Lajmet

Raporti për komunat dhe MSh-në: Nga 27 tenderë, për 13 prej tyre ka pasur ankesa në OShP

Published

on

Në prezantimin e “Raportit të Monitorimit të Prokurimit”, në të cilin janë të përfshirë 27 tenderë, për 13 prej tyre ka pasur ankesa në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Ndërkaq, nga këta 13, në 8 prej tyre kishte dy e më shumë ankesa. Ndërsa, Ministria e Shëndetësisë ka pasur vështirësi në mbylljen e dy tenderëve.

Kështu u tha gjatë prezantimit të këtij monitorimi të bërë nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) dhe Demokraci Plus, në kuadër të projektit “Mbështetja e OJQ-ve për të monitoruar aktivitetet e prokurimit në komuna dhe MSh-së”.

Në këtë raport thuhet se “një prej shkeljeve më të shpeshta që është evidentuar gjatë këtij monitorimi ka qenë vendosja e kritereve diskriminuese, kritereve shumë të larta për projektin apo emërimin e produkteve”.

Kryetarja e OShP-së, Vjosa Gradinaj Mexhuani tha seoperatorët ekonomikë kanë të drejtë t’i drejtohen OShP-së në dy faza, në atë për kritere dhe për vlerësim të ofertave. Sa i përket fazës së kritereve, ajo shtoi se shpesh ndodhë që të aprovohen pjesërisht.

Tutje, Gradinaj Mexhuani tha se sfidë për këtë institucion mbetet mungesa e anëtarëve të bordit, derisa shtoi se vitin e kaluar kanë qenë 820 ankesa për shqyrtim, ndërsa këtë vit, deri më tani kanë marrë 940 ankesa me vajtje ardhje të bordit.

“Operatorët ekonomikë kanë të drejtë t’i drejtohen Organit Shqyrtues të Prokurimit në dy faza. Në fazën për kritere dhe në fazën për vlerësim të ofertave. Sfida kryesore që është kur operatorët ekonomikë hasin në ndonjë shkelje nga ana e autoritetit kontraktues, i drejtohen fillimisht autoritetit kontraktues në mënyrë që të gjejnë zgjidhjen e duhur të problemeve të tyre… Sa i përket fazës së kritereve shpesh ndodh që të aprovohen pjesërisht. Por, kemi edhe ato raste kur na drejtohen neve si institucion për zgjidhjen e problemeve të tjera të cilat nuk i marrin si të mirëqena… Sfidë tjetër ka qenë kërkesa për shqyrtim edhe në ato raste kur refuzohet nga ana e AK-së refuzohet pa bazë, pa fakt, pa argument… OSHP-ja vazhdon me pas sfidë, mungesën e anëtarëve të bordit. Përderisa vitin e kaluar kemi pasur 820 ankesa tërë vitin, deri tani kemi 940 ankesa me vajtje ardhje të anëtarëve të bordit”, tha Gradinaj-Mexhuani.

E prezantimin e këtij monitorimi e bëri redaktori i BIRN-it, Visar Prebeza. Si më shqetësues, ai e vlerësoi çështjen e hartimit të specifikacioneve teknike. Ai tha se “nga 27 tenderë të monitoruar, vetëm 11 raste AK-të kanë qenë në gjendje të tregojnë emrat dhe pozitat e personave apo emrin e kompanisë që i kanë hartuar specifikacionet teknike të një tenderi”.

Gjatë këtij prezantimi u tha se 27 tenderë të monitoruar në 15 prej tyre ka pasur korrigjime të gabimeve.

Prebeza potencoi se 8 nga këta 27 tenderë kanë qenë të pa planifikuar.

“Nga 27 tenderë, në 15 tenderë ka pasur korrigjime të gabimeve… Një çështje tjetër që e kemi parë është tenderët e pa planifikuar, nëse e shohim si përqindje nuk është shumë e madhe… Shkurtimi i afateve për pranim të tenderëve, edhe kjo është një çështje të cilën e lejon ligji, për shkak se ne e dimë që ka mundësi që ka një emergjencë për furnizim me diçka dhe duhet shkurtuar afatet, mirëpo kemi pasur raste ku afatet janë shkurtuar pa ndonjë arsye bindëse… Një çështje prej më shqetësuese në këtë raport është çështja e hartimit të specifikacioneve teknike… Prej 27 tenderëve vetëm në 11 raste kanë qenë në gjendje të na tregojë kush i ka hartuar specifikacionet teknike, përkundër insistimit… Kemi parë jashtëzakonisht shumë raste kur ka defekte në projektim, kur projekti është bërë prej Google Maps… Sa i përket ankimimit, ne e kemi parë prapë çështja e ankimimit është problematike, sepse 48 për qind të tenderëve që i kemi parë kanë shkuar në ankesa, prej këtyre ankesave, 13 tenderë që ka pasur ankesa, ka pasur më shumë se një ankesë. Pra 32 ankesa janë dorëzuar për këta 13 tenderë”, tha Prebeza.

Ndër të tjera, Prebeza potencoi se gjatë këtij monitorimi kanë përfshirë tre tenderë të Ministrisë së Shëndetësisë, derisa shtoi se dy prej tyre kanë pasur vështirësi në përmbylljen e tyre.

“Në Ministrinë e Shëndetësisë i kemi shikuar tre tenderë, janë dy tenderë që janë me teknologji informative, që është ‘Mirëmbajtja e 70 për qind të sistemit informativ shëndetësor’…Të dy tenderët e kanë të njëjtin problem, të dy tenderët kanë shkuar në OSHP, të dy kanë dilema të madha se cila të shkojë… Sa i përket tenderit me furnizim, ka qenë tender për furnizimin me barna, është një tender jashtëzakonisht i madh, ministria e kemi parë që ka pasur vonesa në liferim të barnave dhe ministria ka shqiptuar gjoba ashtu siç parashihet me ligj”, potencoi Prebeza.

Aty u tha po ashtu se Ministria e Shëndetësisë duhet të shmangë tenderët më afat të shkurtuar, në raste kur nuk ka ndonjë urgjencë në tender.

Në rekomandime u tha se Autoritetet Kontraktuese duhet t’i anulojnë tenderët, dosjet e të cilave “pësojnë disa korrigjime të gabimeve që e ndryshojnë në substancë gjithë dosjen e tenderit”.

Ndryshe në Raportin e Monitorimit të Prokurimit thuhet se nga 13 rastet kur Gjykata Komerciale kishte gjetur shkelje ligjore, 12 prej tyre ishin në procesin e vlerësimit të ofertave. Ndërkaq, vetë, në njërin nga vendimet, OShP-ja kishte konstatuar se janë bërë shkelje ligjore gjatë fazës së para tenderimit duke e detyruar AK që të ndryshojmë Dosjen e Tenderit.

Vendi

Kurti: Sot u nis ftesë partive opozitare, duhet marrëveshje për Presidentin

Published

on

By

Institucionet e Kosovës janë aktualisht në pritje të aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese lidhur me dekretin e Presidentes për shpërndarjen e Kuvendit. Ndërsa vendi pret këtë vendim që do të përcaktojë fatin e legjislaturës, Kryeministri Albin Kurti ka bërë thirrje për stabilitet, duke kërkuar një marrëveshje politike me partitë opozitare për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.

Kurti theksoi para mediave se Kosova nuk mund t’i lejojë vetes një tjetër cikël zgjedhor të dendur, duke kujtuar se gjatë vitit të kaluar vendi kaloi nëpër katër palë zgjedhje.

“Kemi një çështje tani që ndodhet në Gjykatën Kushtetuese, ndërkaq theksi duhet të vije në faktin që në vitin e kaluar kemi pasur 4 palë zgjedhje dhe unë jam i bindur që nuk kemi nevojë që ta përsërisim vitin 2025. Është e domosdoshme që të kemi marrëveshje me partitë opozitare për zgjedhjen e presidentit”, deklaroi Kurti.

Për të shmangur zgjedhjet e sërishme dhe për të siguruar funksionimin e Kuvendit pas vendimit të Gjykatës, Kryeministri njoftoi se ftesat për liderët e opozitës do të dërgohen menjëherë.

“Me krerët e partive opozitare duhet të takohemi dhe unë qysh sot do t’ju dërgoj ftesa për t’u takuar në fillim të javës së ardhshme”, shtoi ai, duke insistuar se zgjidhja duhet të gjendet përmes dialogut brenda spektrit politik.

 

Continue Reading

Vendi

Arian Gashi zgjidhet kryesues i ri i KPK-së

Published

on

By

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka zgjedhur sot udhëheqjen e tij të re. Pas përfundimit të procesit të votimit, ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit, Agron Qalaj, njoftoi se Arian Gashi ka marrë besimin e 4 anëtarëve, ndërsa kundërkandidati i tij, Milot Krasniqi, siguroi 2 vota.

Me këtë rezultat, Gashi do të jetë në krye të këtij institucioni të rëndësishëm, duke pasuar udhëheqjen e deritanishme.

Mandati i tij si kryesues i KPK-së nis zyrtarisht këtë të premte, më 13 mars 2026, dhe do të zgjasë deri në përfundim të funksionit të tij si anëtar i Këshillit.

Në fjalimin e tij të parë pas marrjes së detyrës, kryesuesi i sapozgjedhur theksoi rëndësinë e kësaj pozite si një mision për forcimin e ligjit:

“Këtë besim nuk do ta marr si privilegj por si përgjegjësi, andaj me besim në Zot dhe dashuri ndaj atdheut, do të realizojmë çdo plan të përbashkët”, deklaroi Gashi.

Menjëherë pas emërimit, ai ka bërë të ditur dorëheqjen nga pozita e tij e mëparshme si kryetar i Komisionit për Çështje Normative, për t’u fokusuar plotësisht në drejtimin e KPK-së.

Krahas tij, Këshilli ka zgjedhur edhe Dardan Vunqin në pozitën e zëvendëskryesuesit, duke kompletuar kështu ekipin drejtues të këtij institucioni.

 

Continue Reading

Rajoni

Maqedonci: Raketat kineze, kërcënim i Serbisë ndaj fqinjëve

Published

on

By

Blerja e fundit e raketave balistike supersonike CM-400 nga Kina ka nxitur reagimin e Ministrit të Mbrojtjes të Kosovës, Ejup Maqedonci.

Në një prononcim për Radio Evropa e Lirë, Maqedonci ka hedhur poshtë pretendimet e autoriteteve serbe se ky armatim shërben për mbrojtje, duke i cilësuar lëvizjet e Beogradit si një shpërfaqje të hapur të tendencave hegjemoniste ndaj vendeve fqinje.

Sipas ministrit, asnjë shtet fqinj i Serbisë nuk ka shfaqur qëllime agresive, ndërkohë që është vetë Serbia ajo që mban pretendime territoriale ndaj Kosovës. Ai vuri në dukje se furnizimi me sisteme raketore kundër-ajrore si FK3, HQ-17 dhe radarë të ndryshëm nga Kina është vazhdimësi e politikës së Aleksandar Vuçiqit për të sfiduar sigurinë në rajon përmes bashkëpunimit me vende joanëtare të NATO-s.

“Blerjet nga Rusia dhe Kina janë bërë që disa vite dhe vazhdojnë të bëhen, pra nuk lidhet me ndonjë kërcënim aktual për Serbinë…asnjë shtet fqinj i Serbisë në asnjë rast nuk ka shfaqur ndonjë qëllim agresiv apo sulmues në raport me Serbinë”, ka deklaruar Maqedonci.

Në anën tjetër, presidenti serb Aleksandar Vuçiq njoftoi se këto raketa “tmerrësisht të shtrenjta” janë integruar me sukses në avionët ushtarakë rusë MiG-29. Ai e arsyetoi këtë blerje si një përgatitje ndaj asaj që ai e quajti “aleanca e Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit”, duke iu referuar deklaratës për bashkëpunim në mbrojtje që këto tri vende nënshkruan në mars të vitit 2025.

Lajmi për armatimin e ri ka alarmuar edhe fqinjët e tjerë. Kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq, ka paralajmëruar se do ta adresojë këtë çështje direkt në strukturat e NATO-s. Ndërkohë, të dhënat e fundit nga instituti SIPRI konfirmojnë se Kina është bërë partneri kryesor ushtarak i Serbisë, duke mbuluar 57% të importeve të armëve, e ndjekur nga Rusia me 20%. /REL/

 

 

Continue Reading

Lajmet

Uashingtoni tërhiqet përkohësisht nga sanksionet ndaj Moskës për të ulur çmimet

Published

on

By

Uashingtoni ka marrë këtë vendim emergjent për të stabilizuar tregjet globale të energjisë, të cilat janë tronditur rëndë nga lufta me Iranin.

Shtetet e Bashkuara kanë lëshuar një leje të posaçme 30-ditore, e cila u mundëson vendeve të blejnë naftë dhe produkte të naftës ruse që aktualisht kanë mbetur të bllokuara në det për shkak të sanksioneve. Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, deklaroi se ky hap është i domosdoshëm për të stabilizuar tregun energjetik, i cili po përballet me pasiguri të mëdha pas shpërthimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, siç raporton Reuters.

Pas këtij njoftimi, çmimet e naftës pësuan një rënie të lehtë mëngjesin e së premtes në tregjet aziatike. Sipas përfaqësuesit rus, Kirill Dmitriev, ky vendim do të lirojë rreth 100 milionë fuçi naftë bruto ruse, sasi kjo që barazohet pothuajse me prodhimin ditor global.

Kjo është hera e dytë brenda pak më shumë se një jave që administrata e Presidentit Donald Trump tërhiqet nga sanksionet e lidhura me luftën në Ukrainë. Ky veprim shihet si një përpjekje për të zbutur çmimet e energjisë, pasi sulmet amerikano-izraelite ndaj Iranit kanë paralizuar transportin përmes Ngushticës së Hormuzit. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) deklaroi të enjten se kjo është ndërprerja më e madhe e furnizimit me naftë në histori.

Leja vlen deri më 11 prill

Dokumenti i lëshuar nga Uashingtoni autorizon shitjen dhe dërgesat e naftës ruse që është ngarkuar në anije para datës 12 mars dhe vlen deri në mesnatën e 11 prillit 2026. Ky vendim pasqyron shqetësimet e Shtëpisë së Bardhë se rritja e çmimeve (mbi 100 dollarë për fuçi) do të dëmtojë bizneset dhe konsumatorët amerikanë përpara zgjedhjeve të nëntorit.

Sekretari Bessent u shpreh se masa është “afatshkurtër” dhe nuk do t’i sjellë përfitime të mëdha financiare qeverisë ruse. “Rritja e çmimeve është një ndërprerje e përkohshme, por veprimet tona do të sjellin përfitime masive për ekonominë tonë në afatgjatë,” tha ai, duke përsëritur qëndrimin e Presidentit Trump.

Përplasje me aleatët evropianë

Ndryshe nga Uashingtoni, aleatët evropianë janë shprehur kundër zbutjes së sanksioneve. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se “tani nuk është koha për të liruar presionin ndaj Rusisë”. Po ashtu, qeveria britanike konfirmoi se nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj, duke e quajtur këtë një “moment kritik në agresionin rus kundër Ukrainës”.

Pezullimi i sanksioneve vjen pas një bisede telefonike mes Trumpit dhe Putinit më 9 mars, dhe një vizite të mëvonshme të delegacionit rus në SHBA, ku morën pjesë edhe emisarët e afërt të Trumpit, Steve Witkoff dhe Jared Kushner. /Reuters/

 

Continue Reading

Të kërkuara