dëgjojë sot dënimin

Published

on

Duane “Keffe D” Davis pritet të dëgjojë sot në Las Vegas dënimin për vrasjen e reperit të njohur Tupac Shakur, i cili u qëllua për vdekje në vitin 1996, në moshën 25-vjeçare.

Davis, 63 vjeç, u shpall fajtor për vrasje të shkallës së parë në gusht dhe përballet me mundësinë e burgimit të përjetshëm pa të drejtë lirimi me kusht.

Tupac u qëllua më 7 shtator 1996, teksa ndodhej në një veturë BMW të zezë së bashku me producentin muzikor Marion “Suge” Knight. Një Cadillac i bardhë u ndal pranë tyre në një semafor, nga i cili u hap zjarr. Reperi ndërroi jetë gjashtë ditë më vonë, ndërsa Knight mbijetoi.

Vrasja mbeti e pazbardhur për shumë vite, derisa Davis, ish-udhëheqës i grupit South Side Compton Crips, foli publikisht për përfshirjen e tij në ngjarje.

Ai pretendoi se gjithçka kishte nisur pas një përleshjeje në Las Vegas, ku Tupac dhe shoqëruesit e tij kishin sulmuar nipin e tij. Davis pranoi se kishte qenë në sediljen e pasagjerit të Cadillac-ut dhe se kishte siguruar armën e përdorur në sulm.

Prokuroria u mbështet në deklaratat e tij të mëparshme, duke argumentuar se ai kishte organizuar vrasjen dhe kishte siguruar armën. Ndërkaq, mbrojtja kundërshtoi akuzat, duke vënë në pah mungesën e provave fizike dhe duke pretenduar se Davis kishte dhënë deklarata të rreme për përfitime financiare.

Pas shpalljes fajtor, Davis deklaroi se do ta apelonte vendimin.

Ai mbetet personi i vetëm i akuzuar dhe i dënuar për vrasjen e reperit. Në seancën e dënimit pritet të flasin edhe anëtarë të familjes së Tupac-ut, duke kujtuar reperin jo vetëm si artist me famë botërore, por edhe si djalë, vëlla dhe familjar të dashur./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Etiketat “shkruar nga njeriu”, nisma për të dalluar librat e krijuar pa inteligjencë artificiale

Published

on

Nismat për certifikimin e librave të shkruar nga njerëzit, pa përdorimin e inteligjencës artificiale (IA), po fitojnë gjithnjë e më shumë mbështetje, pas disa rasteve të bujshme ku autorë janë dyshuar se kanë përdorur këtë teknologji pa e deklaruar.

Disa sisteme certifikimi nga Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania u prezantuan këtë javë në Panairin e Librit në Frankfurt, një nga ngjarjet më të mëdha të industrisë botërore të librit, ku ndikimi i inteligjencës artificiale ishte ndër temat kryesore të diskutimit.

Një nga rastet që ka nxitur debat është ai i shkrimtarit haitiano-kanadez Thelyson Orelien, i akuzuar se kishte përdorur inteligjencën artificiale për të shkruar romanin e tij të parë, “It Was Either That or Die”. Ai i ka mohuar këto pretendime.

Charlotte Allibert, bashkëthemeluese e kompanisë franceze “Librinova”, e cila ofron shërbime për vetëbotimin e librave, e ka cilësuar rastin si një tronditje të madhe për industrinë franceze të librit.

“Librinova” u mundëson autorëve të paraqesin veprat e tyre për vlerësim dhe, kundrejt një tarife, të marrin etiketën “krijim njerëzor”. Deri më tani, rreth 200 vepra kanë marrë këtë certifikim. Procesi përfshin përdorimin e programeve për zbulimin e përmbajtjeve të krijuara nga IA-ja, si dhe një intervistë me auditorin, i cili e shqyrton veprën.

Në Britaninë e Madhe, kompania “Books By People” ka prezantuar certifikimin “letërsi organike”. Ky standard kërkon që teksti të jetë shkruar nga vetë autori, duke lejuar përdorim të kufizuar të inteligjencës artificiale për kontrolle drejtshkrimore dhe gramatikore.

Ndërkohë, në Shtetet e Bashkuara, organizata “Authors Guild” ka krijuar një sistem vetëcertifikimi me etiketën “shkruar nga njeriu”, të cilën deri më tani e kanë marrë rreth 6 mijë e 500 tituj.

Shqetësimet për përdorimin e IA-së në letërsi janë shtuar edhe pas rastit të romanit horror “Shy Girl”, të autores Mia Ballard. Shtëpia botuese “Hachette” anuloi publikimin e tij në Shtetet e Bashkuara dhe e tërhoqi nga shitja në Britaninë e Madhe. Ballard mohoi se e kishte përdorur vetë këtë teknologji, por pranoi se një person i angazhuar për redaktimin e librit kishte përdorur inteligjencën artificiale.

Raste të tilla kanë shtuar shqetësimet në mesin e autorëve, veçanërisht të atyre që i botojnë vetë veprat, se mund të përballen me dyshime të padrejta për përdorimin e IA-së. Nismat e certifikimit synojnë të rrisin transparencën dhe të krijojnë standarde më të qarta për autorët, botuesit dhe lexuesit./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara